Fatmir Terziu: Kur shkruajmë kujtime për Dobe Ninën
- Jan 19
- 2 min read

Kur shkruajmë kujtime për Dobe Ninën, nuk shkruajmë thjesht për një njeri që ka jetuar dhe është ndarë nga kjo botë një vit më parë; shkruajmë për një model të heshtur të arsimit, për një figurë që nuk kërkoi kurrë zhurmë, por la gjurmë të thella në ndërgjegjen e brezave. Dobe Nina u nda nga jeta në Tiranë, aty ku ishte vendosur familjarisht pas daljes në pension, por rrënjët e tij shpirtërore mbetën të ngulitura fort në vendlindjen Vërnicë dhe në Trebishtin ku ai shërbeu për vite me radhë si mësues, duke e kthyer rrugën mes dy fshatrave në një shteg përkushtimi, përgjegjësie dhe sakrifice. Ai e përshkoi këtë rrugë në këmbë, në të gjitha stinët dhe situatat klimatike, në shi, dëborë e vapë, jo si një detyrim i rëndë, por si një mision të pranuar me qetësi dhe dinjitet, sepse për të shkolla nuk ishte thjesht një institucion, por një hapësirë formimi njerëzor.
Së bashku me bashkëshorten e tij, zonjën e nderuar Angjelina, edhe ajo mësuese, Dobe Nina ishte pjesë e atij brezi kuadrosh arsimorë që në Trebisht u dalluan për profesionalizëm, disiplinë dhe sjellje shembullore, duke krijuar një klimë pune ku fjala e mësuesit kishte peshë dhe autoriteti nuk buronte nga frika, por nga respekti. Ata nuk e ndanë kurrë jetën profesionale nga ajo morale; gjithçka që bënin në shkollë ishte vazhdim i asaj që besonin si njerëz: ndershmërinë, përkushtimin dhe urtësinë. Në marrëdhënie me nxënësit, kolegët dhe komunitetin, Dobe Nina ruante gjithnjë një qetësi të brendshme, një fjalë të matur dhe një sjellje që nuk kërkonte të binte në sy, por që mbetej gjatë në kujtesë.
Unë vetë, kur punoja si mësues në Ostren të Madh, kam pasur jo pak kontakte me të, herë pas here në mbledhje pedagogjike, herë në rrugë, në ato takime të shkurtra që megjithatë linin mbresë. Ishte nga ata njerëz që edhe në një përshëndetje të thjeshtë, edhe në një bisedë të shkurtër, të jepte ndjesinë e seriozitetit dhe të respektit për profesionin. Nuk fliste shumë, por ajo që thoshte kishte peshë; nuk shfaqej si autoritet, por e kishte autoritetin natyrshëm, të fituar me vite pune dhe sjelljeje korrekte.
Takimin e fundit me të e pata në Tiranë, së bashku me kolegun mësues Branko Popën, gjatë promovimit të një libri tim studimor. Ishte një çast i thjeshtë, por i mbushur me ngrohtësi njerëzore; u çmallëm si njerëz që ndajnë të njëjtin rrugëtim shpirtëror në arsim dhe në jetë. Në atë përqafim dhe në ato pak fjalë të shkëmbyera, dukej sikur mbyllej në heshtje një kapitull i gjatë përkushtimi, por njëkohësisht hapej një kujtim që do të mbetej i gjallë.
Kur shkruajmë kujtime për Dobe Ninën, shkruajmë në të vërtetë për një epokë të arsimit ku mësuesi ishte figurë qendrore e komunitetit, ku shkolla mbahej mbi supe nga njerëz që nuk kursenin as veten, as kohën, as energjinë. Shkolla ku ai punoi do të festojë më 15 prill të këtij viti 112-vjetorin e saj dhe, natyrisht, krahas një plejade mësuesish që kanë dhënë kontribut ndër vite, do të kujtojë edhe emrin e Dobe Ninës, jo thjesht si një emër në listë, por si një prani që ka ndihmuar në formësimin e identitetit të saj.









Comments