Fatmir Terziu: Kur ndodh të fryhen gjërat
- 1 day ago
- 7 min read

Kur ndodh të fryhen gjërat
Eh, ore bir, eh. Foli dhe shfryu. Kishte dyzetë vite që shiste. Shiste nga më të ndryshmet. Pastaj pa andej nga sheshi dhe ofshau.
- Eh, eh, eh… Vetëm gjërat e fryra nuk pranojnë peshore. – Më foli ashtu gjysëm zëri dhe sytë ia nguli peshores. Unë renda sysh andej nga vinin zërat. Zhurma më përpiu, ndërsa Ai, njeriu i punës këpuste fije ajri në fytin e tij… U përhumba dhe dyzimi u ngjesh më fort në rrudhat e ballit të gjakut tim. Gjaku nuk bëhet ujë. Po uji a bëhet gjak?
Ai nuk u përgjigj. As unë nuk e prisja përgjigjen e tij. Ai moment kishte arsye të tjera. Kishte sytë, veshët, mendimet. E atë e lashë atje…, tek peshorja e tij.
Nuk e mora vesh kurrë se kush e fryu i pari atë komardare të madhe. Kur dola në shesh, ajo ishte aty. Nuk ishte prej gome, as prej pëlhure. Ishte bërë nga fjalët. Dukej. Lëkundej mbi kokat e njerëzve si një hënë e ulur gabimisht mbi qytet. Në fillim askush nuk e vuri re. Secili kishte ardhur me frymën e vet. Dikush me zemërim. Dikush me shpresë. Dikush sepse nuk donte të rrinte vetëm në shtëpi. Kishte edhe nga ata që nuk dinin përse ndodheshin aty. Turmat nuk i pyesin njerëzit për arsyet. Mjafton të ecësh në të njëjtin drejtim. Unë nuk isha protestues. As kundër protestës nuk isha. Punën time e kisha disa metra më tutje. Mbaja një derë. Dera nuk kishte faj për ata që hynin, as për ata që dilnin. Dyert nuk votojnë. Ato vetëm hapen ose mbyllen. Më duket se ky është fati më i vështirë i sendeve. Të mos kenë të drejtë të zgjedhin.
Nga vendi ku qëndroja shihja fytyrat. Në fillim ato ishin fytyra njerëzish. Pastaj u bënë fytyra parullash. Më pas nuk dallova më as fytyra, as parulla. Dallohej vetëm zëri. Një zë i vetëm, megjithëse secili mendonte se po fliste me gojën e vet. Atëherë e pashë komardaren. Po fryhej.
Nuk e frynte era. E frynte përsëritja. Sa herë që një fjali përsëritej dhjetë herë, ajo zmadhohej pak. Sa herë që një zemërim bërtitej njëqind herë, ajo ngrihej edhe më lart. Sa herë që një dyshim shpallej si e vërtetë, tullumbacja fitonte një tjetër shtresë ajri. Mendova se do të plaste.
Por nuk plasi. Gjërat që fryhen nga fjalët nuk plasin kollaj. Ato vetëm bëhen aq të mëdha, sa fillojnë të mbulojnë qiellin. Një djalë i ri kaloi pranë meje.
- Po fitojmë! - bërtiti.
Pak minuta më vonë kaloi një burrë tjetër.
- Po humbasim! - tha me të njëjtin zë.
Mbeta duke menduar se si mund të jetonin të dy në të njëjtën pasdite. Mbase sepse protesta nuk matet me atë që ndodh në shesh. Matet me atë që secili merr me vete kur largohet. Sheshi zbrazet më shpejt se mendja. Kur turma nisi të shpërndahej, dëgjova një qetësi të çuditshme. Qyteti kishte po ato ndërtesa. Po ato dritare. Po ato pemë. Edhe qielli dukej po ai. Vetëm tullumbacja nuk ishte më. Jo se ishte zhdukur. Ishte ndarë në mijëra copa të padukshme dhe secili kishte marrë një pjesë me vete. Njëri e quante fitore. Tjetri mashtrim. Një tjetër revolucion. Dikush spektakël. Të gjithë mbanin një copë ajri dhe besonin se ishte send. Aty e kuptova se sendet nuk fryhen vetëm me pompë. Më lehtë fryhen me pritje. Pastaj me zhgënjim.
Pastaj me premtime. Më në fund me kujtesë. Sepse kujtesa nuk ruan gjithnjë atë që ndodhi. Ruhet më mirë ajo që është fryrë.
Vite më vonë kaloj ende andej. Sheshi është i njëjti. Edhe dera ku rrija dikur është ende në këmbë. Nganjëherë më duket se dëgjoj sërish zhurmën e asaj dite. Por nuk jam më i sigurt nëse është zhurma e protestës. Apo fryma e njerëzve që vazhdon të kërkojë një komardare tjetër për ta mbushur. Sepse kështu ndodh me gjërat. Fillimisht i mbajmë ne. Pastaj ato fryhen. Në fund janë ato që na mbajnë ne. …Nuk kaloi shumë dhe u binda se tullumbacja nuk ishte zhdukur. Kisha gabuar. Nuk kishte qenë ajo që ishte ngritur mbi shesh. Ishim ne që kishim hyrë brenda saj. Kjo e ndryshonte krejt rrëfimin. Kur je jashtë një sendi, mund ta përshkruash. Kur ndodhesh brenda tij, e quan botë. Mbase për këtë arsye protestat nuk ngjajnë kurrë me njëra-tjetrën, megjithëse gjithmonë tregohen njësoj. Secila ka turmën e vet, flamujt e vet, thirrjet e veta, por mbi të gjitha ka ajrin e vet. Dhe ajri nuk shihet. Vetëm të ndryshon frymëmarrjen.
Një burrë i moshuar u ndal pranë derës. Nuk mbante flamur. As pankartë. Mbante një kapele të vjetër, të cilën e hiqte e e vinte vazhdimisht, sikur nuk dinte kujt duhej t’i tregonte respekt.
- Erdha të shoh, - më tha.
- Çfarë?
- Nëse është kjo ajo dita që kemi pritur.
Nuk dita ç’t’i përgjigjesha. Ditët nuk kanë zakon të prezantohen. Ato hyjnë në histori vetëm pasi kanë ikur. Deri atëherë janë thjesht orë. Orë që fryhen. Në mesditë dikush nisi të shpërndante ujë. Pak më tej dikush tjetër shpërndante fjalë. Pashë se njerëzit e merrnin më me etje këtë të dytën. Uji u mbarua shpejt. Fjalët vazhdonin. Madje shtoheshin. Fjalët kanë një ves të çuditshëm. Kur përdoren shumë, nuk pakësohen. Përkundrazi, shumohen. Njëra lind tjetrën. Pastaj të tretën. Në fund nuk dihet më cila ishte e para. Aty ku mbaron fjala, fillon jehona. Dhe jehona është më kokëfortë se fjala. Mbi ballkonet përreth kishin dalë njerëz që nuk zbrisnin. Ata nuk brohorisnin. As fishkëllenin. Shikonin. Gjithmonë kam menduar se historia nuk shkruhet vetëm nga ata që veprojnë. Një pjesë të saj e shkruajnë ata që vetëm shohin. Kanë më pak zhurmë dhe më shumë kujtesë.
Pasdite vonë nisi era. Flamujt u tendosën. Parullat u përkulën. Fjalët u shpërndanë. Vetëm fytyrat mbetën po ato. Atëherë kuptova se era është më e ndershme se njeriu. Ajo fryn njësoj mbi të gjithë. Nuk zgjedh. Nuk voton. Nuk mban anë. Një djalosh që gjatë gjithë ditës kishte bërtitur sa kishte zë, u ul në bordurë. Ishin zbehur sytë. Më kërkoi ujë. Ia dhashë shishen time.
Piu gjatë. Pastaj më pa.
- Mendon se ndryshon gjë?
Nuk e pyeta nëse e kishte fjalën për protestën apo për veten. M’u duk se të dyja pyetjet kishin të njëjtën përgjigje.
- Ndryshon gjithçka, - i thashë.
Ai buzëqeshi.
- Atëherë pse duket sikur nuk ndryshon asgjë?
Nuk fola. Sepse kishte pyetje që nuk kërkonin përgjigje. Kërkonin kohë. Koha është mjeshtri më i mirë për të shfryrë gjërat. Ajo nuk bërtet. Vetëm pret. Dhe pritja është gjilpëra më e hollë që kam njohur ndonjëherë. Asnjë komardare nuk i reziston. Kur u errësua, sheshi u zbraz. Mbetën vetëm letrat. Shishet plastike. Disa flamuj të harruar. Dhe një këpucë. Një këpucë e vetme. Nuk di pse, por ajo më tronditi më shumë se gjithë britmat e ditës. Njeriu mund të humbasë një këpucë vetëm kur nxiton më shumë sesa mendon. E mora në dorë. Ishte e lehtë. Shumë më e lehtë se pesha e ditës që kishte kaluar mbi të. E vendosa mbi shkallë, aty ku dikush mund ta gjente të nesërmen. Pastaj mbylla derën. Jo sepse protesta kishte marrë fund. Protestat nuk mbarojnë kur zbrazet sheshi. Ato vazhdojnë të ecin në kokën e secilit, derisa një mëngjes njeriu zgjohet dhe nuk është më i sigurt nëse atë që kujton e ka jetuar, apo vetëm e ka dëgjuar të përsëritet aq shumë, sa i është dukur e vërtetë.
Atë çast e kuptova se gjërat nuk fryhen vetëm nga ajri. Ato fryhen edhe nga kujtesa. Dhe kujtesa, kur mbushet më tepër sesa duhet, nuk mban më të shkuarën. Fillon të prodhojë një të ardhme që ende nuk ka ndodhur. …Të nesërmen dola herët. Qyteti kishte larë fytyrën. Një makinë ujitëse kalonte ngadalë përgjatë bulevardit, sikur kërkonte të fshinte jo pluhurin, por kujtimet. Uji linte pas një vijë të errët mbi asfalt. Më dukej si një fjali që shkruhej e fshihej në të njëjtën kohë. Njerëzit e mëngjesit nuk ngjanin me njerëzit e mbrëmjes. Ata që nxirrnin karriget e kafeneve nuk kishin qenë në shesh. Ata që pastronin trotuaret nuk kishin mbajtur fjalime. Ata që hapnin dyqanet nuk pyetnin kush kishte fituar. Qyteti kishte zakonin e vet: e priste zhurmën, e duronte dhe pastaj vazhdonte të jetonte, sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Vetëm muret nuk dinin të harronin. Në një mur lexova një parullë të shkruar me bojë të kuqe. Më tej, dikush kishte shkruar mbi të një tjetër fjali. Mbi të dytën kishte ardhur një dorë e tretë.
Në fund muri nuk fliste më për protestën. Fliste për nevojën e secilit për ta pasur fjalën e fundit.
M’u kujtua një farkëtar që kisha njohur dikur. Më kishte thënë se hekuri nuk thyhet nga goditja e parë. As nga e dyta. Thyhet nga kujtesa e të gjitha goditjeve bashkë. Njerëzit janë pak a shumë njësoj. Edhe shoqëritë. Ato nuk plasin nga një protestë. As nga një fjalim. As nga një premtim. Ato fryhen ngadalë, vit pas viti, derisa nuk mbajnë më brenda vetes atë që kanë grumbulluar.
Në drekë kalova sërish pranë sheshit. Një grup fëmijësh luanin me një top. Topi u përplas te shkallët ku një natë më parë kishte qëndruar këpuca. Nuk ishte më aty. Dikush e kishte marrë. Më pëlqeu ta mendoja se i zoti e kishte gjetur. Më pas mendova të kundërtën. Ndoshta e kishte marrë dikush tjetër. Ndoshta çdo protestë lë pas sende që nuk kthehen më te pronari.
Në mbrëmje ndeza radion. Secili tregonte protestën e vet. Njëri fliste për fitore. Një tjetër për dështim. Një i tretë për tradhti. Më dukej se nuk kishin qenë në të njëjtin shesh. Atëherë kuptova se ngjarjet nuk ndahen sipas asaj që ndodh. Ndahen sipas syve që i shohin. E vërteta nuk ishte bërë më e vogël. Ishin shtuar pasqyrat. Dhe çdo pasqyrë mbante vetëm një copë të saj. Mbrëmja u ul mbi qytet. Nga dritarja ime sheshi nuk dukej më. Por ndjehej. Si deti që nuk e sheh, por e kupton nga era. M’u duk se qytetet janë si mushkëritë. Thithin njerëzit në mëngjes. Nxjerrin historitë në mbrëmje.
Ai ende po më fliste. - Herë pas here marrin frymë më thellë. Kaq dëgjova dhe u përqëndrova në fjalën e tij…
-Atëherë ndodh ajo që ne e quajmë protestë. Nuk është vetëm zemërimi që del në rrugë. Është frymëmarrja e një qyteti që nuk gjen më vend brenda vetes. Por edhe fryma lodhet. Ashtu si lodhen këmbët. Vetëm një gjë nuk lodhet kurrë. Prirja jonë për t’i fryrë gjërat. T’i bëjmë më të mëdha se vetja. Më të rënda se arsyeja. Më të shenjta se e vërteta. Dhe kur ato bëhen aq të mëdha sa nuk na lënë më të shohim përtej tyre, fillojmë të besojmë se bota mbaron aty. Nuk mbaron. Bota vazhdon. Ajo ecën ngadalë, ndërsa ne rendim pas zhurmës.
- Si? Fola ashtu si i hutuar.
- Ja ashtu. Ashtu… Dhe çdo brez, pa e kuptuar, fryn komardaren e vet, duke qeshur me atë të brezit të kaluar. Ndoshta kjo është trashëgimia më e vjetër e njerëzimit. Jo luftërat. Jo pushtetet. Jo kufijtë. Por ajri që u japim gjërave. Sepse sendet peshojnë aq sa janë. Ngjarjet peshojnë aq sa ndodhin. Vetëm gjërat e fryra nuk pranojnë peshore. Ato jetojnë nga fryma jonë. Dhe vdesin vetëm kur ne guxojmë të marrim e të japim frymë ndryshe.








Comments