Fatmir Terziu: Kosova, 17 Shkurti, Kultura, libri dhe realiteti
- 3 minutes ago
- 2 min read

Kosova, 17 Shkurti, Kultura, libri dhe realiteti
Sot, më 17 shkurt, Kosova shënon 18 vjet Pavarësi. Një datë që duhet të ishte festë e qetë e dinjitetshme, por që mbetet e ngarkuar me peshë morale, politike dhe shpirtërore. Ndërsa flamujt ngrihen dhe fjalimet përsëriten, një pjesë e historisë sonë më të ndjeshme vijon të presë drejtësi larg atdheut, në Hagë, aty ku drejtuesit e Ushtria Çlirimtare e Kosovës presin përfundimin e një gjykimi që për shumëkënd mbart më shumë hije politike sesa dritë juridike. Ky përvjetor nuk është thjesht një shënim kalendarik. Është një pasqyrë ku shohim veten: sa kemi ecur dhe sa kemi humbur rrugës. Politika vazhdon të dominojë hapësirën publike me zhurmë, përplasje dhe interesa të ngushta, ndërsa kultura, libri dhe mendimi kritik mbeten në periferi, larg vendit që meritojnë. Në një shtet të ri, kultura duhet të ishte busulla; libri, kontrata morale me të ardhmen. Por sot, shpesh ato trajtohen si dekor, jo si themel.
Është paradoksale që një vend i lindur nga sakrifica e fjalës dhe e armës, sot të ketë frikë nga fjala e lirë dhe ta nënvlerësojë librin. Bibliotekat janë të heshtura, autorët të pa mbështetur, debati intelektual i rralluar. Ndërkohë, narrativat e shpejta politike e mbysin reflektimin, dhe e vërteta zëvendësohet nga versionet e dobishme. Drejtësia që pret në Hagë nuk është vetëm për individë; ajo është edhe për kujtesën kolektive. Pavarësia nuk matet vetëm me njohje ndërkombëtare, por me aftësinë për të mbrojtur dinjitetin e historisë dhe për ta ushqyer të ardhmen me dije, kulturë dhe etikë publike. Një shtet që harron librin, rrezikon të humbasë edhe lirinë që e fitoi me aq mund. Në këtë 17 shkurt, urimi më i sinqertë për Kosovën është kthimi te thelbi, drejtësia pa dy standarde, politika në shërbim të qytetarit, dhe kultura në qendër të jetës publike. Vetëm kështu Pavarësia bëhet përditshmëri, jo thjesht përvjetor.








