Fatmir Terziu: (H)ata
- 1 day ago
- 3 min read

Në botën e letrave, heshtja shpesh është më e zhurmshme se fjala. Ka duartrokitje që burojnë nga zemra dhe ka heshtje që burojnë nga frika. Ka lexues që të afrohen për të marrë dritë dhe ka edhe nga ata që afrohen vetëm për të matur sa larg ke shkuar. Këta të fundit, dikush me ironi të hidhur i quajti një ditë: “(H)ata”. Një titull i vogël, por me një peshë të madhe kuptimore. Një “H” që rri pezull mes habisë dhe atyre. Habia e njeriut që ende beson te fisnikëria e fjalës dhe “ata” që nuk e durojnë dot suksesin e tjetrit. Ata që e quajnë veten të mëdhenj, por që dridhen përpara një libri të mirë të shkruar nga dikush tjetër.
Një koleg më tha një ditë: “Mos prit që dikush nga ata që ti ua ke kaluar, të të thotë një fjalë për studimet e tua, romanet, novelat, tregimet apo poezitë. Mos prit as për librat e tu. E di pse? Sepse i ke lënë pa gjumë. I ke sëmurë.” Në fillim më tingëlloi e tepruar. Pastaj kujtova historinë e letërsisë botërore. Kujtova se sa shumë shkrimtarë të mëdhenj janë përballur jo me mungesën e talentit, por me zilinë e kohës së tyre. Sa kritikë heshtën për Franz Kafkën sa ishte gjallë. Sa vetmi mbarti Vincent Van Gogh në artin e tij, edhe pse sot bota e adhuron. Sa helm u derdh mbi Ernest Hemingwayn nga rivalët e tij letrarë. Sa shpesh u nënvlerësua Ismail Kadare nga ata që nuk mund ta arrinin në universin e tij krijues. Historia e letërsisë është e mbushur me autorë që lexuesi i ngriti në piedestal, ndërsa kolegët e tyre u përpoqën t’i mbulonin me heshtje. Kjo, sepse heshtja është arma më e përdorur në qarqet ku mediokriteti vishet me petkun e madhështisë. Ata nuk të sulmojnë gjithmonë. Jo. Shpesh të injorojnë. Nuk të përmendin. Nuk ta komentojnë librin. Nuk ta shpërndajnë një mendim. Nuk të urojnë për një çmim. Ata bëjnë sikur nuk ekziston. Është një lloj “vrasjeje” e butë morale, një përpjekje primitive për të të fshirë nga vëmendja.
Por arti i vërtetë ka një ligj tjetër. Ai nuk jeton nga komentet e kolegëve. Jeton nga koha. Një shkrimtar nuk matet nga numri i njerëzve që i buzëqeshin nëpër promovime, por nga numri i netëve që ai ka kaluar zgjuar për të lindur një fjali të ndershme. Nuk matet nga duartrokitjet e rreme, por nga plagët që ka pranuar të mbajë për hir të krijimit. Në çdo kohë kanë ekzistuar “(H)ata”. Ata që hyjnë si urithi në truallin tënd krijues, jo për të mbjellë, por për të gëlltitur. Ata që kërkojnë të zbulojnë jo dritën tënde, por dobësinë tënde. Ata që e kanë kthyer konkurrencën në smirë dhe smirën në mënyrë jetese. Por ekziston një ndryshim i madh mes krijuesit dhe smirëziut. Krijuesi ndërton. Smirëziu numëron. Krijuesi shkruan. Smirëziu vrojton. Krijuesi lë gjurmë. Smirëziu lë vetëm hije.
Dhe ironia më e madhe është se “(H)ata” shpesh nuk e kuptojnë se heshtja e tyre është në fakt pranimi më i madh i vlerës sate. Sepse njerëzit nuk heshtin për atë që nuk ka rëndësi. Askush nuk xhelozon një dritë të fikur. Prandaj, një shkrimtar nuk duhet të mërzitet nga mungesa e duartrokitjeve të kolegëve. Letërsia nuk është garë duarsh, por garë fryme. Ka libra që bëjnë zhurmë për një stinë dhe harrohen. Ka të tjerë që kalojnë në heshtje dhe mbeten për dekada në ndërgjegjen e lexuesit. Në fund, historia nuk i mban mend ata që heshtën për të tjerët. Historia mban mend ata që krijuan. Ndaj, kur të përballesh me “(H)ata”, mos u ndal. Vazhdo të shkruash.
Shkruaj dhe krijo, sepse ndoshta pikërisht heshtja e tyre është prova më e qartë se fjala jote ka arritur aty ku ata nuk munden dot.








Comments