Fatmir Terziu: Gjuha që na njeh më mirë se vetja

Gjuha që na njeh më mirë se vetja: Mendjemadhësia, mosmirënjohja dhe parazitizmi në pasurinë e frazeologjisë shqipe, shkruar, hulumtuar në një vepër profesionale dhe madhështore nga Prof Dr Eshref Ymeri. Një udhëtim në kujtesën e gjuhës, aty ku populli ka ruajtur përvojën, urtësinë dhe gjykimin e tij për karakterin njerëzor.
Ka raste kur gjuha nuk ka nevojë për fjalë të mëdha për të shprehur të vërteta të mëdha. Mjafton një shprehje e lindur në gojën e popullit, një krahasim i gjetur në përditshmërinë e tij, një figurë që, ndonëse e thjeshtë në ndërtim, mbart brenda vetes një përvojë të gjatë njerëzore. Pikërisht në këtë pikë, ku fjala e zakonshme shndërrohet në një pasqyrë të karakterit, shqipja dëshmon një pasuri që nuk matet vetëm me numrin e fjalëve, por me aftësinë e saj për të depërtuar në thellësitë e sjelljes njerëzore.
Një mesazh i ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, prej Prof. Dr. Eshref Ymerit, më rikthen te një prej thesareve më të çmuara të gjuhës sonë: frazeologjia shqipe. Studiuesi, i cili e ka ballafaquar atë me gjuhë të mëdha të kulturës botërore, si anglishtja, frëngjishtja, italishtja dhe rusishtja, shpreh një vëzhgim domethënës: nuk ka gjetur në asnjërën prej tyre një dendësi të tillë shprehjesh frazeologjike sinonimike, si ajo që ofron shqipja në katër fjalorët frazeologjikë dygjuhësh me të cilët është marrë. Ky konstatim nuk është thjesht një vlerësim për pasurinë leksikore të gjuhës sonë. Ai na fton të shohim se sa shumë ka vëzhguar, menduar, përjetuar dhe gjykuar populli shqiptar për njeriun, për virtytet dhe dobësitë e tij, për marrëdhëniet që ndërton dhe për plagët që lë pas në jetën e të tjerëve.

Mjafton të ndalemi te fjala mendjemadhësi për të kuptuar se si shqipja e ka shndërruar një tipar të karakterit në një galeri të tërë figurash. Njeriu mendjemadh nuk është vetëm ai që e mban veten për të rëndësishëm, por edhe ai që «e ka hundën në lis», që «e mban hundën lart», që «i duket hunda dyfek», që «e mban bishtin cakërr» apo që «e ka vetja në qejf». Në këto shprehje, gjuha nuk përshkruan thjesht një sjellje; ajo e vizaton atë, e bën të dukshme, gati të prekshme. Mendjemadhi shfaqet si një figurë që kërkon të ngrihet mbi të tjerët, edhe kur nuk ka asgjë që ta justifikojë atë lartësi. Ai «krekoset si gjeli majë plehut», «si maçoku në thekër», «rreh gjoksin», «shet mend» dhe «vret lart», sikur bota të ishte krijuar për t'i shërbyer vetëvlerësimit të tij.
Sa shumë urtësi fshihet në këtë mënyrë të të folurit! Populli nuk e ka parë mendjemadhësinë si një cilësi të fuqisë, por si një deformim të masës. Ai e ka kuptuar se njeriu që e ngre veten duke ulur të tjerët, në të vërtetë zbulon pasigurinë e vet; se ai që kërkon të duket më i madh se ç'është, shpesh ka humbur lidhjen me përmasat e vërteta të vetvetes. Prandaj, në frazeologjinë shqipe, mendjemadhësia nuk paraqitet si një madhështi, por si një komedi e karakterit, ku kapardisja bëhet më e dukshme se merita dhe zhurma më e madhe se vlera.
Një tjetër pasqyrë e mprehtë e ndërgjegjes popullore është mosmirënjohja. Në këtë fushë, shqipja bëhet edhe më e drejtpërdrejtë, sepse prek një prej plagëve më të ndjeshme të marrëdhënieve njerëzore: harrimin e së mirës. «Bukëshkalë», «ha bukën e përmbys kupën», «shkel bukën me këmbë», «këtej të pi verën e këtej të shan derën» janë shprehje që nuk kanë nevojë për shpjegime të gjata. Ato bartin brenda vetes një gjykim të prerë moral. Njeriu që harron të mirën e marrë, që kthen mikpritjen në përbuzje dhe ndihmën në armiqësi, nuk cenon vetëm atë që e ka ndihmuar; ai cenon vetë besimin mbi të cilin ngrihen marrëdhëniet njerëzore.
Në këtë botëkuptim, buka nuk është vetëm ushqim, as kupa vetëm një enë. Ato janë simbole të besës, të mikpritjes, të dorës së shtrirë dhe të një tradite ku e mira nuk harrohet. Kur dikush «ha bukën e përmbys kupën», ai nuk kryen thjesht një veprim të pahijshëm; ai përmbys një marrëveshje të heshtur njerëzore, atë marrëveshje që e bën njeriun të ndihet i sigurt pranë tjetrit. Kjo është arsyeja pse frazeologjia e mosmirënjohjes ka një ngarkesë kaq të fortë emocionale: ajo ruan në vetvete kujtesën e një populli që e ka njohur vlerën e ndihmës, por edhe hidhërimin e tradhtisë së saj.
Nëse mendjemadhësia dhe mosmirënjohja zbulojnë dy deformime të karakterit, parazitizmi shfaqet në frazeologjinë shqipe si një gjendje e zgjatur e shmangies nga përgjegjësia. Këtu gjuha jonë hap një hapësirë të jashtëzakonshme shprehjesh, ku përtacia nuk mbetet një koncept abstrakt, por merr trajtën e një jete të tërë të kaluar në pritje, në kotësi dhe në shmangie të punës. «E ha bukën kot», «bën sehir», «dredh tespihet», «fle gjumin e madh», «numëron miza», «numëron yjet», «ruan erërat», «ngroh vezë», «vret kohën», «rri duarkryq», «nuk zë gjë me dorë» – secila prej tyre është një pamje e veçantë e të njëjtit realitet: njeriu që e lë jetën të kalojë pa i dhënë asaj një kuptim përmes përpjekjes dhe punës.
Në këto shprehje ndihet edhe humori i hollë popullor, ajo ironi që nuk ka nevojë të ngrejë zërin për të thënë një të vërtetë të pakëndshme. Njeriu që «numëron miza» apo «ruan erërat» bëhet figurë e një kohe të shpërdoruar, ndërsa ai që «vret barkun në hije» përfaqëson një kundërvënie të çuditshme ndaj atij që djersitet në diell për të siguruar jetesën. Populli e ka ditur se përtacia nuk është vetëm mungesë e lëvizjes fizike, por edhe një mënyrë për t'iu shmangur barrës së përbashkët, për të jetuar mbi mundin e tjetrit dhe për ta kthyer përfitimin pa kontribut në një zakon.
Por ajo që e bën veçanërisht të rëndësishme këtë pasuri frazeologjike nuk është vetëm numri i madh i shprehjeve. Është fakti se pas tyre qëndron një filozofi e tërë e jetës. Gjuha shqipe nuk e ka ndërtuar këtë galeri figurash në laboratorë të ftohtë gjuhësorë, por në marrëdhëniet e përditshme, në odat e burrave, në sofrat familjare, në arat ku punohej, në rrugët ku takoheshin njerëzit, në gëzimet dhe zhgënjimet e një shoqërie që e ka pasur fjalën njëherazi mjet komunikimi dhe mjet gjykimi. Çdo shprehje është një copëz përvoje e përmbledhur, një mendim i gjatë i shndërruar në pak fjalë, një vëzhgim që ka kaluar nga një brez te tjetri dhe ka mbijetuar sepse ka ruajtur të vërtetën e vet.
Këtu qëndron edhe rëndësia e punës së studiuesve të frazeologjisë, ndër të cilët Prof. Dr. Eshref Ymeri ka dhënë një kontribut të vyer. Ballafaqimi i shqipes me gjuhët e tjera nuk duhet parë si një garë për të përcaktuar se cila gjuhë është më e pasur, por si një mundësi për të zbuluar veçantitë e mënyrës se si popujt e ndryshëm e kanë përjetuar dhe emërtuar botën. Në këtë ballafaqim, shqipja shfaq një aftësi të veçantë për të krijuar sinonimi të shumta, për të ndërtuar figura të gjalla dhe për të shprehur me nuanca të imta dallimet e karakterit njerëzor. Kjo pasuri është njëkohësisht dëshmi e krijimtarisë popullore dhe një ftesë për studiuesit që ta ruajnë, ta dokumentojnë dhe ta bëjnë të njohur edhe përtej kufijve të gjuhës sonë.
Në një kohë kur fjalët shpesh përdoren me nxitim, kur komunikimi i përditshëm po humbet një pjesë të ngjyrimeve të tij dhe kur shprehjet e gatshme po zëvendësojnë gjithnjë e më shumë mendimin e përpunuar, kthimi te frazeologjia është edhe një kthim te kujtesa jonë kulturore. Aty gjejmë jo vetëm mënyrën se si kanë folur të parët tanë, por edhe mënyrën se si kanë menduar, si kanë dalluar të mirën nga e keqja, si kanë qeshur me mendjemadhësinë, si kanë dënuar mosmirënjohjen dhe si kanë vënë në lojë përtacinë. Në këtë kuptim, frazeologjia nuk është një relike e së shkuarës, por një pasuri e gjallë që vazhdon të na ndihmojë të kuptojmë të tashmen.
Ndoshta, në fund të këtij udhëtimi nëpër shprehjet e shqipes, duhet të ndalemi te një e vërtetë e thjeshtë: njeriu mund të ndryshojë kohët, veshjet, mënyrën e jetesës dhe mjetet me të cilat komunikon, por karakteri i tij vazhdon të shfaqë të njëjtat dobësi dhe të njëjtat nevoja. Mendjemadhësia kërkon ende të ngrihet mbi të tjerët, mosmirënjohja vazhdon të harrojë dorën që e ndihmoi dhe parazitizmi përpiqet të jetojë me mundin e të tjerëve. Ndërsa gjuha, me urtësinë e saj të pashtershme, vazhdon t'i njohë, t'i emërtojë dhe t'i zbulojë.
Shqipja është e pasur jo vetëm sepse ka shumë fjalë për të emërtuar botën, por sepse ka gjetur aq shumë mënyra për të na treguar se si jemi ne brenda saj. Dhe kjo është një pasuri që nuk mund të matet me fjalorë, por me thellësinë e përvojës njerëzore që ata mbartin.








Comments