Fatmir Terziu: Fetah Biza, intelektuali që rend pas dritës
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Dec 15, 2025
- 5 min read

Fetah Biza, intelektuali që rend pas dritës
E takova shkitazi në afërsi të ish-Shtëpisë së Kulturës në Elbasan, gjatë ditëve të mia të pushimeve në Atdhe. E pashë të përkushtuar, me një dosje në dorë, me një arsye të qartë për të shkuar më tej në idetë e tij. Dhe ashtu i qetë më kërkoi të takoheshim për kafe, por koha ime e reduktuar dhe arsye të tjera familjare më bënë të mos gjej mundësinë të takohem me të. E kështu me këtë protagonist nënshkrova në memorje se në jetën kulturore dhe shkencore të një qyteti, ekzistojnë figura që nuk mjaftohen me rolin e vëzhguesit, por marrin mbi vete misionin e ruajtjes, rindërtimit dhe transmetimit të kujtesës kolektive. Fetah Biza bën pjesë pikërisht në këtë kategori intelektualësh, të cilët, me përkushtim dhe këmbëngulje, rendin pas dritës për të ndriçuar errësirën e harresës që koha shpesh hedh mbi figura, ngjarje dhe vlera kulturore. Veprimtaria e tij është një ndërthurje harmonike mes mësimdhënies, kërkimit shkencor dhe angazhimit qytetar, duke e shndërruar atë në një nga kontribuuesit më të rëndësishëm të kujtesës kulturore të Elbasanit.
Intelektuali kërkues dhe etika e studimit
Puna e Fetah Bizës në fushën e studimeve kulturore dhe historike shquhet për seriozitetin metodologjik dhe ndjeshmërinë ndaj burimit arkivor. Ai duhet përgëzuar për punën e tij të mirëfilltë shkencore, pasi kontributi i tij nuk kufizohet vetëm në interpretim, por mbështetet në kërkim të vazhdueshëm dokumentar, krahasim burimesh dhe analizë kritike. Në këtë mënyrë, studimet e tij shërbejnë si bazë e qëndrueshme edhe për studiues të tjerë që merren me figurat atdhetare, patriotike dhe krijuese të qytetit të Elbasanit.
Një nga meritat kryesore të Fetah Bizës është përpjekja e tij për të rikthyer në vëmendje personalitete që koha i ka mbuluar me “pluhurin e harresës”. Ky akt nuk është thjesht nostalgjik, por thellësisht shkencor dhe qytetar, pasi ai synon të rivendosë ekuilibrin historik dhe kulturor duke i dhënë secilit figurë vendin që i takon në panteonin e kulturës lokale dhe kombëtare.
Et’hem Haxhiademi dhe “Filozofi në skenë”
Kulmi i angazhimit studimor të Fetah Bizës shfaqet në përkushtimin e tij ndaj figurës së Et’hem Haxhiademit, një nga dramaturgët dhe mendimtarët më të rëndësishëm të letërsisë shqiptare. Pasioni, këmbëngulja dhe puna e palodhur për të zbardhur jetën dhe veprimtarinë e tij artistike u materializuan në librin “Filozofi në skenë”, një vepër që përbën një kontribut të vyer në studimet teatrore shqiptare.
Ky libër nuk është vetëm një monografi klasike, por një analizë e thelluar që shpalos dimensionin filozofik të veprës së Haxhiademit, duke e vendosur atë në kontekstin historik, estetik dhe kulturor të kohës. Përmes këtij studimi, Fetah Biza i ofron lexuesit dhe studiuesit një këndvështrim të ri mbi dramaturgun, duke dëshmuar se teatri shqiptar i asaj periudhe ishte i aftë të prodhonte mendim të thellë dhe reflektim universal.
Kujtesa e qytetit përmes artit dramatik
Një tjetër gur themeli në veprimtarinë e Fetah Bizës është ekspozita “Kujtesa e qytetit përmes artit dramatik”, e çelur në Bibliotekën “Qemal Baholli”. Kjo ekspozitë ishte më shumë se një ngjarje kulturore: ajo ishte një akt shkencor, një narrativë e ndërtuar mbi fakte, dokumente dhe dëshmi të historisë teatrore të Elbasanit nga viti 1917 deri në vitin 1944.
Përmes kësaj ekspozite, teatri u shfaq si një pasqyrë e jetës shoqërore dhe kulturore të qytetit, duke dëshmuar se skena dramatike ka qenë një hapësirë e rëndësishme e formimit të ndërgjegjes qytetare. Fetah Biza arriti të ndërthurë historinë e institucioneve, autorëve, aktorëve dhe shfaqjeve, duke krijuar një panoramë të plotë dhe koherente të zhvillimit teatror elbasanas.
Mësuesi, drejtuesi dhe formuesi i brezave
Përpara se të njihet si studiues, Fetah Biza është mësues, një profesion që ai e ka ushtruar për disa dekada me bindje të thellë dhe përkushtim të rrallë. Ai ka punuar në disa shkolla të rrethit të Elbasanit, ka mbajtur role drejtuese dhe për disa vite ka qenë drejtor i shkollës 9-vjeçare “Hajdaran”, ku zbuloi mjaft talente. Në këtë rol, ai nuk u mjaftua vetëm me administrimin, por u përpoq të krijojë një klimë arsimore të shëndetshme, të bazuar në respekt, bashkëpunim dhe dashuri për dijen.
Pra, Fetah Biza rrjedh nga një familje ku trashëgohen vlerat arsimore dhe kulturore. Lindi në qytetin e Elbasanit më tetor 1953. Ka kryer Shkollën e Lartë në vitet 1972-1976, pranë Institutit Pedagogjik të Elbasanit ne degën Matematikë-Fizikë. Punoi si mësues dhe drejtor (1975 - 2018) në shkollat të fshatrave Korrë, Funarit, Mlizë dhe Hajdaran.
Ka bashkëpunar me OJQ, si "Ëorld Vision", ADE (Arkivi Digjital Elbasan). Është vlerësuar "Mirënjohja e Qytetit" nga Bashkia Elbasan. Ka botuar në Revistën "Albanon" të (ADE), me shkrime për jetën artistike-kulturore të qytetit Elbasan. Si koleg dhe mik, Fetah Biza njihet si një njeri që di të krijojë mirësi njerëzore përreth vetes. Ai arrin t’i bëjë njerëzit të ndihen mirë, të ngrohë zemrat dhe të forcojë lidhjet njerëzore, cilësi këto që reflektohen edhe në mënyrën se si ai i qaset historisë dhe kulturës.
Arkivi Digjital i Elbasanit: drita përballë errësirës
Edhe pas përfundimit të angazhimit të drejtpërdrejtë në shkollë, Fetah Biza nuk e ka ndërprerë kërkimin. Përkundrazi, ai është gjithnjë në hulumtim dhe në kërkim të rrugëve të reja për ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Një nga projektet më domethënëse në këtë drejtim është angazhimi i tij për Arkivin Digjital të Elbasanit, një nismë që synon të mbledhë, sistemojë dhe bëjë të aksesueshme dokumente, fotografi, dorëshkrime dhe materiale të tjera me vlerë historike e kulturore.
Në këtë arkiv, Fetah Biza kërkon çdo ditë “më shumë dritë” për të shpërndarë errësirën dhe pluhurin që kanë mbuluar figura të ndritura, ngjarje të rëndësishme dhe kultura të trashëguara. Ky projekt është një shembull i qartë i ndërthurjes së traditës me teknologjinë, duke i dhënë kujtesës së qytetit një dimension bashkëkohor.
Formimi familjar dhe lidhja me teatrin “Skampa”
I rritur dhe i edukuar në një familje tipike elbasanase, me dashuri për artin, shkollën dhe edukimin, Fetah Biza e ka përvetësuar që herët ndjeshmërinë ndaj vlerave kulturore. Ai është një kërkues i gjithanshëm i vlerave të Teatrit “Skampa”, institucion simbol i jetës artistike të Elbasanit, të cilin e sheh si një hapësirë ku ndërthuren historia, identiteti dhe krijimtaria. Për të, “Skampa” nuk është vetëm një teatër, por një kujtesë e gjallë e qytetit, një dëshmi e vazhdimësisë kulturore dhe një pikë referimi për studimin e artit dramatik shqiptar.
Në vend të përfundimit
Fetah Biza përfaqëson figurën e intelektualit që nuk pajtohet me harresën dhe indiferencën. Ai rend pas dritës me bindjen se kultura dhe historia nuk janë të dhëna të pandryshueshme, por procese që kërkojnë vëmendje, studim dhe dashuri. Me veprën e tij studimore, me kontributin si mësues dhe me angazhimin për ruajtjen e kujtesës kulturore, ai i ka dhënë Elbasanit dhe kulturës shqiptare një pasuri të çmuar, duke dëshmuar se drita e dijes fitohet vetëm nga ata që nuk reshtin së kërkuari.









Comments