Fatmir Terziu: ESMERJA TEK GORKA
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Mar 24
- 3 min read

Në Spahikore (Spajkore) këmbët e mia lanë gjurmë dhe memorja mbeti një shkumë që herë i lan e herë i shpërndan si flluska në tjerranë. E tjerrana sipas këhërave zbret lapsin e letrën në hapësirën e sheshtë të rishkruaj, ashtu sikurse di vetë… Troket si realitet? Çdo lexuesi i jepet një mundësi të mos hesht. Le të ketë diçka, patjetër diçka që ngjet… Faleminderit miq përjetë!
ESMERJA TEK GORKA
Nga Fatmir Terziu
Vargjet me peshq shtriheshin tek Gorka. Pasditet
shfrynin dufin e dyqaneve me tollona
psherëtimë: “Kujdes pëshpëritjet!
“... të Shkumbinit janë, ka peshq sa një oqean,
është Mustak, do mbeteni të gjithë pa fjalë!”
Ai vazhdonte të shpinte zërrin përgjatë rrugës thellë,
ku nderte robat mes portokallave mbi tel,
esmerja e lagjes, ajo vajzë syçelmë.
“Blini peshk, do të ju jap mjaft shpresë,
është i Shkumbinit, s'është krap”,
dhe kthente sytë e tij me vrap,
aty ku nderte bukuroshja rrobat mbi tel...
e fliste me vete si i marrë:
“esmerja ime e ëmbël,
në zemër më therr!”
Mjaft kohë ai nuk u pa më aty
u tha se kishte pasur rrufe në gjakun e tij
e kuqja kishte ngjyer edhe retë
madje dhe rrobat e esmeres mbi tel...
Njerëzit ndalonin jo pak herë tek Gorka,
kthenin kokën andej u ishte bërë ves,
nuk shtrihej më peshku varg me shkopin tek koka
ishte i Shkumbinit, ende jepte shpresë...
Pastaj sytë i vërvisnin atje mbi tel
ku një zë vazhdonte deri në terr
“esmerja jote e ëmbël, po vdes
ah zemër, zemër, me vete më merr!”
MARI MAGDALENA TEK RREMA
Nga Fatmir Terziu
Ishte koha kur vezët ngjyheshin fshehtas. Hauri
zbriste e ngjiste shkallëve shpirtin e komshijes
dredha-dredha të lashtat përthyerje
mbusheshin me ajër e bulëza të lehta
në të përpjetën e pjerrët të dërrasave,
me të thyerat, të shkatërruarat parapete,
ajër i pafrymë me dritë yjesh,
jashtë yllit që ndiqte polin e fshehur,
dihaste, kur rifillonte lutja e Vllehes tek Rrema,
me frymën e haurit trishti
ndante errësirën nga shpirti brenda.
Ajri mbufatej shenjtëruar mbi trupin e komshijes
këmbët e fryra mallkonin reumatizmën
ajo ishte dhe nuk ishte Mari Magdalena
edhe pse sytë si ajo i kishte,
panjollosur nga vraga e viteve,
i duhej asaj imagjinata tek Rrema,
e kaluara e gjatë që lëvizte gjërat
ndezja prush mbi vezë e së kuqes
shkundej fatalja nga ëndërrat
nga sofrabezi i vdekjes dhe i lindjes.
Pastaj në një sofër të rrumbullakët,
ngjyrat e vezëve çakërdisnin sytë tanë,
në atë shtëpi jeta kishte vite që ishte e vakët,
komshija ishte edhe baba, edhe nanë,
ne ishim atëherë fëmijë
nuk e kuptonim fjalën kasaphanë...
Komshija kishte mbetur adhuruese e jetës,
shtruar shekuj më parë, në atë sofër
s’donte të besonte atë gënjeshtër
një njeri i gjallë a duhet të jetë i verbër?
Dhe vitet ikin, kujtimet edhe të trishta mbeten
... ishte koha kur Pashkët kërkonin ritin
muaji kur komshija Vllehe ofshante me veten:
“Edhe për këto vezë po na e marrin shpirtin!”
HIJET E SPAHIKORES
Nga Fatmir Terziu
Copat e errësirës së mekur
përhumbnin nëpër ëndërra
e hijeve të sorrave mbi asfalt.
Dëshirave të bartura në parzmë
një hije mbi Spahikore,
me sytë e ngirur në Krastë,
bulaste harkun e tij dhe pishat prore,
gjuante sytë dritë të kumurive nga larg.
Kush do të lutet për ikjet
sytë e metuara me Qiell?
Sorrat gëlltitën hijen...
Nezi Plaku Velaj
Çfar realiteti na përcolle me këto tre poezi. Të tria kanë të mbërthyera nga një histori reale, histori të jetuar të atyre viteve që mos u ktheheshin më kurrë! Na sollët në kujtesë me vargjet tuaja të shkruajtura me finesë, me aq delikatesë dhe kujdes që nëpërmjet atyre pak vargjeve, të derdhen lumë sa shumë halle e derte, sa dhimbje, dashuri të pajetuara dhe gëzime të njerzve të thjeshtë. Ju si mjeshtër i vargut, i rrëfimit të atij realiteti, të shkruar me një thjeshtësi të magjishme dhe aq bukur, na bëni tu rikthemi të kaluarës tonë të errët edhe pse kujtimet na mbysin.
Falenderit!
Urime mjeshtër i penës dhe vargut brilant.
Mehmetali Rexhepi
Shpërfaqje poetike e një realiteti të prekshëm dhe të ndjeshëm fatesh njerëzore, përmes një onomastike të vendlindjes së poetit, që piketon motivet e bartur në metafora të qëmtuesit të hollë Fatmir Terziu. Përgëzime poet Terziu!
Merita Arapi
Urime Fatmir je i magjishem.Bravo
Maliq Torra
Përcjellje të madhërishme Prof . Doktori Fatmir Terziu !