top of page

Fatmir Terziu: Epistemologjia e familjes dhe vendlindjes në poezinë e Hyda ismailit



 

Nga Fatmir Terziu

 

Hyda Ismaili është një nga intelektualët e shumtë në Mbretëri të Bashkuar që krijon poezi. Një nga poezitë e tij „Thesaret e Jetës“ është pikërisht një poezi e shkurtër, por shumë domethënëse. Ai në një varg të vetëm përmbledh një diskurs të fuqishëm: „Vjen një moshë e vjen një ditë,/Kur prindërit marrin frymë nga fëmijët./Ata i japin jetës kuptim e vlerë,/Ti bëjnë stinët të gjitha Pranverë.“ Me rimimin puthitës AA/BB, Ismaili flet për familjen, dhe kështu ai shton tek poezia e tij „Familja“ po me një varg të vetëm: „Është thesari me vlerë për këdo në këtë jetë,/Para saj janë përgjunjur mbretër e perandorë./Të gjithë ndihemi të lumtur, besnikë e të sinqertë./Familja i jep jetës kuptim, shëndet dhe vlerë.“

Me këto dy poezi të shkurtra të Ismailit, natyrisht pikëtakojmë thelbin e një jete familjare, ku dy ish mësues, dy bashkëshortë, Hyda dhe Fiorentina, (njëri nga Skrapari dhe tjetra nga Elbasani) sollën në jetë dy fëmijët e tyre, vajzën dhe djalin, dhe formuan edhe në udhë të tjera thelbin e diskursit të familjes. Themi thelbin, se pikërisht aty nis e bekohet vetë roli i familjes. Me këtë nënkuptojmë se roli i familjes fillon që në lindje dhe mbetet jashtëzakonisht i rëndësishëm gjatë gjithë jetës sonë. Është themeli nëpërmjet të cilit fëmija ndërton identitetin e tij dhe nga i cili fillon rrugën e tij në botë.

Dhe natyrisht, sikurse dihet prindërit janë mësuesit e parë dhe më të rëndësishëm në jetën e çdo fëmije. Vetë e kuptojmë gradualisht, ndërsa rritemi, në fëmijëri dhe adoleshencë, si dhe në moshën e hershme të rritur, ndërsa formohemi si individë dhe anëtarë të shoqërisë, familja mund të jetë themeli dhe mbështetja e fortë që na nevojitet kaq shumë gjatë kohërave të ndryshimit, kohërave të vështira dhe sprovave. Ja pse, pra Hyda shkruan me të madhe, dhe në formën më të shkurtër e më të saktë për familjen, duke marë në konisideratë dhe vetë udhën e përpjekjet e mëdha për ta edukuar e bërë të përsosur familjen e tij.

Me shkas për familjen mbeten rrënjët e tij. Hyda shkruan dhe për vendlindjen. Ai citon tek poezia me të njëjtin titull „Vendlindja“: „Është Faltorja ku përgjunjemi e falemi të gjithë,/Me dashuri burra e gra, emigrantë, fëmijë dhe pleq./Ajo na bën të lumtur, na jep frymëmarrje, dashuri e respekt,/Si Vendlindja nuk gjen askund në këtë botë e jetë./E shëtita botën kaq vite anë e mbanë,/Si Vendlindja nuk gjeta askund në këtë jetë./Të gjithë si robot dhe skllav më trajtuan,/Emigracioni është iluzion, kjo është e vërtetë“. Funksioni më i rëndësishëm i dashurisë së tij, megjithatë, është të tregojë se ai në thelb shkon përtej rendit të përfaqësimit të një udhe që të jep më shumë udhë të tjera e shtigje të reja dashurish për vendlindjen, kur e bën të prekshme e të ethshme vuajtjen. Kjo poezi është nxitur nga emigrimi, realiteti i sakrificave dhe i problemeve që vijnë nga të qënit i huaj në një vend të huaj. Kështu vendlindja me këtë këndvështrim mbetet dritarja ku shihet vetëm mall, dashuri dhe dhimbje për të e të afërmit që janë atje, pra në vendlindje.

Për sa thamë e cituam më lart në poezinë e Hyda Ismailit, teoria e dijes, veçanërisht në lidhje me metodat, vlefshmërinë dhe fushëveprimin e saj, si dhe dallimin midis besimit dhe opinionit të justifikuar, nuk është thjesht një ndërthurrje vargore, por një epistomologji, dhe më saktë një epistomologji e familjes dhe vendlindjes, e më gjerë. Themi më gjerë se Ismaili e zgjeron epistomologjinë e tij në poezi dhe duke iu fokusuar komunitetit dhe problemeve që kanë shqiptarët mes vetes në komunitetin që përfaqësojnë në emigrim. Hyda Ismaili është i prerë dhe kritik në shumë raste, por mbetet mjaft vigjilent dhe në politikë, sipas pikëvështrimit të tij dhe besimit që i mbetet gjithnjë adekuat.

Në këtë kontekst poezitë e Hyda Ismailit kanë tema të caktuara. Temat në poezinë e tij janë temat universale të poezisë lirike në përgjithësi: dashuria, liria, vetmia, njeriu i vogël në realitetin e sotëm dhe fati i tij, fati shoqëror i të poshtëruarve dhe të ofenduarve, fati i atdheut, natyra, vendlindja, sikurse cituam, familja dhe njerëzit më të dashur, miqësia, poezia si fat dhe mësuesit e dashur dhe të preferuar... Është e domosdoshme të theksohet se në poezinë e tij nuk do të gjejmë vepra konjukturore rreth temave prekëse, por shpesh thumbime të drejtëpërdrejta të temave të prekshme e të ndjeshme.

Pra tek Hyda Ismaili në gjuhë të thjeshtë e të drejtëpërdrejtë hera-herës gjejmë dhe ndjejmë një poezi për trupin e vdekshëm dhe shpirtin e pavdekshëm, në të cilën poeti dërgon mesazhin se duhet t'i japim përparësi jo materialit, por shpirtërorit, sepse vetëm atëherë kemi një shans për një kujtesë më të gjatë, për t'u kujtuar nga gjurmët shpirtërore që lënë për ata që vijnë pas nesh. Pastërtia e njeriut diskutohet në mjaft vargje të tij. Në poezitë e tij të publikuara e të botuara shpirti nuk është i interesuar për materialin sepse nganjëherë është “si një plagë e këohërave që jetojmë” që “nuk ka nevojë për dukje”. Dhe në “fund” ne thjesht “mbetemi një shpirt i vetëm”.

Nëse duhet të nxjerrim në pah një theks që është në qendër të poezisë së Hyda Ismailit, ai është emigracioni. Por është pikërisht emigracioni që thekson vërtetësinë e vargjeve të tilla „Është sëmundje historike dhe aventure/E njerëzve aventurierë dhe pa dinjitet//Për një jetë më të mirë në një vend të huaj,/Që kthehen në skllevër e robotë perjetë.“, sepse në poezinë e tij kjo plagë mbështetet e mbështetet në përvojën personale, në atë jetike. Me këtë kontekst në disa raste ndjejmë dhe thelbin ku shfaqet edhe nostalgjia.

Nostalgjia për idilën në shtëpinë e tij të lindjes është e fortë, dhe ai e përndjek vazhdimisht, dhe heroi lirik nuk mund ta harrojë ngrohtësinë e shtëpisë së tij të lindjes, ai nuk mund t'i shpëtojë kujtesës, sepse kjo do të thotë të ikësh nga vetvetja, nga zemra dhe shpirti i saj. Shtëpia ku linda rrezaton ngrohtësi, - na thotë poeti Hyda Ismaili. E paharrueshme dhe e pashlyeshme në kujtesë, shpirt dhe zemër është shtëpia e vjetër në poezinë me të njëjtin emër, e cila u banua nga tre breza, por u shemb, sikur po i shqyen me dhimbje një pjesë të thelbit të poetit.


2 Comments


Guest
an hour ago

Faleminderit pa kufi per penden tuaj te arte qe di te zgjedhe gjerat pikante ne art!

Respekte

Like

Hyda dhe Fiorentina Ismaili
2 hours ago

Pershendetje Prof. Dr. Fatmir Terziu! Eshte kenaqesi familjare te degjojme vleresime te ndjera per bashkeshortin tim dhe familjen tone. Te jemi shume mirenjohes per kete kontribut shpirteror. Edhe ju jeni nje intelektual me vlera kombetare e historike. Pena juaj e arte rrezaton kulture e drite per te gjithe. Ju uroj nga zemra nje shendet te mire per gjithe familjen tuaj te mbrekulluesheme. Me shume respect e dashuri Hyda dhe Fiorentina Ismaili

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page