top of page

Fatmir Terziu: Elbasani n’vllazni

  • Apr 10
  • 2 min read

Elbasani n’vllazni

 

Në Elbasan ku kënga çel si dritë,

N’rrugica t’vjetra ku jehona nget,

Dy zëra ngriheshin si fluturim i lirë,

Dy bilbila n’një degë, një shpirt, një fletë.

 

Mehdi e Demir, si era n’verë,

N’kangë qyteti gjenin amshim,

Një frymë, një mall, një zjarr i ndjerë,

Që mblidhte qytet e çdo gëzim.

 

Prej vitit t’largët, shtatëdhjetë e katër,

Ku Fonsi i ndali me buzëqeshje t’ngrohtë,

“Iku nata, aguan malet”, thirrje e pastër,

Dhe rruga e kangës s’pati më kthim dot.

 

Nga Myzyri i vjetër, te fjala e artë,

Te Bodini fin me t’hollë mall,

Ata i dhanë zë çdo kujtimi t’qartë,

Si ujë burimi që rrjedh pa u ndalë.

 

Por erdh’ një tetor me lot n’teshur,

Me borxhe n’zemër e shpresë n’xhep,

Demiri mori rrugë përtej detit t’heshtur,

E kënga u nda si plagë që s’flet.

 

Mediu mbeti me qytetin n’krahnor,

Me kujtimet si hije që s’flenë,

Këndon me djalin, me shpirtin burrnor,

Por gjysma e kangës mungon në çdo skenë.

 

Në Amerikë, n’valë tjetër tingullisë,

Demiri sërish e mban atë zjarr,

Por vllaznia s’ndahet prej largësisë,

Se kënga i lidh si një qiell pa skaj.

 

Oh, Elbasan, mbaji n’gji këta zëra,

Që s’kanë kërkuar veç pak dritë,

Se n’kangë kanë lënë jetët e tëra,

E morën veç emrin e shpirti u ndrittë.

 

Dhe koha, si lumë që kthen në burim,

I solli prapë në një këngë, në një frymë,

Dy zëra që s’njihnin kurrë mbarim,

U bënë një qiell, një mall pa gjymë.

 

Sot në një degë prapë bilbilat rrinë,

Jo veç kujtim, po gjallë në tingëllim,

Se gjaku i vllaznisë nuk njeh grinë,

Ai këndon… dhe bëhet përjetim.

 

Elbasan 1999 – Londër 2026

 

Sqarim:

Kjo poezi është shkruar fillimisht në vitet 2000–2001 në Elbasan dhe po jepet këtu pothuajse e pandryshuar, si një dëshmi e asaj kohe. Në vitin 1974, në Shtëpinë e Kulturës në Elbasan, gjatë festivalit të këngës popullore ndërmjet ndërmarrjeve të qytetit, Artisti i Merituar (Fonsi, këtu) Alfons Balliçi veçoi dy emra në bllokun e tij të jurisë: Medi dhe Demir Zena, vëllezër, përkatësisht 28 dhe 20 vjeç. Pas interpretimit të këngës “Iku nata, aguan malet”, ai i ndaloi, i përgëzoi dhe i ftoi për kafe, duke shënuar kështu një moment të rëndësishëm në rrugëtimin e tyre artistik.

Në poezi është përdorur forma “ngriheshin”, pasi vëllezërit u ndanë përkohësisht për shkak të emigrimit. Sot, pas vitesh, ata janë ribashkuar sërish dhe kënga e tyre vazhdon, si dikur, në një zë të vetëm.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page