top of page

Fatmir Terziu: DISKURSI I ENIGMËS

  • 20 hours ago
  • 5 min read

DISKURSI I ENIGMËS

(Midis misterit, mashtrimit dhe heshtjes së organizuar)

 

Ka forma të narrativit, që veprojnë përmes urdhrit, përmes ligjit, përmes forcës së dukshme. Por ekziston edhe një narrativ tjetër, më i heshtur dhe shpesh më jetëgjatë, narrativi i enigmës. Ai nuk imponon. Ai mjegullon. Nuk urdhëron. Ai sugjeron. Nuk mohon. Ai shtyn pafundësisht momentin e zbulimit. Pikërisht në këtë territor lind ajo që mund të quajmë Diskursi i Enigmës, një gjuhë e veçantë e kohës sonë, e ndërtuar mbi të pathënën, mbi të fshehtën dhe mbi aftësinë për ta mbajtur të vërtetën në një gjendje të përhershme pritjeje.

Nevoja për të folur për këtë diskurs lind nga një vëzhgim i thjeshtë,  në shoqëritë bashkëkohore, veçanërisht në politikën qeverisëse, fshehja nuk është më një përjashtim. Ajo është bërë metodë. Ajo nuk paraqitet si censurë klasike, por si prodhim i vazhdueshëm i pasigurisë. Qytetari nuk përballet më me mungesën e informacionit, ai përballet me teprinë e tij. Aq shumë versione, aq shumë interpretime, aq shumë deklarata sa vetë e vërteta humbet mes tyre si një figurë në mjegull. Në këtë kuptim, diskursi i enigmës është ndoshta forma më moderne e pushtetit. Ai nuk kërkon bindje absolute. Atij i mjafton dyshimi. Nuk kërkon që njerëzit të besojnë; mjafton që ata të mos dinë çfarë të besojnë.

Në letërsi, enigma ka një natyrë krejt tjetër. Ajo është motra e imagjinatës. Nga tragjeditë greke e deri te romani modern, enigma ka qenë një rrugë drejt njohjes. Sfinksi i Tebës nuk ishte vetëm një përbindësh, ai ishte mishërimi i pyetjes. Odiseu nuk u bë hero sepse zotëronte forcën, por sepse kërkonte kuptimin. Hamleti nuk mbetet i pavdekshëm për veprimin e tij, por për pyetjen e tij. Në poezi, enigma është shpesh vetë zemra e artit. Kur Stéphane Mallarmé shkruante se poezia nuk duhet të emërtojë, por të sugjerojë, ai po e ngrinte enigmën në nivel estetik. Kur Rainer Maria Rilke këshillonte të jetoheshin pyetjet përpara se të kërkoheshin përgjigjet, ai po fliste për një formë të urtësisë që lind nga pranimi i së panjohurës. Kur T. S. Eliot ndërtonte peizazhet e tij shpirtërore mbi fragmente, heshtje dhe aluzione, ai po e shndërronte enigmën në arkitekturë poetike.

Edhe letërsia shqipe nuk ka qenë e huaj ndaj këtij universi. Te Lasgush Poradeci, liqeni nuk është vetëm ujë. Ai është një pasqyrë e misterit njerëzor. Thellësia e tij është thellësia e shpirtit. Te Migjeni, mjegulla nuk është fenomen atmosferik, ajo është gjendje historike dhe morale. Te Martin Camaj, heshtja shpesh flet më shumë se fjala. Te Ismail Kadareja, enigma shfaqet si mekanizëm i historisë, si mënyrë për të treguar se pushteti gjithmonë fsheh një dhomë të mbyllur brenda vetes. Tek Fatos Arapi, enigma ka karakter lrik, sikurse tek Agolli shkon në thellësi folklorike kulturore.  Por nëse arti e përdor enigmën për të zgjeruar horizontin e kuptimit, politika e përdor shpesh për ta kufizuar atë.

Në këtë pikë ndodh transformimi i madh. Enigma pushon së qeni kërkim dhe bëhet instrument. Ajo nuk lind më nga thellësia e realitetit, por nga administrimi i tij. Nuk lind nga pyetja filozofike, por nga nevoja për kontroll. Kështu krijohet një diskurs që perceptohet nga miliona njerëz dhe megjithatë nuk zotërohet nga askush. Të gjithë e ndiejnë praninë e tij. Askush nuk e pranon hapur. Ai qëndron si një hije midis institucioneve.

Shkencat kërkojnë prova. Historia kërkon dokumente. Arti kërkon kuptim. Por diskursi i enigmës jeton pikërisht në boshllëkun mes tyre. Ai ushqehet nga vonesa. Nga dosjet e pahapura. Nga dokumentet e klasifikuara. Nga hetimet që nuk përfundojnë kurrë. Nga pyetjet që transferohen nga një brez tek tjetri. Prandaj enigmat e mëdha politike nuk janë thjesht mistere. Ato janë struktura pritjeje. Një shoqëri e tërë mësohet të jetojë me to. Kush e dha urdhrin? Kush përfitoi? Kush e dinte? Kush heshti? Dhe ndërsa vitet kalojnë, pyetjet nuk zhduken. Përkundrazi, ato fitojnë një jetë të dytë.

Në këtë kuptim, enigma politike është afër asaj që Franz Kafka e kuptoi aq mirë. Në universin kafkian, askush nuk e di saktësisht qendrën e pushtetit. Njerëzit bredhin nëpër korridore, kërkojnë dokumente, trokasin në dyer, por qendra mbetet gjithmonë një hap larg. E vërteta nuk mohohet, ajo vetëm shtyhet pafundësisht. Në veprën e Borgesit gjejmë një tjetër figurë domethënëse, labirintin. Labirinti nuk është vetëm vend humbjeje. Ai është metafora e një bote ku rruga drejt së vërtetës është bërë aq e ndërlikuar sa njeriu harron vetë qëllimin e kërkimit. Sot, shumë institucione moderne prodhojnë pikërisht këtë efekt. Informacioni nuk mungon. Përkundrazi, ai shumohet deri në pikën ku bëhet pengesë për të kuptuar. Kjo është arsyeja pse enigma moderne është më e rrezikshme se sekreti klasik.

Sekreti mund të thyhet. Enigma mund të zgjasë pafund. Ajo mbijeton jo sepse është e fortë, por sepse është e paqartë. Në qendër të këtij diskursi qëndron një marrëdhënie e çuditshme mes mashtrimit dhe misterit. Mashtrimi ka nevojë për enigmën për të mbijetuar. Nëse gënjeshtra zbulohet menjëherë, ajo vdes. Por nëse mbështillet me mjegull, nëse përzihet me gjysmë të vërteta, me aluzione dhe heshtje, ajo fiton kohë. Dhe shpesh koha është aleati më i madh i mashtrimit. Prandaj dilema e enigmës është në thelb dilema e mashtrimit. A po kërkojmë diçka që nuk dimë ende? Apo po kërkojmë diçka që dikush nuk dëshiron të dimë? Kjo pyetje ndan misterin filozofik nga misteri politik.

I pari lind nga kufijtë e dijes njerëzore. I dyti nga kufijtë e vendosur mbi dijen njerëzore. Megjithatë, historia ruan një paradoks të madh. Shumë prej enigmave më të errëta përfundojnë duke u zbuluar vetëm pasi protagonistët janë larguar nga skena. Autorët vdesin. Dëshmitarët zhduken. Arkivat hapen. Heshtjet plasariten. Dhe atëherë shoqëria kupton se ajo që dukej mister nuk ishte gjithmonë mister; shpesh ishte vetëm fshehje. Por ky zbulim vjen vonë. Shumë vonë. Shpesh aq vonë sa e vërteta nuk ka më fuqi të ndryshojë fatin e atyre që u prekën prej saj. Kjo është foleja e zezë e enigmës. Jo errësira e informacionit. Por errësira e kohës. Koha që mbulon gjurmët. Koha që zbeh kujtesën. Koha që shndërron përgjegjësinë në histori dhe historinë në legjendë.

Megjithatë, pavarësisht gjithë kësaj, ekziston një forcë që diskursi i enigmës nuk arrin ta mposhtë plotësisht. Ajo është kërkimi njerëzor për kuptim. Njeriu është qenia që pyet. Ai pyet edhe kur i ndalohet. Pyet edhe kur tallet. Pyet edhe kur përgjigjja mungon. Dhe ndoshta pikërisht këtu qëndron shpresa. Sepse çdo enigmë që përdoret për të fshehur mbart brenda vetes mundësinë e zbulimit. Çdo heshtje mbart mundësinë e fjalës. Çdo mashtrim mbart frikën e së vërtetës.

Ndërsa poezia vazhdon ta përdorë enigmën për të zgjeruar universin e shpirtit njerëzor, shoqëria ka detyrën ta çlirojë atë nga përdorimi si instrument i errësirës politike. Në fund, diskursi i enigmës mbetet një betejë mes dy botëve: botës që kërkon të kuptojë dhe botës që kërkon të fshehë. Midis tyre qëndron njeriu, me pyetjen e tij të përhershme, me dyshimin e tij krijues dhe me etjen e pashuar për të vërtetën. Sepse historia mund të vonojë përgjigjen. Pushteti mund ta fshehë. Koha mund ta mbulojë. Por e vërteta, si poezia e madhe, ka një mënyrë të çuditshme për t’u kthyer gjithmonë nga errësira drejt dritës.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page