Nëse arti është një kënd ku pikturohet jeta, vetë arti i fjalës pikturohet tek e vërteta, ku vërtetohet më pas ajo që realizohet, shkruhet, nga ajo që tregohet dhe më pas edhe ajo që lexohet nga ajo që qartësohet. Le ta shohim e e vërtetojmë në dhjetë stacione të tjera sot. (Fatmir Terziu)
1.Plazmë
Ngadalë
ne gjerbim nga brigjet e nënshkrimit:
ngjyrim gjysmë i shkretëtirës,
kafene e zhurmshme, tharm
fate që kërkohen blozës, zezërimës, errësirës
plazmë...
2.Tymi i mërzitjes
Çfarë mban në buzët e tu,
çfarë po kontrabandohet me pullë finance
paralajmërim që shqipton ikjen më vete
një mërzitje që frymon të padurueshmen,
tymnajë të rreme...
Tymi tërhiqet, bëhet më i rëndë.
Zemra godet.
3.Teke
Bulëza që veshin gotën
dhe kanë probleme me qindarkat
tani akordojmë gishtat
dhe dirigjojmë hijet në ajër
tani po e ngrejmë dollinë
e shoqërojmë me qofte dhe këngë
ndjejmë prezencën e pijedashësve me vete,
për t'u harruar tani me
teke pas teke.
4.(Për)kujdesje
Kjo copë tokë ka dalë nga harta
zgjon ëmbëlsinë grykëse
nga të gjitha (për)kujdesjet e qarta
qetësia hedh një garzë hëne
në një lot nëne.
5.Vrap
Më pëlqen të vrapoj me ty, më ndihmon
dhe të mendojmë me gjysmë zemre për trupat tanë
për të tronditur veten me heshtje dhe frymëmarrje
vrap. Vrap. Vrap.
Po pse po vrapojmë prapë?
6.Ullishte
Mbi ullishte
një mushkëri e gjelbër hapet
dhe ajri i saj i artë u harrua
në vajra shëruese dhe këngë të heshtura
të dua.
7.Kala
Nën gurin e historisë së gurtë
merimangat e kryqëzuara
asgjë nuk u shpëton
dhe kohërat ndezin zjarre nëpër zgavra
prej xixëllonjave të para.
8.Rrapi i sheshit
Ku je ti, që zgjat rrënjët patetike?
Skica bardhë e zi ku jeni?
Albumet e Botës nuk shiten së bashku,
as helmetat e ushtarëve çek,
qëkur janë pikturuar
askush si cek.
9.Guri i Bankës
Në peshën e viteve, e mjegullta,
sikurse sebepçiu gdhendin duart e mjeshtrit
pyjet e gurta
të fytit.
Guri i Bankës po lexon
punët e mia të jashtme e të brendshme
gurë pa emër,
pa vdekje.
Një zell shtypi i paqëllimtë e çoi atë në odeon
ndez dritën në mendje,
lexon. Rilexon, rilexon.
10. Biblioteka
Disa memorje më shtyjnë memorjet
sapo i përjeton,
përhumbem në një shprehje të veçantë
të një libri të përkthyer prej saj,
në një faqe.
Qiranë e paguaj me emrin „Qemal Baholli“
dhe gjej paqe.
Tetor, 2024
Nëse i ndalim udhëtimet nuk është faji gjetkë, as nuk mund të flitet për ndonjë faj në rast se udhëtimet vetvetiu i kemi ndal…Fundja, a ka dikush që i ndal kur shkon në Elbasan?
(Fatmir Terziu)
11.Mëngjeset në Elbasan
Tisi i tetorit
grimëzat asimetrike të Ujit të Kalasë - më të natyrshme
nga guri kristalizoj në sy
bluza të mbushura të zbërthyera,
mëngjese në korr,
trokthe, etjehistori, heshtje,
në tetor.
12.Namazgja
Tregu tretet si gur qëlqeror,
ëndrra të pafajshme, poçe dhe qumësht,
si një qingj,
qielli zbret të pi në kupë,
dy vërsnikë mbi tela e duan njëri-tjetrin ngadalë,
asfalti u kryp,
ndërsa selvija e vetmuar ngjitet mbi re
lyp.
13.Rruga e blirëve
Milingona e fundit
prek dhimbjen në lëvoren e një bliri të lagur,
një shirit i gjatë është vazhdimisht i shqetësuar nga festat,
si një lloj idioti që struk kokën mes gjetheve që bien
në vrazhdësitë e dritave poshtë rrjetës
dhe pikëllimin
e malluar të vjeshtës.
14.Pas xhamit
Dijedhënës i thukshëm
të cilën e kam strukur në një varg
të padukshëm
përkëdheljet e mermerit të ri,
shenjë urtie, brezash, mitesh,
me seriozitetin e Aleksandër Xhuvanit
pas vitesh
ngjatjeton pas xhamit.
15.Zaranika
Viti ka kapërcyer vitet
ka lënë hije të mykura
dhe gjësende nga guximi për të marrë frymë
deri në mbytje
sërish në një rrjedhë pa ngut
një gisht i madh i vetëm midis buzëve
në metrakatrorin e ngushtë.
16.Parku
Gri e rruar
flokët,
mbjedhur si tërshërë në gjoks të qytetit,
myshk barku
dhe pëllëmba një pashë dinasti e dekoduar
shikimi i veçantë ndaj pushtetit
në ijë
frymëmarrje perineale
dhe një fshesë në kyçin e lodhur të një busti,
pleqëria
emocionon, dopio gjashtën mbi një tryezë betoni
gjithçka përshëndet
fluturat e natës që ikin e vijnë poshtë një neoni.
17.Byrekë dhe bugaçe
Rinia më prek kohën e dijeve
me fuqinë e muzikës së Myzyrit
dhe pesha e ijeve
kërcënon me një mrekullim
oreksin tim.
18.Para „Skampa“-s
Pse e pashë gotën ndryshe?
pa thellësi, pa mister,
një pikë ujë në hava…
...Lojërat e përkohshme bëhen statuja,
ambicjet i sfidojnë ata.
-----------------------------------
Tetor, 2024, së shpejti më shumë… Vazhdon udhëtimi…
Comentários