top of page

Fatmir Terziu: Diksursi i spiunit tek shoqëria shqiptare

  • Feb 10
  • 4 min read

Diksursi i spiunit tek shoqëria shqiptare

 

Hyrje

 

Spiunimi nuk është thjesht një praktikë e errët e shërbimeve sekrete. Në shoqërinë shqiptare ai është shndërruar në mentalitet. Nga historia politike te drejtësia ndërkombëtare, modeli përsëritet: shqiptari rrëfen shqiptarin, jo si akt ndërgjegjeje, por si mënyrë mbijetese, përfitimi apo hakmarrjeje. Ky editorial nuk merret me individë, por me një kulturë të rrënjosur që minon vetë idenë e shtetit dhe të besimit shoqëror.

 

Spiunimi dhe shtrati i tij

 

Në shoqëritë e konsoliduara, spiunimi trajtohet si devijim moral; në shoqërinë shqiptare ai është shpesh rrugë karriere. Kjo nuk vjen nga zgjuarsia politike, por nga mungesa e besimit horizontal: shqiptari nuk i beson institucionit, nuk i beson komunitetit dhe, në fund, as vetes. Në këtë boshllëk lind dëshmitari i përhershëm, informatori kronik, njeriu që e sheh shtetin jo si kontratë, por si rast për t’u tregtuar.

Historia e afërt dhe e largët e shqiptarëve e ka ushqyer këtë model. Rekrutimet e hershme, penetrimi i agjenturave të huaja, përdorimi i konfliktit të brendshëm si armë politike, të gjitha këto kanë krijuar një kulturë ku heshtja shihet si faj, ndërsa rrëfimi si virtyt. Jo rrëfim për të vërtetën, por për të shpëtuar veten. Kështu, spiunimi nuk përjetohet si tradhti, por si zgjuarsi praktike.

 

Demokracia si dekor

 

Ripërfshirja në pushtet e ish-komunistëve, të ricikluar me kostum demokratik, nuk është thjesht problem tranzicioni, është burim i vazhdueshëm destabilizimi. Ata nuk u kthyen si aktorë të reformuar, por si administratorë të një mentaliteti të vjetër, ku kontrolli, survejimi dhe dosja vlejnë më shumë se vota dhe transparenca. Demokracia u përdor si dekor, jo si parim. Patronazhisti është produkti më i pastër i këtij riciklimi. Ai nuk është aktivist politik, por informator i strukturuar; nuk ndërton besim qytetar, por grumbullon të dhëna, nuk mobilizon vullnet, por ushtron presion. I mbështetur mbi logjikën e spiunimit, patronazhizmi funksionon si mekanizëm paralel pushteti që zëvendëson institucionin me rrjetin dhe ligjin me frikën.

Kjo praktikë nuk është devijim, por strategji. Ajo synon destabilizimin e demokracisë duke e shndërruar qytetarin në objekt vëzhgimi dhe zgjedhjen në proces të kontrolluar. Kur vota monitorohet dhe bindja regjistrohet, demokracia humbet thelbin e saj dhe kthehet në ritual. Në këtë terren, spiunimi nuk është mjet mbijetese individuale, por arkitekturë pushteti.

 

Çështja nuk është Thaçi apo anti-Thaçi

 

Problemi nuk ka qenë kurrë mungesa e aleatëve të huaj. Problemi ka qenë gjithmonë teprica e informatorëve vendas. Në çdo kapitull kritik të historisë shqiptare, shfaqet i njëjti refleks, jo rezistencë, por rrëfim, jo përballje, por dosje, jo debat, por dëshmi. Gjatë mesit të viteve ’90, një nga vështirësitë më serioze për shërbimet perëndimore,  përfshirë Britaninë e Madhe, ishte gjetja e figurave shqiptare “të pastra”, veçanërisht në Kosovë. Një pjesë dërrmuese e elitës politike të kohës kishte dosje bashkëpunimi me shërbimet sekrete jugosllave e më pas serbe. Ky realitet ndikoi drejtpërdrejt në ricaktimin e aleancave, në mbështetjen e strukturave të reja dhe në legjitimimin e aktorëve që, paradoksalisht, kishin gjithashtu lidhje me shërbime të huaja.

Kjo nuk ishte strategji. Ishte mungesë pjekurie kombëtare. Një shoqëri që nuk prodhon besim, prodhon spiunë. Dhe shqiptarët, pa asnjë kompleks, duhet ta pranojnë, janë më të prirë se shumë popuj të tjerë për të rrëfyer kundër vetes. Faktet janë kokëforta. Në Gjykatën e Hagës, mbi 400 dëshmitarë kanë qenë shqiptarë. Një përqindje pothuajse absolute. Jo sepse shqiptarët janë më të drejtë, por sepse janë më të gatshëm të bëhen instrument. Dëshmia, në këtë rast, nuk është akt qytetar, është simptomë shoqërore.

Britania e Madhe ishte vendimtare në mbijetesën e shtetit shqiptar në vitin 1921. Pa ndërhyrjen e saj, Shqipëria do të ishte copëtuar nga separatizma të brendshëm të ushqyer nga interesa të huaja. Pra, shteti u shpëtua nga jashtë, ndërsa u minua nga brenda.

Prandaj çështja nuk është Thaçi apo anti-Thaçi. Kjo është një debat dytësor. Ajo që duhet të na shqetësojë është mentaliteti i spiunit si normë shoqërore. Kur 99.99% e dëshmitarëve janë shqiptarë, problemi nuk është drejtësia ndërkombëtare. Problemi është shoqëria që e ushqen këtë rol. Një komb që rrëfen veten, para se ta mbrojë veten, është një komb i pambrojtur. Dhe kjo është e vërteta më e hidhur që ende refuzojmë ta përballim.

 

Simptoma dhe shkaku

 

Kjo kulturë ka pasoja të rënda: ajo e shndërron drejtësinë në teatër dhe shtetin në objekt manipulimi. Kur dëshmia prodhohet masivisht nga i njëjti komunitet kundër vetes, ajo humbet vlerën morale dhe kthehet në instrument politik. Në këtë pikë, drejtësia nuk kërkon më të vërtetën, por konfirmimin e një narrative të gatshme, të ushqyer nga një shoqëri e stërvitur për të rrëfyer.

Prandaj debati nuk duhet të ndalet te emra të përveçëm apo procese të caktuara. Ato janë simptoma, jo shkaku. Thelbi është një shoqëri që ende nuk e ka ndarë kufirin mes përgjegjësisë qytetare dhe tradhtisë kolektive. Pa këtë ndarje, çdo proces do të prodhojë më shumë dëshmitarë sesa qytetarë, më shumë dosje sesa të vërteta.

 

Konkluzion

 

Një shoqëri që e ka spiunin më të respektuar se qytetarin nuk ka nevojë për armiq të jashtëm. Derisa dëshmia të mbetet monedhë pushteti dhe jo përgjegjësi morale, drejtësia do të jetë selektive dhe historia do të përsëritet. Pyetja nuk është kush dëshmoi, por pse jemi kaq të gatshëm të dëshmojmë kundër vetes. Dhe kjo është një llogari që ende nuk e kemi hapur me ndershmëri.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page