top of page

Fatmir Terziu: DEBATI INTELEKTUAL DHE KULTURA INTELEKTUALE

1 hour ago
19 min read

Fatmir Terziu: DEBATI INTELEKTUAL DHE KULTURA INTELEKTUALE

 

Nga Fatmir Terziu

Arkiva e „Fjala e Lirë“ Londër, E premte, 4 janar 2008

 

Fryma e lirë e debatit intelektual zbulon dhe shpall publikisht fakte të panjohura dhe tepër domethënëse.

 

Ka kohë që mendohet se diktatura komuniste ka dhënë shpirt. Ka kohë që mendohet se varrimi i saj është kryer dhe debati për të ka përfunduar. Ka kohë që mbajtësit e rrobës së saj kanë ndërruar kostumin dhe se vetëm hija e saj shëtit e depërton anembanë. Ndërsa varrosësit, herë flenë të qetë e herë zgjohen me ëndrra të trazuara nga kjo hije që ende duket se nuk ka dhënë shpirt. Dikush e varrosi me fadroma apo buldozerë, aty pas viteve ’90, në Shqipërinë e shpresave rinore për të ardhmen. Pastaj vrulli u ndal në Kinoklubin e qytetit të vogël të Cërrikut, që nxori në pah disa ish-byroistë dhe që, njëkohësisht, përpiu disa prej tyre. Kujtuesit e atyre ditëve shkruajnë: «Do të përmendeshin aty edhe emra burrash, si Veli Llaka, Dilaver Poçi, Skënder Konica... por edhe shumë figura të tjera inxhinierësh e profesorësh, si Telat Mehmeti, Minella Cami, Dilaver Shkodra... por edhe emra grash... Do të përmendej edhe Liri Belishova, Drita Çomo...».

Pastaj, diku dhe dikush e gjente shfryrjen e mllefit në gazeta, kujtime, meditime, shkrime, poezi e vepra letrare. E gjitha kjo, një rrëmujë e katranosur shpirtërisht për një gjysmë shekulli.

Sot, ai mllef ende shëtit e vërtitet anës globit, në kërkim të së vërtetës së vet, në mes të mendimit të lirë, mes mendimit personal e atij ndryshe. Intelektualët e letrave dhe të penave, të tastierave dhe të elektronikës, kanë gjetur hapësirat e botës digjitale dhe të kokrrizave dixhitale për të shprehur bagazhin e kujtesës së tyre e për ta shpërndarë atë falas, atje ku interneti dhe kompjuteri nuk janë më luks apo diçka e paarritshme.

E në këtë bollëk kapitalist, ku edhe bollëku i mendimeve është i madh, gjendet ende ajo ndjesi për të thënë të munguarën, të pathënën, realen, jetiken, bashkëshoqëruesen e kujtimeve të jetës dhe të përditshmërisë së gjatë apo të shkurtër të kujtesës për personin, vendin, ngjarjen apo rrethanën, për të cilën pena tenton të bëjë të vetën punën e patreguar për komunizmin dhe kohën e tij të mjeruar.

Emra të dëgjuar e publikë në lëmin e letrave dhe të gazetarisë janë, në këtë pikë, më të angazhuarit, por edhe pena të tjera rishtas nxjerrin nga strofkat, me pseudonim ose me emrin e tyre të vërtetë, ndonjë gërvishtje plage. Plagë dhe vite, kujtime dhe mendime, inate dhe mëkate, sharje dhe lavdërime... Pastaj mbeten nëpër lista. Dhe jo më në letër e me laps, por në kompjuter! E kompjuteri shëtit, për të qindat e sekondës, nëpër gjithë botën... Bota na lexon dhe na vëzhgon. Ne i lëmë kulturën tonë Botës.

Pak ditë më parë më ranë në dorë edhe disa pjesë të kësaj kujtese, për të cilat mendova se kanë një rëndësi tjetër, përfaqësojnë një kulturë tjetër dhe meritojnë të shihen me një respekt të veçantë. Jo sepse në to shkruajnë emra si Faruk Myrtaj, Petro Dhimitri, Dilaver Baxhaku, Naum Prifti, Vasil Qesari, Aleko Likaj apo Kolec Traboini, por sepse komunikimi i tyre është një kulturë dhe një respekt më vete në tërësinë e shqetësimit shqiptar.

Ky debat e shtyu Aleko Likajn të rishkruante kujtimet e veta dhe e çoi deri në marrjen e çmimit të tretë «Kadmus», që jepet nga Klubi i Shkrimtarëve dhe Gazetarëve «Drita» dhe revista «Pelegrin», e drejtuar nga të mirënjohurit Nasi Jani dhe Iliriana Sulkuqi.

Ndiqeni dhe vlerësojeni vetë:

 

1. Aleko Likaj


«I dashur Kolec!

Jam i vetmi person në listë që e kam njohur nga afër Dritën. Madje, kam ndjekur edhe me shumë dhimbje procesionin mortor që kaloi i heshtur poshtë dritares sime, atje në Cërrik, e që përbëhej vetëm nga katër persona, ku dy prej tyre ishin gra, të cilat mezi e mbajtën për ta ngjitur në karrocerinë e komunales që transportonte gëlqere e llaç.

Kam pasur kurajën të bisedoj me të disa herë dhe, natyrisht, e di mjaft mirë tragjedinë e asaj familjeje. Komshinj, me një distancë që nuk na ndante as tridhjetë metra. Unë, realisht, kam disa kohë që mendoj për ta hedhur në letër atë histori përsekutimi.

Kam folur edhe me Liri Belishovën dhe djalin e saj, Petritin, që tashmë është gjykatës në Tiranë, në shkurt-marsin e këtij viti. Shpresoj që ta përfundoj këto ditë. Mbase, për kureshtje, mund të hedh këto dy ditë edhe ndonjë episod interesant që ka të bëjë me Dritën. Një shoqe e saj e afërt, që quhet Rajmonda Bulku, më ka dhënë të lexoj, kur ishin në gjimnaz, edhe një poezi të Dritës...

Alekua»

 

2. Faruk Myrtaj


«Është vërtet një subjekt interesant, por këto raste janë bërë të njohura për shkak të prindërve në pozita superiore, jo thjesht për fatin e fëmijëve.

Kam qenë ushtar në Gostimë ato vite, Aleko, dhe njëfarë dëshmie ruaj edhe unë (!!), por Lirinë e njoh mirë. Kam pasur të vëllanë, Fatmirin, një gjysmë të internuar, në Selenicë. Një burrë me karakter dhe kurajoz.

Lirinë e njoha në vitin 1992. Por Belishova është fqinje me Gorishovën e Cakranit të Fierit, ku unë jam nip. Familja e saj ishte derë e nderuar, nëna e saj njihej me gjyshin tim, por Liria u lidh me kuqot dhe ca kohë merrte gjak në vetull për bolshevizmin. Koleci e ka saktë.

Ishte e trishtuar, në vitin 1992 e më pas, për disa shkrime në RD që mbase e tepronin, kur e quanin komunizmin më të keq se nazizmi e fashizmi. Ashtu, e thyer më dysh nga jeta, mosha dhe privimet fizike të mëvonshme, më pyeti mua: “Edhe ti mendon kështu, si autorët e këtyre shkrimeve?”

“Nuk më vjen mirë që, edhe pas tërë këtyre që ke hequr prej komunizmit, ty të dhimbset ai, zonja Liri!”, i thashë.

E ngacmoja shumë kur e takoja. I kam shkuar edhe në shtëpi, kur inxhinier Fatmiri erdhi në Tiranë, por mua nuk m'i merrte për keq këto gjëra!

Kjo ka qenë Shqipëria, në të vërtetë! Fragmentet përbëjnë të tërën. Edhe si poete, Drita ka lënë portretin e saj. Të thuash “gjynah”, është shumë pak.»

Faruk Myrtaj

 

3. Dilaver Baxhaku

 

Lënda për romanin e Cërrikut, Pashakja...

«Eh, Aleko, ç'më solle Pashaken e Cërrikut! S'e kisha menduar ndonjëherë se do ta kishe njohur, pasi mendoja se do të kishte vdekur kur ti ishe ende në moshë fare të re.

Unë e kam njohur moti, në fillim në Cërrik, ku im atë punonte si furrxhi poshtë, në zonën e rafinerisë. Dua të them, jo në zonën e banueshme, e cila lindi ose u formua diçka më vonë. Shkoja herë pas here atje me tim atë dhe, në një ditë pazari, njoha edhe Pashaken... Tamam siç thua ti, bubullimë ishte!

Pastaj e shihja edhe në Elbasan, sidomos në ditë pazari. Vonë e kam parë të rënë, shumë të rënë. Nuk e di nëse nga sëmundja apo nga mosha.

Bedriu...

Ndërsa rrëfimet e tua për ish-byroistët dhe armiqtë e partisë e të popullit të çdo kallëpi që kanë populluar Cërrikun, më pëlqyen shumë dhe ishin një paradë interesante e kohëve të ndritura të perandorisë së pluhurosur.

Do të jetë vërtet interesant një libër me këtë temë, letrar apo, pse jo, edhe dokumentar. Gjithsesi, amanet, mos ma lër jashtë njërin nga yjet e parë të këtij karvani të pasosur armiqsh që kanë populluar barkun e Shqipërisë së Mesme. E kam fjalën për syrgjynin, të ndjerin Bedri Spahiu.

Atë e sollën në Elbasan bashkë me familjen aty nga viti 1956, në mos e shtrembëroj datën. E mbaj mend kur dilte mbrëmjeve në xhiron klasike në bulevardin me pisha anash, me një kapelë me strehë të madhe, vëngrosh e i rëndë. Mbaj mend se kishte një vajzë të bukur dhe një djalë, më të vogël se e motra, çamarrok dhe shumë simpatik.

Me këtë mbase qemë edhe në shkollë. Nuk më kujtohet nëse ishim në një klasë, por mbaj mend se, kur ai bënte ndonjë çapkënllëk, ne na dukej si një çudi: i biri i Bedri Spahiut ta bëjë këtë?! Pastaj thoshim se, s'do mend, mirë ia bëri partia që e dënoi, ja se si i kishte çedukuar fëmijët.

Por ndonjëri që lexonte që asokohe edhe buletinet e plenumeve të partisë, jo ato që u redaktuan e u përpunuan më vonë, por ato ku shkruhej açik, për shembull, se si Tuk Jakova (apo ndonjë vëlla i tij?..) dënohej sepse kishte shprehur zemërgjerësi për familjet armike të Shkodrës, duke u dhënë ndonjë para nga xhepi i tij fshehtas syve të partisë, ndonjëri që lexonte, pra, fletoret e këtyre plenumeve, e kuptonte se mëkatet e këtij zotërie me emrin Bedri Spahiu ishin shumë të rënda, aq sa nuk i mbante as dheu, sepse kishte dalë kundër partisë, alias kundër popullit...

...Dhe Aliu

Aliu ishte “i fundmi i mohikanëve” nga të syrgjynosurit në Elbasan. Natyrisht, jo me aq peshë në politikë sa në një fushë tjetër: ish-truproja personale e kryeministrit të vetëvrarë, e dinë të gjithë, po sa për kronikë.

Një si borcoletë: njëri nga ata që ia kishin qepur Aliut para e prapa për t'i nxjerrë ndonjë fakt nga puna e thellë armiqësore e kryeministrit të vrarë, por edhe për të zbuluar se sa kishte qenë roli personal i Aliut në këtë gjëmë të pashembullt armiqësore, u thotë një mbrëmje miqve të tij, pasi e kishte lënë turnin e punës përmbas Aliut:

“Se ç'ma hodhi sot ai. Më tha: ‘Dëgjo, kur të të lypset ndonjë fakt, më thuaj se ta bëj gati si ta duash ti. Më shumë se kaq nuk kanë se ç'më bëjnë.’”

Medemek, në vend që ta survejonte ai Aliun, e survejonte, madje e ndihmonte Aliu atë në kryerjen e detyrës.»

Dilaver Baxhaku

4. Dilaver Baxhaku:

“Nuk them se soset këtu karvani i armiqve të ppppp të syrgjynosur në Elbasan, ashtu si në Cërrik. Kush i mban mend të gjithë? Siç thashë, po përmend edhe unë ndonjë sa për kronikë, sebepi i shkrimit të Alekos. Dhe për t’u njohur, inshalla, ndonjë meritë si Elbasanit ashtu edhe Cërrikut, për ndihmesën e madhe që kanë dhënë në strehimin, pa dashje, të karvanit të gjatë të armiqve të popullit”.

Dilaver Baxhaku

5. Albana:

“I dashur Aleko,

Faleminderit për këtë informacion që e lexova me një frymë. Mos nguro fare të shkruash, jepi fund dilemës, se e paske Cërrikun e asaj kohe në pëllëmbë të dorës dhe karakteret, personazhet janë interesante. Qyteti paska qenë si ‘një minierë’, prej nga ke material të bollshëm për një roman që kishte për t’u lexuar me kureshtje.”

Të fala,

Albana

6. Aleko Likaj

“Miqtë e mij, Faruk, Naun dhe Kolec!

Ky është një titull provizor, që u kam vënë shënimeve për komshijen time të vjetër. Aktualisht, kam punuar në disa fletë, që ende nuk kanë marrë një formë përfundimtare. Është e vërtetë, se Cërriku, ashtu si edhe Selenica e Farukut, ishin nga çerdhet ku ngrite pusi Sigurimi i Shtetit. Aty na kalonin si në parade tre herë në ditë, Liria, Veli Llaka, Dilaver Poçi, Skënder Konica... por edhe shumë figura të tjera inxhinierësh e profesorësh, si Telat Mehmeti, Minella Cami, Dilaver Shkodra... që do të shkonin shumë shpejt në dyert e hetuesisë speciale, duke marrë “vulën e tradhtarit të partisë dhe popullit”, ndërsa një grup tjetër, do të pësonin pastaj në kinemanë e vetme të qytetit “diskretitim publik”. Ndërkohë, një lagje, poshtë në fermë, në kthesën që merr për në zonën e Belshit, me dhjetëra familje të mbledhura nga të katër anët e vendit, me cen në biografi, do të ishin gjithmonë nën vëzhgimin e rreptë të “syrit të shqiponjës”.

Në klasën time të viteve të shkollës, do të kisha, përveç Astrit Çermes dhe Agron Tatës, një prej matematikanëve më të mirë të vendit, edhe një dyzinë fëmijësh nga kontingjenti i të deklasuarve, që natyrisht për ne në atë botë pafajësie, ishin të njëllojtë?

Edhe kur u rritëm, ne e mbajtëm shoqërinë, paçka se dikush mund të fliste se biri i ... është shok e mik i armiqve.

Nga ana tjetër, si në një parodi të rrallë, në të vetmin shesh të qytetit të vogël do të ndeshje çdo pasdite Qirjako Mihalin, Hekuran Isain (Hekrin), “alias lal hekri i Byrosë Politike”, Lavdosh Ahmetaj, ministër të energjetikës, Miti Niton, që “zbuloi grupin e ushtrisë për të ngjitur shkallët e karrierës, që e kishte nisur si punëtor TEC-i”, dhe një aktor dështak i estradës së qytetit. Dy a tre zëvendësministra të ardhshëm... Por grupit të internuarve, i kishte prirë një tjetër më i hershëm në atë qytet të humbur buzë Shkumbinit. Shkrimtari:

Dhimitër Xhuvani, i dënuar për romanin “Tuneli” e që punonte në ngritjen e radiostacionit në Fushën e Pazhokut. Punëtor krahu.

Kishte qëlluar që, në pushimet e shkollës, unë punoja gjatë verës në atë kantier, madje edhe në një brigadë me Dhimitrin. Kjo shërbeu që të lidheshim aso kohe në një miqësi që vazhdon edhe sot, me të njëjtin intensitet.

Gjatë dimrit Dhimitri zbriste në qytet ashtu i veshur me kominoshe jeshile dhe çizme. Të dy së bashku, edhe pse nuk ishim të një moshe, bënim xhirot e mbrëmjes nën neonet e zbehta. Aty në Pazhok kam takuar edhe Enriko Veizin, karikaturistin dhe inxhinierin e talentuar që shkoi në dyert e burgut si sabotator i naftës. Kishte ardhur për t’i dhembshur në zemër Dhimitrit, sepse e kishte shok e mik. Në hotelin e punëtorëve kishte ardhur edhe Kin Dushi.

E gjurmonte guzhinieri dhe hotelxhiu, Riza gungaçi. Kështu i thonim një burri thatim, shëndetlig, një prej hafijeve të Sigurimit që kontrollonte të vetmin hotel të atij qyteti.

Dhe atëherë kur Kini na tregonte për kampin e Prishtinës. Ia kishin pushkatuar shokët përpara syve. Më vinte keq që Kini nuk fliste me Dhimitrin.

Nuk e di arsyen, por gjasat janë për të ruajtur njëri-tjetrin.

I internuar ishte aty edhe shkrimtari Hyjni Ceka, që ka qenë për një vit mësuesi im i letërsisë... .

Ai qytet dallohej edhe për dy figura të tjera. “Militantia”, një grua me trup të shkurtër e të mbushur, kryellafazania që të telendiste për çdo gjë. Merita e saj ishte që në mitingjet e radhës apo ato spontane të hidhte parrulla e të brohoriste më shumë se të tjerët. Shumë personave ua nxiu kjo llafazane që përgjërohej për shefin e repartit të saj, Hekuran Isain. Përdorej nga Sigurimi që të shkatërronte jetën familjare të njerëzve të piketuar nga ky i fundit. Nuk mund të përfundonte në dyert e burgut pa kaluar më parë në sitën e saj.

Pastaj ka qenë Pashako Çela, një ish-traktoriste, nga të parat në vend e që vishej si një burrë. E pamartuar asnjëherë, ishte antipod i “militantes”.

Shante kë të t’i dilte përpara. Kishte qejf të ngriturit në detyrë, por edhe militantët. U përgjonte dashuriçkat dhe ua publikonte si pa të keq. Ia kishin hequr fillin dhe e trajtonin si të çmendur, pasi kishte qenë një-dy herë në psikiatrikun e Elbasanit. Merrte një pension apo raport mjekësor.

Ishte nga tre personat në Shqipëri që votonte gjithmonë kundërt. Ishte e deklaruar me votën e saj. Pushtetarët e qytetit “ngelnin” në klasë sa herë bëheshin votimet, kur harronin t’i bënin një abstenim për ta neutralizuar...

Ky ishte qyteti i asaj kohe. Shpesh kam menduar që të shkruaj një roman me këtë lloj brumi që kam nën duar, ku nuk do të mungojë edhe drama e Drita Comos. Kam qenë për disa vite, në fakt, në një dilemë. Por edhe tani ende nuk jam ulur. Mbase shënimet e papërfunduara për Dritën, mund që të shërbejnë si një kapitull për këtë roman, që endet akoma në kokën time. Kjo mbase, se tani po punoj për dy romane të tjera, paralelisht, dhe shpresoj që një prej tyre ta përfundoj në fund të këtij viti...

Miqësisht,

Aleku

TAKIMI DRITA – PETRIT

 

Naum Prifti: “- Një episod i vogël nga jeta e saj -

 


Bashkëshortja ime punonte laborante në sektorin ku rrezatoheshin të sëmurët e prekur nga llojet e ndryshme të kancerit në Spitalin Civil të Tiranës.

Ndërkohë, në spitalin Nr. 4 u shtrua një vajzë e re, e bukur, e sjellshme, e edukuar, që ra shpejt në sy për cilësitë dhe karakterin e saj. U mor vesh se ishte e bija e Liri Belishovës dhe Maqo Çomos, të dy në atë kohë të internuar në vende të ndryshme që të ishin larg njëri-tjetrit, pra e damkosur, që survejohej nga Sigurimi edhe kur ishte në spital e mjekohej nga sëmundja e pashërueshme.

Njëherë u mor vesh se i vëllai i saj, Petriti, që në atë kohë ishte ushtar, do të vinte ta vizitonte të motrën në spital. Takimi u organizua në një dhomë të veçantë dhe agjentët e Sigurimit që erdhën më parë, vendosën aparatet e përgjimit dhe vetë qëndronin në dhomën ngjitur. Shpresonin të zbulonin diçka nga biseda intime vëlla-motër.

 Pasi përfundoi biseda, ushtari u largua me lot në sy, i dëshpëruar nga gjendja e së motrës. Pas pak, të dërguarit e Sigurimit mblodhën aparatet e përgjimit në dhomën ngjitur, ia hipën xhipsit dhe ikën të raportonin.

 A e di vëllai i saj Petriti këtë fakt? Ndoshta edhe nuk e di, por ai e merrte me mend se ai vetë dhe pjesëtarët e familjes së tij përgjoheshin dhe survejoheshin kudo që vinin. Vetëm vdekja e parakohshme e shpëtoi Dritën nga survejimi i vazhdueshëm i agjentëve të Sigurimit.

 Si nuk ka dalë asnjë sigurims deri tani të tregojë “hyneret” e asaj kohe, qoftë edhe pa emër?”

 Me nderime,

 Naum Prifti

 

7. Kolec Traboini:

 

“I dashur Aleko,

 Nuk e dija njohjen tënde me Drita Çomon, sepse, po ta dija, para se ta ekspozoja në publik do ta dërgoja shkrimin për konsultim, me shkakun se gjithmonë kalon ndonjë lapsus kur shkruan për njerëz që nuk i ke njohur. Për ta parë, them se edhe unë e kam parë, sepse mbaj mend në adoleshencën time, që tek shtëpia e komshinjve tanë, Shahinëve, në rrugën Badra, vinte ish-ministri i bujqësisë, që ruante lidhje miqësore me Kol Shahinin, që ishte një traktorist i njohur në Shkodër.

 Në një nga ato ardhje e kemi parë me një vajzë të vogël, 3-4-vjeçare, të veshur pastër e bukur, e cila zgjaste kokën tek dera për të parë rrugën, nën vështrimin kureshtar të fëmijëve që rrinin kundruall e nuk iknin pa ikur më parë vetura që rrinte e parkuar ndanë rrugës. Thuaj e tërë familja Shahini është shuar, mund të jetë ende gjallë vetëm e motra e Kolës, që ishte mësuese.

 Të falënderoj për informacionin, sepse më vlejti, menjëherë bëra një korrigjim në fund të shkrimit. Fatmirësisht ajo paska pasur një vëlla e këtë fakt unë nuk e dija. Duke qenë se e ke njohur këtë poete modeste, por fort të ndjerë, kujtimet e tua për Drita Çomon pa dyshim që do të jenë me shumë interes. Unë mezi pres t’i lexoj.”

 Kolec Traboini

 

8. Faruk Myrtaj


“Është vërtetë një subjekt interesant, por këto raste janë bërë të njohura për shkak të prindërve në pozitë superiore, jo thjesht për fat të fëmijëve. Kam qenë ushtar në Gostimë ato vite, Aleko, një farë dëshmie e ruaj edhe unë (!!), por Lirinë e njoh mirë. Kam pasur të vëllanë, Fatmirin, një gjysmë të internuar, në Selenicë. Një burrë me karakter dhe kurajoz. Lirinë e njoha në vitin 1992. Por Belishova është fqinje me Gorishovën e Cakranit të Fierit, ku unë jam nip. Familja e saj ishte derë e nderuar, nëna e saj njihej me të gjyshit tim, por Liria u lidh me kuqot dhe ca kohë merrte gjak në vetull për bolshevizmin, Koleci e ka saktë. Ishte e trishtuar, në vitin 1992 e pas, për disa shkrime në RD që mbase shtyheshin shumë, kur e quanin komunizmin më të keq se nazizmi i fashizmi. Ashtu e thyer më dysh nga jeta, mosha dhe privimet fizike të mëvonshme, më pyeti mua: ‘Edhe ti mendon kështu, si autorët e këtyre shkrimeve?’ ‘Nuk më vjen mirë që, edhe pas tërë këtyre që ke hequr prej komunizmit, ty të dhimbset ai, zonja Liri!’, i thashë. E ngacmoja shumë, kur e takoja, i kam shkuar edhe në shtëpi, kur inxhinier Fatmiri erdhi në Tiranë, por mua nuk m’i merrte për keq këto gjëra! Kjo ka qenë Shqipëria, në të vërtetë! Fragmentet përbëjnë të tërën. Edhe si poete, Drita ka lënë portretin e saj. Të thuash gjynah, është shumë pak.”

 

Faruk Myrtaj

 

9. Dalip Greca:


“Aleko i dashur! Të kam ndjekur me shumë vëmendje. Çdo rresht që hedh ti, e lexoj me shumë kureshtje. Kam lexuar edhe shënimet për Drita Çomon dhe, duke qenë prej natyre tip sanguini, jam dridhur në shtat. Kam lexuar edhe dëshmitë e Liri Belishovës, edhe shënimet e Kadaresë. Jam vërtet tepër i impresionuar. Jam shumë i interesuar që t’i kem shënimet e tua në Illyria. Pasi t’i botoj, po i hedh unë tek Klubi i Gazetarëve. Të uroj një fundjavë shlodhëse.”

 

I dashur Dalip!

 

“Na mori malli. Besoj se e keni ndjekur historinë e Drita Çomos edhe në listën tonë. Fillimisht Koleci shkroi diçka. Unë, si ‘cerrikas i thekur’, natyrisht kam shumë kujtime. Kisha filluar që t’i hedh në fletë, por Kola më bëri që ta marr seriozisht. Unë i premtova atij dhe listës që do t’i hedh që këtë javë. Aktualisht, këtë gjë mund që ta realizoj nga e diela. Ideja ime është që, përpara se ta hedh në listë, të ta nis ty. Janë afërsisht dy faqe gazete. ‘Si e vranë Drita Çomon’. Nëse ke interes, më thuaj. E bisedova edhe me Ilirianën. Shpresoj që të jetë gati për ty, nesër.

 

Miqësisht,

 

Alekua

 

10. Petro Dhimitri:

 

10. Petro Dhimitri:

“I DASHUR ALEKO,


Të falënderoj për përgjigjen dhe sidomos për tonin shumë miqësor. Për torturat e fëmijëve të kujtdo të dënuari gjithmonë më ka ardhur keq. Edhe unë, në një farë mënyre, kam ndjerë persekutimin e familjes sime, edhe pse babai nuk kishte bërë as edhe një faj, po vetëm pse ishte avokat. Po mua më ka shqetësuar fakti se, pas rënies së diktaturës, shtypi u mor dhe vazhdon të merret shumë me ish-byroristët e fëmijët e tyre.

Shumë shpejt po harrohet se ishin ata me Enverin e tyre që vranë e prenë, që i "dhuruan" Shqipërisë diktaturën më të egër të gjithë kampit socialist. Dhe kam si një revoltë të brendshme që për viktimat e pafajshme të antikomunizmit nuk shkruhet (se kanë qenë njerëz jo publikë), ndërsa për të tjerët, që njiheshin nga vetë pozita politike e prindërve të tyre komunistë të vendosur, botohen edhe libra.

Le të botohen, se diktaturën demaskojnë, por ama të mos harrohen dhe rastet më tipike çnjerëzore të asaj diktature. Kjo më duket se nuk ka të bëjë me luftën e klasave dhe gjurmët që ka lënë ajo, qoftë dhe te unë. Nuk e di, nëse u mor shtypi gjerman pas Luftës së Dytë Botërore se si po jetonin fëmijët ose gratë e kriminelëve si Geringu me shokë. Ato nuk u persekutuan, por ama ku jeta e tyre kur prindërit i kishin në pushtet dhe ku jeta e tyre pas luftës?! Nuk e di sa e vërtetë është, po më patën thënë se djali i Mehmet Shehut (më duket quhej Ladi), që ishte inxhinier elektronik, vrau veten duke lidhur korentin te susta e krevatit dhe u hodh mbi të. Pse zgjodhi këtë fund? Se e dinte ç'e priste, me që e njihte mirë diktaturën. Kam dashur të shkruaj për këtë, po jam stepur, sepse në imagjinatë më dilnin thirrjet e sa e sa të pushkatuarve nga Mehmeti me shokë, që më bëhej se thoshnin: "Po neve pse na harroni, apo ju dhimbsen më shumë fëmijët e kriminelëve?!". Edhe një herë të falënderoj për përgjigjen.”

Me respekt e dashuri

Petro

11. Aleko Likaj

“I dashur Petro!


Pikë së pari, dua që të të falënderoj, që në listë hodhe një mendim apo ide. Cilado qoftë ajo, për mua vlen. Por ajo që më shqetëson në këtë rast, ka të bëjë me një tjetër fakt. "Si e vranë Drita Çomon..." është një rrëfim njerëzor dhe jo tregim, pasi ka elemente krejtësisht origjinalë. Nuk është kompozuar kësisoj, sipas të gjitha rregullave "klasike" të një tregimi artistik. Tjetër problem, ana emocionale që e përshkon atë. Kjo ka të bëjë me mua, veçanërisht se si e kam përjetuar atë lloj persekucioni, pavarësisht nga emri apo personi që e ka marrë këtë lloj risku, duke qenë edhe vetë në kupolën e shtetit komunist.

Persekucioni nuk ka dallime klasore, dhe mua më duket se ne ende nuk kemi hequr dorë nga metodologjia e luftës së klasave që lamë pas. Me sa duket, jemi tepër të indoktrinuar. Një miku im i vjetër, më thotë shpesh me shaka: "A e di rregullin e artë të shoferit? Me atë marsh që merr maloren, me atë marsh duhet që të zbresë edhe në dishezë". Pra, e thënë saktë. Për aq vjet që na u desh që të ngjitemi në malin e krimit, aq na duhet që të zbresim që andej, duke iu larguar së keqes. Kjo, në rrafshin psikologjik, pavarësisht se mund që të jesh edhe promotor i ndryshimeve.

Është e vërtetë që akoma gjykojmë si në diktaturë, madje, na duket sikur e përjetojmë ende. Kjo ndodh, sepse shpesh të gjithë lëndojmë e flasim me të njëjtën psikologji.

Tani të vijmë tek Drita, si një vajzë që lindi kur familja e saj ishte e përsekutuar, dhe që pranverat e jetës i kaloi nën këtë trysni që kishte goxha peshë. Realisht, shoqëria postkomuniste e ka cilësuar atë si një personifikim e simbol. Jo rastësisht libri i saj ka tashmë disa përkthime, përveç atij në gjuhën frënge, që e kam cituar edhe unë në këtë rrëfim. Kjo mjafton.

Natyrisht, libri i saj është një akuzë ndaj asaj që u organizua dhe u instalua tek ne, duke marrë me dhjetëra jetë njerëzish. Dhe kjo nuk është pak, përderisa ne sot pranojmë se ka qenë diktatura më e egër në të gjithë vendet e Lindjes.

Për sa i përket Lirisë, unë nuk mund që t'i heq asnjë presje shkrimit tuaj, apo mendimit, kur përmend se ajo ka qenë... Ky është fakt. Unë këtë e di mirë, ashtu si edhe ti, por... (gjithmonë ka një por), komunistja fanatike Liri, e cila kishte luftuar nën idealin e saj, në një moment kyç u gjet e tradhtuar. Pikërisht nga shokët e saj. Ose, më saktë, u sakrifikua në luftën për pushtet brenda llojit, por ajo, pa asnjë përjashtim, vuajti persekucionin si të gjithë kundërshtarët e saj, pa asnjë dallim. Dhe kjo nuk është pak. Faruku tregon një rast tepër interesant nga jeta e tij si gazetar, në postkomunizëm, kur Liria në takimin me të vazhdonte të mendonte... Natyrisht, secili në demokraci ka të drejtë të mendojë e të gjykojë, ashtu siç e ndjen. Kjo është diferencë midis periudhës që posa lamë me këtë të sotmen. Dhe kjo e drejtë nuk të mohohet, nuk persekutohesh sot për këtë, sepse ti mendon ndryshe. Botëkuptimi i saj, për mua, mbetet brenda psikologjisë dhe e idealit që e gatoi atë. Jo ti, por as edhe unë e ndokush, nuk ka të drejtë t'i thotë kujtdo qoftë, pse mendon ndryshe. Por rasti i Lirisë, edhe pse duket sa komik, ka në thelb një lloj kundërshtie ndaj vizionit që po i jepte udhëheqja e asaj kohe jetës së tërë vendit. E thënë më shqip. Ajo e mendonte më ndryshe atë lloj komunizmi që na u servir. Po ashtu edhe i madhi Sejfulla. Por që të dy ishin viktima.

Ne nuk kemi aspak të drejtë që t'i diskutojmë "çertifikatën" e disidencës. E parë me këtë sy, do të thoja se njerëzit duhet që t'i pranojmë ashtu siç janë, sepse, në fund të fundit, liria jonë mbaron atje ku fillon ajo e tjetrit.

Ndërkohë dua që të falënderoj gjithë miqtë e listës sonë, që e përcollën këtë rrëfenjë qytetase, pavarësisht nëse u ka pëlqyer apo nuk u ka pëlqyer. Në fakt, ky ishte një intimiteti im personal, për të cilin mendoja prej kohësh. Ishte brenda vetes sime. Shkak u bë shkrimi i Kolecit. Ai nuk e dinte që unë e njihja këtë vajzë. Dhe, për të qenë i sinqertë deri në fund, e "hodha në letër" më tepër për t'ju krijuar ju një ide të plotë mbi të dhe persekucionin e saj. Nuk kam pasur aspak idenë "për ta lartësuar e dhënë vlera". Ato, realisht, nuk varen nga mua.

Faleminderit.

Miqësisht, Alekua”

12. Petro Dhimitri


“I RESPEKTUAR ALEKO, të nderuar kolegë,

Që në fillim jam në pozicion të kundërt me ju. Liri Belishova ishte pjesë e stafit të Enver Hoxhës dhe Partisë famëkeqe komuniste që bëri vrasje nga më makabret, madje edhe pa i kaluar të pandehurit në gjyq. Kujto ata mjeranë që u pushkatuan kur u hodh bomba në Ambasadën Sovjetike, që u ekzekutuan në breg të lumit si armiq.

Besoj se bombën e dini, e kishte hedhur një oficer dhe jo një i deklasuar. Kujtoni dhe vrasjet, burgosjet, torturat e tregtarëve, intelektualëve me arsim perëndimor e deri burgosjen e torturat e Petro Markos që ishte revolucionar demokrat.

Në atë kohë Liri Belishova me dorë të hekurt drejtonte propagandën. Një nga shefat e mi në "Bashkimi" më pati thënë se ishte grua sa e zonja aq dhe e sertë dhe e pamëshirshme.

Ajo u dënua nga partia vetëm pse, po qe e vërtetë, ishte dakord me porosinë e Hrushovit që të shmangej Enveri nga drejtimi.

Pra, ajo nuk ishte kundër komunizmit si sistem dhe ishte entuziaste për krimet që kishte bërë partia e saj në emër të komunizmit. Krejt ndryshe ishte puna me Sejfulla Malëshovën dhe grupin e deputetëve që kërkonin hapësirë demokratike. Prandaj unë, ndonëse më vjen keq që si njeri ajo u burgos dhe u persekutua nga partia e saj, nuk mund ta vë në një radhë me ata që u ngritën me kohë kundër Enverit, idhullit të saj, si dhe kundër komunizmit, se ajo ishte viktimë e vetë komunizmit.

Doemos, e bija ishte krejt e pafajshme. Po edhe më të pafajshme se ato kanë qenë vajzat e djemtë e atyre që u pushkatuan pa u gjykuar ose që u dënuam me akuza fallco. Fëmijët e tyre u përplasën nëpër kampe përqendrimi. Pse nuk kujtohemi aq për ata, por vetëm për ish-byroristët e dënuar dhe për fëmijët e tyre të pafajshëm?

Doemos tregimi është shkruar bukur. Po në qendër ka një familje e cila mban mbi shpatulla një barrë jo të vogël të krimeve që bëri PPSH-PS-ja, derisa i erdhi radha edhe asaj të dënohet.”

Me respekt

Petro Dhimitri

13. Faruk Myrtaj

“Aleko i dashur,


Prano të të them se ke qenë i mrekullueshëm në këto që ke shkruar. Në shënimet që hodhe pak ditë më parë, që të jem i vërtetë, m'u duk sikur "fluturoje" paksa. Krijoje idenë sikur mjaft që të ishe banor i Cërrikut, apo fqinj i mundimit të asaj vajze, dhe kujtesa do të shndërrohej vetiu në krijim. Isha unë i gabuari. Këto pak faqe mbase fizikisht nuk janë plotësisht libri, por janë thelbi i tij, lënda shkruar mrekullueshëm, ku padyshim është Libri që ke dëshiruar ta shkruash, me dashuri e mjeshtëri. Do të të shkruaj sërish për të. Urime, krijues i ndershëm, i drejtë, njerëzor”.

Respekte,

Faruk Myrtaj

Jashtë këtij debati intelektual, as kujtimet nuk do të kishin vlerë dhe as çmimet nuk do të peshonin. Këtu nuk ka vetëm modesti dhe respekt. Këtu prodhohet dashuria e munguar dhe debati intelektual i kulturuar.

2 Comments


Faruk Myrtaj
21 minutes ago

Ndonjehere tingellon sikur "arkivat" e adresave te tilla, thjesht mes miqsh - shpesh te njohur vetem se shkruari- jane me interesante, me intime dhe me te sinqerta se prurjet on line te mevonshme! Mbase vet politika e botimit te gjithckaje, pavaresisht shijeve, parimeve dhe kend-veshtrimeve i jep krahe kesaj natyrshmerie. Edhe pse ndodh, ne rast te rralla qe, fill pas fragmenteve te rrefimeve, te mos vijne pyetje "investiguese": psh A kemi heshtur ne kohen reale kur ndodhte te vihehsim ne dijeni per pa-udhesi te tilla te shtetit?!

Like
F. Terziu
21 minutes ago
Replying to

I dashur Faruk, të falënderoj për këtë lexim kaq të vëmendshëm dhe për reflektimin që i shton një dimension tjetër shkrimit tim arkivor. Mendoj se pikërisht këtu qëndron vlera e këtyre dëshmive: në natyrshmërinë e fjalës së shkruar, në intimitetin e komunikimit dhe në sinqeritetin që shpesh i paraprin çdo përpunimi të mëvonshëm publik. Arkivat nuk janë thjesht depo e së shkuarës, por hapësira ku ruhen gjurmët e mendimit, të ndërgjegjes dhe të marrëdhënieve njerëzore në kohën kur ato janë formësuar. Pyetja jote e fundit është, ndërkaq, një ndër më të rëndësishmet që mund të ngrihen përballë historisë: a heshtëm kur duhej të flisnim? A e kuptuam në kohë peshën e asaj që po ndodhte, apo e lamë ndërgjegjen të…

Like

Shkrimet e fundit

bottom of page