top of page

Fatmir Terziu: Dashuria si akt diskursiv ...


Narrativ i panjohur nga ferri i letrave të diktaturës

Dashuria si akt diskursiv në prozën e shkurtër të Vranarit “Dashuria plagoset..., por s’burgoset”

Prof Dr Fatmir Terziu

 

Abstrakt

 

Vilhelme Vranari Haxhiraj, nxorri në dritë para disa kohësh një libër të ri me një sens ndryshe, me një narrativ alarmues nga shpirti, me titullin sublim “Dashuria plagoset..., por s’burgoset”. Dhe aty është një thirrje e fuqishme shpirtërore, mes dashurisë që shpërthen nga gufmat e grumbulluara mes disa letrave, ku vetë tërësia ndjesore është filozofi më vete. Dhe natyrisht është ajo filozofi të cilën autorja e thekson hapur: “synimi im në ato letra është diçka më e fuqishme...” Është e tillë se ato letra i përkasin kohës së diktaturës, e cila hynte dhe në ndjenjat private të individit, ndaj mjaft dashuri i penguan, i plagosën, por thellë-thellë ato mbijetuan.” Kështu tek ky libër me një diskurs më vete, të palëvruar më parë, gjejmë sublimen e jetës mes “Dashuria plagoset..., por s'burgoset”, ku janë përfshirë disa letra nga “ferri komunist”. Dhe në narrativin e autores mësojmë se “Megjithë pengesat ajo ndjenjë sublime, mbijetoi edhe brenda telave me gjemba apo matanë mureve të pakapërcyeshme prej betoni...”, ku gjallëria, apo veprimi aktiv me të ashtuqujturën e fshehur brenda riskut dhe letrave e ndjejmë dhe e shijojmë si proces diskursiv.

 

Procesi diskursiv i adekuates

 

Adekuaten[1] e rolit të gjallërisë dhe të veprimit aktiv, prirjen arsyetuese, me të ashtuquajturën meditative[2] e monologuese[3], Vilhelme Vranari Haxhiraj “Mjeshtre e Madhe” e ka parë si një prirje që e ravijëzon pasqyrimin e thellë e të shumëanshëm diskursiv. Janë kuptimplote për këtë mjaft gjykime e vlerësime konkrete nga dhe prej autorëve ët tjerë, që vijnë në formën e një proze të shkurtër, mes idiomave kohore të ndryshme, tek cikli i autores “Letra nga Ferri”. Mënyrën e shpejtë e pa salltanet me të cilën Vranari e shtjellon diskursiven, “Letra nga Ferri” e cilëson si procedim krijues që shkurton zgjatjet e pashmangshme duke shprehur të qëndrueshmen ku “Dashuria plagoset..., po s’burgoset!”

Adekuaten në vetvete, si definacion e gjejmë të plotësuar kur e kuptojmë atë në tërësinë e më së mirës, më të mirës së të mirës së realizuar. Kështu kjo “Prozë e shkurtër” ka në thelb një skutë të hershme narrative ku adekuatja, sfilat atë që diktaturat e pasuan nga “Shekspiromania” e kohërave izoluese, që ngrihej jo thjesht kundër Shekspirit dhe ndikimit të tij në jetën e dashuruar, por si një modus-vivendo, për të ritransmetuar ndalesat absurde të lirisë dhe dashurisë, nën pretekste diktatoriale. Kjo pikërisht mes tërësisë adekuate, mbetet mes shkrimit të Vranarit, jo thjesht një prozë e seleksionuar, por qasje e tejtutjeshme e neveritjes, si dhe vendosjen tej normave të analogjisë, ku fakt është dhe mbetet postulati i autores se “Sikur, edhe 100 vjet të të burgosin, unë do të të pres...!”. ky postulat mes narrativit “dritë-hije” të letrave sjell argumentin logjik se jeta nuk mund të shuhet brenda dhe jashtë dashurisë, se dashuritë rrojnë dhe jetojnë edhe përtej shuarrjes. Ndaj jo më kot Vranari thotë: “Kemi dëgjuar dhe dëgjojmë të thonë “ëndrra të burgosura”, “shpresa të vrara”, apo “dëshira të parealizuara”. Ndaj ky libër kujtesë, vjen si një kapitull jete, për gjithë ata, të cilëve padrejtësisht ëndrrat ua prenë në mes, që e shkuara tronditëse të mos përsëritet më kurrë!” Është kjo “Dashuria, më e bukura ndjenjë, ka shumë dhembje.”

 

Trajtesa tipologjike

 

Këmbëngulja e autores në gjallërinë e veprimin diskursiv të dashurisë dhe mospëlqimi i arsyetimeve për veten e në vetvete, si dukuri që kanë të bëjnë me koncepsionin krijues, me raportet e së vërtetës jetësore dhe asaj artistike, pra me shkallën e diskursit trajtohen në brendinë e këtij narrativi dhe kanë një trajtesë tipologjike. Njohjes së proceseve dikursive në krijimin e së vërtetës artistike në këtë prozë të Vranari i paraprin vëmendja e veçantë, e kalkuluar drejt me një ndjenjë që “Gjithsesi kjo ndjenjë është një faqe e ndritur jete, një fletjetë e shkruar me gërma të arta.” Duke e parë forcën e këtij elementi diskursiv tek paraqitja me besnikëri të së ndjeshmes, ndjenjës objektive, Vranari i qas dhe e i vë në përdorim argumentin dhe poetikën e saj, por edhe ritmin dhe ritmikën e një ndjenje të jetësishme, të qenësishme, të ekzistenciales dhe tërë diskursit ilustrues: “Duke ditur se dashuria është ndjenjë universale, por tejet personale, prej këtyre letrave do të mësoni se kjo ndjenjë e madhërishme mund të ndalohet, mund të plagoset, mund të fshikullohet mizorisht, por kurrë nuk prangoset, as vritet dhe as varroset.”

Vranari i nxjerr në skajim tërë variantet e shpirtit dhe pastaj lë diskursin të bëjë narativin që të rrëfejë bukur: “E dashur, nga jeta doja dhe dua diçka që nuk blihej me para.” Këtu Shekspiri do të thellohej dhe do të na jepte një dëshmi të artë: “këtu floriri është mjaftë/të bëjë të zezën të bardhë/çdo turp ta kthejë në hijeshi/çdo gjë të ulët ta bëjë të lartë/dhe frikacakun trim të zjarrtë”. Dhe kjo vlen për të gjitha kohërat. Vlen se është e lidhur me atë që njeriu të ëkrkojë drejtësi për vete. Dhe “Kur një njeri nuk kërkon drejtësi për vete, s’ka të drejtë ta kërkojë atë për të tjerët. Drejtësia nuk vlen për njerëzit e ndershëm, se nuk i beson njeri. Shpifja, mashtrimi, tradhtia, pabesia, spiunllëku, shumëfytyrësia, servilizmi, gënjeshtra, hipokrizia dhe... kanë zëvendësuar virtytin. Aftësia humane nuk matet më me dije e mirësi, por me ligësi dhe zotësinë për të bërë keq. Kjo ndodh se si njësi matëse aftësie intelektuale është Antivlera, e cila ka varrosur Vlerën e vërtetë .” Dhe për të mos e varrosur vlerën e vërtetë, vetë “Dashuria” shërben si akt diskursiv në prozën e shkurtër të Vranarit “Letra nga Ferri”. Aty është edhe zgjidhja jetike: “Më mirë se unë, nuk e di askush tjetër se sa i pafajshëm je ti. Unë dhe vetëm unë e di se çfarë shpirti të mirë ke, e di mirë se sa i sinqertë dhe i padajllëzuar je.” Aty është një zemër që rreh dyshe dhe zbërthen diskursin e vetë asaj që vjen nga e magjishmja, e jetësishmja: “Zemër, kam nevojë për diçka mbinjerëzore… që gjendet te hyjnorja.” Tek hyjnorja ka vetëm një logjikë. Aty është dhe mbetet thelbi. “Një dashnor i diskurseve” të Roland Barthes, (Barthes, 1978: duke treguar 1-30 nga 54) bën pyetjen e tij të qartë: “A jam unë në dashuri?” Përgjigjja është “Po”, pasi ai shpjegon se “meqë unë jam duke pritur.”

Por Barthes shton: “Ky tjetri nuk pret. Ndonjëherë unë dua të luaj pjesën e atij që nuk pret; por unë gjithmonë humbas në këtë lojë. Çfarëdo që të bëj, unë e gjej veten aty, me asgjë për të bërë, të përpiktë, edhe para kohe. Identiteti fatal i të dashuruarit është pikërisht ky: Unë jam ai që pret”. Sapo një ligjërim të shtyhet kështu nga vrulli i tij në qasjen e pasme të “ireales”, i mërguar nga çdo ngjashmëri, ai nuk ka zgjidhje tjetër veçse të bëhet heshtja, sado e pakëndshme, e një pohimi (ibid). Ky pohim është, shkurt, tema e librit që fillon këtu ... i cili fillon pikërisht këtu tek retorika e vetë narrativit ...

 

Retorika e narrativit

 

Retorika të shpie tek vetë narrativi i autores Vranari: “Po a ekziston vallë diçka mbinjerëzore? Ndoshta është liria e munguar. Nuk e di nëse do ta fitoj atë të drejtë legjitime që ma mohuan, nuk di nëse do të dal nga ky ferr që as vet nuk e di pse më vërvitën pa mëshirë... Kam nevojë për mend. Si…si, me ç’mënyrë apo mjet duhet ta mposht errësirën vallë? Duhet që ëndrrat e mija dhe dashuria jote të bëhen pishtarë për ta shpërndarë atë. Dëshira për të jetuar dhe për ta gëzuar jetën duhet të dalë mbi vuajtjen, mbi dhembjet çnjerëzore që po provoj. Që të mos i përfill ato, më duhet të shndërrohem në mbinjeri.

Kjo është mbijetesa ime dhe e cilitdo nga ne që ndodhemi të rrethuar nga mure të padepërtueshëm, tela me gjemba që ngjasojnë me rrathët e ferrit, ku në secilin prej tyre, na shtohet edhe një lak në fyt… Në kushte të tilla, mbijetesën ta premton vetëm dashuria për jetën …një dashuri e madhe sublime. Janë ndjenjat e mija për ty, e shtrenjta ime, ato që më bëjnë të duroj torturat, të mposht dhembje.

Me dashurinë që ndiej për ty, mjekoj plagët e trupit e të shpirtit të cilat janë aq shumë sa…Gjithsesi është kjo ndienjë e pakrahasueshme që më mban gjallë. Me sytë e mendjes, zhbiroj errësirën dhe vështroj gjithë ëndje kurmin tënd si lastar, e ëmbla ime. ..”

 

Akti nga “ferri komunist” si memorje

 

     E di që nuk më beson… zhbiron (vet)veten e Tjetrit, Vranari... dhe Dashuria si akt diskursiv në prozën e shkurtër të Vranarit “Dashuria plagoset..., por s’burgoset” bëhen një memorje ideale, bëhen tipologjikisht dhe logjikisht një arsye më shumë për të ringritur vlerën e lirisë së munguar, vlerën e jetës së dashuruar, triumfin e saj. Vranari këtë e ka bërë si radhë ndonjëherë, ndaj dhe kërkon që jo vetëm lexuesi, por edhe tërësia letrae dhe kritike të shpallin më shumë vëmendje, jo vetëm brenda kuadratit gjeografik të vendlindjes, por edhe më tej ku akoma ka dritë-hije që duhen ndriçuar.


[1] Adekuate (lat. adaequatur – barazohet, është ekuivalent). Term që përdoret në teorinë e njohjes për të treguar se figurat subjektive, dijet që fiton njeriu në veprimtarinë praktike e njohëse për të treguar se figurat subjektive, dijet që fiton njeriun në veprimtarinë praktikë e njohëse, janë adekuate, d.m.th. përputhen me origjinalin, me sendet e fenomenet që ato pasqyrojnë. Kur dijet kanë adekuate me origjinalin, atëherë thuhet se ato kanë karakterin e të vërtetave objektive. Problemi se në ç’masë janë adekuate dijet tona, lidhet me saktësinë e thellësinë e njohjes së realitetit objektiv, të arritur nga shoqëria në një moment të dhënë, lidhet me dialektikën e së vërtetës relative e absolute. Me karakterin absolut e relativ të praktikës si kriter i së vërtetës. Njohja është e lidhur medoemos me procesin e abstragimit nëpërmjet të cilit bëhet e mundur njohja e thelbit, futja në thellësi të sendit, duke veçuar një tipar qenësor të tij. P.sh., përfytyrimi shqisor nuk mund të kapë thelbin e shfrytëzimit, ndërsa me anën e abstraksionit një gjë  e tillë është e mundur. Roli i abstraksioneve shkencore është veçanërisht i rëndësishëm në studimin e fenomeneve shoqërore. Vërtetësia e abstraksioneve shkencore provohet në praktikë.

[2] që ka të bëjë me: ose të zhytur në meditim, ose mendim të konsideruar.

[3] Ka shtysë dhe qëllim prapa asaj që po thoni dhe një arsye të qartë pse po e thoni atë. Për shembull, një debat mes dy njerëzve është një skenë e mrekullueshme për t'u parë si një pjesë solo, sepse ka një konflikt të qartë që do të informojë veprimet tuaja.

42 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page