Fatmir Terziu: Dalan Luzaj na sugjeron diskursin se vendet nuk janë hapësira, por plagë të ndritshme
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 8 minutes ago
- 4 min read

Dalan Luzaj na sugjeron diskursin se vendet nuk janë hapësira, por plagë të ndritshme
Nga Fatmir Terziu
Ndërsa merr në konsideratë të shkruash për poezinë e poetit Dalan Luzaj dy gjëra të vijnë menjëherë në syprinë të syrit. E para që vjen nga thellësia e vlerës poetike të mbetur disi nën hijen e një emri të madh, dhe vetë zëri poetik që lind nga vuajtja dhe kujtesa. Si i tillë, Dalan Luzaj i përket atij brezi poetësh shqiptarë të cilëve historia u mori rininë, por nuk ua vrau dot fjalën. Ai vjen nga një familje intelektuale e zhytur në ferrin e diktaturës, dhe kjo e shënon thellë strukturën e tij poetike. Poezia e tij nuk është artificë estetike, por mbijetesë, terapi dhe testament. Krijimtaria e Luzajt ndërtohet mbi dy shtylla. E para është, kujtesa personale e internimit, dhimbja e normalizuar e viteve të humbura, humbja e fëmijërisë, trauma familjare. E dyta, mbetet si kujtesa kolektive shqiptare, atdheu, Vlora, Kanina, Uji i Ftohtë, figura e nënës shqiptare, identiteti dhe largësia. Ai nuk shkruan për të bukurën si ornament, por për të bukurën që doli nga dhembja. Pikërisht ky diskurs është forca e tij: sinqeriteti, një zë që nuk bën poezi për t’u dukur poet, por sepse poezi është vetë frymëmarrja e tij.
Tematika Qendrore në Poezinë e Dalan Luzajt shpeshherë fillon tek vetmia dhe plagët e jetës së dhunuar. Te njëra nga poezitë e tij, ajo me titullin “Plagë”, vetmia nuk është motiv abstrakt, por pasojë e drejtpërdrejtë e represionit politik. Në vargun: “Erdhi jeta e më gjeti vetëm” vetmia është fati i paracaktuar i të deklasuarit, ndërsa “S’ më rinon si i gjithë kontinenti”, zhvesh çdo iluzion emigrimi, trauma nuk mbaron kurrë.
Në “Dyer të mbyllura”, dera shndërrohet në simbol kombëtar të izolimit. Dera e mbyllur është metafora e Shqipërisë së vjetër, ku njerëzit jetuan stinë që ndryshonin vetëm jashtë, por kurrë brenda. Në disa poezi, sidomos “Drita” dhe “Nëna”, ndriçohet figura më e dhimbshme e krijimtarisë së tij. Nënat dhembin, vdesin, por nuk treten: “Dheu s’të tret,/Nga dheu më bën dritë.” Ky është një nga vargjet më të forta të tij, ku nëna shndërrohet në energji metafizike.
Poezitë “Uji i Ftohtë”, “Tek ju”, “M’u lodhën sytë”, “Kthim në atdhe” janë himne për Vlorën. Gjeografia merr dimension emocional: Sazani, Kanina, Jonian, ullinjtë, deti, janë pjesë të ADN-së së tij poetike. Poeti na sugjeron diskursin se vendet nuk janë hapësira, por plagë të ndritshme.
Në shumë poezi vihet re “dyfishimi i mallit”, mall për rininë e humbur dhe mall për atdheun e largët. Poezia “Në udhëtim” ndërton një botë të trazuar oqeanike që simbolizon jetën e poetit mes dy brigjeve. Te poezia “Gjak Shqiptar”, gjaku merr funksion të dyfishtë: sakrificë dhe trashëgimi. Luzaj përfshin historinë, përplasjet osmane, shpërnguljet, por gjithnjë e vesh me një tingull intim.
Pra, poetika e tij rreh si një psalm i vazhdueshëm. Ai rrallë ngre tensionin, por peshon zëra të ulët, trishtim të qetë, dhimbje pa britma. Gjuha e thjeshtë, e drejtpërdrejtë, por e ngarkuar me metafora natyrore mbetet një diskurs më vete. Metaforat janë të rrënjosura në realitet: deti,/Joni,/ulliri,/hëna,/mjegulla,/shkëmbi. Imagjinata e tij nuk fluturon në abstrakte, por gjithçka mbetet tokësore, e prekshme. Simbolistika konstante trajtohet me mjeshtëri, NËNA – dritë, plagë, mbijetesë; DETI – udhëtim, arrati, mall; DERA – mbyllje, izolim; HEQJA E DRITËS – trauma, frika, censura; ULLIRI – qytetëri ilire, qëndrueshmëri.
Tek poeti dalan Luzaj shihet diskursi tjetër ai që vjen nga ritmi i brendshëm i qetë, por i thellë. Në këtë diskurs poezitë e tij kanë strukturë psalmodike. Nuk ka eksperimentime moderne, por ka një origjinalitet emocional. Për pasojë tek këto poezi imazhi shfaqet si mjet kujtese. Luzaj nuk kërkon të ndërtojë peizazhe, por të rindërtojë kujtime. Çdo imazh mban brenda një dramë.
Le ta shpejgojmë këtë më konktretisht mes disa poezive përfaqësuese: 1. “Plagë” – Trupëzimi i vetmisë. Poezia ndërtohet mbi dy akse: goditja e jetës, qëndrimi i poetit. Vetmia është e pashmangshme, por poeti ruan qetësinë stoike. Dhimbja nuk klith, por buzëqesh – një lloj cinizmi i vuajtjes së gjatë. 2. “Drita” – Lavjerrësi mes dritës dhe errësirës. Titulli “Drita” është ironik: nëna quhej Dritë, por nuk pa dritë. Metafora “helmin s’e ka as gjarpri nën gurë” krijon një imazh të fuqishëm të poshtërimit njerëzor nën diktaturë. 3. “Uji i Ftohtë” – Poema e topografisë shpirtërore. Poezia ndërton një hartë të Vlorës, por të filtruar nga diaspora. Fari, hëna, ullinjtë, Sazani – janë të gjallë, personazhe me rol emocional. 4. “Kthim në atdhe” – Rrëfim i një rikthimi të dyzuar. Motivi kryesor: Atdheu të pret, por edhe të qorton. Vargu: “Shkela tokën… e ndjeva që më ndjeu” është nga më të bukurit në letërsinë e mërgatës shqiptare, pasi përmbledh mallin, frikën, rikthimin, pranimin.
Duhet thënë hapur se Dalan Luzaj është një poet që nuk kërkon të jetë modernist, as avangardë. Ai është poet i kujtesës, i dhimbjes dhe i dëshmisë. Krijimtaria e tij është domethënëse për disa arsye: 1. Shkruan për të mos harruar – poezia e tij është dokument emocional i një epoke; 2. I jep zë shtresës së heshtur – të internuarve, të persekutuarve, nënave të flijuar; 3. E mbart Shqipërinë jo si nocion politik, por si element natyror të shpirtit; 4. Ruajti kulturën poetike edhe nën dhunë, edhe në mërgim; 5. Poezia e tij ka një ndershmëri të rrallë – flet vetëm me atë që ka jetuar. Në planin estetik, Luzaj qëndron mirë brenda traditës së poezisë shqiptare të mërgatës (krahas Havzi Nelës, Arshi Pipës, Frederik Rreshpjes në tonin elegjiak). Ama stili i tij mbetet individual: i qetë, i qartë, pa retorikë, i mbështetur te metafora natyrore dhe nostalgjia e butë.
Sipas meje krijimtaria e Dalan Luzajt është një mozaik i dhimbjes së njeriut të dëmtuar nga historia, por që nuk e humbi dot njeriun brenda vetes. Poezitë e tij ndërtojnë një narrativë të vetvetishme: nga internimi, tek malli, tek rikthimi dhe kujtimi. Ato kërkojnë lexime të thelluara sepse janë poezi që kanë lindur jo prej shkrimit, por prej jetimit. Në thelb, poezia e tij është: – një plagë që shkruan, – një dritë që vjen nga errësira, – një atdhe që mbahet gjallë me zemër, jo me pasaportë.









Comments