Fatmir Terziu: Brekovari
- Jan 23
- 3 min read

Brekovari
- I mbylla dyqanet e bukës, - tha tregtari duke e trazuar kafen.
- Dhe ç’hape? - e pyeti kamarieri.
- Dyqane brekësh.
- Pse?
- Se buka të ngop sot, breku të shpëton nesër.
Kamarieri nuk qeshi. Kruajti veshin dhe u largua. Tregtari kishte mbetur me veshë nga tavolinat e tjera dhe me sy nga dritarja… Prej vitesh në atë vend, shakatë ishin marrë seriozisht.
Duke pirë kafe dhe duke dëgjuar njerëzit të flisnin, e zuri mendimi. Dikush tha me zë të ulët, por me bindje të hekurt.
- Pse brekët kishin më shumë rëndësi se buka në Brekovar?
Tregtari u kollit. Pastaj, e përplasi filxhanin lehtë në tavolinë, dhe u kthye me mendje në fshatin Brekovar, aty ku kjo pyetje ishte bërë filozofi. Në Brekovar, buka piqej kur i tekej fatit, ndërsa brekët kontrolloheshin çdo mëngjes me solemnitet zyrtar. Jo, sepse kishte bollëk rrobash, por sepse fshati kishte një bindje të palëkundur, pa bukë jetohet, pa brekë jo. Dhe kjo ishte nga kohëra të tjera. Në sheshin e fshatit varej një tabelë e vjetër, me bojë të zbehur e me gërma që mezi lexoheshin: “Rregulli mbi të gjitha.” E që nga ato kohëra shtegëtaret vinin e iknin, bënin glasa, ndërsa merimangat i kishin bërë shajak rrjetat e tyre. Ishin shembur shtëpi e tempuj, por tabelën askush nuk guxonte ta shkulte. Aty ishte, pra rregulli.
Askush nuk e dinte saktë çfarë rregulli, por të gjithë e respektonin me frikë dhe përkushtim. Një ditë, ndërsa njerëzit prisnin radhën për një copë bukë, që dukej më shumë si thërrime të bashkuara me shpresë, një plaku i ra brekushja.
- O njerëz! - thirri ai duke e kapur me dorë. - Buka s’po vjen, po brekushja po më tradhton!
Turma u trazua. Disa ulën sytë, disa qeshën fshehurazi. Kryeplaku i fshatit, burrë i urtë me mustaqe, që kishin parë shumë dimra, ama edhe më shumë marrëzi, u kollit me kujdes duke i dhënë pak më shumë rëndësi:
- Mjeran, barku ankohet vetëm për pak, vetëm një shëtitje deri atje, e sheh ku prehen ata, dhe ti ikën e s'dëgjon, por turpi flet gjithë jetën.
- E kuptoj, - tha plaku me zë të dridhur, - po turpi im po shëtit pa leje!
Nga fundi i turmës foli një e moshuar: - Buka hahet e harrohet. Brekët, po u çanë, t’i përmendin edhe nipërit.
- Ky është çështje rendi, - tha kryeplaku.
- Jo, - ia ktheu një bari duke shtrënguar rripin, - kjo është çështje llastiku. A e dini se llastiku kushton më shumë se brekët?!
Turma shpërtheu në të qeshura. Një djalë i ri, me bark bosh dhe ide plot, propozoi: - Buka?! Ta ndajmë më hollë, po brekët ama, t’i qepim dyfish.
- Mendim i mençur, - tha kryeplaku. - Buka është për sot e vetëm për ty, por brekët janë për sy, për sy të botës.
Dhe kështu ndodhi që në Brekovar njerëzit ecnin me barkun bosh, por me brekë të sigurta. Askush nuk mburrej me sa kishte ngrënë, por të gjithë kontrollonin me krenari, ushkurrët, llastikët, kopsat dhe qepjet. Sepse uria kalon, mendonin ata, por e qeshura e të tjerëve jo. Kjo ishte filozofia e tyre e heshtur e jetës. Brekovarët jetonin për sytë e të Tjerëve. Më mirë një stomak që kërcet, sesa një faqe që digjet. Dhe ndoshta këtu qëndronte fisnikëria e tyre e çuditshme, një fshat që, edhe kur s’kishte bukë në sofër, kishte gjithmonë dinjitetin… të mbërthyer fort me ushkur, llastik, a ku ta di unë.
U shkund. Pastaj tregtarit iu kujtua se ishte në kafene dhe jo në ndonjë kinema me filma të vjetër. Tregtari e piu kafen deri në fund.
- E shikon? - i tha kamarierit. - Breku është investim afatgjatë.
Kamarieri tundte kokën.
- Po buka?
- Buka vjen kur ka brekë që e presin.









Krijues i veçantë , i dashur Prof .TERZIU
Bukur, me pelqen...respekte...
Shumë e thjeshtë në qasje dhe shumë e thellë në mesazh
Diku lexova
Kur humbet parate , s ke humbur gje .
Kur humbet shendetin , humbet diçka .
Kur humbet personalitetin , ke humbur gjithçka !
...Dhe ndoshta ketu qendron fisnikeria e tyre e çuditshme ...!
Me kujtove "Populli i minjve" te Kafkes. Fjalet (e dialogut)-te zgjedhura, kumti mjaft domethenes. Me pelqen eleganca e prozes se shkurter. Urime, Fatmir!