top of page

Arsim Cane: Milton Keynes, Angli 2026

  • 50 minutes ago
  • 3 min read

Arsim Cane: Milton Keynes, Angli 2026


Përshëndetje bashkëfshatarë armenas

 

Një shkrim i tillë është edhe ky, që lidhet me një familje e cila për më shumë se tre shekuj ka qenë e pranishme në çdo përpjekje, reformë apo lëvizje patriotike në interes të atdheut dhe të shoqërisë. Fjala është për familjen e njohur Kocka nga fshati Armen, një familje që me punë, mençuri dhe përkushtim ka lënë gjurmë në jetën e komunitetit. Në qendër të kësaj historie qëndron figura e burrit të urtë dhe punëtor, njeri i respektuar në çdo vatër të Armenit dhe më gjerë në kohën e tij. Ai ishte një burrë “qosheje”, siç e thotë populli – një burrë që qëndronte në krye të tryezës, jo për pushtet, por për mençurinë dhe drejtësinë që e karakterizonte. Emri i tij ishte Coni Kocka.

Së bashku me bashkëshorten e tij, Marinen, ai ndërtoi një familje të madhe e të respektuar. Krahas punës së vështirë dhe sakrificave të kohës, ata i dhuruan Armenit dymbëdhjetë fëmijë: Pandin, Paskalin, Dafinen, Parashqevin, Dhoksin, Ilian – i cili dha jetën në shërbim të atdheut Thimon, që u largua nga kjo botë shumë herët, Sofinë, Llazin, Josifin, Ligorin dhe Valentinën. Shtatë djem e pesë vajza, të cilët në jetën dhe veprimtarinë e tyre kanë qenë dhe mbeten shembull për komunitetin.

Koha i shpërndau bijtë e kësaj familjeje nëpër botë, ashtu siç ka ndodhur me shumë familje shqiptare. Sot nëntë nga fëmijët e xha Conit jetojnë e punojnë në vende të ndryshme, duke ruajtur gjithmonë lidhjen me origjinën dhe me fshatin e tyre.

Fati më dha mundësinë që gjatë një udhëtimi familjar në Angli, te vajza ime e vogël, të përjetoja një moment të veçantë që më riktheu në kujtesë rrënjët tona. Gjatë qëndrimit në qytetin Milton Keynes, një nga qytetet moderne të Anglisë, kur dilnim për kafe, pata rastin të takoj disa djem armenas që jetojnë dhe punojnë këtu. Disa prej tyre i përmenda edhe në një shkrim të mëparshëm.

Në një nga ato ditë më bie zilja e telefonit. Në anën tjetër të linjës ishte një zë i njohur:

— “Arsim, Ligor Kocka jam. Si jeni?”

Pa shumë hyrje e më tha menjëherë:

— “Dërgomë kodin e shtëpisë, të vijmë të pimë një kafe.”

I thashë se ishte pak larg, sepse ata ndodheshin në qytetin Kettering. Por ai u përgjigj menjëherë:

— “Jo, jo. Nesër në orën dhjetë bëhu gati.”

Në atë moment më erdhi ndër mend fjala e popullit: “Soja shkon te soja, dhe ku ka rrjedhur do të pikojë.” Ishte djali i Con Kockës – dhe kjo mjaftonte për ta kuptuar mikpritjen dhe respektin e tij.

Të nesërmen u takuam me përzemërsi e respekt në Milton Keynes. Ligorin e shoqëronte djali i tij, Kosta, i cili – siç themi ne – kishte ngjarë me tiparet e gjyshit të tij, Conit. Kishte në fytyrë atë seriozitet dhe qetësi që të kujtonte menjëherë rrënjët e familjes.

Më çuan në një lokal shumë të këndshëm në qendër të qytetit. Porosia ishte e thjeshtë dhe e dashur për ne: kafe ekspres, si në Shqipëri, ujë dhe pak ëmbëlsirë. U ulëm përballë njëri-tjetrit dhe, siç ndodh gjithmonë mes bashkëfshatarësh në mërgim, biseda rridhte natyrshëm.

Në një moment u pamë në sy dhe dikush tha me humor:

— “Vetëm rakia e Gjelosh Armenit na mungon këtu.”

Qeshëm të gjithë. Ishte ajo ndjenjë e veçantë që lind vetëm mes njerëzve që ndajnë të njëjtën origjinë. Folëm për familjet, për punët, për jetën në kurbet dhe për Armenin tonë të dashur.

U gëzova shumë kur pashë se Ligori dhe familja e tij ishin mirë dhe se kishin ruajtur të njëjtën thjeshtësi e fisnikëri që e karakterizon familjen e tyre. E falënderova për respektin dhe për faktin që, bashkë me djalin, kishin bërë kilometra të tëra vetëm për të pirë një kafe dhe për të takuar një bashkëfshatar. Jo të gjithë e bëjnë një gjest të tillë. Por ai që nuk harron origjinën, gjithmonë gjen kohë për njerëzit e tij. Pas një bisede të ngrohtë, u përshëndetëm dhe u ndamë me respekt, duke i dërguar të fala njëri-tjetrit dhe Armenit tonë.

Kjo ishte, shkurtimisht, një copëz nga takimi dhe biseda me një armenas të nderuar e të respektuar, pasardhës i një familjeje me rrënjë të thella dhe me paraardhës të ndritur, siç ishte i paharruari Con Kocka.

Respekte.

Volverton, Prefektura Milton Keynes

25 shkurt 2026

Ora 10:21 minuta.

1 Comment


Fatmir Terziu
37 minutes ago

Një rrëfim i bukur dhe i ngrohtë ky i Arsim Canës, që të kujton se rrënjët nuk i shkul as largësia dhe as vitet. Edhe në një qytet modern si Milton Keynes, mes ritmit të jetës angleze, një telefonatë, një kafe dhe disa fjalë të thjeshta mes bashkëfshatarësh arrijnë të rikthejnë menjëherë aromën e vendlindjes. Historia e familjes Kocka dhe figura e Con Kockës vijnë këtu si një kujtesë e gjallë e traditës, fisnikërisë dhe respektit që trashëgohet brez pas brezi.

Takime të tilla në mërgim kanë një shije të veçantë, sepse në to bashkohen kujtimet, miqësia dhe mallin për vendin nga vijmë. Dhe, siç e thotë bukur edhe vetë shkrimi, në atë tryezë miqësore në Milton Keynes dukej sikur…

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page