top of page

Fatmir Terziu: „Beteja“ për poezinë

  • 2 days ago
  • 3 min read

 

Prej disa kohësh kam sjellë poezi që i ngjan një fenomeni të veçantë në letërsinë shqipe. Me këtë përkufizim nuk kam parasysh vetminë apo izolimin, por atë çka herë pas here është theksuar edhe nga kritika letrare, siç e ka cituar edhe Timo Mërkuri, se „poezia e Fatmir Terziut po sjell risi dhe një frymë epoke“. Kam shumë miq letrarë dhe njerëz me të njëjtin pasion, por kjo nuk është thelbi dhe as burimi kryesor i çdo përpjekjeje që bëj për një komunitet letrar. Duke lexuar tekstet e mia ndër vite, në përmbledhjet individuale dhe sidomos në tërësinë e tyre sot, bëhet e qartë se kjo poezi kërkon të qëndrojë më vete. Ajo nuk lidhet lehtësisht me modele të njohura dhe është e vështirë të gjesh një pikënisje të drejtpërdrejtë për poetikën e saj, qoftë në traditën e hershme, qoftë në zhvillimet bashkëkohore të letërsisë shqipe. Madje, është pothuajse e pamundur të emërtosh “mësuesit” e saj. Në thelb, ajo i reziston çdo përkufizimi të ngurtë dhe mund të kuptohet më mirë duke thënë se çfarë nuk është.

Flas në vetën e parë. Flas për njerëzit dhe gjërat që dua: për gruan që është pranë meje, për fëmijët, për miqtë, për ngjarjet e vogla dhe të mëdha të përditshmërisë. Por kjo nuk është poezi rrëfyese në kuptimin e zakonshëm. Nuk është as një poezi autobiografike që mbyllet në vetvete. Është diçka tjetër, diçka që e tejkalon rrëfimin si formë. Vëzhgoj dhe përshkruaj njerëz, natyrë, situata, por kjo nuk është poezi përshkruese. Tregoj, por kjo nuk është poezi narrative. Poezia ndërtohet mbi kthesa të papritura, mbi një artikulim jokonvencional të fjalës dhe të imazhit, dhe megjithatë nuk bie në skemat e surrealizmit.

Boshti i saj është një mënyrë unike ndërtimi, një metodë e veçantë e organizimit dhe zhvillimit të materialit poetik, e cila është e dallueshme dhe e pandashme nga vetë autori. Kjo qasje ka qenë e pranishme që në fillesat e mia krijuese, që nga poezitë e hershme të shkruara edhe para viteve ’90, të njohura dhe të vlerësuara nga Profesori dhe poeti Hasan M. Shahinaj, si dhe më pas, në zhvillimet e pas viteve ’90, të theksuara edhe nga poeti Agim Shehu dhe nga shumë të tjerë.

Në këtë poezi nuk ka struktura të ndara që mund të qëndrojnë më vete, nuk ka linja të qarta narrative dhe as fraza të gatshme për t’u cituar si aforizma. Ajo ndërtohet përmes grumbullimit, përmes një akumulimi të vazhdueshëm fjalësh, imazhesh dhe situatash, ku çdo element merr kuptim vetëm në lidhje me tjetrin. Është një rrjet tensionesh ku thekset zhvendosen vazhdimisht; një strukturë që pulson, që nuk është kurrë përfundimtare. Ndryshon me çdo lexim, me çdo këndvështrim, dhe në këtë mënyrë i ngjan një organizmi të gjallë, gjithmonë në lëvizje, gjithmonë në kërkim. Kjo është “beteja” për poezinë: një përpjekje e pandërprerë për të mos u nënshtruar ndaj formave të gatshme, për të mbetur e hapur, e lirë dhe thellësisht e vërtetë.

 

Po ju sjell dy, a tre… kaq sa për të ti rilexuar me nge:

 

TË SHIKOSH PËRTEJ PERDES

 

Grimcë e pluhurit të purpurtë

vikaset në vargun tim

me fjalë që bien si vargje të tëra,

refren që mbetet në mendje

në sytë e tu

në ijë

ikanake e trosha mbi vijë.

 

RIKTHIM TRENDI

 

Dhe ky varg:

si një karakafte pa emër,

si një penë pa bisht.

Si një kala pa gur.

Thjesht dashurohet.

 

Nuk ka libër mbi të cilin bie fija e flokut,

thjesht bie, prej vendi,

nga prekja e ndjeshme,

rikthimi tek trendi.

 

SHKUMBIN

 

Hëna laget e plotë,

gjysëm,

çerek,

qielli ecën mbi ujë

dhe hapat e tij ndërtojnë vetë,

aeroporte zogjsh.

Shkumbini është në të vërtetë një djalosh atlet.

Kemi frikë t'ia puthim hënën,

kur i fshihet tek retë.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page