Fatmir Minguli: SHKARRAVINA SPIRALE
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Jul 2
- 3 min read

SHKARRAVINA SPIRALE, DREJT NJË TEORIE TË GJEOMETRISË SË LIRË LETRARE
Çdo vepër letrare, pavarësisht nga forma, zhanri apo gjuha, nënkupton një strukturë. Tradicionalisht, kjo strukturë është konceptuar si lineare, ciklike ose e ndarë sipas logjikës dramatike klasike. Por, nëse e nisim vëzhgimin jo nga modeli greko-latin apo konstruktet racionaliste, por nga gjesti më i thjeshtë i shprehjes spontane njerëzore, ndoshta do të zbulojmë atë që mund ta quajmë “gjeometri e lindur”.
Nëse i japim një fëmije një letër të bardhë dhe një stilolaps, ai nuk vizaton katrorë apo drejtkëndësha, por shkarravit lirshëm. Shkarravinat, si forma e parë e tentativës për të shkruar, kryesisht janë shpesh rrathë, vija të lakuara, spirale të pavetëdijshme. Këto spirale nuk janë rastësore. Ato janë një shprehje themelore e intuitës njerëzore ndaj hapësirës dhe pranisë. Çdo spirale është një rreth i vetvetes, një afrimitet në kërkimin drejt qendrës, një gjurmë e brendshme në kërkim të kuptimit.
Ky nocion rezonon me idenë e Rudolf Arnheim në teorinë "Arti dhe Perceptimi Vizual, ku ai shkruan: “Rendi vizual është shprehje e rendit psikologjik.” Spiralja e fëmijës, pra, nuk është kaos, por një gjeometri personale e emocioneve dhe e vendosjes së vetes.

Në veprën e tij madhore Rënia e Perëndimit, Oswald Spengler propozon idenë se çdo kulturë ka një “simbol primar” (Ursymbol) që përcakton strukturën emocionale dhe formale të artit të saj. Për kulturën perëndimore, ai sheh hapësirën e pafund si simbolin themelor. Por kjo hapësirë nuk është lineare, as e sheshtë. Ajo mund të jetë spirale, si forma më intime e thellimit emocional.
“Çdo kulturë ka mënyrën e saj për të parë botën, një formë që nuk mësohet por jetohet.” thotë Oswald Spengler, te Rënia e Perëndimit, Vëll. I.
Spiralen e shkarravinës së fëmijës mund ta konsiderojmë si Ursymbol-in individual, një instinkt estetik të lindur që nuk mund të zbehet nga arsimi apo teknika, sepse i paraprin gjuhës. Kjo do të thotë se vepra letrare, në thelb, është gjithmonë një kthim tek kjo spirale intuitive, edhe kur ajo kamuflohet si strukturë klasike.
Sipas teorisë së re të “gjeometrisë emocionale”, të propozuar në analizat e Pol Milos mbi romanin "Rikthimi" të Bashkim Hoxhës, ndërtimi i veprës është vetë instrumenti që gjeneron emocione. Pra, nëse narrativa është e ndërtuar në mënyrë spiralore, edhe përjetimi i lexuesit është i tillë, lëvizje rreth vetes, tension pa shkarkim, kthim pa mbërritje.
“Është një gjeometri e tensionit emocional. Lexuesi nuk çlirohet, por mbahet pezull, një progresion i ndërtuar me mjeshtëri magnetike”, Pol Milo, Revista Transformisti, Nr. 6 qershor 2025.
Ky model përputhet ngushtë me spiralen e shkarravinës, duke na dhënë një lidhje të drejtpërdrejtë midis estetikës spontane të fëmijës dhe ndërtimit të veprave komplekse të artit bashkëkohor.
Letërsia moderne dhe postmoderne shpesh i mungon një linjë e qartë narrative. Kjo nuk është krizë e tregimit, por një rikthim tek “gjeometria e lirë”, tek format që lindin jo si skema, por si gjurmë të brendshme. Kujtojmë Joyce-in, Beckett-in, Blanchot-n, por edhe autorë shqiptarë si Bashkim Hoxha, Arian Leka, Ilir Paja, të cilët ndërtojnë narrativa që nuk e rregullojnë botën, por e ç’rregullojnë atë në përputhje me ndjesinë e saj.
Kjo ide pasqyron mendimin e Maurice Blanchot te Hapësira e Letërsisë: “Narrativa nuk është mjeti për të vërtetën, ajo është përjetimi i mungesës së saj.” Forma spiralore reziston ndaj përfundimeve, duke reflektuar paqëndrueshmërinë ontologjike të identitetit modern.
Kjo qasje që ndërthuret me teori të tjera të ngjashme, mund të vendoset pranë Dekonstruksionit të Derrida-s, ku struktura shkatërrohet nga brenda, apo Ars Topica (Hartelius), që e sheh mendimin si strukturë topografike, ose Neuroestetikës moderne (shih Zeki, Inner Vision), ku vepra letrare përjetohet si konfigurim ritmik i tensioneve ndijore.
Manifest i Gjeometrisë së Lirë Letrare shfaqet natyrshëm. Nëse kemi lindur me spiralën si shkarravinë, atëherë letërsia nuk duhet të ketë frikë nga lakimi, fragmentimi apo përsëritja. Forma është thjesht pasqyrë e një emocioni që nuk njeh drejtësi, por kërkon thellim. Kjo është “gjeometria e lirë”, një kthim tek shprehja instinktive, paragjuhësore, ku fjala kërkon vendin e vet rreth një qendre që nuk arrihet kurrë.
“Spirala është vija e pafundme. Ajo rrotullohet por nuk përsëritet.” thotë Gaston Bachelard, te Poetika e Hapësirës, kështu që Letërsia e së ardhmes mund të mos jetë as lineare, as kaotike, por thjesht... një shkarravinë një trajtë spirale.
Comments