top of page

Fatmir Minguli: për vëllimin poetik “Lotët e hardhisë “ të Panajot Bolit

  • Jul 7, 2024
  • 4 min read


Poeti jugor përmes natyralizmit dhe surreales

 

(Analizë për vëllimin poetik “Lotët e hardhisë “ të Panajot Bolit)

Të shkruash për krijimet e shkrimtarëve të Jugut, mendoj se është shumë e vështirë. Kjo vjen llogjike edhe për shkak të veçantave që vetë Jugu sjell në qenien dhe në mendjen tonë. Sa herë që ne shkelim në tokën e bekuar të Jug- Sarandës ndihemi ndryshe, kërkojme të rregullojmë parametrat e sjelljes sonë karshi miqve e njerëzve të Jugut. Kjo është magjia psiko-analitike që Jugu krijon te vizitorët e saj. Dhe ne i bindemi kësaj magjie…

Takimi me poetin dhe tregimtarin, publicistin, mësuesin, Panajot Boli ato ditë të bukura pranverore të këtij viti ishte për mua një kënaqësi sidomos kur ai më dhuroi dy libra me poezi të tij. Edhe pse ka kaluar pak kohë, poezitë e Panajot Bolit mbeten në mendjen time derisa vjen dhe një kohë për të shkruar për to.

Libri “Lotët e hardhisë” është mes nëntë librave të tij në shqip e në greqisht, me poezi e me tregime dhe për mendimin tim qëndron bukur mes librave të tjerë. Një parathënie e Shkëlqim Hajnos në këtë libër është një analizë për bardin e AnëBistricës ku me të drejtë shkruan se “Vetë animizimi poetik i natyrës sillet në libër me parfumin  e luleve të fshatit, me delikatesën poetike të metaforës.”

Por edhe poeti e studjuesi, i ndjeri Bardhyl Malilqi ka shkruar për poezitë e librit “Lotët e hardhisë” se ai poeti ka gjetje të veçanta. Sikur të mos mjaftonin këto dy  vlerësime do të ishte dhe studjuesi Iliaz Bobaj që shkruan në një analizë për poezitë e tij se “Poezia e vërtetë pranon vargjet me peshë të rëndë.”

Por poeti dhe tregimteri Hekuran Halili shkon akoma më tej në vlerësimet e tij të fuqishme për poezinë e Panajotit duke shkruar në një artikull analitik po për librin “Lotët e hardhisë”: të thoja: “Panajoti është Orfe i brigjeve të Bistricës. Ai, me fjalën e shpirtit të tij , s’rresht së kënduari për këto brigje, të rralla për nga bukuria, legjendat, historira, për njerezit që banojnë“.

Janë këto përcaktime që lidhen çuditërisht njeri me tjetrin për të ëuar në një burim me poezi të freskëta nën protektorin e tejdukshëm që është lumi Bistrica.

Panajot Boli me librin “Lotët e hardhisë” është jo vetëm bard i jugut por ai është një poet tronditës ku e keqja dhe e mira janë dualiteti i ndërtimit të poezive të tij. Është një tharm magjiplotë ku ai ndërton ura mes tokës dhe diellit, mes luleve dhe detit mes mërzitjes dhe gëzimeve të çastit. Eshtë ky dualitet konstruktiv i poezive që sjell në shpirtin e tij shqetësimin froidian. Ai është poet i dhimbjes, një lloj Bodleri ku “Lulet e së keqes” janë “perëndimet e trishtuara të diellit në detin e magjive, Jonin,  aty ku hardhia qan me lot të kuq”.

Poezia e Panajot Bolit është një poezi elastike që herë është natyraliste e herë është surrealiste. Kapërcimet në mes të këtyrë dy rrymave letrare të hershme Panajoti i bën me lehtësi duke i vendosur teoritë e tyre në poezinë e vet, paçka se të dy këto dy rryma vinë nga shekuj të kaluar. Është natyralist sepse ai futet mes jetës së zonave të Bistricës ku shfaq mendimet e tij pozitiviste dhe e përshkruan relitetin e peisazheve  të atyre anëve të bekura me një realitet psikologjik njëlloj si në shkencat natyrale. Dhe ai si një kalorës i poezisë se tij kalëron me galop në surrealizëm në një realitet ndryshe nga realja për të sjellë para lexuesit aspekte të bukurive më të thella të natyrës dhe jetës njerëzore duke u thelluar në psiqikë. Një psiqikë që e ndihmon të pëballojë prishjet e natyrës jo vetëm anës së Bistricës. Ai kalon në ëndërr që për Panajot Bolin ëndrra nuk është më ëndërr, irrealja vishet me këmishat e së vërtetës dhe magjia e poetit bëhet realitet.

Ai me poezinë në librin “Lotët e hardhisë” me urat e zemrës lidh dhembjen  e shpirtit me dëshirën që të pyesë diellin por ai mbetet i zhgënjyer se “Dielli s’më dha përgjigje as për lindje, as për perëndim.”

Panajot Boli është poet që i këndon hidhërimit të shpirtit të tij me një rebelizëm të veçantë, ku i referohet një” mbretërie të bardhë e për t’iu larguar  vendit memec”. Mjeshtër i interferimit të dy teorive të mësipërme ai është gjithashtu dhe mjeshtër i figurave letrare të ndryshme nga shumë poetë të tjerë. Jo më kot autorët që përmenda në këtë analizë i kane spiktur mirë e bukur këto figura. Unë gjatë leximit të librit “Lotët e hradhisë” vura re se ai përdor sinestezinë, një figurë letrare që e ka aplikuar pak a shumë Moikom Zeqo dhe që nuk ngatërrohet me metaforën sepse sinestezia aplikon një forcë  më të madhe se sa metafora sepse ajo bashkon fjalë për të treguar shumë sense, dy ndjenja si shkruan vetë Panajoti “ këngë e verdhë” apo “ Puthje të ngjyer me dhembje”, ‘Udhëtim i kërrusur” etj.

Poetë të mëdhej e kanë përdorur sinestezinë si Bodler dhe Quasimodo ku njeri e quan parfumin e ëmbël dhe tjetri bërtitjen e zezë. Pra tingujt e ngjyrta veshin fjalën e parë dhe e kthjenë në sinestezi. Sinestezia është pafajsi e poetit se ai Panajoti ka bërë shkollën e diellit të jugut jonian dhe figurat lindin ashtu si nëpër të por që janë përmbi të.

Ai sjell shqetësimet froidiane të shpirtit të tij duke parë perëndimin që është i trishtuar, ku Bistrica e tij e dashur “ gërhet me aritmi dhe që gris lagështirën e qetësisë”. I gjithë ky libër është një trumpetë gjigante e veshur përveç goditjeve  ritmike edhe me  lulet shumë ngjyrëshe të figurave letrare. Është pikërisht kjo trumpetë që bën përplasjen e natyralizmit me surrealizmin e Panajotit e si rrjedhim lindin figura si ajo e sinestezisë.

“Shekulli im i marrosur” është një thirrje anatamike, një thirrje kundër korrupsionit masiv e të ndëshkueshëm. Ja se si e përfundon ky poet këyë poezi të trishtueshme:

Botën lëviz me qysqi

Si djalli kërkon

Një tjerët planet.

Eshtë dhe poezia “Letër nga fronti” që na aludon pjesë të luftës së dytë botërore, që është një pamflet i fuqishëm dhe ai thotë:

“Marr lapsin e trishtimit, një zemër të kuqe pikturoj si ferman

Ta nis me hënën e pikëlluar, paçka se një xham po na ndan.”

Librin “Loti i hardhisë” është i gjithi një metaforë gjigante me përplasje të bukurive të vendit të tij jugor me absurdin që reflektohet në figurat e tij të shumta poetike. “Realitet i absurdit”- ky do të ishte ndoshta nëntitulli i këtij libri emblemë e trishtimit.

Durrës

7 korrik 2024

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page