FATI I NJERIUT NË KALEIDOSKOPIN E NJË VEPRE LETRARE
(Një vështrim mbi romanin “Koha në Mes”, me autore Raimonda Belli Gjençaj)
PROF. DR. ILINDEN SPASSE
E kam ndjekur krijimtarinë e shkrimtares Raimonda Belli Gjençaj që në fillimet e saj dhe pas çdo botimi të ri, konstatoja rritjen e kurbës me një shfaqje befasuese. Edhe pse nga libri në libër, rridhte një kohë relativisht e gjatë, mbresat e paraardhësve nuk shlyheshin lehtë. Kisha krijuar kështu një lloj ideje për forcën artistike dhe shprehëse të kësaj autoreje, deri në çastin që në dorë më ra romani i saj i ri “Koha në mes”. Kjo vepër duket sikur e tejkalon gjithë krijimtarinë e saj të mëparshme. Është një peshë e madhe ky libër jo pse historia shtrihet në më shumë se 500 faqe. Është ngjeshja e ngjarjeve me një forcë të madhe artistike, ku pritshmëritë e lexuesit përmbushen në një kohë që ndien keqardhje që ke mbërritur në faqen e fundit. Pra mund ta përkufizojmë këtë roman si një mozaik të gjallë historie njerëzore ku secili prej nesh ndihet në mos protagonist, pjesë e qenësishme saj. Në qendër të romanit ndodhet një familje e kamur korçare me përfaqësues të parë Simo Lëkursin, një esnaf i suksesshëm për kohen (bëhet fjalë për fundin e viteve 1800), i cili merret me regjjen e lëkurës. Autorja, e ndërgjegjshme për rrugëtimin e vështirë që e pret në rrëfimin e kësaj historie të shtrirë në gjashtë breza, përdor sintetizimin në përshkrimin e ngjarjeve duke u përpjekur t’u japë vend atyre më domethënëse, pa harruar të vizatojë me kujdes karakterin e personazheve, në sfondin e mentalitetit të kohës së tyre. Kjo gjë vërehet edhe kur ajo kalon në brezin e dytë të familjes, duke ndjekur të njëjtën logjikë. Nuk është aspak rastësi.
Është një meritë e autores, e cila e pajisur me intuitë të fortë letrare, duke pasur tashmë edhe përvojën, di të racionoje mençurisht “ngastrat” ku do të mbjellë historitë për secilin brez të familjes Terziu. Për disa më pak faqe, dhe për disa më shumë, asgjë nuk është mangët dhe asgjë nuk del tepër. Prandaj lexuesi e ndien veprën të plotë. Përmasat e kohës fizike, në roman ndahen në tri periudha; para Luftës së Dytë Botërore, gati një gjysmë shekulli që erdhi pas saj dhe ajo çka po jetojmë pas përmbysjes së madhe, nga vitet ‘90 e këtej. Kuptohet që “pjesën e luanit” në këtë histori e ka “gllabëruar” koha në mes, që i ka dhënë jo vetëm tonin jetës së personazheve, por edhe titullin romanit. Jam shprehur gjithmonë dhe kështu është, që kjo autore ka prirjen e pandalshme t’i bëjë skaner problemeve të jetës shqiptare, me një realizëm të thellë, por duke u kujdesur që në të gjitha veprat e saj të mbizotërojë letërsia. Mendoj që me romanin “Koha në mes”, rreziku për të humbur tharmin letrar ka qenë i pranishëm që në fillim, sepse ngjarjet e jetës së personazheve zhvillohen në një sfond të caktuar kohor dhe si rrjedhojë dhe social, e njohur mirë prej lexuesve, që e gjejnë veten, në mos në të shkuarën e largët e të afërt, në të sotmen domosdo. Nuk e di sa e ndërgjegjshme ka qenë autorja për këtë risk, por duhet të themi se ia ka dalë pa asnjë sforcim, deri në fund duke na dhënë një vepër të mrekullueshme letrare. Dhe kjo falë talentit të saj të fuqishëm.
Një interes të jashtëzakonshëm ngjall ky roman sepse rreket të sjellë në letërsi një këndvështrim të ri të realitetit shqiptar, të parë pak ose aspak deri tani. Ky këndvështrim mbartet te familja Terziu. Ka disa cilësi themelore te pjesëtarët e saj. Por unë do të veçoj dy. Mirëqenia dhe kultura. Janë këto që “e dënojnë” pas përfundimit të Luftës, sepse i venë damkën e familjes borgjeze, në një kohë që shumë të njohur të tyre shpallen “armiq të popullit”. Dhe të mendosh që kjo ndodhte në një kohë që as në fjalorin e shqipes nuk njihej fjala “borgjez”, sepse Shqipëria jetonte ende në sistemin feudal. Në perceptimin e injorancës së kohës, borgjezi dhe armiku nuk kishin ndonjë ndryshim të madh. Në këtë atmosferë mbytëse njeriu duhet të zgjedhë; të shfaqet ai që është ose të konformohet. Terzinjtë zgjedhin të dytën. Duke zgjedhur kështu të jetojnë. Por ama duke u kujdesur të mos cenojnë në asnjë rrethanë, thelbin e tyre, si njerëz. Ata nuk e braktisin as veten, as njeri-tjetrin dhe kjo u jep forcën e duhur të bashkëjetojnë me një sistem, që sidoqoftë i kishte gjithmonë në shënjestër. Në këtë përballje të heshtur ata i ndihmon padyshim edhe formimi i tyre intelektual dhe edukata e trashëguar në breza. Autorja Gjençaj e ka dhënë në mënyrë të përkryer këtë. Terzinjtë, deri në fund, edhe në rrethanat më të vështira mbeten njerëz. I sheh gjithmonë të matur, me fjalën e zgjedhur, që dëshmon se ata kanë trashëguar jo vetëm pasurinë materiale nga paraardhësit. Ata janë arsimuar në shkolla elitare në Evropë. Janë pajisur jo vetëm me aftësitë profesionale por edhe me dije të gjithanshme kulturore, të cilat kane ëndërruar t’i vënë në shërbim të vendit të tyre. I kane pasur shanset të qëndrojnë në vendet ku studiuan, por nuk e bënë. Dhe ky është një kontrast i madh me të sotmen, por autorja nuk e ka këtë qëllim. Ajo ndjek rrugëtimin e personazheve për të realizuar historinë, me të cilën mëton të tregojë jo vetëm sesi ata ia dolën të mbijetojnë në një shoqëri që ishte e huaj për formimin dhe idealet e tyre, por të na tërheqë vëmendjen edhe te një aspekt thelbësor të marrëdhënieve njerëzore, ndaj të cilit shqiptarët ende nuk po tregojnë ndjeshmërinë e duhur.
Raimonda Belli Gjençaj me këtë libër ka sjellë frymën e ndjesës për shtresat që u persekutuan, ashtu në heshtje, por krahas kësaj, duke përshkruar atmosferën reale të kohës, në roman gjallojnë edhe emra personazhesh të tjerë, që vuajtën nëpër burgjet e diktaturës. Ata janë ndërthurur organikisht në vepër, siç është rasti i projektuesit të bunkerëve, që ishte më vonë një nga viktimat e regjimit. Të tjerë personazhe reale, që lidhen kryesisht me letërsinë, popullojnë ngjarjet në këtë roman. Edhe këtu ka qenë i pranishëm rreziku që ata të shfaqeshin në mënyrë skolareske thjesht si emra. Por një romanciere si Raimonda ka ditur ta kaloje edhe këtë pengesë me një natyrshmëri të madhe. Ata janë pjesë e historisë, në një mënyrë të tillë, sa që lexuesi nuk është në gjendje të dalloje faktin nga fiction. Në këtë risi ne e besojmë atë që i ka ndodhur poetes Natasha Lako, e shohim të vërtetë takimin e Terzinjve me poetin Vehbi Skenderi, premtimin e pa përmbushur të poetit Drago Siliqi, për të vizituar bibliotekën e Terzinjve. Në këtë prizëm, i bashkohemi kërshërisë së pinjollit të tyre për të shpjeguar misterin e kopertinës se librit të Eleni Laperit, si dhe më tej e mirëkuptojmë krenarinë e të voglit për miqësinë që e lidh gjysh Davidin me këngëtarin Gaqo Jorganxhi, që arrin pikën kulmore kur mëson se poetja Zhuliana Jorganxhi është bija e tij. Gjithçka e ndërkallur në kontekstin e letërsisë dhe të artit. Kur rritet, ky fëmijë e kupton fatin e madh që i ka rënë në pjesë që të jetojë në mes të kulturës dhe artit në kuptimin e vërtetë të fjalës. Prandaj dhe Biblioteka e famshme e familjes nuk është një objekt; është një përfaqësuese e denjë e saj dhe një kumtuese e fuqishme vlerash. Jo rastësisht autorja e përmend herë pas here në historinë e Terzinjve.
Ajo na thotë se pa atë, ata nuk do të ishin ata që janë. Falë kulturës ata spikasin për marrëdhëniet midis tyre dhe me të tjerët. Ama duhet ta pranojmë se ata na shfaqen të tillë falë kulturës dhe formimit të vetë romancieres, të cilën e shohim herë si mësuese, herë si pedagoge, herë si psikologe, edukatore, politikane, emigrante, inxhiniere, nënë dhe gjyshe shembullore. Sado të dojë të qëndrojë në distancë, te personazhet kryesore gjen gjithmonë diçka nga autori. Një lexues i vëmendshëm dallon edhe ndjesitë që përjeton në këtë rast Raimonda, ndërsa i skalit me radhë dhe i vendos në arenën e ngjarjeve, me një realizëm të fuqishëm, por edhe me qëndrim të caktuar në raport me ta. Si çdo shkrimtar, ajo i ndjek në rrugëtimin e jetës së tyre, pa pasur mundësi të ndryshojë fatin e askujt. Gëzon dhe vuan me ta. Dhe të gjitha këto pushtojnë pastaj mendjen dhe zemrën e lexuesit. Prandaj ky libër përcjell kaq shumë emocion. Edhe pse historia përshkon një shtrirje të madhe kohore, tempi i librit nuk bie në asnjë çast. Edhe kur duket sikur deti është bërë liqen, fillojnë e ngrihen dallgë të mëdha, që të sjellin para syve një oqean me ngjarje të reja që të intrigojnë dhe të ndjellin të mos e lesh leximin për ditën pasuese. Ashtu siç edhe mua më ndodhi. Dhe kur po i afrohesha fundit të historisë së Terzinjve, m’u kujtua shprehja e filozofit dhe shkrimtarit kolumbian Nicolás Gómez Dávila: “Letërsisë i përkasin të gjithë ata libra që lexohen me kënaqësi dy herë”. I tillë është romani “ Koha në mes” i Raimonda Belli Gjençaj. Ke dëshirë t’i rikthehesh sapo ke kthyer faqen e fundit.
Comentários