Faruk Myrtaj: Turmat e Dimrit
- 1 day ago
- 10 min read

(tregim)
“Zotërinj, jo me aq yrysh,
sa të na duken më të sjellshëm ata të parët…!”
Zotërinjtë e mi ishin lart, në dhomat e tyre. Pikonte qetësi e madhe, por ndjeja se diçka do të ndodhte. Ata do të largoheshin, po bëheshin gati ta linin Pallatin. Nuk më kishin thënë gjë e as kisha të drejtë të pyesja. Të merrja me mend po.
Valmiri, roja i portës së mbrapme, kishte ikur dy orë më parë. Më kërkoi ta shoqëroja për te Zonja e Parë e Pallatit dhe ashtu bëra. M’u duk ndryshe nga herët e tjera. Kishte veshur rrobat e tij më të mira, ato që vishte kur në Pallat organizoheshin pritje të veçanta. Por, kësaj nate, pa shenjat dalluese si roje i Pallatit. Veshja ra në sy edhe te Zonja e Parë.
“Valmir, kaq i kujdesur sot…!”, qeshi ajo, sapo hymë.
“Më duhet t’ju lë, zonjë…”
“Ndonjë rendez-vous?!”
“Jo, madam, po shkoj të bashkohem me ata… Revolucion, zonjë…”
“Ç’do të thotë kjo fjalë, Valmir?!”
“Nuk do të ketë më të pasur, zonjë!”
“Aha… Do të bëhemi të gjithë të varfër?!”
“Jo, zonjë. Ata thonë se pasuritë do t’u jepen të varfërve…”
“Por janë shumë të varfër në këtë botë, Valmir…!”
Valmiri nuk u ndje më. Unë vazhdova të bëja thjesht shoqëruesin.
“Sikur ta dhuronim ty Pallatin, do binin dakord ata të tjerët?!”, pyeti Zonja.
Valmiri nuk u ndje. Por as ndërroi mendje. Eci thembrash. Ashtu doli në rrugë. E shoqërova deri te porta. Dhe qëndrova aty. Në krye të detyrës. Derisa të vinte roja tjetër. Isha nga lloji i njerëzve që vdesin për të provuar korrektesën në momente të vështira. E ndoqa me sy Valmirin gjersa hyri në turmën që vlonte. Dhe humbi në të. M’u bë sikur dikush kishte hedhur një xhevahir të rrallë në mesin e saj dhe Valmiri, tërë jetën i varfër, shpresonte ta gjente. I shkreti njeri! S’di si t’ia bëj me veten.
Kjo punë e pasurisë gjithnjë më ishte dukur shumë e ngatërruar, madje diçka e frikshme për mua. Kisha folur edhe me Valmirin për të, binte lehtë në një mendje me mua, por si duket nuk i kishte rezistuar joshjes. Nuk ngulmoja që të ndërronte mendje. Dhe e teprova, mbase, me përpjekjen për t’u treguar i qetë, i vendosur, deri në fund në fatin tim aty. Edhe sikur ai të mendonte se e kisha lidhur veten me ndonjë shërbim të posaçëm te zotërit e mi… “Ta vaftë mbarë!”, i kisha pëshpëritur teksa ndaheshim.
E mbaj mend, si të ketë ndodhur dje, vërshimin e asaj turme.
Turmat kështu janë gjithnjë: të papërfytyrueshme, të pallogaritshme, të paparashikueshme. Mbase mu për këtë natyrë të vetën, ato përsëriten.
S’mund të mos vrasësh mendjen për turmat, edhe pse natyrisht s’ke për të dalë askund. Nuk ka njeri që të mos jetë ndjerë i joshur, i kërcënuar, i mahnitur apo i gëlltitur prej turmave. S’ka ndër të gjallët të mos ketë bërë pjesë, qoftë edhe për pak kohë, në to. Të ndodhesh e të meditosh përballë tyre është si të mendosh për ujin në katarakte: ato triliona molekula uji nxitojnë të bashkohen prej kush e di se ku dhe kush e di përse; nga vijat e brishta të ujit, kanalet e përrenjtë formojnë lumenjtë e varen tëposhtë katarakteve, duke vetëtirë e rrezëllirë, përshkuar prej dritës së diellit apo projektorëve gjatë netëve, tërheqin kërshëri e vëmendje, pak si frikë e pak si habi të zgjatur, dhe shkojnë e bien si me brohori e shkumbojnë te shkëmbijtë atje në fund! Shkumë e pluhur shkume bëhet çdo gjë dhe asgjë nuk duket më në fund!
Ndjehem i vogël dhe ligavec, kur bëj analogjinë e molekulave të ujit me individët njerëzorë. Shtyhem me ngut dhe them se edhe sikur të mund të pranohet që secili prej këtyre njerëzve ka qenë individ, me trupin e trurin e vet deri një çast më parë, në momentin kur është përfshirë në turmë nuk është më i tillë. Zor se mund t’u gëzohesh të dy gjendjeve, në të njëjtën kohë. Molekulat e ujit nuk mund të mbeten në gjendje të lëngët në temperatura tej vlimit. Turmat ngjajnë edhe si një kazan i madh në zjarr, ku gjendjet ujore në çdo moment kalojnë në avull. Kur vështrojmë turmën nga jashtë saj, vështirë se mund të pranojmë që elementë të saj mund të kthehen përsëri në individ pasi turma ta ketë kryer misionin e saj. Edhe pse identike të tij, molekulat e ujit të avulluara sërish në ujë kthehen. E sigurt është se aty ku gjendet, mes turmës, askush nuk do t’ia dijë për hulumtime të tilla filozofike. Në turmë nuk ke nevojë për vetëdije, e as përgjegjshmëri. Atje të duket se nuk do të kesh nevojë, më vonë, as për kujtesë. Gjatë atyre hoveve të çuditshme, nuk gjendet ngè të mendohet si individ. Nuk ka pse, nuk duhet. Edhe pse kurrkund e nga kurrkush nuk të është thënë se as lejohet…
Atë ditë më ndodhi të jem përballë turmës. Edhe ajo turmë ishte e frikshme, por për shkak të jetës e moshës sime, ndjeva që frika fizike po më shndërrohej në luks. E qeshura e pazëshme që më pushtoi kur pashë tretjen e Valmirit midis asaj turme, më tingëlloi e natyrshme. E dija se, edhe kohë më vonë, kur ata të mblidheshin e përkujtonin ngjarjet e asaj dite, kam drojtje se, në të vërtetë, kurrë nuk e morën vesh se çfarë ndodhi atë ditë. Gjullurdi e madhe, pluhuri ngrihej e binte mbi po ata që e krijonin dhe e ngrinin lart atë pluhur. Ende pa ndodhur, përfytyroja se dikush duhet t’ua thoshte një ditë këtyre njerëzve: një orë e më parë duheshin shpëtuar nga ato kujtime. Dhe po ai dikush duhet të shtonte në fjalinë tjetër se, megjithatë, ca gjëra nuk duheshin harruar. Që e keqja të mos përsëritej më. Kjo ishte arsyeja. Arsye që ngjallej vetëm pasi turma të kishte kryer detyrat e turmës. Jo më parë. Por jo edhe aq shumë më pas! Se shpejt do të shfaqet dikush tjetër, i interesuar për turmën tjetër, turmën e radhës…
Kur dëgjova se kërkohej të bëhej film për ato ditë, më erdhi mirë. Që më kërkuan edhe mua, ishte një shkas më shumë. Gjërat nisin diku brenda individit, transferohen diku, bie fjala, te turmat, përdoren e përvetësohen nga Njëshi, për t’u kthyer thjesht të vdesin aty ku lindën, brenda individit të mbramë. Unë vazhdoja të besoja se, sado subjekte krejtësisht të tjetërta, Individi, Turma dhe Njëshi japin e marrin me njëri-tjetrin. Filmi për të ndodhurat vite më parë mund t’i rrëfente për bukuri këto dallime.
Isha dëshmitari. Më shumë: isha te porta. Edhe më tej akoma. Pretendoja të mbetesha. Më kishin thirrur të luaja veten. S’kisha shpresuar më shumë.
“U ndodhët te porta e Pallatit të Shtetit?”, më pyetën. Të mirësjellshëm.
“Si sot këtu te ju! Më thirrët dhe erdha, sepse doja. Duhej të isha… Gjendet dikush, gjithkund, gjithkur…”
“Pra, e pranon rolin?”
“Po, por jo si rol.”
“Ok, por nuk do të jetë film dokumentar…”
“Arti asnjëherë nuk vret jetën.”
Më vështronin ngultas. S’besoja se kërkonin rojen e djeshëm te unë, por as që kishin harruar se kisha qenë roja i Pallatit të Shtetit që kishin përmbysur.
“Se mos kërkon të thërrasim në rol edhe ata që vërshuan te porta ku shërbeje ti?!”
“Vetëm asaj turme ia hap portën unë!”
“Vetëm një Zot mund t’i mbledhë sërish ata njerëz!”
Nuk thanë: “…të jemi të sinqertë, mos o Zot sikur të mblidhen sërish! As për film nuk duhen mbledhur më!”. Nuk prisja ta thoshin këtë. Por nuk nguruan ta përdornin rastin:
“Dera u hap dhe ata do hynin…!”
“Si të mos e hapja! Ata do ta shqyenin. Do të zemëroheshin më shumë, do bënin dëme më të mëdha…”
Nuk thashë se turma bëhet harbute, bëhet lumë llumi. Bëhet. Grumbullohen ujërat e bëjnë tutje, marrin përpara gjithë ç’gjejnë. Do të isha shndërruar thjesht një bëzhdilë në atë vorbull, një ashkël në zjarrin që do të shkrumbonte.
“Dhe askush nuk do të kujtohej për mua. As ju, si sot! Hapa portën dhe mbeta gjallë. Për të dëshmuar…”, thashë me zë.
Po më dëgjonin, por nuk ishte aq e lehtë ta ktheja monologun në bisedë. Nëse do të më pyesnin, do t’u thosha. Që përpara tyre nuk ishte kollaj të qëndroje, të merreshe vesh, jo më të rezistoje. Turma nuk rri dot në një vend, turma duhet të lëvizë, turma nuk di të presë. Turma kërkon të bëjë përpara, edhe pse nuk di deri ku. Te dera, dëshirova të flisja me ndokënd prej tyre. Me të parin e turmës. Po ku ka të parë në turmë! Nja pesë-gjashtë gojë u shfaqën të hapura përballë meje. Gojë të prishura, dhëmbë të kalbur. Turmat i trashëgojnë dhëmbët si varfërinë. Varfëria nuk është mëkat, por mbajtja hapur e gojës dhëmbëprishur është së paku bezdi për tjetrin. Me turmat nuk flitet. Ato s’kanë bindje, por janë të bindura. Ato derdhen, vetëm derdhen…
“A mund të flas me ndonjërin prej jush?”, provova të pyesja.
“S’ka biseda një për një! Fol, ja tek jemi, të gjithë, të barabartë!”
“Kush të gjithë, të barabartë me kë?”
“Ne jemi. Ne, të gjithë…”
“Kush ne…?!”, pyeta unë.
“Sa t’i marrësh vesh gjërat ti, ne kemi mbaruar punë!”, ma preu njëri prej tyre dhe më shtyu mënjanë.
Ngaqë s’kishte rrugë tjetër, ngaqë asgjë më nuk varej nga unë, e lashë portën të hapej. Turma nuk di të trokasë, turma di vetëm të hyjë e të dalë kudo. Masë gjigande uji është turma. Përmbytje është. E gëzuar, e harbuar, e lumturuar, e lëngëzuar si përgjatë verbimit të një kënaqësie seksuale, si gjithnjë, turma u hodh, u rrodh, u derdh e tëra brenda Pallatit. Po të më kishin rrëzuar, do të më kishin marrë ndër këmbë. Pa më vënë re fare. Turma nuk sheh, është e verbër turma, ndaj nuk e ndal dot kush. Në vend s’rrija dot, përpara jo e jo, se ata gjëmonin, lukuni. U ktheva brinjas, pastaj me shpinë dhe shkova pas saj. Një çast më vonë besova se kjo ishte zgjidhja më e mirë.
Nuk është e lehtë të jesh mes turmës dhe të mendosh për natyrën e saj, nuk mund të kqyrësh veten në një vend ku nuk ka asnjë pasqyrë. Turma është diçka që mund të kundrohet vetëm nga larg. Në kohë e distancë. Me të mund të tallesh kur e sheh nga lart ose kur ajo prishet në harbimin e saj.
Gjersa turma po rrëzonte librat nga raftet, një libër, së paku një libër, duhet ta merrja edhe unë në dorë dhe ta flakja, siç bënin të tjerët. Për të ngushëlluar veten dhe për të qenë më pak i fajshëm, më ndihu fati: arrija të shikoja akoma midis të tjerëve, ngaqë ia dija mirë kopertinën, zgjodha librin tim më të dashur. E mbërtheva, e shtrëngova, ia zhbëra formën kopertinës, i grisa ca faqe dhe e mbaja dorën lart, mbi kokën time, për të provuar në sy të të tjerëve se isha si ata, njeri prej tyre…
Kur bëhesh njësh me ata, nuk kanë ngè të merren me ty; nuk të venë re fare. Po të mos kisha së paku një libër të grisur në dorë, atëherë po, do të më dallonin. T’i shihje, t’i shihje, dhe ndonjë që e njihje, se si ishte ndryshuar e shpërfytyruar. Si sot e mbaj mend gjithçka. S’mund ta harrojmë atë ditë… Në të vërtetë ishin vetëm pak orë.
Shtojmë shumë kur i quajnë “Ditët e Çlirimit të Pallatit”. Nga kush u çlirua, nga unë?! Unë isha kujdestari i Pallatit, kujdestar mbeta edhe më vonë, edhe sot e kësaj dite kujdestar në këtë Pallat jam, dhe nuk marr vesh nga se dallohen fjalë të tilla si “liri-lirim”, “çlirim-çlirimtar”, “pushteti i vjetër-pushteti i ri”. Koha bën të vetën. Liria vjetërohet shpejt dhe kërkohet liri tjetër, çlirim dhe çlirimtarë të tjerë. Turmat prandaj e kanë jetën të shkurtër. Njerëzit nuk mund të rrinë dot bashkë për një kohë të gjatë. Turma është trup i rëndë, mezi mbahet, harxhon shumë energji, lodhet shpejt. E ndjen këtë, nxiton t’i kryejë punët shpejt e shpejt. Po të mendohet, po të presë, po të vonohet paksa, turmës i ikën filli, i ikën e natyrshmja, nuk është më turmë. Nxiton, thyen, djeg, vret, përmbys gjithë ç’gjen përpara, shpejt e shpejt, sa më shpejt. Nxito, i thotë vetes turma. Ngaqë ndjen se i vjen fundi shpejt. Është si dikush që nxiton ta humbasë jetën në robërinë e vet, se nuk di ç’është liria…
Duan të hanë turmat, gojët e secilit janë pjesë të oreksit të saj, duan të flenë, kanë nevojë për gra, kanë pjellë turma vogëlushe fëmijësh, në emër të tyre janë bërë tok, për të ndryshuar botën, në një botë të re. Dhe, kur u thonë, më në fund, se e fituan atë për të cilën u bashkuan, turmat ndahen, shpërndahen, nuk janë më turmë. Mëdyshjet, dilemat, brerjet, të menduarit e asaj që ndodhi, mbase edhe zhgënjimet, vijnë më vonë…
Mbeta vetëm në Pallat. Vetëm unë. Kishin ikur të gjithë, zotërit e mi të deridjeshëm, kundër të cilëve nuk u ngrita dot për shkak të mirënjohjes sime të tepruar. Kishin ikur edhe turmat, me të cilat nuk bashkohesha dot për shkak të veseve të ndryshme që kishim. Më brente kurioziteti për të parë ç’kishte ndodhur. Nuk kishte asgjë të re. Dihet se çfarë lënë turmat pas. Gjurma e tyre është e vjetër në shekuj.
“Ju kërkoni të bëni film për ato orë turme, apo…?”
“Film për Ditët që Ndryshuan Botën”, thanë ata.
“Do t’i hidhni përtokë të gjitha, librat dhe fotografitë e pikturat dhe statujat e përmendoret, do të sajoni sërish zjarre, zjarret që dogjën të vjetrën, mbi themelet e së cilës do të lindë bota e re…?”
“Po, ashtu mendojmë edhe ne…”, vazhduan ata fjalinë time.
“Dokrra!”, ua prita.
“Kini thirrur tërë këtë njerëzi, që do t’i bashkohet aktorëve tuaj dhe kamerat do të xhirojnë filmin, skenarin e së cilit e keni shkruar për të përjetësuar ato ditë, thoni ju, ato orë them unë. Por duhet që t’u kërkoni njerëzve të jenë më të flaktë, të bërtasin më shumë, të ngjiren dhe të shfaqen agresivë, të bëhen realisht siç ndodhi atëherë…”
“Jo, jo! Do të jetë film, jo film dokumentar, zotëri!”
“Ju do të merreni me Pallatin apo me turmën?”, i pyeta.
“Mund të shpjegoheni edhe pak?”
“Pallatin e keni, tashmë, edhe rojen, jam unë! Ajo që nuk dimë çfarë ishte dhe që as e dimë ku është, them se është turma.”
“Ky që tregoni ju, është film i vjetër, zotëri!”
“E vjetër është bota… dhe s’ju premtoj dot: nuk e luaj dot veten që më kërkoni!”
S’kishin ndërmend film për ato që ndodhën, por për çfarë donin tani të kishte ndodhur atëherë. Kisha shpresuar të mblidhnin njerëzit e asaj dite, t’u tregonin si ishin sjellë… Isha gabuar. U duhej film për të krijuar turmën tjetër, turmën për sot. Me siguri do ta arrijnë. Gjithnjë pushtetet krijojnë turmat që u duhen, por unë nuk do t’ju ndihmoj. As me kujtesën time. U shërbeva atyre që humbën dhe këtyre që fituan, se të gjallë, të përkohshëm jemi, por nuk shërbej dot sërish në të njëjtën mënyrë…
“Do ta gjejmë një roje tjetër, s’e kemi problem!”, tha njëri prej tyre.
Më shkoi ndërmend Valmiri i shkretë, por ai nuk ishte dukur më. Kisha pyetur gjithandej, por kurrkush s’dinte për të. Revolucioni as që i ndjente mungesa të tilla.








Comments