Faruk Myrtaj: Shqiptari i Lirë, Fjala e Lirë…
- 2 hours ago
- 5 min read

Faruk Myrtaj: Shqiptari i Lirë, Fjala e Lirë…
(ose: “Pse kjo selvi…” … “sot e zhveshur nga vetitë krenare…”?)
(Arkiva e Fjala e Lirë: 23 Qershor 2008)
Lexojmë Fatmir Terziun. Të ftuar prej tij, realisht të joshur në sedër krijuesi prej të shkruarave të tij. Më ngjan shumë me Robert Martikon. Fare pak njerëz e njohin Martikon. Kishte botuar dy libra, por, siç shkruante së fundi prozatori Roland Gjoza, ne fare pak e lexojmë njëri-tjetrin. Flasim për ata për të cilët është folur, edhe pse bëhen vite që s’kemi lexuar thuajse asgjë prej tyre! Zgjohemi kur merret nëpër gojë emri ynë. Për të mirë e për të keq!
Terziu më ngjan me Martikon se i kushtojnë jo pak kohë, energji dhe dhurojnë shumë dashuri, dashuri për të tjerët. Me shkak të qartë, përgjithësisht. Kur e lëshojnë pak dorën, na bëjnë të vëmë pak buzën në gaz, fare pa të drejtë. Se, a kemi vallë të drejtë, përderisa provojnë të ngrohin klimën përqark sythit, kur ende s’ka ardhur vërtet stina e çeljes për të?
Robert Martiko ka pasur jetë jo të lehtë dhe është mësuar të mos e presë të lehtë atë; është penguar shumë dhe ka grumbulluar ndjesi, përshtypje; ka pasur fat qysh në lindje, se vjen nga prindër dinjitozë. Disa pak-o njerëz, me sjelljen e dhunshme ndaj jetës së tyre, sikur kanë bërë ç’është e mundur që Martikot të mos e besojnë lehtë njeriun, madje të mos e duan atë, por ka ndodhur e kundërta: ata e shtrinë rrezen e dashurisë për njeriun përtej brigjeve, ujërave të deteve dhe oqeaneve.
Robert Martiko u shfaq në listat e internetit tërë dëlirësi, me natyrë të vetën të përcaktuar, me gjerësi frymëmarrjeje dhe duke gjuajtur rastin e një vargu apo vjershe të mirë, e një gjetjeje apo tregimi të shkruar sadopak bukur, për t’i thënë autorit përkatës: “Po, je edhe ti!” Sepse ai detaj, ajo ide, ajo gjetje, ai fragment, të sjell ndërmend diçka tjetër, një shkrimtar apo filozof tjetër, të madh, botëror…
Dhe kjo është vlera, kjo është kultura, ky është njeriu që çel e lulëzon kudo. Ky njeri lind Njeri, rritet prej Njerëzores dhe mbetet Njeri, duke mbetur i tillë ngaqë respekton e do Njeriun, pavarësisht (mos)njohjes me të, pavarësisht se jeton në një pikë tjetër të planetit, pavarësisht se e di apo jo që ekzistoka edhe ai Tjetri. Tjetri je pikërisht ti vetë!
Lexojmë Fatmir Terziun, për Tjetrin, Nexhat Peshkëpinë:
“… Vjen me firmën e poetit Peshkëpia, që la në një itinerar kohe prej rreth pesëmbëdhjetë vjetësh mendimin e tij letrar tek ‘Shqiptari i Lirë’. Dhe pikërisht është kjo ‘… selvi që dikur e hajthme,/ si shembëll shtati merrej/ e vajzave të lezme të vendit tonë’, selvija që udhëton imagjinatën e kohërave, për të rishkruar ekuivalencën e hapësirës dhe ndryshesës simbolike. Në poezinë e Peshkëpisë ajo që rishkruan këtë është retorika që konfiguron fabulën ‘pse kjo selvi…’ dhe stimulohet tek ‘sot e zhveshur nga vetitë krenare…’.
Dhe poezia nis e tregon për dritëhijet njerëzore. Dritëhije që struken mes analogjisë së jetës. Një analogji që buron mbi fakte. Fakte që sillen reale dhe kuptimplote. Shekspiri e bëri këtë, Donne e ka realizuar, Hopkins, Yeats, Dylan Thomas, Cummings, James Merrill e kanë krijuar një poezi të tillë, ku mbiemrat flasin më shumë sesa përdorimi i tyre normal…”
Pra, “Pse kjo selvi…” … “sot e zhveshur nga vetitë krenare…”?!
Pasi u shfaq në listat dhe ne na vinte mirë që Martiko merrej me ne, me të shkruarat tona, më mirë akoma kur krahasimi zgjatej e shoqërohej me ngjashmëri me autorë shqiptarë apo botërorë me emër, pasi ata që përmendeshin (sidomos nga Martiko për herë të parë), ai heshti.
Sikur u kthye në gjendjen e parë, kur “nuk ishte”, kur i druhej shoqërisë me ish-shokët e shkollës, ngaqë i ishte prishur biografia; ai sepse nuk donte t’u ngjitej edhe atyre “hija” e tij, ata se kështu u thuhej:
“… mbase ai djalë i mirë është, por… më mirë i rrini ca larg se…”
I ati, i ndëshkuar keq prej iluzionit të mbetjes pa asnjë kusht atdhetar dhe njëherësh njeri pa asnjë kusht, vazhdonte të jepte prova karakteri para vetes dhe vazhduesve të vet: leksione të tilla mori Robert Martiko.
Në hetuesinë e dytë, Martiko (ati) dorëzoi pikërisht jetën, për të mos zbehur vetitë krenare të asaj selvie që Terziu gjen tek Peshkëpia, që realisht mund të gjenden njëherësh edhe tek Martiko (Biri).
Shkaqe për t’u “zhdukur” ka plot në këtë botë: kur lëvdohet për nder i pandershmi; kur për krimin flasin me të njëjtin pathos viktimat dhe autorët e tij; kur mjaft që të jesh i suksesshëm, se pikën e rëndësisë s’ka se si e arrin suksesin; kur bëhet thirrje ta harrojmë të shkuarën pa e lexuar në gjendje lirie atë; kur e gjykojmë letërsinë me të njëjtin metër si në kohën kur lejoheshim të lexonim vetëm librat e një shtëpie botuese dhe të informoheshim vetëm nga një kanal televiziv…
Tek libri i tij i mëparshëm, lexojmë këtë introduktë të shkurtër:
“Romani në thelbin e vet ka karakter filozofik. Është një orvatje për të kufizuar ekzistencializmin dhe pikërisht në pikën e tij më delikate: në atë të zgjedhjeve të modeleve.
Zhan Pol Sartri, si krijuesi më në zë i tij, dihet: përballej me problem në këtë pikë, përderisa iu drejtohej njerëzve në lidhje me detyrat që atyre iu dalin për të formuar thelbin e tyre. Mirëpo ky filozof, duke mohuar ekzistencën e modeleve qiellore, nuk përfundon veç në ato njerëzore…
Sipas meje, ilustrimi më i mirë i tezës sime të mësipërme nuk mund të jetë veç vetë vendi i sprovës më poshtëruese të njeriut: LINDJA KOMUNISTE.
Heronjtë e mi ia dalin në krye për të vërtetuar të dy ekstremet. Madje edhe në Perëndim: matanë ish Perdes së Hekurt.
Autori”
Nuk kishte asnjë shkak tjetër që e kishte ndrymë sërish Robert Martikon; assesi ndonjë mendjeshkuarje se, ndërsa ai shkruante për të tjerët, thuajse askush nuk shprehu një përshtypje për të shkruarat e tij, jo e jo!
Robert Martiko po përfundon një libër.
Adresa e tij email është:
Do të ishte mirë sikur ndokush prej nesh (të “Fjalës së Lirë”) ta urojmë për librin dhe t’i premtojmë se do t’ia lexojmë atë. Nuk e bëj fare pa shkak këtë ftesë kolegësh. Më besoni. Fakti që vetëm pak krijues e njohin në Tiranë, duhet parë si virtyt. As Nexhat Peshkëpinë nuk e njohin atje.
Shqiptari, njeriu në përgjithësi, nuk është se është gjithnjë Njeri i Lirë. Por gjithnjë gjendet dikush që i zgjon të gjallët dhe i kujton se… selvia duhet mbajtur gjelbër.
Faruk Myrtaj
BIOGRAFI E SHKURTËR
Robert Martiko lindi më 7 qershor të vitit 1948 në Gjirokastër. Në Vlorë jetoi persekutimin dhe izolimin shpirtëror për shkak të burgimeve të babait të tij, Dino Martiko. Ky, gjatë torturave në hetuesi në vitin 1954 dhe 1979, ku përfshihet edhe një inskenim i gënjeshtërt vrasjeje pa gjyq, tregoi një karakter të çeliktë, duke iu bërë thirrje hetuesve të mos mundoheshin kot:
“Të varnin para syve të tij edhe djalin e tij të vetëm”.
Ky qëndrim heroik mbeti për sistemin përgjigjja e tij morale deri në vitin 1985, kur vdiq në burg, duke mos denoncuar asnjë nga miqtë dhe dashamirësit e tij për biseda kundër regjimit.
Në shpirtin e Robertit la gjurmë të rënda e të pashlyeshme realiteti diktatorial në Shqipëri, privacionet, si dhe dhuna psikologjike.
Ndonëse nxënës i shkëlqyer, e drejta e studimit në Universitetin e Tiranës atij iu dha pas pesë vjetësh. Mbaroi në vitin 1977 studimet në degën e inxhinierisë mekanike. Pas rënies së Murit të Berlinit, në verën e vitit 1990, Roberti mori rrugën e mërgimit duke u vendosur familjarisht në Korfuz, ku jeton e punon edhe sot, duke iu përkushtuar me pasion letërsisë.
Në vitin 2006 botoi veprën e tij të parë letrare, romanin “Dritëhije shpirtash të humbur”, i cili u prit me interes nga lexuesi dhe kritika letrare.
Më 2007-ën botoi, sërish nga shtëpia botuese “Milosao”, Sarandë, romanin “Fijime të skajshme”.
Vijon të botojë tregime dhe të japë mendime të shumta për letërsinë dhe shoqërinë në shtypin e emigracionit apo në internet, në një rubrikë mjaft interesante të titulluar “PËR LINDJEN E SHPIRTIT”.
Parimi moral kryesor i Robert Martikos në jetë mbetet Ligji i Artë: “Mos ndërto lumturinë tënde me fatkeqësinë e tjetrit.”








Comments