Faruk Myrtaj: PAS PORTIKËVE TË MERMERTË
- 1 day ago
- 10 min read

-tregim-
Vetëtimthi, u bë e ditur se në qendër ishte çelur një sallon, një lokal, një klub, as prurësit e lajmit s’dinin si ta quanin atë hapësirë brenda ca mureve të cilët, së paku nga jashtë, qenë veshur në mermer të bardhë. Si i vellove të nuseve, thanë ata që vinin prej andej për tu kthyer sërish atje, e bardhë e mermertë e tejdukshme si e veshjeve të kryeveprave të mjeshtërve të mëdhenj të Renesancës që s’dinin gjë për tregun e arteve.
Ajo që e bëri shkuarjen atje përfundimisht të pa-rezistueshme, për këdo, ishte se në portikun e hyrjes së asaj hapësire, qenë gdhendur fjalët: “Vetëm Për Të Ndershmit”.
E kush qenkan këta?! Kush i përcaktuaka, kush i zgjedhka cilët janë Të Ndershmit dhe cilët jo?! Dokrra! Me siguri ndonjë mënyrë e re të fituari lehtë, mbase ndonjë parti tjetër po lind, si përherë fund-vjeshtave të këtushme, në mos do jetë dhënë leja, më në fund si në botë, për shtëpi publike, edhe në këtë vend namusqar, po thoshin njerëzia mes veti.
Dhe tërë qyteti i parë i vendit u nisë për atje...
Në krye duhet pranuar se në këtë vend njerëzia nuk i shmangej rrekjes për tu përfshirë në histori të pafundme, të gjitha të çuditshme, në të cilat vazhdojnë të shpresojnë e të gënjehen në mënyrë të njëjtë, deri në frymën e fundme, gjë që përsëritet pa pushim edhe pse pas çdo here ata besojnë se s’kanë për t’u mashtruar më kurrë.
Për te Sheshi, në qendër, mbushet shëtitorja, rrugët që zbresin për atje ku, të gjitha bashkë, derdhen te “Vetëm Për Të Ndershmit”. Gjëmon si deti në furtunë heshtja e thellë e mbytur e turmës, edhe pse pamja e kundruar nga sipër i ngjan një fushe me lule dielli, me vështrimin për nga atje ku kanë hyrë apo do hyjnë “vetëm të ndershmit”.
Tërë ajo masë frymore avitet sa më afër portikut të hyrjes në të, për ta parë me sytë e vetë nëse vërtet shkruhet pikërisht “vetëm për të ndershmit”. Si një dem që i sulet bezes së kuqe, pikërisht pranë portikut s’arrin dot t’i mbaj këmbët. Trazuar kush e di pse së brendshmi, përton për pak të bëj më tej, e shkon ndërmend edhe hyrjen atje brenda por në momentin vendosës e ndërron këtë mendje.
Aq i bën me shkronjat e përdoruara në “Vetëm Për Të Ndershmit”. Si masë e madhe, pulson e zë i largohet, duke vështruar për nga ajo edhe atje më tej, hiqet mënjanë apo ngjitet e zë vend diku në trotuaret, në rrugicat e rrugëzat përqark. Prej atje, ndjek me sy, shoqëron me të qeshura, zëra thumbues, gjeste inkurajues o qeshje shpotitëse, uuuu..., afrimin e aradhës së të tjerëve, të Ca-ve që guxojnë e rrinë më gjatë në atë copë shesh, mu përpara hapësirës tunduese.
Mbase ata që e kanë dilemën më të thellë, që qasen më pranë, janë të Ndershmit?! Apo ata që rrinë më larg? Prej të tërëve flitet se dikush paskej provuar të hynte. Pa rrëfyer arsyen përse, madje pa pranuar se çdokush mund ta kishte kureshtjen për të hedhur sytë atje brenda. Tek e fundit pse jo, përse të mos hyj edhe unë, mund ta mendoj secili prej tyre? Kush më penguaka t’i ngjis ato pak shkallë dhe ta kapërcej atë portik?
Qenë nisur, kështu thuhej, disa emra, mbiemra të ditur, kishin ngjitur edhe shkallët e para, disa, pa arritur dot te harku me shkronjat e gdhendura. Pikërisht aty mekeshin hapat, aty qenë ndjerë të lodhur, të këputur e leqendisur, dhe qenë rrëzuar si shakuj përdhe. I kishin marrë hopa, krahë e këmbë, si thasë me foragjer, ngarkuar në ambulancat e sjella për gatishmëri, në vigjilje të çeljes së “Vetëm Për Të Ndershmit”.
Dhjetëra në mos mijëra të tjerë, kryeulur, fajtorë pa faj, nëse jo në faj të pa ditur, qenë nisur e kthyer mbrapsht, nga tërë llojet e moshave, djem të azdisur, burra në shkëlqim verbues të forcës dhe vendosmërisë, të gatshëm të mateshin dhe të binin për nderin e sedrën, por edhe të moshuar tespiesh shkuar në vargje fijesh të mëndafshtë, veteranë luftërash gjoks-rënduar medaljesh. Secili në qasjen e shtysën e ngasjen prej grupit të vetë, të tërë bashkë, hoje të kosheres së krenarisë gjëmimtare të qytetit që jo kot më kot ishte shpallur kryeqytet.
...Kush tjetër, nëse jo prej tyre?
Nëse kishe sy, s’mund të mos pikasje kureshtinë ndaj bukurisë femërore, që hutonte tërë atë shesh. Vështrimet e kujdesura, si të trembura, të bukurosheve lozonjare, për të cilat së paku kishin lexuar në historinë botërore se pikërisht ato, femrat, u kishin dhënë shtysë, arsye e kuptim luftërave e paqeve. Krejt e pa drejtë, nëse nuk do pyeteshin ato…
Secili, më i pari dhe më I pashmi, padyshim deri te më i fundit prej atyre bandillëve që shkonin ndërmend të mbërrinin në atë shesh, të tërë pra që shkonin ndërmend për të hyrë atje brenda, do kalonin, në mos kishin kaluar, përmes bukurisë së tyre. Provës së fjalës, pranimit të dorës, dorëzimit të trupit dhe shpirtit të tyre në brishtësinë dhe delikatesën e tyre. Vetëm paskëtaj, do mund të niseshim, në këtë rast të hynin, te “Vetëm Për Të Ndershmit”.
S'jemi mëkati, as vend’ i mëkatit. Nderi kalon prej nesh, tek ne kthehet, pafundësisht.
Kjo shenjë arome në ajër, sado fshehur, distance të zgjedhur, s’mund të mbetej pa përgjigje. Rrotulla mbi të cilën turma marra-mëndej aty përqark pyeste një lloj: Vetëm të ndershmit?! Si? Të ndershëm për çfarë?!
***
E panë prej atje atë rioshin, ia dëgjuan zërin: kërkonte t’i hapej shtegu mes turmës së dendur. Sapo kishte nisur t’i vesonte faqja, syri filxhan prej bukurisë aty rrotull, mbase edhe prej orëve të gjata në pritjen cili do hynte përtej pragut në mermer…Zhvendosja si në përgjumje, thuajse nguti që iu kthye në vrap, e përzjeu tërë sheshin në frymëmarrje të ngutur.
Pa e fshehur qashtërinë e vetë, në ngut që i pafajshëm do mbetej edhe nëse mund t’i duhej të kthehej pas, për në këndin e lojërave te moshatarët e vet, Rioshi arriti dhe i lexoi me zë tërë shkronjat e “Vetëm për të Ndershmit”, si në një faqe Abetare.
Ngjiti shkallaret, edhe më i brishtë u duk nën portikun e praruar, gati po shkelte brenda sallonit, hapësirës përtej kur, pikërisht aty, pa i humbur syrit të sheshit që vazhdoi ta përgjonte si gjyshi nipin, sikur fryti një erë dhe, rioshi u pa të kthehej mbrapsht.
“Ende s’të është kërkuar dot provë ndershmërie...”
Turmat nuk kanë qenë kurrë të prira të dëgjojnë zëra të ulët, por kjo masë njerëzore po bënte sa mundte të shfaqej e tjetërt. Po kalonte dita e dytë, po arrinte të rezistonte në pritje të më të parit që do mund të hynte, e pajisur me durimin e një vetmitari lindur për murg. Kurrkush s’po i gjente as edhe një pretekst ta qortonte kësaj here.
Edhe pse merrej me mend, hyrja te “Vetëm për të Ndershmit” s’mund të ishte ftesë për shumë frymë. Jo pse s’mund të kishte kaq shumë, që e mbanin veten për të ndershëm në këtë kryeqytet, jo! Grumbulli i njerëzve në Sheshin e Madh, të republikës që të shumtën e kohës ishte qeverisur si mbretëri, vazhdoi të madhohej. Në orët e gjata të nxehtësisë çliruar prej trupit të stërmadh shkëputeshin hera-herës elektrone, kalonin në orbita të tjera, për tu kthyer sërish.
***
Se, s’ishte e thënë, duke pritur “vetëm të ndershmit”, “jo aq të ndershmit” apo “jo aq shumë të ndershmit”-se, orëve atyshëm, nuk shkonte kush ndërmend të kishte “të pandershëm” në këtë kryeqytet, ata njerëz të mos i hanin të tri vaktet, të gjerbnin kafe e lëngje të tjera, shkurt fare të mos i plotësonin nevojat e përditshme të njeriut. Duke pranuar në heshtje se edhe mund të mos pranoheshin brenda mermerëve të bardhë, ata sido si qenë deri në fund të justifikuar të ndiqnin ritualin e jetëve të tyre pafajësish të zakonshme. Largoheshin për pak, bie fjala sa t’i dhuronin një të puthur dikujt , për të marrë një sy gjumë, dhe...pas çdo shkëputje, ktheheshin sërish në Shesh, me shpresën se s’kishin humbur moment hyrje të ndokujt. Të sigurt megjithatë se dikush do kishte provuar, ose ishte duke provuar, të hynte te “... të Ndershmit”.
Se, më në fund, dikush do hynte atje. S’mund të besohej që kjo ide fantastike, për këtë lokal, për këtë hapësirë të mermertë, të qe menduar apo investuar kot së koti. Nuk kishte dot, asgjë të kësaj bote, të mos lindte si interes i dikujt. Aq më pak, s’mund të shkohej ndërmend se tërë ky kryeqytet, qyteti i parë i tyre, s’kishte njerëz të ndershëm, merituar për atë hapësirë, që ndërkaq ishte bërë lajm bote...Si mund të pranohej në sy të kësaj bote se nuk kishte…të ndershëm…
Mendja shkonte, se edhe shaka mund të ishte, por me kalimin e orëve dhe ditëve po besohej se, nëse ishte lojë, ishte zgjatur ca si shumë për tu justifikuar më tej si e tillë.
Se, po, mund të ishte thjesht një derë e stolisur me portik të bukur, imazh kafkian, përtej të cilit nuk hyhej e as arrihej diku. Mund të ndodhte që ajo derë të mos çonte kurrkund, dikush e kishte sajuar për ndonjë kamerë të fshehtë, për të shkundur sado si krenarinë e kryeqytetit. Po përse do ta mbiquante “Vetëm për të Ndershmit”, pse? Pse kërkonin të fusnin farën e ndarjes, të diferencimit, ta ndanin njeriun nga njeriu, kur i ndershmi, i zakonshmi apo i pa ndershmi këtë kishin kryeqytet, të gjithë bashkë? Edhe vetja, tek e fundit, zor se ndahej në gjysmë të ndershëm dhe të pandershme gjysmën tjetër...
Dyshimet u rritën, teksa po thyhej dita e tretë. Kjo gjindje njerëzore, edhe pse vërtet s’po shfaqej si turmat e tjera të deri-atë-ditëshme- si ato pra që ngjireshin pas zgjedhjeve të përgjithshme apo panaireve me çmime të ulura 99%, erdhi një orë kur nuk e kontrolloi dot mezi-përmbajtjen e çastit të vonë, për pak u ndje gati t’i jepej virtytit të përjetshëm të turmës: nëse s’po dukej as edhe një i vetëm i sigurt, i bindur, i vendosur të hynte në atë klub, sallë a sallon a çfarë dreqi ishte, atëherë...
Atëherë, ajo turmë, e tëra, të tërë sa ishin aty, në Sheshin e Madh të Republikës, do provonin të hynin të tërë bashkë. Njëherësh. Kështu, duke qenë turmë, duke u bërë edhe kolektive, askush s’do mbante përgjegjësi individuale. Në të mbrame, secili kishte të drejtë ta mbante veten për të ndershëm, sipas kutit të vetë, përderisa askush s’po tregonte sipas cilit metër do vendosej ai apo ata që do të pranoheshin atje brenda...
***
Pikërisht kur ideja e Urra-së së Madhe, e Mësymjes së Përqendruar për të mbrojtur Nderin, po ia vishte e mugullonte krejt vështrimin kësaj mase njerëzore, heshtur të virtytshme, që po bëhej gati të besonte se e kishte të plotë të drejtën të shndërrohej sërish në turmë, pra në momentin tjetër, të më-në-fundëm, fill pasi të lëshohej fishekzjarri i “në sulm...”, nga ana perëndimore e Sheshit, u shfaq silueta e Atij. Po vinte. Për aty.
Si mund ta kishin harruar?! Kërkuan ndjesë dhe falënderuan Zotin e Qiejve, të Tokës dhe të BrendaTyre, që edhe kësaj here u kujtua për tua sjellë e shfaqur aty.
Ndaluan tërë lëvizjet dhe pritën, aty ku u ndodhën në çastin e shfaqjes së Tij.
Ai vazhdoi të afrohej. Për aty ku prej të gjithëve dëshirohej të gjendej. Tërë ajo masë njerëzish u bë sërish e dëlirë duke menduar sërish të njëjtën gjë, brilante: Nëse jo Ai, askush tjetër s’do ta meritonte të ngjitej e të hynte te portiku i mermertë.
Qoftë edhe pa qëllimshëm, pa e kuptuar, pikërisht ardhjen e Tij kishin pritur...
S’mund të kundërshtonte kush. S’kishte si të mos vinte Ai, si bosh i pa-mbushshëm dot prej kurrkujt tjetër, në këtë rreth-e-qark-je të pakuptimtë. Askush nuk thoshte dot se ç’mund të ndodhte nëse Ai do ishte vonuar edhe pak. Pasi ishte shfaqur duke ardhur, kurrkush nuk e pranonte se ai mund edhe të mos kishte ardhur.
Njeriu s’kishte si lihej pa atë strehë shprese të më në fundme fare. Përmes atyre fjalëve të shkruara atje sipër, në portik, tërë kjo masë njerëzore ishte ftuar të zgjidhte, të dallonin mes tyre dhe, ja, tashmë, ja pra:
Ai kishte mbërritur si zgjidhje e tyre, për t’i prirë hyrjes atje.
Me kryet atje lart, i qetë si dielli në pranverë pas shirave të befta e të vrullshme, përshkoi tërë syprinën e Sheshit të Madh, ngjiti shkallët, ndali pak nën portikun që sikur mori trajtën e një kurore mbi kryet e tij, nuk ja kërkoi kush këtë, por ai u përkulë lehtë nën harkun e mermertë dhe, nën ngazëllimin shekullor të asaj mase njerëzore, s’kishte si të mos ndodhte ajo që pritej: silueta e tij humbi atje brenda.
Njerëzit së bashku morën frymë thellë, njëllojtë si pas kalimit të një eklipsi të plotë, të parathënë si fund i kësaj bote. Në këtë rast prania e tij brenda asaj hapësire ishte qetësia dhe ngazëllimi i të tërëve. Vetëm syri, e ndjen të-holljen e dritës së epërme që zbret prej besimit të thellë deri këtu poshtë, për të mbërritur në harmoni të qelizës së jetës.
Në fund të fundit, edhe pa e ditur ç’kishte atje brenda, “Vetëm për të ndershmit” ishte pushtuar prej zgjedhjes së tyre unanime, unike, të pa-tjetrës, krenarisë së përkryer, dhe ata ishin gati t’i gëzoheshin sado gjatë pritjes për rishfaqjen e tij.
Vetëm prej tij do mund të dëgjonin të vërtetën e plotë ç’ishte ujdisur si kuriozitet për tërë kryeqytetin, brenda atij harku të mermertë. Me arritjen e Tij qenë lehtësuar nga një barrë e rëndë që s’dinin si ta mbanin, teksa pas çastit të hyrjes së Tij mund të prisnin aty jashtë tërë jetën...
Ai doli shpejt, shumë më shpejt seç pritej.
Asnjë lajm s’i lexohej në fytyrë, por jo pse dihej prej tyre se ai nuk do tu fshihte kurrgjë. Ata që e njihnin, nuk prisnin befasim të tij. Për të gjithë, ishte harmonia e dukjes me brendësinë e rrëfyer tërë maturi e qetësi, në secilën orë e ditë të jetës. Kurrë si trazim të të tjerëve, që në fund të çdo të ndodhure prisnin qëndrimin prej tij. Askënd nuk kishte zhgënjyer. Për më tepër, posaçërisht këtë moment të daljes prej hapësirës si prej një shpelle të mermertë, provoi të çelte një bisk të trëndafiltë të një të qeshure të thellë, dhembshurake, edhe pse jo aq të tjetërt nga ajo që i mugullonte kur po hynte aty.
Zbriti shkallët krejt natyrshëm, siç çdokush tjetër prej tyre do bënte po të ndodhej në vend të tij, për tu larguar tërë-kujdes, sikur po donte të shkelte saktësisht në gjurmët e hapave që kishte hedhur gjatë ardhjes. Dihej, tërë ajo masë njerëzore aty rrotull, priste. Asgjë s’do ndryshonte në admirimin prej saj, por një shenjë, një gjest, në mos një fjalë pritej, megjithatë.
Ai vazhdoi të ecte, të largohej në çdo hap, prej asaj hapësire të mermertë, portikut të saj, pashmangshëm edhe prej asaj gjendje njerëzore, në heshtje. Në kujdes të pa pra të mos e trishtonte pritjen e tyre, mbase po zgjidhte si të mos e rrëfente ate çfarë kishte parë atje brenda.
Njerëzit aty provuan joshjen e pashpjegueshme herë tjetër, atë të mundësisë t’ia dëgjonin fjalën pa ia dëgjuar domosdoshëm edhe zërin. Secili ia dëgjonte në mënyrë të vet, pa e dëgjuar të tërë bashkë, si Shesh: “...nuk kishte asnjë vend të lirë atje brenda!”
Edhe nëse, për shkak numri, mund të kundrohej si turmë, në këtë orë ishte Turma e Tij. Jo si turmat e deri-atë-hershme madje jo si turmat e deri-atë-ditë-shme, më në fund, pas një pafundi gënjimesh e zhgënjimesh, pas një vargu përdorje-shpërdorjesh, pikërisht kësaj dite, njëherësh me hapje/mbylljen e kësaj hapësire të mermertë, kishte ndodhur shndërrimi i madh i saj.
Turma e tij, në joshjen për tu ndjerë si një individ që ia njeh vetes aftësitë e paaftësitë, veset e virtytet, po merrej vesh me Të pa fjalë. Kishin komunikuar pa-zëshëm, apo e kishin dëgjuar përmes heshtjes? Nuk kishte kohë për të pyetur. As njeri tjetrin. S’kishte përse, përderisa s’kishin dëshirë të mbeteshin edhe më tej aty. Asnjë kuriozitet s’ngjallte më “Vetëm për të Ndershmit”, kush ishin ata që e kishin mbushur dhe se si kishin hyrë atje, kur prej hyrjes, nën portikun e hapësirës, askush s’ishte vërejtur.








Comments