Faruk Myrtaj: GJITHË QENVE QË U SHËRBEN...
- 12 hours ago
- 6 min read

-tregim-
Kolumbiani Diego ngul këmbë se njeriu modern mban në shtëpi kafshë që i ngjajnë.
“Me qentë, kjo është aksiomë, e provuar katërçipërisht prej meje!”
Të dy qentë e tij, edhe me sy të lirë, janë të avashtë, shtat lartë dhe të bëshëm si Diego.
Megjithatë, s’mund të neglizhohet fakti që Marta, gruaja e tij, është diçka krejt e brishtë, delikate, këputshëm e thyeshme. Do t’ia bëj “krrtak” aksioma e Diegos, nëse kërkojmë një të mesme midis Asaj, Diegos së Saj dhe dy qenve të dy të tyre.
Le të supozojmë se pandehma e shëmbëllimit të qenve me të zotët përjashton gratë.
Këtij versioni i mëshova edhe më shumë një ditë kur Diego u nisë ta çonte zonjën e tij në spital.
I pashë teksa dolën nga pallati, Diego duke shtyrë karrocën, Marta O’Campo, e brishtë, e ulur. Të dy qentë, shëmbëllyes me Diegon, ecën pas tyre gjer te kryqëzimi. Aty, ishte Marta ngriti dorën dhe qentë u kthyen mbrapsht, urtë e butë, për të hyrë në pallat, pastaj në apartamentin e tyre.
Të tjerë banorë në pallat kishin qenë të racave, llojeve e natyrave të ndryshme. Meqë vet mbaja mace, provova, i pavarur nga Diego, të hulumtoja ngjashmëritë e mace-mbajtësve me ta. Nuk mund të mos pranoja se edhe macja ime ishte e druajtur, edhe ca si e trembur, pra mund të thuhej se shëmbëllente nga unë. Edhe pse ime shoqe pretendonte se macja jonë shëmbëllente me të: e ndjeshme, inteligjente dhe, natyrisht e pavarur si tërë gratë dëshirojnë me çdo kusht. Nëse i kishte këto veti/virtyte, pra nëse përkonte me çfarë dëshironte ime shoqe t’i konsideroja si veti të saj, mund të anonim nga ndjesia se, ndryshe nga qentë, macet mund të ngjanin (edhe) nga gratë-zonjat respektive të shtëpive ku bashkë-jetonin.
Një indiane në pallat, e vetmja që ma shqiptonte emrin origjinal, kishte dy mace. Vetëm njëra prej tyre, si macja jonë, ishte shtëpiake, s’dilte nga apartamenti, edhe sikur t’ia lije hapur dyer e dritare. Me macen e dytë në duar, indiania dilte vonë mbrëmjeve. Një natë, fare rastësisht, e pashë pranë dritareve të apartamentit tim. Sigurisht që s’e dinte se po e vëreja unë. S’kishte çfarë të përgjonte, se unë isha aty jashtë, por të shikosh dritaret e dikujt asnjëherë s’është dicka e këndshme. Në çastin tjetër kuptova se në pezull të dritares, brenda, ishte macja ime! E shoqërueshme vetëm prej nga atje, luante me macen e parë të indianes, që i gëzohej ndërkaq shëtitjeve jashtë, si e zonja. Indiani i saj, natyrë e urtë, i mirësjellshëm, qelqor, me siguri ngjante nga macja tjetër e tyre, ajo pra që pëlqente të rrinte mbyllur.
Ca prej banorëve mbanin peshq në akuariume, minj e gjarpërinj, por edhe papagallë në kafaz. Sigurisht nuk i nxirrnin jashtë. Veç me mend mund të merrej, shëmbëllimi i këtyre me cilin prej të zotëve. E pa verifikuar pandehma e Diegos për ta. Aq më pak kur Diego e kishte postulat vetëm për qentë.
Leticia e 407-ës, kishte plot katër qenushë. Të katërt ecnin si e zonja: maja gishtash, elegantë, shtatlartë. Leticia fliste rrallë dhe, nga Diego, dija se kurrë s’kishte për tu martuar.
Ema, e vetme në një tri dhomësh në katin e tretë me ballkon nga lindja, e dija grua të urtë, edhe pse Diego s’mendonte kështu. Ajo shfaqej me qenin e vetëm, një vogëlush që të afrohej vetëm nëse i bëje shenjë miqësie. Nëse i kushtoje vëmendje, të qasej, binte përdhe me këmbët e para të thyera, në pritje të një përkëdhelje ca më të gjatë. Nëse jo, lehte veç një herë- gjithnjë urtë, ngrihej, shkundej dhe ikte, mbase të harronte, menjëherë. Tërë shenjat si të Emës, por Diego kishte njohur të zotin e shtëpisë, që kishte ndërruar jetë më parë se unë të punësohesha këtu.
Nga kati i katërmbëdhjetë zbriste një qen nervoz, qimet i ngjetheshin kur kuiste, t’i ngjethte leshrat edhe ty, nëse ndodheshe aty pari. Zotëria e tij ishte vërtet i thinjur, si qeni, por natyrë e shtruar. Diego, kishte frikë zonjën e tij, por kjo nuk e çorientonte bindjen e vetë, që tek e fundit s’mbahej si zyrtare.
Diego, që në të gjitha rastet ndihte investigimin për shëmbëllimet mes njeriut dhe kafshëve të ftuara prej tij në banesë, në rastin Viola të katit të shtatë mbetej pasiv. “Ti mund të kesh edhe mendim tëndin!”, më tha një ditë. “S’ke përse e pret çdo ide prej meje! Ti je evropian! Ju e keni zbuluar Amerikën. Deri athëre ne nuk e dinim që ishim!”.
I gëzohesha urtësisë së fjalëve të tij, të pa-natyrshme me latino-amerikanë që kisha njohur.
“Se, kaq gjë do duhej ta dalloje vet ti: qeni që Viola ka tani, s’është ai që kishte muajin e kaluar! Edhe pse unë pranoj se hipoteza ime nuk aplikohet në rastin Viola!”
Më befasoi edhe një herë, duke më bërë të ditur që asnjeri prej të katërmbëdhjetë qenve, që ajo kishte mbajtur gjatë viteve kur ai kishte shërbyer në këtë pallat, nuk kishte shëmbëllyer me të.
Qeni i saj i fundit mezi capitej. Hidhte njërën këmbë dhe ndalte, mblidhte fuqitë për hapin tjetër. Pastaj i duhej të tërhiqte trupin, ta sillte aty ku kishin arritur këmbët e para. Viola e priste me durim të mahnitshëm, si prej nëne, edhe pse në pamjen dhe sjelljen e saj ndaj njerëzve, duke përfshirë edhe Diegon, s’gjeje fije dhembshurie. Durimi i saj me qenin ulok nuk lëkundej edhe kur kalonin kryqëzimin: e konsumonin deri në fund intervalin midis së kuqes dhe të gjelbrës e semaforëve, madje, edhe nëse shoferëve u duhej të prisnin pak.
Së fundi vumë re që Viola i sajoi një si shilte, nën-barkëse, ku qenushi mbështetej në pushimet e shkurtra midis hapave, pastaj i veshi edhe katër këpucka të vockla të mos lëndohej. Kur edhe kjo branisje u bë e pamundur, i vuri në dispozicion një karrocë, si djep me rrota. Qenushi si fëmijë, dhe mami Viola printe tërë krenari…
Natyrisht prekte çdo shpirt kjo përkujdesje njerëzore, ende pa hyrë në llogaritje për shpenzimet që duhej të bënte. Diego i dinte këto, por kisha dyshim se i frynte pak shifrat, ngaqë e dinte se unë isha i pa aftë përballë cdo lloj paraje.
Pa Diegon, s’do të bëja dot kurrë lidhje, gjer ditën kur mora vesh se ish-burri i Violës qenkej, edhe ai, banor i pallatit aty. Madje nga Diego, nga kush tjetër, mësova se në pallat jetonte edhe djali i tyre. Nuk kishte marrëdhënie, me asnjërin nga prindërit. Të tre, secili më vete, të vetëm, prej vitesh. Vetmia e ish-burrit dhe e djalit ishin të qarta. Viola, së paku, e kishte një qen. Më saktë, sipas Diegos, qen të ndryshëm, disa qenë radhazi, në kohë të gjatë.
Diego kolumbiani citonte ish-burrin e saj: “Në këtë botë, vetëm një burrë mund ta duronte atë grua për gjashtë muaj rresht…Ky burrë jam vetëm unë!”
Për shkak të gjashtë muajve të saj, kishte vendosur pakthyeshëm ta ngryste jetën vetmitar. Nuk këmbenin asnjë fjalë, s’ishin më për njeri tjetrin, as për djalin, por përse vallë vazhdonin të banonin të tre në të njëjtin pallat?!
Një ditë, kuriozitet i shtuar për Diegon dhe mua, Viola rrëfeu një foto, të dikurshme pra. Ai një trup madh tip Bad Spencer, pak më i shëndoshë, me djalin e tij nga gruaja e parë. Qartësisht ky që banonte në pallat. Pra, fëmija nuk ishte bir i saj dhe as i burrit të më-pastajmë. Nga ana tjetër, burri i këtushëm, qenkej martuar (së paku edhe një herë) para ndarjes zyrtare nga Viola.
“Nuk e kam dashur kurrë…”, tha ajo. Si të fliste për qenin e një rivaleje.
“Edhe kur u martuat?!”
“Më donte ai! Më desh akoma, që erdhi për herë të tretë në këtë pallat, pasi u nda nga gruaja e tretë pas ndarjes me mua!”
“Po…pse ende i ruan fotografitë me Të?”
“Unë ruaj fotografitë e gjithë qenve që kam kujdesur!”
Diego ma kishte mbajtur fshehur këtë detaj, si privacy qytetare të Violës.
Asnjeri prej qenve s’kishte qenë i Saj. Ajo gjithnjë ishte kujdesur për qentë e Të Tjerëve. Ishte lloji i punës që kishte zgjedhur në ekonominë e lirë të tregut. Zotërinjtë e qenve, ata e paguanin për tërë shërbimet dhe shpenzimet për qentë e tyre dhe jetën e saj.
“Edhe qeni i tanishëm?”, e pyeti Diego, që unë ta dëgjoja prej gojës së saj sekretin që ai ma kishte fshehur për tu admiruar edhe më shumë prej meje për Teorinë e Shëmbëllimeve.
“Po, edhe ky qen është me kancer. Unë u shërbej vetëm qenve në fund të jetës së tyre.”
“Dhe, gjithë qenve që shërben, Viola u thërret me emrin e të shoqit!”, shtoi Diego.
Në sy të saj.









Comments