top of page

Faruk Myrtaj: Dy Fjalë për Letrarin e Ri...

  • 1 hour ago
  • 2 min read

 

I nderuar je, për këtë Çiltërsi të Dlirë prej Poeti, Thani Naqo!

 

 (Arkiva: Fjala e Lirë – Londër, 26 qershor 2018)

 

Asnjë krijues për bè. as edhe ata për të cilët pas Ikjes Fizike thuhet me tërë shpirt se janë lindur për të thurur vargje me vrunduj ere e shigjeta drite, ata pra që lanë pas poemthat lirike më të bukur, për veshët më të ndjeshëm të shelgjeve njerëzorë, as ata, askush pra askush, Than i dashur, as ata që besohet se u shndërruan vërtetë në Yje me atë lloj drite të kush-e-di-se-kush-me manjetike dhe që me ndikimin e tyre krejt të pa qëllimtë formuan yllësi të tjera divine si Udha e Qumështit, Brirët e Kaprolles apo Shtergu i Më-në-fundmë Fare, as ata…

Pra edhe ata, po të mund t’i pyesim atje ku janë rehatuar shpirtrash, në Odën e Psherëtimës dhe të Lotit si Fat Njerëzor, edhe ata, pa as-edhe-një mëdyshje, do të bashkoheshin ty Thani Naqo duke pranuar se…edhe ATA, ndjehen Letrarë të Rinj!

Mos u nxito të na kujtosh se ATA nuk e dinë fare që ti, Thani Naqo, apo Unë, apo tërë ata si ne, që u gëzohen lirikave e radhojve të tyre si këngë për vete, por edhe si dëshirë për të shtuar mirësi e fisnikëri, edhe atëherë kur nuk ia arrijmë kësaj qasjeje të dëshiruar, edhe atëherë madje kur ja blatojmë këngën diçkaje të cilës i është dashur ngè ta meritonte dashjen tonë…

Padashja, është pafajësi e merituar nga të gjithë qenieve njerëzore, teksa ne kemi gjithnjë kohë për të rënë në gjunjë e kërkuar ndjesë për paplotësinë e mospërkryerjen tonë...

Njeriu lindet për të bërë njeriun, për ta njohur atë deri në telat më të hollë e më të brishtë të muzikave të shpirtit të tij: në këtë kahje, të kënduarit që të bëhet gjithnjë e më i ëndërrt. Fjala shndërrohet në muzikë, se edhe muzika një lloj fjale është, por fjalë e nxjerrë prej dhimbjesh e gëzimesh aq të mezi-dëgjueshme sa në të vërtetë nuk dëgjohen: vetëm ndjehen.

Njeriu është, le të themi, një kitarë ku gishtrinjtë e Tjetërkushit luajnë si flladi në gjethet e sapoçelura të natyrës së gjelbër. Neve na duket sikur luajmë vetë ne...!

Pafundësia e ciklit të përkryerjes së vetes është shembëllimi i pafundësisë së tentuar por mrekullisht të pa-arritshme të shndërrimit të krijuesit/njeri në Krijues të Madh...

Thani Naqo ngjitet sa më lart shkallëve të varura në qiejt e shpirtrave lirikë, teksa ngre zërin e thellësive të tij dhe nuk druhet ta ndjejë veten Letrar i Ri!

Po ku ka këngë më të bukur se kjo, o Njeri?!

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page