top of page

Faruk Myrtaj: BABAI I FLAVIAS


BABAI I FLAVIAS

-tregim nga libri "ATA QE KAM NJOHUR"-

“Aha!” kishte bërë Met Dibra, kur kishte mësuar mbiemrin e saj.

“Si ‘aha’?!, kishte kërkuar sqarim psherëtime ajo.

“Prandaj e kryeni stërvitjen ushtarake në togën sanitare, d.m.th.!”

“S’po të marrë vesh!”

 Thashë se unë kam plagë këmbe që, për disa ditë s’i vesh dot këpucët ushtarake, por ka ndonjë që vuan nga tjetër gjë. Prej mbiemrit, do donte t’i thoshte, por ende s’njiheshin dhe Met Dibra s’kishte pse e humbte këtë shoqëri të këndshme të atyre minutave.

Flavia Holda e Met Dibra s’menduan çfarë do ndodhte mes tyre, teksa këmbyen këto fjalë të para. Ajo nuk iu largua, edhe pse nuk ndjehej mirë që i kishte lëshuar ca si shumë tjetrit. Edhe pse ai s’kishte ngulur këmbë se kishte thënë dicka të vërtetë.

“Në Gjuhët e Huaja, apo Juridik?!” ishte sërish ai që pyeti.

“Frëngjisht, por pse menduat se do ishte pikërisht kështu?!”

“Arsyeja është po ajo: mbiemri Holda! Holda!- përsëriti ai, duke qeshur.

Paskëtaj Flavia s’buzëqeshi dot. I tha se qenkej i çuditshëm, i ktheu krahët, si në kujdes të mos e fyente por edhe që, në fund të fundit, le të kujtohej se sapo ishin njohur dhe…kishte folur ca si tepër.

As Met Dibra s’ia mori për keq. u largua duke çaluar paksa e duke qeshur me vete. Me flokët gështenjë, ca të ashpër që i formonin një si strehë mbi ballë, vinte i hollë, i gjatë, në trup të zhvilluar. E ndoqën me sy njeri-tjetrin, për disa ditë dhe ishte sërish ai që ndaloi pranë saj.

“Ka arsye të mbajmë mëri ne të dy, Flavia?!”

“Unë? Po më çuditni!”

“Fola në shumës, pse mbajmë mëri?”

Vazhduan të ecnin në një hap dhe ishte ajo që pas pak iu gjegjë pyetjes së tij për dy-tri novela të fundit rreth së cilave po bëheshin shumë debate. Doli se ishin të një mendimi.

“Shkrimtari duhet të jetë i vetëdijshëm për ç’i lë të shkruar popullit të vet,” tha Met Dibra.

“Kështu tha edhe babi!” u shpreh pa e kuptuar Flavia Holda.

“Babai yt?!”

“Unë s’e njoh babain tënd!” qeshi ajo.

“E njoh unë, kështu do shprehej edhe ai për novelat! Edhe pse është një copë mekanik. Ka një grua, nënën time dhe shtatë fëmijë, dy prej të cilëve vajza!”

Ajo po qeshte me tërë shpirt, me mënyrën e tij të folurit, po vinte re se Met Dibra kishte sy të kthjellët, të kthjellët fare, të cilëve zor u shpëtonte gjë. Një çast më pas, kur Flavia Holda tregoi se përveç prindërve kishte edhe një motër, vëzhgoi vështrimin e tij: dinte diçka edhe për të?!

Në pak minuta, ata dinin jo pak gjëra për njeri-tjetrin. Të dy e pëlqenin letërsinë, muzikën ritmike, dinin diçka nga një gjuhë të huaj, por jo të njëjtën, “pra na mbetet të merremi vesh në shqip” tha në këtë moment Met Dibra. Në ditët që erdhën, ndenjën më shpesh bashkë, bisedonin tërë dëshirë e kërkonin njeri-tjetrin mes të studentëve, aq sa ajo kishte filluar të besonte se ai s’do ta ngiste më.

Megjithatë, një ditë u grindën përsëri. Ai e thirri me mbiemër, në mënyrë të tillë sa ajo mbeti pa gojë. E quajti mosmirënjohës, e ndaloi të shfajësohej (e sigurt se ai do t’i rregullonte fjalët pikërisht në atë formë sa ta dilte se s’kishte asnjë paragjykim në mendje), nëse s’do arrinte ta bënte edhe të qeshte), por Met Dibra s’bëri asnjë përpjekje ta kundërshtonte këtë marrëveshje të detyruar.

E, sërish, qenë ulur pranë e pranë në mbrëmjen vallëzimit të javës. Pa asnjë fjalë midis.

Me këmbën e vrarë ai nuk do vallëzonte, kishte ardhur vetëm për prani. Flavian, të shumtët pa e njohur, prej trupit e të rregullt e faqeve të kuqe, vinin dhe e kërkonin, pa fund. Ajo nuk pranoi të dilte, me askënd. Secili prej kavalierëve të refuzuar, vështronte për nga Met Dibra. Vetëm ai i gjendej në krahë, kush tjetër veç atij e detyronte refuzimin e saj?

 Dikur, ai afroi kryet për nga ajo dhe pëshpëriti: “Ti mund të ngrihesh e të kërcesh, Flavia!”

Ajo qeshi sërish, si ditëve më herët, por atij i tha se ishte budallëk të mendoje se ajo priste leje prej tij! “Unë thjesht nuk kam qejf të vallëzoj!” “Thash se mban ramazan për këmbën time!”

Ajo po i jepte të drejtë, në mënyrën e tij të humorit. Qëndrimi i saj, kësaj mbrëmjeje, s’ishte aq normal. Ky njeri nuk i ishte sjellë siç ndodhte rëndomtë me çunat e tjerë që, në afërsinë më të lehtë që u afroje, ishin gati të të premtonin pleqëri të përbashkët.

Kur po dilnin nga salla, ajo ndjehej në një brishtësi të tillë që, nëse ai do provonte ta puthte, ajo s’do gjente dot forcë ta kundërshtonte. Ai e puthi vetëm pas disa ditëve, pikërisht atëherë kur ajo ishte bindur se s’do ta kapërcenin kurrë kufirin e kësaj miqësie fjalësh e shakash që, sado të mençura, kurrkund nuk çonin.

Met Dibra i ishte kthyer në një pasqyrë disa dimensionale që ia shfaqte tërësinë e saj, jo thjesht dukjen, por atë të shqetësimeve që reflektonte brendësia e saj, sa herë që ai dashur pa dashur prekte paretet e atyshme. Shpesh ajo ndjehej në delikatesën e një fëmijëve përpara fjalëve të tij. Në krye kjo e trembte, ose e bënte për të qeshur, më pas ajo kuptoi se kështu vinin tek ajo ca të vërteta, pjesë jete të cilat s’kishte pasur rastin t’i provonte.

Te Flavia Holda dukej se ai qëllimisht trokiste jo për tu njohur, dhe vet ajo provonte ta njihte brenda kontradiktës me veten e deri-atyshme. Të dy, provonin të pranonin se midis jetëve të tyre ndryshonte diçka, së paku për sa i kishin rrëfyer njeri-tjetrit.

Ditë pas dite, ajo po e gjente veten duke imituar diçka prej tij, në fillim kur ishte me të, pastaj me të tjerë dhe dikur edhe brenda familjes së saj. Ishin prindërit që e vunë re këtë ndryshim.

Nëse do vendoste, ajo mund ta ftonte në shtëpi Met Dibrën. Motra e saj, me dikë që bënte vizita familjare në shtëpinë e tyre qe fejuar e martuar. Ia kishte thënë këtë hollësi edhe Met Dibrës, pra që ideja e parë e lidhjes së motrës me atë tjetrin, edhe ai me ‘mbiemër’, kishte qenë e babait, madje Flavia i kishte thënë Metit që motra jetonte për bukuri...

“Po të na pyesin, mua dhe ty, përse duhemi, si do tu përgjigjeshim ne, Met?!”

“Sepse ende nuk njihemi!”

“Fillove prapë ti?!”

“Se ti ende shëtit me babanë, Flavia…Unë vij pas jush, në distancë, ti më bën ndonjë shenjë sikur unë jam bodigardi jua dhe kaq!”

“Thuamë që po bën shaka, Met!”

“Nëse ti je gati të qeshësh për këtë…”

 ***

Në kryeqytet kishte rënë borë e rëndë, si rrallëherë, por s’ishin bashkë.

“Gocat dolën në ballkonet e qytetit Studenti dhe goditnin me topa bore tërë ata që kalonin aty. Të gjorët djem që rastisnin afër godinave të tyre!”

“E ti, ç’bëje, Met?!”

“Unë lashë Qytetin Studenti, erdha deri te vila jote, më fal, te vila e prindërve të tu! Doja t’i hidhja disa topa bore te dritaret tuaja, ose në oborr, por mund të ma merrnin si cenim sigurie te Familja Holda!”

“Ule pak veshin të ta arrij majën e veshit, Met Dibra!”

“Pastaj u ktheva në Qytet, ku vazhdonin topthat e borës. Mora edhe unë një grusht bore dhe shënjova një ekonomikse me buzë të kuqe nga e ftohta. “Ej, pse mua?!”, më pyeti ajo. “Sepse je më e bukur se e dashura ime!” i thashë. Dhe ajo më fali, më beson Flavia?!”

“Jo. S’të besoj!”

“Aq më mirë. Po iki tani!”

“Tani s’dua unë të ikësh!”

“Është e kotë…”

“Çfarë është e kotë?”

“Që ka rënë kaq shumë borë, sikur ndjellë gjë të keqe…”

“Prindërit e mi s’dinë gjë për ty, por kanë merak në përgjithësi...Sa të jem unë, s’ndodh gjë e keqe, thotë babai, por ku i dihet…”

“E ke parë atë të verbrin në të djathtë të ‘Bulevardit Stalin’ kur kalon Hotel ‘Pezën’, Flavia? Troket me bastunin e tij, pa pushim, në pllakat e trotuarit, gjersa prek murin e pallatit atje dhe kthehet prapë. Këtë rrugë bën…!”

“Të dukem e verbër unë?”

“Jo, ti s’ke syza. Madje ti shikon edhe me sytë e babait!”

“Është e kotë vërtet…” tha ajo kësaj here.

Ai natyrisht e ndoqi në lëvizjen e saj prapaktheu.

“Nuk të kam fshehur asgjë, Met. Asgjë prej vetes. Por të vërtetat tona, s’janë vetëm këto të miat. Babai ynë, nuk them se ai vendos, nuk urdhëron, por jemi mësuar ne të mos bëjmë gjë pa fjalën e tij. Edhe motra ime…e dëgjoi, por së fundi po shkon te ndarja me njeriun që ia propozoi babai. Për arsye të tjera, jo në çift.”

“Do ndahemi edhe ne, Flavia?!”

“Kush tha do ndahemi?!

“Kur nuk thuhen gjërat, njerëzit shtiren…”

“Ik Met, ik…Mbase vërtet s’jam për ty!”

“Shkojmë bashkë në shtëpi.”

“Oh, jo…nuk jam aq e zonja!”

“Shkojmë te njerëzit e mi, atëherë! Pa problem!”

“Tek ne shtiren, nga pak…kanë frikë se do na ndodh dicka, edhe nga kjo borë e rëndë…”

Për te shtëpia e saj po shkonin. I dinin mendimet e njeri-tjetrit, por vetëm ato nuk thoshin.

Ajo e afroi faqen dhe ai e puthi, por frynte e ftohta pas borës dhe ai s’ndjeu kurrgjë.

Flavia Holda hyri në oborrin e shtëpisë, por nuk e mbylli portën deri në fund.

“Edhe po s’erdha…”

“Unë të pres nëse do vish!”

“Mos më prit shumë, thashë…”

Mbrëmja po bëhej edhe më e ftohtë dhe ai s’mund të priste pa fund. Vetëm drita e dhomës së pritjes ishte ndezur te Holdët. Me siguri ishin mbledhur të gjithë. Met Dibra nuk i jepte dot udhë idesë se çfarë mund të kishte ndodhur në bisedën e tyre, për të. Madje druhej se Flavia ende nuk ua kishte thënë se dikush e kishte sjellë deri aty jashtë…

U largua dalëngadalë, duke kthyer kryet hera herës andej.

Në të dyja anët e shëtitores dukeshin degë të mëdha të drurëve, thyer e rrëzuar pa frymë. Tërë ato trungje, të frikshëm në madhësinë e lartësinë e tyre, qenë shembur prej flokëve të bardhë të borës, thjesht prej ngulmimit të saj të gjatë.

Nuk ishte i sigurt nëse bora dhe dashuria kishin ndonjë gjë të përbashkët dhe Met Dibra nuk i dha udhë kësaj pyetje as kur e la Bulevardin pas shpine, për të hyrë në Qytetin Studenti.

6 views0 comments

Opmerkingen


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page