FANTAZIA BRILANTE E SHKRIMTARIT FATMIR TERZIU


Shefqet Meko

Nga Shefqet Meko

Minneapolis, MN USA


-Duke lexuar në anglisht romanin e Terziut “Misteri i bukuroshes shqiptare në Londër” (The mystery of the Albanian beauty in London)


Pak fjalë si hyrje


Besoj se të gjithë pajtohemi që shkrimtari Fatmir Terziu, është kthyer në një “vullkan krijues”. Ai shkruan, boton, fantazon, regjizon, filmon, redakton, nderon e frymëzon kolegë, mban gjallë “Fjalën e Lirë”, bën punën e tij të përditshme dhe padyshim, gjithmonë mbetet si “qiri” në shërbim të familjes së vet. Mjafton kaq që t’i themi pa mëdyshje “Mjeshtër i Madh”, atë që ia ka dhënë plot meritë, Presidenti i Republikës së Shqipërisë. Siç dihet, ai ka marrë edhe zyrtarisht tituj dhe ndere të tjera, por unë dëshiroj të ndalem tek një roman i kohëve të fundit botuar në anglisht “The mystery of the Albanian beauty in London”, të cilin e sigurova menjëherë nga shtëpia botuese dhe më erdhi menjëherë në derë nga postieri në një paketim të veçantë. Romani, i cili është botuar në shqip qysh më 2010 me titullin “Kojrillat” natyrisht ka gjetur mjaft lexues të tjerë në shqip, por këtë herë në anglisht ndoshta më bëhet një ndjesi ndryshe në mjedisin tim ku jam nën trysninë e përditësisë së anglishetes amerikane dhe shqipes sonë të mrekullueshme. Mbase për dikë mund të jem i vonuar në reagimin tim, ndaj një libri tashmë botuar një dekadë më parë, por leximi i në anglisht më ka “karikuar”, sikurse e citova, të shënoj disa mendim e gjykime rreth këtij romani.


Përjetimet tona


Ne ikanakët, kemi secili një përjetim të veçantë të jetës në perëndim dhe çdokush është “peng” i përvojës së vet. Kështu ka ndodhur edhe me mua. Gjatë “monizmit” në vendin tonë, patëm fatin të lexonim në shqip kryevepra botërore të krijuesve me famë, falë përkthyesve tanë të talentuar. Shkrimtarët e famshëm të botuar në shqip, ishin shpesh pikëlidhjet tona të para me shokët apo shoqet që sapo njiheshim në shkollë të mesme, në atë moshë të artë ku shpirti flet tërë pasion dhe sinqeritet. Rrodhën dekada qysh ato vite. Ne u shpërndamë kudo dhe erdhi një moment dhe ne “gjetëm origjinalët” dhe rilexuam autorët e preferuar në “gjuhën e nënës”.


Kjo ndodhi së pari me mua me romanin “Martin Iden” të Xhek Londonit. Kisha një etje për ta rilexuar këtë roman sepse tashmë në fillimet e mia në Amerikë, unë e shihja veten edhe si nje “Martin Iden” me ëndrrën për t’i ikur varfërisë. Ka qënë një përjetim fatlum. Netëve duke punuar jo lehtë në UPSP, në pushimet e shkurtëra lexoja romanin e rinisë në anglisht dhe përpiqesha të shijoja ndryshe…

Më vonë do ishin edhe autorë të tjerë, por të parët mbeten si ajo “puthja” e rinisë. Në këtë kontekst duke lexuar në anglisht romanin e Fatmir Terziu, për herë të parë truri im ishte në “riverese modë”: duke lexuar në anglisht çdo fjalë dhe radhë vetëtimthi përkthehej në shqip, duke shijuar njëkohësisht të dyja gjuhët të cilat janë bërë pjesa jonë siç kemi dy sy, dy duar e dy veshë...

Për herë të parë përjetova duke lexuar “The mystery of the Albanian beauty in London”, “martesën” gjuhësorë anglisht-shqip, e si rezonacë dashurie të mban gjallë endjen e leximit. Kur futesh në thelbin e fabulës së Terziut, kupton se ai është një “marathonomak letrar”, që na bredh me një histori interesante nga një shekull në tjetrin, nga Shqipëria në Londër, Romë, Paris, Uashinton, Stamboll, Beograd e Pekin...


Personazhi kryesor


Granit Jetoni, ky personazh ku secili nga ne gjen pjesëza e momente të jetës së vet, është në të vërtetë një këmbëngulës i stilit modern, i cili ashtu si Konstandini në premtimin e madh ndaj motrës për ta sjellë prapë tek prindërit, në martesën e saj të largët, bredh e bredh nëpër kancelari dhe arshiva, në histori dhe ndodhira të kohës, gërmon në ngjarje, detaje dhe fakte tronditëse për të zbuluar se çfarë ndodhi realisht me bukuroshen shqiptare, Zeinepe Vlora, që ishte gjendur e vdekur në Londër në fillim të vitit 1933…

Përmes një fantazie brilante dhe me një mjeshtëri thurëse të fjalës dhe linjave që shtrin në roman, Fatmir Terziu provon me këtë libër se ai është një krijues i talentuar i brezit tonë. Drama dhe fundi tragjik i bukuroshes shqiptare Zeinep Vlora, (Në kulmin e moshës së ëndrrave dhe dashurisë) është figurativisht vetë drama e Shqipërisë, që autori na e sjell aq të bukur dhe aq fatkeqe, por përmes dramës të dhimbshme ai të bën edhe të besosh, edhe të shpresosh tek e vërteta që quhet Shqipëri.

Unë përsonalisht nuk kam lexuar një roman që të ketë një shtrirje gjeo-historike kaq të gjërë, ku vijnë dhe shfaqen realitete shoqërore e figura të njohura të historisë dhe jetës shqiptare, ku ndërthuret edhe burri i parë i flamurngritjes Shqiptare, Ismail Qemali, edhe mbreti Zog dhe ordinancat e tij, kontribues të atdhetarizmës shqiptare, dhe “tregëtarë” të saj, Enver Hoxha dhe viktimat e tij, diplomacia perëndrimore dhe ajo otomane...


Galeria e romanit


Romani ka një galeri të gjallë karakteresh dhe personazesh historike që shpesh të bëjnë të habitesh dhe të pyesësh veten: “Ç’kohë po jetoj? Shekullin e 20 apo shekullin e 21të?...”

Janë dy skaje, e dy vende të Europës, të jetuara nga autori, që vijnë në roman me një realizëm artistik që të ngjall instiktivisht zili: Shqipëria dhe Londra. Përshkruhet aq bukur ndjenja e miqësisë së hershme të dlirët të Granit Jetonit me shokët e miqtë e hershëm dhe metomorfoza shokuese që sjell koha në këto lidhje njerëzore.

Granit Jetoni mbetet po aq i mirë, po aq njerëzor e plot ndjeshmëmri sa në atë fëmijëri të varfër dhe të bukur që e përshkruan aq detajshëm sa të rënqeth dhe thua “Kjo është famijëria ime…” “Kjo është shoqëria ime...” Përmbysja e madhe dhe ikjet shqiptare, vijnë në këtë roman si xixëllima kujtimesh, që të bëjnë shpesh të dridhesh emocionalisht. Të bën kështu jo vetmë fati i Lutfiut nga Mokra, por edhe metamorfoza e identitetit të Leninit, që gajasej kur kujtonte veten si “punëdhënës” i djalit të ish-kryeministrit shqiptar,(!!) e një ditë do të quhej Leh.

Pena e mprehtë e Terziut përshkruan bukur të vërtetat e afërta dhe të largëta shqiptare: varfërinë e tmerrshme uniforme që jetuam, por dhe atë botë të madhe njerëzorë që na rrethoi dhe nuk na bëri të humbisnim fillin e jetës. Autori sikur të merr përdore me fjalën e vet të kujdeshme dhe të “shëtit” në Elbasan, Mokër, tek Kafe a Madhe në Shkodër, apo Kukës dhe befas të çon tek dosja nën investigim e dedektivit anglez Smith.

Romani ka një dinamikë befasusese, që shpesh të bën të ndihesh sikur je nën “lëkundjet sizmike” ballkanike, kur ngjarje dhe heronj, lidhje familjare, dashuri, intriga dhe tradhëti lëvizin befasisht në hapësirën e dy shekujve, shkëmbehen si erëra të fuqishme në hapësirat malore të Ballkanit problematik.


Fjala e kritikës


Besoj se kritika tashmë ka thënë fjalën e vet për këtë roman të Prof. Dr. Fatmir Terziut, që ne ikanakëve tashmë na vjen edhe në gjuhën angleze, si një “dhuratë krishtlindjesh”. Sinqerisht, nëse ke një mik amerikan, anglez, apo çdo kombi tjetër, që do të dijë më shumë për Shqipërinë dhe dramën e këtij vendi, jepi ta lexojë këtë roman të Fatmir Terziut dhe ke bërë dhuratën më të mirë. Romani është një “grafi diplomatiko-psikologjike” e realitetit shqiptar nga koha e mbretërimit të Ahmet Zogut dhe deri tek zvetënimi i kultit ditatorial Enver Hoxha. Terziu rrëfen një të vërtetë shqiptare që të fut në mendime.

Granit Jetoni nuk jepet nga kërkimet deri në fund. Ai është në roman një “arshivë” e gjallë shqiptare që të kujton sa kongreset histerike, aq edhe dramat në kombinate e fabrikat ku punonin njerëzit e thjeshtë dhe gatiteshin “kurbanet” e radhës. Ai nuk lodhet duke bërë “autopsinë” e rendit shoqëror që lamë pas më një “bisturi” të florinjtë ku përpiqet të identifikojë qartë çdo të keqe që përjetuam, të bën të qeshësh me idiotësitë e “të madhit” (Edhe bar të hamë parimet nuk i shkelim…), dhe po aq të trishtohesh kur të përshkruhet poeti i varur në Kukës

Mua më duhet sikur misteri i bukuroshes Zeinep Vlora, është ai mister i fatit të keq shqiptar, që duket sikur “atentatin” e parë e ka marrë në Londër me vdekjen misterioze të bukuroshes Vlora, e cila nuk ishte thjesht një vdekje… Jeta e saj e shkurtër, por me plot ëndrra, drama, aventura e dashuri nga Vlora dëri në Paris, Londër e gjetkë, është jetë e një kombi dhe personifikim i tij. Nëse shikon se sa kujdes, vëmendje, këmbëngulje dhe përkushtim tregohet nga “jo shqiptarët” për të zbuluar të vërtetën, të sjell në mendje edhe të tashmen shqiptare ku ende presim që shumë enigma dhe sfida të zhvillimit tonë politiko-shoqëror shpesh i presim nga të huajët apo “reagimet diplomatike” të ambasadave të perëndimit në Tiranë.


Thellësia e narrativit


Me ankth nga faqja në faqe kërkon të dish se kush është vrasësi i bukuroshes shqiptare në Londër? Pse? Cili është motivi? Pse ky fund i keq, kur bukuroshja Zeinep kishte aq plane dhe ëndërra të bardha t’i shërbente mirësisë, mirëshëndetit dhe të bukurës njerëzore? Pse e pësoi në Londër ku ishte thjesht “vizitore për krishtlindjet” e mezi priste të kthehej në Paris?... Autori të fut në arkiva, koleksione gazetash, kronika të kohës, në anale diplomatike, të shëtit në “varrezat e të panjohurve” në Londër, të kujton fatin e zogjve shtegëtarë e sikur të bën të fluturosh me ta larg, larg…

Kapitujt e romanit ngrihen si dallgë të stuhishme në imagjinatën që të “injekton” pena e Fatmir Terziut dhe në këtë “çoroditje” sikur beson se bukuroshen shqiptare e ka helmuar ndonjë shqiptar, e në mos jo shqiptar, një i huaj më “ndihmë shqiptare”... Drama jonë shekullore, që përditë bëhet edhe më dramatike, sepse tashmë liria është liri për të gjithë, duket sikur “thërret në apel” fuqinë e të mirës, njeriun dinjitoz që të jetojë kohën duke fituar çdo betejë me të keqen. Mbyllja e romanit sikur ta jep përgjigjen duke të çliruar nga makthet e palosura në faqet e shfletuara.

Shkurt romani në fjalë i shkrimtarit Fatmir Terziu, të tregon një “Shqipëri ndryshe” dhe është padyshim një kontribut i paarritshëm krijues deri më sot në botimet shqiptare në anglisht. Në këtë kontest romani i Terziut, sikur të motivon për të qënë dhe mbetur një shqiptar i mirë, për të qënë njeri dashamirës dhe mirënjohës, kudo që të të ketë hedhur fati dhe krenarisht ta mbash këtë emër, që është “ADN”-ja jote, përkatësia jote.

Romani duket se është përthyer kujdeshëm nga autori vetë dhe jo rrallë të bën të gjesh edhe kuptimin e vërtetë të ndonjë fjale në shqip, që gjë tregon edhe begatinë gjuhësore të autorit në “second language”.


Duke përfunduar


Është kënaqësi që në këtë “shpërndarje” të madhe të shqiptarëvë kudo nëpër botë, fjala dhe librat na bashkojnë e na njohin me miq. Në këtë plan Fatmir Terziu mbetet njeriu që ka investuar mençuri, punë dhe kohë së paku për t’i mbajtur shqiptarët e ikur rreth “strubmullarit” të gjuhës shqipe. E natyrisht ndërsa kam përjetuar emocionet e leximit të këtij romani në anglisht, ndërsa mendja ime duke lexuar anglisht, në mënyrë magjike dhe perfekte brenda trurit tim konvertonte çdo fjalë të shkruar anglisht në shqipen e mëkuar nga nëna, më erdhi në mendje një tregim i shkrimtarit shqiparo-kanadez, Faruk Myrtaj, rreth gjuhës së nënës, ose siç e titullon autori “Mother language”, ku dhimbshëm e bukur rrëfen, se edhe sëmundja më e tmerrshme, nuk ta fshin dot nga truri “gjuhën e nënës”. Ndaj edhe ne ikanakët, ne dhe sidomos brezi ynë, sado përpiqemi dhe shkrihemi në kuptimin e përdorimin e një gjuhe të dytë, përsëri “gjuha e nënës” (“Mother Language”, siç titullon Faruk Myrtaj) mbetet si drita e minatorit që çan çdo errësirë dhe ndriçon çdo terr e nuk shuhet kurrë, ose shuhet si “programim magjik” në trurin tënd vetëm bashkë me ikjen tënde...


Përfundimisht, Fatmir Terziu shënon suksesin e tij të radhës me romanin “The mystery of the Albanian beauty in London”, (“Misteri i bukuroshes shqiptare në Londër”). Ndërkohë, besoj se libri në fjalë, do të ishte më i plotë në prezantimin e vet nëse do kishte të shënuar edhe redaktorin apo autorësinë e konceptimit vizual të kopertinës, duke sjellë kështu tek lexuesi i huaj edhe “kolegjumin botues” të librit, edhe pse dihet nga ne se Fatmir Terziu është si Davinçi: mjeshtër i të gjithave proçeseve dhe teknikave në botimet e veta. E shënoj këtë sepse paragrafet në fundkopertinë nga S. Hajra dhe M. Gjini, janë dy shkrepje të bukura reçensionuese, që bëhen “karem” për lexuesin, por nuk mund të jenë pjesë e ”kolegjiumit” të munguar ,sipas medimit tim. Besoj se edhe autori do pajtohet me këtë që shkruaj.

Duke konkluduar them me forcën e shpirtit tin, se romani në anglisht i Fatmir Terziut “The mystery of the Albanian beauty in London”,“Misteri i bukuroshes shqiptare në Londër”, është një vlerë dhe kontribut krijues, që i shtohet arsenalit dhe koleksionit të letërsisë shqiptare edhe në gjuhën e botës.


Shefqet Meko

Minneapolis, MN USA

11 Janar 2021

78 views0 comments

Shkrimet e fundit