Fahri Dahri: Krahas masakrave
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Oct 29, 2025
- 5 min read

PJESA E DYTË
b).- Ndërprerja e trashëgimisë fisnore, humbja e fisnikërisë dhe shpërbërja e familjeve të mëdha.
Krahas masakrave që kryen ortodoksët grekë, ndaj njerëzve të gjallë, banues në vendin e tyre dhe spastrimit etnik të asaj krahine, ajo goditje qendron edhe në dëmin e madh që ndjek vazhdimësinë e mëpasme. Genocidi ortodoks grek nuk mbetet vetëm tek përgjegjësia e kohës që ndodhën masakrat, ajo vazhdon të godasë ashpërsisht edhe tek gjeo-etnia e atij rajoni e pasardhësave të thesprotëve. Është goditur rëndë dhe është tronditur trashëgimia fisnore, tretshmëria e fisnikërisë, u shpërbënë familjet e mëdha, rrjedhojë e ndarjeve të ish banorëve të grupuar në lagje (mahalla), në fshatra, në qytete brenda rajonit (bazuar në parimet e fisit), si dhe e përndjekjeve politiko- ekonomike nga regjimi i shtetit Amë. Çamëria nuk kishte organizime politike partiake, ajo drejtohej nga kuvëndet e pleqësisë në bazë të njësive administrative (fshatrave dhe lagjeve në qytete). Me pleqësi nuk kuptohej vetëm mosha madhore por e kombinuar kjo dhe me urtësinë dhe mënçurine. Për të rinjtë e sotëm, aso kohe përdorej fjala: “Çdo ndodhi duhet të pleqërohet, dmth të kuvëndohet”. Mbi këto kritere i zgjidhnin banorët drejtuesit e tyre me një afat dy vjeçar. (kriteret e pjekurisë, urtësisë, diturisë, mënçurisë, moshës dhe pastërtisë së figurës). Organizime që trashëgoheshin nga lashtësia e fisit thesprot. Mbas vitit 1913 caktimi i myftarëve në fshatra apo lagje qytetesh bëheshin nga zyrtarët lokalë grekë. Sot në atë rajon nuk dëgjohen më toponimet mijëra vjeçare, as veçoritë e emrave të përrenjëve, burimeve, të arave, kodrave, livadheve, rraheve, pyjeve, maleve, apo emrat: si vau i këtij apo atij, pusi i filanit, stani i atij apo këtij, pylli i atij apo këtij fisi, kodrat e atyre, arat e asaj familjeje, dyqani i filanit, luturvija e kësaj apo asaj shtëpie, as kopeja e dhënve apo e dhive të iks familjeje. Sot nuk u fliten më me emrat e pronarëve të ullishteve, vreshtave, kanë humbur emrat e shtëpive, sipas pronarëve të vërtetë, pjesa më e madhe e tyre janë kthyer në gërmadha, grumbuj gurësh! Një batërdi e vërtetë. Ferri vërtetë i kësaj bote!. Si dje dhe sot vazhdon këmbëngulja greke për ndërrimin e toponimeve të fshatrave, qyteteve deri dhe toponimi i të gjithë krahinës për të cilën kërkohet shuarja, fshirja nga hartat historike deri edhe në librat shkollore. Pse? Sepse kështu sigurohet vazhdimësia e shtrembërimit të historisë dhe trashëgimia etnike e një rajoni që historia dhe e vërteta i kanë vendosur ata banorë në më të hershmit dhe më përpara, shumë më përpara se sa grekët e romakët. Një llo mashtrimi i përdorur me sukses dhe në mbivlerësimet e shtetit të sotëm grek, të cilit i atribuohet me të padrejtë kultura dhe qytetërimi i lashtë, nga të cilat një pjesë e konsiderueshme ndodhet pikërisht në rajonin e Çamërisë (e thënë troç- Shqipërisë etnike). Një e dhënë e gjallë, që rrëzon mitin se çdo gjë na paska qenë greke. Ishin vështirësitë e shumta politike, social- ekonomike, demografike që shqiptarët e Çamërisë, me banim në Republikën e Shqipërisë, për disa dekada u goditën rëndë, deri në palcë, u pushtuan dhe u tulatën nga çoroditjet, pasiguria, nënçmimi, poshtërimi dhe pa mundësi për të realizuar bashkësitë organizative tradicionale, siç i kishin mbi baza fisesh, lagjesh e fshatrash, apo familjet e shumta fisnike. Ata, në vitet që shkuan, nuk arritën të rigjenin unitetin e dikurshëm, kompaktësinë, shkuarshmërinë. Ata, banorët, ish komunitarë të Çamërisë, me nguljen në Shqipëri, kryesisht u shpërndanë në disa qytete bregdetare të Shqipërisë dhe rrethinat e tyre, por jo si dikur me vendqendrime mbi baza të ish qyteteve dhe fshatrave të rajonit të Çamërisë. Nguljet demografike të tyre, për fat të keq kanë ndikuar në “shuarjen”, rënien e shkëlqimit të dikurshëm të familjeve fisnike, të familjeve të mëdha. Ky realitet i hidhur, për tu rikthyer në tabanin e dikurshëm, i kërkohet të kalojë nëpër mjaft vështirësi të natyrave të ndryshme, pa u kursyer edhe me shigjetimin e shpërbërjes së familjeve me emër, duke i pushkatuar apo internuar. Shpresojmë tek faktori kohë se ngritja kulturore, intelektuale dhe trashëgimia gjenetike, me bindje do të ndihmojnë dhe ndikojnë në shëmbjen e "kalave" të mbrapshta dhe rindërtimin e kalave të sigurta e të virtytshme. Askush të mos harrojë se brënda çdo kohe ndodhet dhe vepron elementi përparimtar njerëzor, i cili i dikton kohës ndryshimet cilësore në favor të njerëzimit. Janë këto rregulla të pa shkruara që natyra vepron edhe në organizimin shoqëror, të cilat lindin, zhvillohen, përfshihen në kriza dhe në cikle të ndryshme kohe, riorganizohen në një nivel më të lartë ciësor. Brezi i “të ardhurve”, që u shpërbë, siç u trajtua më sipër, bashkë me fatin e tyre të keq, janë nënë Dhé. Fëmijët, sidomos nipërit, mbesat dhe stërnipërit tashmë janë rritur dhe krahas rritjes kanë formuar familjet e tyre në vendqendrimet që u “ngulën” emigrantët para 81 viteve. Aktualisht po sigurohet ose po ringjallet një shumicë e re vëllazërore, miqësie, fqinjësie, që na sjellin në kujtesë bashkësitë familjare dhe komunitare të prindërve dhe gjyshërve tanë në vendbanimet e tyre, në rajonin e Çamërisë. Ky riorganizim, gjithnjë në rritje dhe në zgjerim, pa lënë mënjanë dëshirat dhe vizitat e tyre në trojet e prindërve, gjyshërve, me mjaft zgjuarsi "ripërtypin" kujtesën e tregimeve të tyre, duke i konkretizuar ato. Veprime që tregojnë pashmangshmërinë e rregullave të pashkruara me të cilat nisëm fillimin e këtij shkrimi. Errësira që na mbollën hijet ogurzeza, genocidiste dhe Byroiste, kanë filluar të rrallohen. Qiejt e Shqipërisë, Kosovës dhe Çamërisë, po pastrohen nga retë e ngarkuara me shi, bubullima e vetëtima duke ja lënë vendin qiellit të qelqtë, të pastër pranveror. Tek nipat, mbesat dhe stërnipat e banorëve të asaj toke, tashmë ka fituar terreni gazmor, buzëqeshjet dhe siguria e të ardhmes e mbështetur në tabanin, traditat e trashëguara nga komuniteti kompakt i para 1913-tës. Personalisht, në këtë drejtim ndjehem komod, i kompletuar dhe i emocionuar që arrita të jetoj këtë rikthim pozitiv në të shkuarën, por me elementë sa të rinj në vite aq të rinj në konceptimin, ndërrtimin më cilësor të marrëdhënieve sociale të para 1944-1945-sës. Ligjeve objektive të natyrës, nuk mundet t’u kundërvihen as kishat as xhamitë; as perandoritë, as “Antikrishti”. Ngadalsime, pengesa prej shteteve dhe personaliteteve kokëkrisur, kanë ndodhur dhe do të ndodhin, por ndërprerje absolute e zhvillimeve as ka ndodhur dhe as ka për të ndodhur. Kjo, për fat të keq, nuk kuptohet nga të ligjtë si në kohë dhe hapësirë. Respekte të merituara edhe të rinjëve e të rejave konispolate që kohët fundit po shpalosin kulturën, këngët, vallet, zakonet, traditat e gjithë rajonit etnik shqiptar të Çamërisë. Bashkia e Konispolit me 7 fshatrat çame, është një pjesë e vogël e Çamërisë, por ajo ka marrë përsipër përfaqësimin e më të mirave të të gjithë Çamërisë.
Fahri Dahri. 29/tetor/2025.-









Comments