top of page

Eshref Ymeri: Një libër emocionues i shkrimtarit Fotaq Andrea

ree

 

            Para nëntë vjetësh, pikërisht më 18 shtator 2016, pata botuar në internet Esenë me titull “Një zë intelektuali vjen nga Strasburgu”, të cilën ia kushtoja intelektualit të shquar Fotaq Andrea. Për ta shkruar atë Ese, më pati nxitur botimi i librit të tij, me titull “Pena të arta franceze për shqiptarët (1332-2007)”, të cilin Fotaqi ma pati dhuruar asokohe. Një libër ky, me një vëllim prej 762 faqesh. Në atë Ese, ndër të tjera, theksoja:

“Ishte fundmarsi i vitit 1979, kur fillova punë si përkthyes i gjuhës ruse në Redaksinë e përkthimeve në gjuhë të huaja të letërsisë politike në Shtëpinë botuese “8 Nëntori”. Fotaqi, si përkthyes i frëngjishtes, kishte filluar punë aty që në vitin 1975... Në vitet 1971-1974, Fotaqi pati studiuar në Universitetin e Kaenit dhe në Universitetin e Sorbonës së Re, në Paris, ku qe diplomuar si specialist i frëngjishtes”.

Në sektorin e frëngjishtes, krahas përkthyesve të talentuar, si Emond Tupja, Viktor Kalemi, Rajmonda Vuçini, Margarita Puteci e të tjerë, në krah të kryemjeshtrit të përkthimit Jusuf Vrioni, Fotaqi, me punën e tij të përkushtuar, la gjurmë të pashlyeshme në historikun e asaj Redaksie.

Në atë Redaksi, e cila përbëhej nga 42 përkthyes  dhe redaktorë dhe nga pesë daktilografiste, përktheheshin kryesisht “veprat” e Enver Hoxhës në 8 gjuhë të huaja. Përkthimi i të gjitha atyre “veprave”, në krahasim me përkthimin e “veprave” të zgjedhura, duhej bërë shpejt, sipas porosisë që vinte nga Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste, sepse marksistë-leninistëve të mbarë botës “u digjej shpirti” për ato “vepra” dhe “mezi prisnin” ardhjen e tyre. Në ato kushte, kolektivi i Redaksisë detyrohej të punonte deri natën vonë. Ka pasur raste, kur përkthehej libri “Shënime për Kinën”, që puna në Redaksi ka vazhduar 36 orë rresht. Për të shmangur stërmundimin e përkthyesve, të redaktorëve dhe të daktilografisteve, që të ruhej shëndeti i tyre, qe përgatitur një grafik për ata që duhej të vazhdonin punën dhe për ata që duhej të shkonin të çlodheshin, që pastaj të ktheheshin në punë, për të ikur të tjerët për pushim. Përkthyesit dhe redaktorët rraskapiteshin me orar aq të stërgjatur dhe në fund të pesëmbëdhjetëditëshit (siç paguheshin rrogat asokohe) nuk merrnin asnjë shtesë mbi rrogën. Ajo ishte një grabitje e pastër e punës intelektuale, të cilën, përveç mohimit të mbishpërblimit material, shteti e shoqëroi edhe me mohimin e pronës intelektuale, duke mos lejuar shënimin e emrave të përkthyesve dhe të redaktorëve në ballinat e librave të përkthyer, pikërisht ashtu siç kishte vepruar me mohimin e pronës intelektuale të përkthyesve të veprave të klasikëve të ideologjisë komuniste. Rrjedha e ngjarjeve vërtetoi më së miri se gjithë ajo punë kolosale e asaj Redaksie për përkthimin dhe botimin e “veprave” të Enver Hoxhës në tetë gjuhë të huaja, sipas fjalëve që qarkullonin asokohe, i pati kushtuar Buxhetit të Shtetit më shumë se 160 milionë dollarë, pati shkuar për dhjamë qeni. Ja dy fakte tepër domethënëse për veprat e pëkthyera:

“Sa e sa herë qe bërë problem që ambasadat nuk po punonin si duhet për shpërndarjen dhe propagandimin e tyre, ngaqë nuk ua merrte njeri. Edhe kur ua dhuronin të ftuarve, të nesërmen i kishin gjetur në koshin e plehrave” (Citohet sipas. Andon Dede. “Pa iluzione dhe paragjykime”. Shtëpia Botuese “Globus R”. Tiranë 2010, f. 250).

“Dërgoheshin nëpër ambasada që ato t’i shpërndanin në popull apo në aktivitete të ndryshme. Shumica e tyre mbeteshin stoqe dhe mbushnin depot e ambasadave kudo në botë. Është një punë kolosale, por puna ka shkuar kot” (Citohet sipas: Albert Zholi. “Edmond Tupja: Përkthimi i veprave të Enver Hoxhës na dërrmonte”. Intervistë e botuar në faqen e internetit të gazetës “Telegraf”. 11 shkurt 2014).

Me kalimin e viteve, dolën edhe më shumë në pah aftësitë e Fotaqit, jo vetëm si një përkthyes me emër, por edhe si një hulumtues tejet i suksesshëm në fushën e punës kërkimore-shkencore, ku ai u dallua veçanërisht si  një konicolog i shkëlqyer në kulturën tonë mbarëkombëtare.

Para pak kohësh, Fotaqi më dërgoi njw dhuratë nga Strasburgu, një libër artistik, me titull “Guri i shpirtit. Kronikë Shqiptare”.  Libri zë një vëllim prej 348 faqesh. E ka hedhur në qarkullim Shtëpia botuese “Zenit Editions”, 2023.

Ky libër është origjinal në llojin e vet. Ai përbëhet nga rrëfenja tejet tërheqëse, kronika të përzgjedhura këto, epistola - krijime në formën e mesazheve të poetizuara. Të gjitha këto gërshetohen edhe me elemente të publicistikës. Kësisoj, në këtë libër autori ka ndërthurur mjeshtërisht artin e prozës artistike me vrundullin fshikullues të artit publicistik.

Dy janë temat kryesore që Fotaqi shtjellon artistikisht në këtë libër - mjedisi i ndotur apo keqtrajtimi i natyrës dhe varfëria.

Tek kaloja nga njëra faqe te tjetra, përjetoja emocione të fuqishme, dhembje shpirtërore dhe kaplohesha nga një ndjenjë e fuqishme revolte kundër  shkaktarëve të një gjendjeje të tillë në vendin tonë. Mjeshtëria e rrëfimtarisë së Fotaqit më kujtonte disa pena të talentuara të letërsisë botërore, si Ernest Tomson Seton (Ernest Thompson Seton  1860-1946), shkrimtar dhe piktor i shquar kanadez. Është  njëri nga shkrimtarët e njohur që ka pasë ngritur zërin për mbrojtjen e natyrës nga papastërtitë dhe mirëtrajtimin e kafshëve, Xhoi Adamson (Joy Adamson - 1910-1980), shrimtare austro-angleze. Ajo pati bërë shumë udhëtime dhe ia pati kushtuar veten mbrojtjes së natyrës afrikane, Konrad Lorenc (Konrad Lorenz - 1903-1989), zoolog austriak, njëri nga themeluesit e etologjisë - shkencës së sjelljes së kafshëve, Xherad Darell (Gerald Durrell - 1925-1995), natyralist dhe shkrimtar anglez, studiues dhe mbrojtës i natyrës së egër, Margaret Edvud (Margaret Atwood -  1939), shkrimtare kanadeze, e cila, në veprat e veta, ka përshkruar babëzinë e pasanikëve, shfrytëzimin dhe ndotjen pa përgjegjësi të natyrës, çka mbart me vete pasoja katastrofike. Ato vepra shërbejnë si paralajmërim dhe thirrje për rishikimin e vlerave, si edhe për rikuptimësimin  marrëdhënieve të njeriut me natyrën. 

Në këtë libër, Fotaqi e ka vënë gishtin në ngjarje të tilla tronditëse për vendin tonë, si gjëmat që shkaktoi rënia e firmave piramidale, me pasojë luftën vëllavrasëse të vitit 1997 për shkak të varfërimit të mijëra familjeve shqiptare, të shoqëruar me shpërthimin e emigracionit klandestin dhe me vdekjen e qindra varfanjakëve në kanalin e Otrantos. Pikërisht rënia e atyre firmave nxiti polarizimin e shoqërisë në të varfër dhe në të pasur. Me skenat e varfërisë që përshkruan me  një leksik të pasur me nota shpërthyese, Fotaqi të kujton jo vetëm Migjenin tonë          zemërvrarë. Ai të bën të kthehesh shekuj prapa, gjer edhe te Fransua Rableja (François Rabelais  1494-1553), i cili, me veprën e vet monumentale “Gargantua dhe Pantagruel” (Gargantua et Pantagruel - 1532-1564), demaskon mëkatet e përjetshme njerëzore, të metat dhe problemet e kohës së vet. Nga pena e Rablesë e pati pësuar edhe skolastika mesjetare, që ishte e shkëputur nga ai realitet, të cilin e kishin aq qejf heronjtë kryesorë në të gjitha shfaqjet e tij. Prandaj të gjitha pjesët e kësaj vepre qenë dënuar, si heretike, nga ana e fakultetit të teologjisë të Universitetit të Sorbonës.

            Në prozën e Fotaqit ndihet forca e pushtetit mbi njerëzit e thjeshtë, të cilët oligarkia shtetërore i ka shndërruar në bujrobër të vet, duke ua mbajtur të shtrënguar lakun e varfërisë. Varfanjakë që enden trotuareve, lypsarë, që të kujtojnë ritualin migjenian “Zoti të Dhashtë”, vajza njomëzake që vërtiten rrugës së varrezave për t’u shitur vizitorëve të tyre lule artificiale, të sjellin ndër mend skena varfërie nga vepra shkrimtarësh të shquar në mbarë botën. Skena të tilla hasen te Xhek Londoni (Jack London - 1876-1916), i cili i shtynte ditët nëpër strehë varfanjakësh dhe shkruante tregime për të mos vdekur nga uria. Nga faqet e veprave të tij të hershme ushton klithma e njeriut me barkun bosh, i cili e dinte mirë se sa e pamëshirshme ishte varfëria e vërtetë. Në vitin 1902 ai shkoi në kryeqytetin e Britanisë së Madhe për ta njohur dhe studiuar nga afër jetën e  varfanjakëve të qytetit gjatë 84 ditëve. Vëzhgimet e veta i pëmblodhi në librin me titull “The People of the Abyss” (Njerëzit e rrogozit), të botuar në vitin 1903.

            Skenat e varfërisë janë pasqyruar në romanin e Çarls Dikensit (Charles Dickens - 1812-1870) “The Adventures of Oliver Twist” (Aventurat e Oliver Tuistit”, të botuar në vitin 1837. Në këtë roman autori demaskon mëkatet sociale të Anglisë viktoriane, si egërsia e sistemit, shfrytëzimi i fëmijëve, shpërfillja e pasanikëve ndaj vuajtjeve të varfanjakëve. Të tilla skena hasen te Fjodor Dostojevski (1821-1881). Tema e varfërisë përbën aspektin kyç të krijimtarisë së tij. Në romanet dhe tregimet e veta, Dostojevski përshkruan jo vetëm varfërinë e njerëzve të rrogozit, por edhe gjendjen e tyre shpirtërore.

Fotaqi zotëron një pasuri të madhe leksikore, e cila, siç dihet, në një vepër artistike luan një rol të jashtëzakonshëm për forcën shprehëse dhe figuracionin e saj. Një pasuri e tillë i ka krijuar mundësinë për të shfrytëzuar fjalë dhe shprehje sa më të larmishme, për t’i përcjellë lexuesit ide të shumëfishta. Pra, leksiku i autorit dallohet:

Së-pari, për larminë e fjalve. Gjuha shqipe është e pasur me fjalë të tilla, të cilat mund të shprehin të njëjtin kuptim, por me ngjyrime të ndryshme stilistikore, çka i ka dhënë mundësinë për të krijuar figura të goditura emocionale.

Së dyti, për morinë e sinonimeve. Një pasuri e tillë leksikore ka bërë të mundur që autori të përzgjedhë fjalët më të përshtatshme për përcjelljen sa më emocionalisht të mendimeve dhe të ndjenjave të veta.

Së-treti, për pasurinë frazeologjike. Gjuha shqipe është mjaft e pasur me shprehje të tilla, të cilat janë unikale në të gjitha stilet e ligjërimit artistik.

Së-katërti, për mjetet figurative. Pasuria leksikore e autorit përfshin në vetvete mjete të tilla figurative, si krahasimi, metafora, personifikimi etj., me të cilat ai ka krijuar figura mjaft të qëlluara, që i mbeten lexuesit të regjistruara në kujtesë.

Në këtë libër, autori ka krijuar mjaft fjalë dhe kompozita të reja, të cilat nuk hasen në asnjë Fjalor të gjuhës shqipe. Do të ishte me mjaft interes që ato të vilen nga ana e Institutit të gjuhësisë, sepse dihet shumë mirë që letërsia artistike është burim i pashtershëm për pasurimin e përhershëm të pasurisë leksikore të gjuhës.

Kaliforni, 23 gusht 2025

 

 

1 Comment


minush
4 hours ago

Spektri i njohurive dhe begatia si dhe nervi analitik, për lëvdata.

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page