top of page

Eshref Ymeri: Maratonat e ethshme të servilëve të Kadaresë



 

Në këtë botë secili ka caqet e veta, por jo gjithmonë e di se ku e kanë fundin. Na ka rënë rasti të kemi të bëjmë me ndokënd që dikur e ka kaluar masën, domethënë ka vazhduar të ecë përtej masës së arsyeshme, duke shkelur cakun e lejuar dhe duke u bërë tejet i bezdisshëm. Mund të thuhet se një qëndrim i tillë është shfaqje e egoizmit ose e një dëshire të pakontrolluar për t’u diktuar të tjerëve mendimet e veta. Por në këtë mes kemi të bëjmë edhe me diçka tjetër - me shkeljen e caqeve të hapësirës personale të dikujt tjetër. Sepse në qenien e kujtdo ekziston një territor i caktuar i tij, brenda të cilit ai e ndien veten rehat dhe kur dikush ia shkel caqet e atij territori, atëherë ai e ndien veten të vrarë shpirtërisht.

            Herë-herë, kalimi i masës gjatë trajtimit të një problemi, e ka burimin te disa arsye të brendshme, si vlerësimi i ulët i vetvetes, synimi për të nxjerrë në pah “meritat” e vetvetes, druajtja nga refuzimi i vlerësimeve të veta prej të tjerëve ose mosbesimi në aftësitë e veta. Por njerëzit e kalojnë masën edhe për arsye se mundohen ta mbushin boshllëkun që ndiejnë brenda vetvetes, me qëllim që të reklamohen si njerëz me peshë. Një dukuri e tillë vihet re sidomos në ato raste kur dikush bën vlerësime për një figurë mjaft të njohur, me shpresën për të fituar diçka nga fama e tij.

Më shumë se dy muaj më parë dhe pikërisht më 27 janar 2024, në gazetën “ExLibris” ishte botuar artikulli i dr. Bledar Kurtit, me titull “Kadareja është plotësia e trinisë kombëtare”. Aty ai deklaronte plot servilizëm:

            “Pa Ismail Kadarenë, letrat ndërshekullore shqipe do të ishin thjesht një holokaust mendimi dhe një abort intelektual”.

            Në gazetën “ExLibris” të datës 13 prill 2024, ishte botuar artikulli i Ilir Yzeirit, me titull “Kadare, Chronotope-ja që ka ngrirë tri minuta të një epoke”.

            Ashtu si në rastin e artikullit të dr. Bledar Kurtit, edhe artikulli i Ilir Yzeirit hapet po me një deklaratë serviliste:

“Libri i fundit i Kadaresë “Kur sunduesit grinden”, na dëshmon përsëri se shkrimtari ynë i madh është i vetmi artist që arrin të identifikohet me kulmin e artit të shkruar në shqip…”.

Servilët përdorin lajkat për të trokitur në portën e njerëzve të rëndësishtëm, me qëllim që ta nxjerrin veten në pah në sytë e opinionit shoqëror.

Kushdo që e zotëron zejen e kritikut letrar, ka se çfarë të shkruaj gjerësisht, deri edhe libra të tërë, për krijimtarinë letrare të Kadaresë, si një shkrimtar i  talentuar, për mjeshtërinë e fjalës së tij artistike, për pasurinë leksikore, për figurcionin artistik etj. Por të deklarosh (sipas dr. Bledar Kurtit) që pa Kadarenë letërsia shqipe do të ishte nja abort intelektual, apo të shkruash, si Ilir Yzeiri, sipas të cilit Kadarea na qenka i vetmi artist që arrin të identifikohet me kulmin e artit të shkruar në shqip, kjo  do të thotë ta kalosh masën shumëfish, duke fyer plejada të tëra poetësh dhe shkrimtarësh të talentuar, duke filluar nga Rilindja deri në ditët tona.

            Kaliforni, 13 prill 2024

18 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page