top of page

Ermira Jusufi - Avdiu:

  • Jul 25, 2025
  • 5 min read

 

Nga Ermira Jusufi - Avdiu 

 

 

 

ATDHEU ËSHTË ËNDRRA QË MË ZGJON  

 

Asgjë nuk më bën më të fortë 

Sa zgjimi me rrezet e agimit të parë 

Herake me vrullin e ditës së re 

Gjithë reliefin e Kosovës marr në shuplakë 

Dhe nisem zikzakeve të pakthyeshme 

Në rrugëtimin plotë ndalesa 

Këtyre shtigjeve që ndonjëherë më ngatërrojnë 

Pandalur vrapoj përtej cakut të ëndrrave 

Që pamëshirshëm më torturojnë  

 

Nga larg marrë udhë 

Shtegut të pafund të dashurisë  

Atje ndjenjë tjetër më pushton 

Asgjë s’më bën më të fortë 

Sa aroma e lirisë 

 

Atdheu është ëndrra që më zgjon  

Dhe ditën nga e para ma nis 

 

Espoon – Finlandë 

Më: 15.03.2025 

 

KTHEHEM ME MALL VICIANE* 

 

     - Monolog pas kthimit nga vendlindja -  

 

Përsëri kthehem, 

Me çantën gjysmë bosh, dhe me shpirtin plot dhimbje 

E mbushur me aromën e kalldrëmit të lagur nga shiu, 

Atyre rrugëve që i njoh me sy mbyllur, 

Të qytetit tim të lindjes, Vushtrrisë. 

 

Viciana e vjetër, 

Qyteti që mban gurët e kujtimeve të fëmijërisë, 

Atë zhurmë që s’ta krijon asnjë qytet tjetër, 

Dhe heshtjen që flet më shumë se miliona fjalë 

Të hedhura mbi letër. 

 

Ecja mes rrugicave më dukej si një përqafim i ngrohtë. 

Gjithçka më fliste me gjuhën e vet, 

Dera që kërciste nga era, trokëllimat e orës me tik-tak, 

Duhani i babës që përzihej me zërin e radios së vjetër, 

Edhe zëri i fëmijëve kur thërrisnin për lojën në sokak. 

 

Eh, familja… 

Në një tryezë ku ndihesh e plotë vetëm nga shikimet. 

Përqafimet e babës, me ashkla të forta malli, 

Fjalët e motrës që më bënin të qesh edhe kur syri më lotonte 

Dhe shikimi i vëllait që nuk flet shumë, 

Por e ndjen çdo gjë para teje. 

 

Kthehem tani në heshtjen e mërgimit, 

Ku gjithçka është ndryshe.  

Asgjë nuk zë vendin e asaj toke, 

Ku fjala “shpi” nuk e ka po atë peshë, 

E “familje” është zëri që e dëgjon nga larg,  

Veç përmes një telefoni. 

 

Po zemra ime, gjithmonë e prek mallin 

Kur kthehet, nuk do vetëm të shohë, 

Ajo do të ndiejë, 

Do të kujtoi… 

Do të preket çdo mur, çdo shteg, çdo gur…  

Do ta takon çdo gjë që frymon, 

Sepse, jo të gjitha vendet arrin t’i vizitosh në Vicianë 

Veç mes dashurisë së përhershme 

Me mall i përjeton. 

Espoon – Finlandë 

Më: 19.06.2025 

_______ 

*Vicianum - emërtimi i lashtë i qytetit të Vushtrrisë 

 

MBI QEPALLA TË ËNDRRËS 

 

Parakalojnë zogj e shtojzavalle 

Ia shqyejnë ëndrrës çarçafin e natës  

Nënkresë ia vënë një gur, rrokullisur shekujve 

Dhe ndërtojnë bedena kështjellash prej hijeve. 

 

Fuqishëm dëgjohen troke kuajsh 

Derisa zbresin nga betejat me hënën 

Që prishur ua ka melodinë e tërfëllimave  

Dihatja dëgjohet larg, tepër larg 

Deri në zhbirimin e veshëve të shurdhër 

Verbëri kohe që njeriu dot s’e ças. 

 

Mbi qepalla të ëndrrës 

Gjithçka parakalon nën ritmin e rizgjimit 

Dhe merr udhë me ferkun e ditës. 

 

PREJA GËRSHETIN FJALËS 

 

Preja gërshetin fjalës  

Se ditës i duhet guximi 

Ta arrijë zenitin e këngës 

Përfoljeve po u vjen trishtimi. 

 

Nëse unë jam shënjestra 

Shigjeta duhet vënë për faqe 

Ta pikasim cakun 

Për një adhurim fjale. 

 

Preja gërshetin fjalës 

T’ia hapim shtegun zemrës 

Trillimet nuk na duhen fare 

Mes brigjeve të dashurisë. 

 

Sot qenka ditë krejt ndryshe 

Mes nesh duhet vënë rrufepritës 

Syri i keq po gjezdisë 

Të na ndanë lojën në dysh. 

 

Të përgjërohem për të fundit herë:  

-Preja gërshetin fjalës 

Kohës i duhet gjak i ri 

Mes dy epokave të dashurisë!  

 

NË ARENËN E LOJËS  

 

Qëkur është shpërfaqur fjala: 

-Jonin e trandën erëra të skëterrës, 

Ndodhën pak shenja rikthimi 

Në valsin e jetës. 

 

Shtizat keqas thyhen 

Në arenën e plojës,  

Është çështje delikate 

Kapja e fillit të lojës. 

 

Tashmë shtigjeve të reja 

Iu mbyllen portat, 

Piratët hapën rrugë me farfurimë, 

Mes turma njerëzish në përballje 

Paqen mëtojnë ta arrijnë. 

 

Nata është trazuar  

Nga krikëllimë e Kalit të Trojës,   

Për kaq shekuj pritjeje që i vërsulen vdekjes, 

Fortunë e papritur në çelje të ditës 

Shpërfaq shenja jete. 

 

Në përqafim të fitores 

U shembën idhuj e legjenda, 

Me bekimin e Trojës, 

Përfundimisht për Jonin 

Mbyllet arena e lojës. 

 

Qëkur është shpërfaqur fjala: 

-Jonin e trandën erëra të skëterrës, 

Pak shenja rikthimi ndodhën 

Në valsin e jetës. 

 

DUA TA MBYS VETMINË  

ME NJË PËRQAFIM TË RI 

 

Disa dashuri s’ka nevojë të gjenden pranë  

Ato bashkëjetojnë edhe në mungesë 

Por, asnjëherë jeta nuk i ndanë 

Në përqafim i lidh fjalë e besë. 

 

Me ndjenjë shpirti të prek 

Pafundësisht të adhuroj 

Në çdo hap hija jote më ndjek 

Patjetër një ditë do të takoj! 

 

Të dua në mënyrën më të çiltër 

Edhe në heshtjen e natës të kërkoj 

Frymëmarrja jote më mbanë gjallë  

Me mall zemre të përjetoj. 

 

Çdo natë kur qetësia bie mbi botë 

Mendimet më çojnë te ti 

Dua ta mbys vetminë  

Me një përqafim të ri. 

 

E VOGËL ËSHTË KJO SHTËPI  

 

E vogël është kjo shtëpi 

Ndërtuar prej ëndrrave dhe lotëve 

Që ndryjnë mallin e shekujve 

Në Kutinë e Pandorës. 

 

Veç sa një kasolle është 

Nuk mjafton hapësirë e saj 

Për dëshirat që më shpiejnë gjithkah 

Prej nga mbledh buqeta premtimesh 

Të stolis Pallatin e dashurisë. 

 

Kjo shtëpi është tepër e vogël 

Për adhurimet që gufojnë në jetën time 

Për një shekull dashuri. 

 

Këtu krejtësisht e vogël është shtëpia 

Të ulem mespërmes zemrës sime 

Ku tjerren vargje shtegtimi 

Në shtjellën e kujtimeve 

Aty ku brishtësia e ëndrrave 

Kërkon madhështinë e qëllimit.  

 

Kjo shtëpi është e vogël 

Për të gjitha adhurimet e mia 

Në agsholin e lumturisë 

Mall pikon çatia. 

 

Vërtetë, shtëpi e vogël 

Për shtegtimet e mia. 

 

KAH LUNDROJNË KËTO GJETHE 

 

Vjeshtë e vonë para acarit 

Suprinë uji të trazuar 

Kah lundrojnë këto gjethe,  

Në farfurinë e erërave 

Kahmot s’i kemi takuar. 

 

Në rrugëtim me vjeshtën 

Mbi shpatulla kohe lundrojnë 

Pëftojnë me erërat 

Kohë e çoroditur 

Shemb iluzione dite 

Kjo stinë e harlisur. 

 

Mbi lundrën e kohës 

Nuk i ndalon asgjë 

Kah lundrojnë këto gjethe 

Herë qetas shtrijnë krahët 

Herë mbi ujëra të rrëmbyeshëm 

Acareve të harlisura 

Pehaten pa ia nda. 

 

PRANVERË MBI DETIN E TRAZUAR 

 

Fillim pranvere me puhizë të lehtë, 

Veç dallgët e detit përplaseshin në breg, 

Herë det i trazuar, herë pehatje e qetë. 

Dy zemra të ndezura, një mall po i djeg. 

 

Në dhomën tonë, tinëzisht nata përgjonte, 

Jashtë deti fliste, sikur na thërriste në shoqëri, 

Si dashnor xheloz rrihte mbi shkëmb, 

Dhe mbështillte brigjet me klithmat e tij. 

 

Nën atë strehë mes ëndrrash të nxehta, 

U humbëm në valët e një nate të gjatë, 

Frymëmarrjet tona të lehta i përpinte deti, 

Gjithçka tjetër shuhej, veç ne digjeshim flakë. 

 

 MALL I PASHUAR 

 

Mbi rrugët e huaja hapat i treta, 

Me mall në zemër e shikim të ngrirë. 

Në çdo frymëmarrje Kosovën gjeta, 

Në çdo kujtim që s’munda ta fshij. 

 

Era ma sjell zërin e nënës, 

Në ëndërr më flet si dikur. 

Një lot i heshtur, një fjalë e thyer, 

Një pritje e gjatë pa fund. 

 

Kurbeti i ftohtë më rri mbi supe, 

Si borë që kurrë s’shkrin mbi dhe. 

Por shpresa rritet, si rreze dielli, 

Se një ditë do kthehem patjetër në atdhe. 

 

Espoon – Finlandë 

Më: 25.06.2025 

 

 

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page