Erinda Medolli: NGA LËKURA IME PËR GRUAN
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 5 hours ago
- 2 min read

NGA LËKURA IME PËR GRUAN
Nga lëkura ime ti shkruaj këto fjalë,
Me plagët që s’shihen, po djegin ngadalë.
Nga buzëqeshja ime e thyer, çdo natë,
Heshtja bërtet më shumë se çdo zë i lartë.
Dita të rit fëmijën me zemrën copëtuar,
Nga vetja i jepja dashuri në një shtëpi të pandriçuar.
Kur trupi më dhimbte, përsëri qeshja,
Ku çdo ditë shtypesha, prap qëndroja e heshtja.
Më thyente me fjalë, e plagët s’mi qepte dot koha.
Dhe duart e tij s’u bënë kurrë strehë për mua.
Nuk diti të më japë asnjë pikë dashuri
Vetëm më gërvishtëte zemrën sikur mos isha njeri.
Më shihte si pronë, jo si shpirt që ëndërron,
Si shërbëtore, jo si gruan që meriton.
E prapë unë luftoja, çdo ditë e më shumë
Që fëmija të mos e mësonte këtë dhunë.
Dhimbja s’kish zë, por trupi fliste,
Në rrahje, në fyerje, në sytë e lodhur.
Unë jepja gjithçka, ai kurrë s’më pa,
Ma përbuzte dashurinë dhe shpresa dalëngadalë u tha.
Nga kjo lëkurë që ka mbajtur aq shumë,
Po ngre zërin tim për të gjitha ato gra.
Për ty që hesht, për ty që nuk ke guxim,
Për ty që vuan dhe nuk gjen shërim.
S’je më pak, s’je faj, nuk je për dhunim
Ti je grua – një botë që meriton dashurin.
Mos harro, je e bukur, e fortë, e vërtetë,
Nga lëkura ime – zëri yt sot le të jetë.
GRUA- ZEMRA QË S’PUSHON
Vjen me librin e saj më të ri poetik “Grua – Zemra që s’pushon”. Një vëllim i ndjerë e frymëzues, kushtuar gruas në çdo dimension të saj – si nënë, bijë, motër, bashkëshorte, krijuese dhe qenie e dritës. Poezitë e këtij libri janë një rrëfim zemre, një udhëtim i brendshëm që shpalos forcën, dhembshurinë dhe kurajon e gruas që, edhe kur bie, ringrihet me dashuri.
Në to gjen butësinë e fjalës dhe thellësinë e përjetimit, ndjenjën e një gruaje që e njeh mirë dhimbjen, por nuk harron kurrë të falë dritë.
⸻
“Grua – Zemra që s’Pushon” është një udhëtim poetik kushtuar gruas — asaj që mban botën mbi shpatulla, që dashuron, sakrifikon dhe ringrihet çdo herë më e fortë. Është një përulje ndaj shpirtit të saj të pashtershëm, ndaj zemrës që rreh pa pushim, pavarësisht plagëve, kohës apo heshtjeve. Në këto vargje jeton zëri i secilës grua,një mozaik ndjenjash që lindin nga përvoja, forca dhe butësia e saj njerëzore. Ky libër nuk është vetëm një përmbledhje poezish, por një frymëmarrje e brendshme, një thirrje për të mos harruar fuqinë e dritës femërore që ndriçon edhe në ditët më të zymta. Për ta shoqëruar këtë prezantim, zgjedh poezinë “Nga lëkura ime për gruan”, (një poezi që flet me ndjenjë e dhimbje, me mall e forcë — si vetë gruaja që nuk ndalet kurrë së dashuruari, së ndërtuari e së jetuari me dinjitet.)
Comments