top of page

ELEZ ISUFI, HARUSHA E MALIT, FORT PO I VRET ASQERT E KRAJLIT


Abdurahim Ashiku

Me rastin e 95 vjetrit të rënies

ELEZ ISUFI, HARUSHA E MALIT, FORT PO I VRET ASQERT E KRAJLIT

Nga Abdurahim Ashiku

Gazetar Athinë, 24 dhjetor 2019

Një shkrim imi vite më parë... Një portret historik nga Haki Stërmilli në librin në dorëshkrim “Dibra në prak të historisë” Dhe një portret luftarak për demokratin e madh dibran nga historiani Kristo Frashëri në “Historia e Dibrës”...

Shënim: Sot, 24 dhjetor 2019, në 95 vjetorin e triumfit të armës serbosllave mbështetur në shpinën e kërrusur të tradhtisë më të madhe historike shqiptare, një pinjoll i Legalitetit brohoriste faqeve të disa gazetave të shkruara për triumfin e “Legalitetit”, për sjelljen në fron të Ahmet Bej Zogollit, fron i larë me gjakun e demokratëve të mëdhenj shqiptarë të asaj kohe, që po qe se do të kishte triumfuar, tjetër do të ishte Shqipëria sot. E si për ironi të kohës, asnjë gazetë e shkruar, asnjë veprimtari historike për martirët e Revolucionit Demokratik të Qershorit 1924 nuk bënte shkronjë faqeve të gazetave dhe fjalëve në ekrane... Nga Larg, nga Athina, ku i syrgjynosur jam prej afro një çerek shekulli, e quajta detyrim shpirtëror e atdhetar të shkruaj pak rradhë për një nga heronjtë popullor të mbrojtjes së revolucionit, hero që kurrë nuk iu dha titulli i madh...

* * *

“GJENERALIN ME SHAJAK” ELEZ ISUFI E VRAU PLUMBI I ANTIDEMOKRACISË

Ai hyri në odën e madhe të kujtesës popullore dhe bëri “kryevend”. Për të thuhet se “qe një burrë dibran me karakter të shqiptarëve të hershëm e me atdhedashurinë e fortë që nuk iu përkul as forcës brutale e as arit të huaj. Ai ishte një trim e mendar, ndër të parët patriotë të maleve tona e me Islam Spahinë e Lumës e Bajram Currin e Kosovës përbajshin një trini pleqsh dhe të papërkulshëm me karakter çelikut e që mendërisht e materialisht kishin mbajt ballinën e fortë nacionale” Për kë janë këto fjalë që gazeta “Liria Kombëtare” na i përcjell për ti dhënë në ballinën e kohës? Janë për trimin dibran Elez Isufin. - Mendoj që bjeshkët e Sharrit t’i mbeten Serbisë, - i tha në ’13-tën në një bisedë një diplomat anglez. - Shqipnia nuk asht çifligu em, prandaj kte fjalë mos ma ze ma me gojë se prishemi, - i tha Elez Isufi. Elez Isuf Ndreu lindi në Dardhë të Dibrës. Dita kur vdiq është fiksuar në dy momente: 17 dhjetori kur mori plumbin e antidemokracisë dhe 29 dhjetori 1924 kur në kullën e tije në Sllovë pushoi zemra e tij. Pesë ditë më parë, më 24 dhjetor 1924, në Tiranë kishte pushuar zemra e demokracisë së madhe shqiptare, që në historinë e popullit tonë njihet me emrin “Revolucioni i Qershorit 1924”. Protagonist në rrjedhë të ngjarjeve që çuan në fitoren e këtij momenti të rëndësishëm demokratik ishte edhe Elez Isufi. Në mbrojtje të tij ai fali jetën. Në rrjedhën e 63 vjetëve të jetës së tij ka shumë kulme, njeri më i lartë se tjetri, njeri më trimëror se tjetri. Ishte i pa shkollë, por Oda Dibrane, auditor i “Universitetit të Dibrës” dhe fusha e luftës do ta pajisin me dijet e një universitari dhe trimërinë e strategjinë e një gjenerali. Për të parën historia do të gdhendte në kujtesën e popullit fjalën e tij të urtë që ndante kanune, shëronte plagë e afronte njerëz. Për të dytën, trimërinë e pashoqe, populli do ti jepte gradën e madhe “Gjenerali me Shajak”. Imperatori i Austro – Hungarisë më 17 dhjetor 1917 në një takim të veçantë do ti jepte, me një dekret të posaçëm, urdhrin “Franc Jozef Orden”, dekorata më e lartë që u jepej në atë kohë gjeneralëve e strategëve. Urdhrat dhe duqit me florinj, fjalët e bukura dhe premtimet nuk do ta joshnin kurrë këtë burrë të maleve të Dibrës, këtë gjeneral të shquar të luftës për liri e demokraci. Ai do të përgatiste fitoren historike të shpalljes, mbrojtjes e konsolidimit të Pavarësisë të 28 Nëntorit 1912. Më 22 shtator 1913, në kryengritjen e madhe popullore të Dibranëve kundër pushtimit serb pushka dhe thirrja “Besa-besë” do të jehonte në Dibër e Lumë për tu përcjellë më pas në momente të tjera të historisë së kësaj treve, në shpartallimin e forcave serbe në shtatorin 1913, në kryengritjen e 16 gushtit 1920, në përballimin e rrebeshit serb më 1920-1921, në konsolidimin e pavarësisë kombëtare dhe në ruajtjen e tërësisë tokësore të atdheut. Kontribut të shquar dha Elez Isufi në organizimin e lëvizjes së madhe 1922 e në veçanti në revolucionin demokratik të vitit 1924. Ai u bë mbështetës me fjalë dhe me armë i qarqeve politike progresive të kohës të kryesuar nga Fan Noli, Bajram Curri e shokë të tjerë. Me idealet e demokracisë në zemër, Elez Isufi luftoi derisa u vra në luftë për mbrojtjen e demokracisë nga kundërrevolucioni i dhjetorit 1924. Jeta dhe vepra e Elez Isufit nderon kombin tonë. Populli e nderoi gjithnjë ndonëse propozimet që Elez Isufi të shpallej “Hero i popullit” kanë ndesh në vesh të shurdhër në piramidën e lartë shtetërore. Emri i tij duhet të ngrihet në lartësinë që i takon pa asnjë vonesë, ndërkohë që propaganda për elektorat me figurën e Elez Isufit është një abuzim historik. Jeta dhe vepra e tij janë një mesazh qëndrimi mbarëkombëtar pa dallime partiake e bindjesh ideologjike.

NË NA NGUCSHI TEPËR QENKA THANË QË NE TË MBETEMI PA SHTËPIA E JU PA KOKA.

Eles Isuf Ndreu leu më 1861 në katundin Dardhë të Dibrës.

Elez Isufi i përshkruar nga shkrimtari demokrat Haki Stërmilli – dëshmitar i kohës. Në qershor të vitit 1912 Elezi u bashkue me kryengritsat që u tërhoqën nëpër male për me kërkue e sigurue të drejtat kombëtare shqiptare. Me fuqina të konsiderueshme që udhëhiqte muer pjesë në të gjitha kryengritjet e bame në Dibër kundër serbëve, më 1912, më 1913, më 1916 dhe më 1920. Në fillim të vitit 1916, kur ushtritë serbe ikshin për Itali, Elezi i mësyni dhe, në luftën që u zhvillue në Qafë të Trojakut, i shpartalloi duke u shkaktue dëme të mëdha në njerëz e material. Për kët shkak, ma vonë, Austriakët e nderuen Elezin tue i dhanë dekoratën “Franc Joseph Orden” Mbas humbjes së ushtrisë Austro-Hungareze e kthimit të serbëve më 1918, serbët i propozuen Elezit që të bahesh komandant i fuqive mercenare qysh nga Ura e Spiles e deri tek Ura e Vezirit, por ai s’pranoi. Propozime të ndryshme iu banë dhe shpërblime të mëdha iu premtuen Elezit prej Sërbëve, por ai i refuzoi të gjitha. Në një bisedim që pat me nëpunësin politik të Sërbisë Nikollën, i tha Elezi: “Në na ngucshi tepër qenka thanë që ne të mbetemi pa shtëpia e ju pa koka”. Mbas këtij kuvendi Sërbët rishtazi iu kërcënuen Elezit tue sjellë fuqina të mëdha afër shtëpiave të tij dhe tue i ngre topat kundër tyne. Për këtë shkak Elezi mblodhi, për gjithë natën, nji fuqi prej ma shumë se njimij vetash dhe, mbasi i shtrëngoi Sërbët me u largue, u arratis bashkë me familje. Më 15 gusht 1920, kur plasi kryengritja e Dibrës kundër Jugosllavëve, Elezi luejti nji rol kryesuer tue e dhanë kontributin e vet në çdo pikëpamje. Më 1921 në luftën që u zhvillue për tre muej rresht në malet e Lurës ndërmjet Jugosllavëve e Shqiptarëve, Elez Isufi i dha armikut grusht të fortë. Shkollën shqipe në katundin Sllovë, disa vjet me rradhë , e mbajti me shpenximet e veta tue i pague rregullisht edhe rrogën mësuesit të saj Haki Sharofit. Më 17 Dhetuer 1924, tue luftue kundër mercenarëve t’Ahmet Zogut që e invadoi Shqipnin nga ana e Jugosllavisë, ra dëshmor në Peshkopi bashkë me nipin e vet Suf Xhelil Ndreu. Haki Stërmilli- “Dibra në prak të historisë”, dorëshkrim, faqe 115

VRASJA PAS SHPINE E UDHËHEQËSIT DIBRAN TË DEMOKRACISË

Fragment nga “Historia e Dibrës” të historianit Kristo Frashëri

Në sektorin e Dibrës, forcat reaksionare e shkelën kufirin shqiptar më 14 dhjetor 1924, nga ana e Gollobordës, si duket me qëllim për të krijuar përshtypjen se synimi i tyre ishte Elbasani. Në fakt dredhia pati sukses, sepse shtatmadhoria shqiptare, i përqendroi forcat e vete në jug të Dibrës së Epërme. Por dy ditë më vonë, më 16 dhjetor hordhitë kundërrevolucionare zogiste, të shoqëruar nga disa qindra artiljerë vrangelistë, sulmuan në drejtim të veriut për të pushtuar sa më parë Peshkopinë, ku qenë grumbulluar me qindra vullnetarë malësorë, fshatarë e qytetarë me Elez Isufin në krye, të vendosur për ta mbrojtur Revolucionin e Qershorit. Atë ditë, më 16 dhjetor 1924 zëvendës prefekti i Peshkopisë njoftonte telegrafisht Ministrinë e Punëve të Brendshme në Tiranë se “paria e vendit tradhtoi dhe u lidh me Ahmet Zogun”. Gjithnjë sipas zv. Prefektit, Elezi kishte thënë “paria e gjitha na tradhtoi”. Isuf Elezi me luftëtarët e vet të Reçit e të Dardhës ndodhet në Peshkopi, kurse të armatosurit po i drejtohen qendrës së prefekturës nga tri drejtime: Golloborda, Maqellara, Skërteci. Marshimi i forcave kundërrevolucionare shërbeu si sinjal për krerët konservatorë të brendshëm, të cilët filluan të qëllonin prapa krahëve batalionin qeveritar të ngarkuar për të mbrojtur kufirin në këtë anë. Batalioni u ndodh kështu midis dy zjarreve. Së bashku me to u bashkuan me forcat zogiste edhe dy dhëndurët e Elez Isufit. Forcat e pakta të batalionit qeveritar nuk qenë në gjendje ta mbronin kufirin aq më tepër kur në çastin vendimtar atë e braktisën disa nga oficerët e saj, njeri nga të cilët ishte Taf Kaziu. Po atë mbrëmje forcat kundërrevolucionare zunë pozicione ballë për ballë Peshkopisë. Shtatmadhoria e Tiranë as tani nuk i lëvizi repartet e veta nga Golloborda për tu rënë hordhive kundërshtare prapa krahëve. Sulmi i forcave zogiste të paraprirë nga artileria e vrangelistëve, filloi në agimin e ditës së nesërme, më 17 dhjetor. Disa qindra malësorë trima, të udhëhequr nga Isuf Xhelili, luftuan me trimëri të rrallë në kodrat e Peshkopisë duke i zmbrapsur disa herë sulmet e disa mijëra kundërshtarëve. Por në mbrëmje situata e tyre u keqësua, sepse Murat Kaloshi e Myftar Kaloshi, të cilët sapo ishin bashkuar me kundërrevolucionin filluan të qëllonin prapa shpine ish - aleatët e tyre. Kjo i detyroi mbrojtësit e revolucionit të tërhiqeshin nga pozicionet e avancuara dhe të përqendroheshin rreth kazermave të Peshkopisë. Gjatë një sulmi të tërbuar të forcave kundërshtare u vra duke luftuar Isuf Xhelili. (Isuf Xhelili ishte i biri i Xhelil Ndreut, vëllai i Elez Isufit i cili njëkohësisht mbante dhe mbiemrin Isuf Ndreu nga familja e Ndrejve të Sllovës (Peshkopisë) Isuf Xhelili sipas shkrimeve që ka lënë Haki Stërmilli, lindi në Sllovë në vitin 1886. Dibranët e çmonin si patriot trim dhe përparimtar. Shtojmë me këtë rast se biri i tij ishte Dali Ndreu gjenerali i njohur i ushtrisë antifashiste nacionalçlirimtare, i cili u ekzekutua së bashku me të shoqen Liri Gega nga regjimi komunist më 1956). I egërsuar në kulm, Elez Isufi e la pozicionin e vet dhe vrapoi në vendin ku u vra nipi i tij. Pikërisht në këtë çast, atij i erdhi prapa një plumb i pabesë. Plaku i Sllovës u plagos rëndë. Malësorët prisnin që udhëheqjen e rezistencës ta merrte në dorë biri i tij, Cen Elezi. Por Ceni, të cilin e kishte pushtuar shpirti i kapitullimit, urdhëroi ndërprerjen e luftimeve. Gjatë natës, malësorët u tërhoqën nga Peshkopia duke marrë me vete trupat e të vrarëve dhe shokët e plagosur së bashku me Elez Isufin, i cili pas dhjetë ditësh vdiq nga plagët e rënda në Sllovë. Të nesërmen, më 18 dhjetor 1924 forcat kundërrevolucionare hynë në Peshkopi. Pas dy ditësh pjesa më e madhe e tyre u drejtua për në Tiranë, të cilën e shtinë në dorë më 24 dhjetor 1924... (Kristo Frashëri, “Historia e Dibrës” f. 387-389)


36 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page