top of page

“Ekspresioni shpirtëror” ...



Tema: “Ekspresioni shpirtëror” përmes elementeve meditative, në poezinë e Loreta Schillock.

Perceptimi i poezisë, përmes imazhit të shkrimit dhe leximit, që gjenerohet përmes zërit të poetit, dhe konteksteve tekstuale, ku refrencat dhe sistemet semiotike joverbale, mund të luajë funksione të ndryshme, ku krijimi i një gjendjeje shpirtërore të caktuar, shpreh reagimin subjektiv të poetit ndaj ballafaqimit të tij me tekstualitetin. Poezia, ka efekt poetik dhe estetik tek lexuesit, se ajo vishet me një lloj imazhi të pikturuar (Rrahmani: 2003:132). Semantika e poezisë është zëshmëria lirike, si dominancë narratoriale, që është “autori”, duke lidhur arkitekturën e brendshme, me receptimin e jashtëm (pra lexuesin), përmes lidhjes me përbërjen e strukturës së përgjithshme të poezisë. Duke strukturuar efektin e kohës së shkrimit në librin “Shtegtim vargjesh” (Schillock: 2023), një poezi ku poetia ka strukturuar imazhin e kohës poetike, si një rikthim në kohën shkollore. Poezia e saj, ka një konotacion të shkrirjes së imazheve dhe kujtimeve mes vetvetes dhe përtej, përmes emocioneve meditative.

Brenda poezisë dallojmë:

a) struktura emocionale dhe gjendjet e trazimit përmes ekspresionit të natyrës,

b) dimensioni i botës poetike në kontekst me ballafaqimin me vetveten,

c) trajtat e vetërrëfimit poetik,

d) aspekte ekzistenciale të jetës përmes paradoksit,

e) akti i njohjes së unit poetik nëpërmjet të huajit,

f) format e qenies së njeriut si individ dhe si poet,

g) evidentimi i përjetimeve dhe përvojave emocionale.

Poetika individualiste përmes vargjeve: në të ka mbetur pak hare për mua,/mos më zgjo!/Qesh, vazhdo!/Në të ka mbetur pak pikëllim për mua,/mos më zgjo!/Qaj, vazhdo!/Në ke një lule për t’më dhënë,/një fjalë për t’më thënë,/mos më zgjo!, nga poezia: “Mos më zgjo”. Përsëritja në formë tercine e togut foljor: [mos më zgjo!,], duket sikur lidhet me numrin tre, një sinonim biblik: [gjeli këndoj tri herë], ku tradhëtohet Krishti. Poezia, tani është e lidhur në masë të madhe me lirikën moderne, ku kuptimi i rrëfimit zvogëlohet, kuptimi i shprehshmërisë zmadhohet, lidhur dhe me fenomenet e strukturës së modeluar, përmes ndikimit të imazheve që përmirësojnë narrativën e përgjithshme, se vetë niveli i lirizmi, përshkohet nga fenomene të modernizmit (Eagleton: 2006: 43).

Procedimet poetike përmes situatave estetiko-kulturore sjellin:

- ngarkesat konotative,

- shenjëzimet polisemiko- poetiko,

- strukturimi i situatave të veçanta,

- shtresëzimi i metafora të njohjes (përtej)vetes,

- shestimi i kohës reale përmes narracionit,

- shpërfaqja e ekpresionit figurativo-lirik,

- dimensioni i perispektivës meditative,

- mëdyshjet morale dhe situata paradoksale në dykohësi.

Plani sematik i gjithë tekstit poetik, sendërtohet mbi dy shtylla simbolike:

A. simbolika e gjetjes së vetvetes dhe vetënjohjes: (duke kërkuar identiten dhe unin poetik

ajo sendërton një botë tjetër, përtej asaj që jeton në përditshmëri, botën surreale të poezisë, larg dhe afër, brenda dhe jashtë kujtimeve të saj, qoftë edhe për gjëra të vogla), nëpërmjet vargjeve: në prag të pritjes tu ula/puhiza t’më vërtiste ngado./Luhatjes s’munda t’i shmangem/dhe mallit s’ju mbajta dot:/ përvëlonte zjarrë. Ajo identifikon veten, pasi poezia “manipulon” të dyja kuptimet specifike: vetënjohjen dhe mosnjohjen, bashkë me lirshmërinë e asociacioneve të fjalëve, ku edhe prozodia bashkëvendoset me ndërtimet sintaksore, përtej artit të rregullimit të fjalëve si fuqi ndikuese (Wolosky: 2001: 198), në të gjitha format e poezisë, ku “manipulohet” gjuha:

B. simbolika e kohë së “humbur” dhe lirisë: (situata paradoksale apo edhe gjendjet

shpirtëroe/peotike, familjare/vetmitare, shoqërore/sociale, përkundër lirisë), nëpërmjet vargjeve: kam heshtur në valën /e ngacmuar nga kujtimi./Kam përbuzur/miliona zëra nate./Jam zënë në qiejt / për pak hapësirë./Kam kërkuar ... /E çfarë më shumë/se të isha e lirë?!, nga poezia: “Ç’kam kërkuar ... ?!”, ajo “flirton” për lirinë e vetvetes, që “çlirohet” nga vetëtrysnia e brendshme, e shtypjes së lirisë, përtej të gjitha klithmave, frikrave, dilemave, hamendjeve, pikëpyetjeve, pse-ve, ikjeradhjeve nga vetja dhe (përtej)vetes. Imazhet figurative ngatërrohen me realitetin. Imazhet janë arsyeja themelore e ekzistencës së poezisë, edhe përkundrejt: kënaqja e prirjes sonë, ndoshta vetë nevojës themelore, për të shpikur gjërat (pra përmes mimesitit), por përmes poezisë, lexuesi mund të thotë se zgjeron kufijtë e realitetit, duke na mundësuar të njohim boshllëqet e një poezie, që të jetë një tërësi harmonike, përmes vlerave tematike (Culler: 1975 :171). Struktuka poetike, në nivelin e imazhev të mirëfillta ëhstë vetem një lloj veli që ka veshur poezia, rikrijimi i gjendjeve shpirtërore, si një aspekt tërëson i natyrës mendimeve tona, krijojnë një realitet bazë, të një figuracioni të realitetit përmes lirisë imagjinative dhe imazheve reale (Ferber: 1999: 48). Vërtet, shumë poezi e bëjnë të vështirë dallimin ndërmjet figurave dhe të fjalëpërfjalshme. Çfarë është e vërtetë, dhe çfarë është thjesht e sajuar? Vargjet: vjen zhubravitur mendimesh/për çast/ndaloj të të prek/të ndjej ofshamën plot epsh që dridhshëm belbëzon në vesh tingujt/nanurisës të gjumit/të përhershëm atje/në zhubravitje mendimesh, stili poetik “farkëton” një realitet dhe kohën e një lirizmi individualist, që vazhdimisht e shtyn njeriun në një tjetër botë, shumë ndryshe nga vetë ai/ajo, apo bota që është, bota empirike, sipas skemave të pavetëdijshme të transformimit të botës reale në botën poetike, nëpërmjet gjuhës së letërsisë, një gjuhë e veçantë e organizmit gjuhësor brenda veprës letrare (Rrahmani:2005:120). Intuita lirike, shumë herë na bën të njohur, dallimin mes të veçantes dhe konkretes, duke krijuar frymën e kohës së krijimit, përmes trajtave dhe imazheve femërore, pra edhe me procesin e zbulimit të individualitetit nëpërmjet animas (imazhi i shpirtit të njeriut).

Sëfundmi: poezia e Schillock, karakterizohet nga një zë i brendshëm, por edhe me dilemat e fatit, ku jeta bëhet një frymëzim poetik metaforial, për të rrëfyer edhe humbjet, edhe dhimbjet, edhe të vërtetat, përpos artit shkrimor të letërsisë si shqipëruese (nga shqipja në gjermanisht), tashmë edhe si poete. Nuk mëton, të proklamojë një “poezi të madhe”, por vargje të thjeshta me gjuhë shpirti duke kapërcyer vetveten. Ndoshta, në një kohë tjetër, poezia e saj do vijë më e pjekur dhe më me shumë thurima dhe modele post/moderne, si një mision i pakryer ende, për poeten- përkthyese dhe anasjelltas.

BIBLIOGRAFIA:

1. Culler, Jonathan. (1975): Structuralist Poetics: Structuralism, Linguistics, and the Study of Literature.

London: Routledge.

2. Eagleton, Terry. (2006): How to Read a Poem. Oxford: Blackwell.

3. Ferber, Michael. (1999): A Dictionary of Literary Symbols. Cambridge: Cambridge University

Press.

4. Rrahmani, Zejnullahi. (2003): Leximi dhe shkrimi, “Faik konica”, Prishtinë.

5. Rrahmani, Zejnullahi. (2005): Teoritë moderne letrare, “Faik Konica”, Prishtinë.

6. Schillock, Loreta. (2023): Shtegtim vargjesh, “Onufri”, Tiranë.

7. Wolosky, Shira. (2001): The Art of Poetry. New York: Oxford University Press.


35 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page