top of page

Ejup Ajdini: Pse “vdesin” partitë shqiptare


 

OPINION

(Metamorfozë politike)

 

Miti për partitë politike pas viteve 2010 e këndej ka vdekur. Miti thuaj se i pavdekshëm ishte Partia e Punës së Shqipërisë dhe partitë komuniste në disa shtete evropiane e më gjerë. Tani më nuk kemi ndonjë romantikë, qoftë edhe e rrejshme, për partitë demokratike të kësaj kohe, apo më mirë me thënë për demagogjitë e kohës moderne. Një idile romantike kishim në dekadën e parë të viteve ‘90-ta e deri në dekadën e parë pas luftërave të OÇK-së në Republikën e Kosovës, të Maqedonisë së Veriut dhe atë të luginës së Preshevës. Për këtë dëshmon formimi i madh i partive politike në botën shqiptare, nga të cilat shumica kanë pësuar vdekje klinike. A sa i përket partive politike që jetojnë dhe veprojnë sot, ende nuk dihet se cila parti do të jetoj gjatë e do të krijoj histori, pasi shumica e tyre kanë vdekur, kurse ca të tjera janë në gjendje kome.

 

Nga fillimet e demokracisë e deri në fund te vitit 2025 u formuan me dhjetëra a parti politike, nga të cilat një numër tepër i madh prej tyre, jo vetëm që janë harruar, por edhe nuk përmenden. Disa nuk përmenden edhe për të mbetur në listat e partive politike në tërë botën shqiptare. Disa prej tyre mundohen të mbijetojnë duke u bashkuar me partitë më të mëdha. Kjo u pa edhe me partitë politike në zgjedhjet e fundit në Republikën e Kosovës dhe ato në Maqedoninë së Veriut. Dekadat e fundit partitë e vogla sillen rreth dy partive më të mëdha politike, gjë e cila dëshmon për një vetëdijesim që tregon se nuk është lehtë të organizosh një subjekt politik, veçmas në rrethanat tona ballkanike. Populli thotë: E pa breshka se mbathet ati, pastaj edhe ajo e ngriti këmbën. Ata jo që bënë diçka për vendin dhe për popullin, ata edhe për vete nuk arritën të mbijetojnë, bile në raste të caktuara ishin edhe të dëmshme, duke sjellë përçarje në mes partive më të mëdha, pasi për mungesë të njerëzve pranuan edhe njerëz me të kaluara të dyshimta... që në disa raste ikën edhe të kompromentuar.  

Paradokset për të bukurën, të ulëtën dhe të shëmtuarën politike 

Për të thënë të vërtetën, duke analizuar këto fenomene, menjëherë na shkon mendja te romani i Dritëro Agollit SHKËLQIMI DHE RËNIA E SHOKUT ZYLO. Partitë në krye me njerëzit e caktuar, kuptohet se ata insistojnë të vijnë në pushtet, por për aktivistët dhe masat që merren me partitë politike kanë rënë në konfuzion mendor, pasi për ata që janë rreth kulaçit gjithçka është normale, por për të tjerët del se bëjnë punë angari. Bile shpesh injorohen e ofendohen nga lloji i vet dhe këtu fillon rënia e Shokut Zylo. Me rënien e shokut Zylo, fillon teposhtëza  e një subjektit politik, apo edhe një lideri politik. Këtë gjendje të rënduar të një subjekti politik mundohen ta rikthejnë përmes kuvendeve e deri te Kongresi i Partisë së caktuar. Aty, brendapërbrenda llojit bëhen ndërkëmbëza dhe shpesh njerëzit më të aftë e më të përshtatshëm për shoqërinë, dalëngadalë i largojnë dhe formohen grupe hajnash, të cilët verbërisht premtojnë shumë, por populli i njeh kur ata dalin në teren dhe vjen deri te dështimi i plotë. Pra, nga dështimi i një subjekti politik, marrëzirat brenda llojit e deri te përçarja e thellë, nga e bukura e dështuar prodhohet e ulëtën dhe nëse nuk ka ngritje, atëherë del në shesh e shëmtuara e një subjekti politike, ose e një grupi njerëzish në atë subjekt partiak. Populli thotë u dalin të palarat.

Nuk do shumë mend se gjatë veprimtarisë politike e shoqërore, partitë politike bëjnë gabime dhe lëshime të shumta në shumë fusha të jetës. Gjatë tentimit për reforma dhe për ta bërë më të suksesshme partinë e tyre politike, ata e humbin origjinalitetin e subjektit të tyre politik dhe kështu ata shndërrohen në një metamorfozë të parikuperueshme. Kësisoj e shtyjnë pulën në prush për ta pjekur dhe pastaj ta hanë me lezet, por në ndërkohë pula nën saç ka pësuar metamorfozë dhe është shndërruar në breshkë dhe sado e pjekur mirë, breshka nuk hahet.

 

Pse partitë politike shqiptare nuk rikthehen në pushtet

Sa i përket ringritjes së një subjekti politik, përvoja 35 vjeçare ka treguar se në botën shqiptare ende asnjë parti politike që ka rënë një herë nga pushteti, ai subjekt nuk është rikthyer asnjëherë. Shembull më të mirë e kemi partinë  e PD-së në Shqipëri, e cila ishte partia e parë pluraliste dhe me famë, e cila e kishte rrëzuar sistemin socialist në Shqipëri. E njëjta me dekada nuk arriti të rikthehet në pushtet. Po ashtu është LDK-ja e Kosovës, e cila ishte një parti më e dashura dhe më e fuqishmja për kohën, e cila edhe bëri ndërtimin e Shtetit të Kosovës, por edhe ajo nuk u rikthye në Pushtet. Në Maqedoninë e Veriut kemi PPD-në, e cila ishte më shumë se parti, pra si një lëvizje popullore, por edhe ajo nuk u ngritë asnjëherë, bile kjo e fundit, në krahasim me atë të Shqipërisë dhe të Kosovës, jo që nuk u kthye në pushtet, por edhe nuk ekziston fare.  

Nga një dështim në tjetrin, politikanët tanë fillojnë konfliktet midis partive politike dhe brenda llojit, duke u shtirur se gjoja s’ka ndodhur asgjë. Përdorin lloj - lloj mjetesh për të shpërlarë trurin e popullatës, veçmas të votuesve të tyre. Kuvendet dhe kongreset mbahen me pompozitet publik, për të kujtuar masa se partia në fjalë ka bërë reforma dhe ndryshime të mëdha, por në të vërtetë ato takime bëhen sa për tu larë sytë masave popullore, se në esencë asgjë nuk ndrysho dhe askush nuk mban asnjë përgjegjësi, vetëm i ndërrojnë vendet e tyre dhe sërish subjekti i caktuar politik është i njëjti. E gjithë kjo demagogji politike bëhet vetëm e vetëm për t’u rikthyer në pushtet. Sa kohë që shkon më tutje, realiteti i dështimit duket edhe më qartë. Në ndërkohë del sheshit korrupsioni i partiakëve të ngushtë të partisë, pastaj njerëzit që kanë luajtur role të dyfishta, dalin plot figura të errëta, me të cilët pengohet ose dobësohet funksionaliteti i gjithëmbarshëm shoqëror dhe ekonomik. Nga kjo gjendje fitojnë vetëm partiakët e fuqishëm dhe oligarkët e tyre, të cilët i krijon vet  partia politike në pushtet, duke menduar se askush nuk i kupton këto fenomene, përveç tyre. Duke qenë në këtë gjendje merr hov edhe familjarizimi partiak e shtetëror, nepotizmi nuk mer hov të lartë, grupet e interesit shtohen, ikja e rinisë bëhet masive, funksioni i ulët i shkollave e humb kuptimin real të edukimit te brezat  rinj, shëndetësia është katandisur keq, rrogat e ulëta, punësimi për shtresat popullore gati se inekzistent etj. Kësisoj lindën pakënaqësia e masave popullore, e cila ngritët deri në revolt të përgjithshme dhe situata del nga kontrolli drejt qyteteve të mëdha. siç ndodhë kohët e fundit në Shqipëri. Në këto raste sistemi demokratik dhe vetë shteti krijohen vetëm si slogane, se as shteti dhe as demokracia nuk janë funksionale. Shteti dhe sistemi demokratik shndërrohen në antishtet dhe antidemokraci, thënë ndryshe në demagogji politike. Duket qartë paaftësia për të udhëhequr shtetin, pa i njohur parimet e demokracisë dhe vijmë deri te kriza e përgjithshme shoqërore dhe shtetërore. Me këto raste, dëshpërimi i masave popullore e arrin kulmin dhe në zgjedhjet e radhës, votuesit i hakmerren subjektit të vet politik.

Në vitet e fundit, njerëzit gjithandej e kanë humbur kuptimin për partitë politike, nuk ndjejnë nevojën për ta, pasi e kanë kuptuar se prej tyre nuk ka jetë e nuk ka shtet të mirëfilltë dhe kërkojnë rrugëdalje të tjera. Shumica e popullatës, veçmas të rinjtë, sytë i kanë të orientuar nga perëndimi. Në Maqedoninë e Veriut e gjetiu me mijëra të rinj janë larguar nga atdheu i tyre i dashur, pasi nuk munden të jetojnë në mesin e hajdutëve dhe dredhitë që bënë shteti dhe partitë që thirren në emër të popullit. Me një fjalë, partitë politike nuk bien nga pushteti nga oponenti i tyre politik, por nga veprimet dhe bëmat e tyre. Jo rastësisht pjesëmarrja e votuesve është e ulët, e cila  gjithmonë rrotullohet diku te 40 % . Kjo flet shumë e që do të thotë se mosbesimi te subjektet politike është i madh. Pra kështu vdesin partitë politike shqiptare.

P.S: Nga të gjitha partitë politike, që ende janë të gjalla, përjashtim bënë PD në Tiranë, LDK në Prishtinë dhe PDSH në Tetovë, pasi për dobësimin e tyre kanë luajtur rol edhe faktorë të jashtëm, të cilët janë shumë më të thellë e të padukshëm, për të cilat duhet një qasje e veçantë.

Ejup Ajdini

29.01. 2026

Tetovë

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page