EDUARD A. SKUFI: NOSTALGJIA E NJE FLUTURIMI DREJT LIRISE
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 6 hours ago
- 6 min read

DR. EDUARD A. SKUFI
ATHINE
Me fluturimin e viteve, përpiqesha ti jepje ngjyra ditëve, të ruaja të gjalla romantizmin e ndjenjave dhe përmasat e humanizmit , duke mbetur e fortë lidhja shpirtërore mes leximit, artit të të shkruarit, ekuilibrit të interesave dhe gërshetimit të tyre me hobet e tjera, që na shoqërojnë gjithë jetën ...
...Ngjarja që për ne mbeti si dicka e çuditshme dhe e paharrueshme, u shfaq me sensin e surprizës dhe të kuriozitetit, si ato ndodhitë e zakonshme që çlirojnë në mënyrë të papritur, të pazakonshmen të fshehur në to.
Atë mëngjez si zakonisht ja kushtova kontaktit me natyrën, mes gjelbërimit dhe kopshteve me lule të zonës universitare të Zografut, ku banoja dhe ku gjeja elixirin e trupit, të mendjes dhe të shpirtit. Ecja intensive mes tigujve të muzikës, në atë ditë fillim pranvere më mbushte me kënaqësi të veçantë. Por koha, që jo rrallë na shfaqte profilin kameleonik, ashtu si papritur e veshi diellin me re të zeza dhe era e fortë e shiu i rrëmbyeshëm i mbushi çastet me trishtim. Ngrita shpejt kapuçin e xhakaventos dhe strehën e gjeta nën degët e një qiparisi të lartë, nga ku vështroja qiellin, në të cilin zogjë të ndryshëm duke cicëruar shpejtonin të futeshin midis gjetheve të eukalipteve. Ndërkaq ndjeva që diçka ra nga pema, pranë këmbëve të mia, dhe pas pak dëgjova një cicërim të mbytur midis fijeve të barit, ku pashë një papagall të vogël, që dukej si i veshur me pelerinë të blertë. E kapa ngadalë dhe e mbështolla me kujdes me një shami të vogël. I gjori zogth dridhej dhe sytë i mbante gjysëm të mbyllur. Me siguri era dhe shiu e rrëzuan nga foleja e nënës. Fillova ta përkëdhel dhe ai ndoshta ngaqë mori pak ngrohtësi filloi të hapi sytë. Kjo më gëzoi dhe më bëri të shpejtoj për tu kthyer në shtëpi . Kur e pa ime shoqe më tha : “Gjynah. Nuk besoj se do të rezistojë, është shumë i vogël , është njëlloj si një bebe ”. Dhe spontanisht përmendi fragmentin e këngës aq të pëlqyeshme për ne ”Ma che bello pappagallo, pappagallo poverino”... Mora një kapak me ujë ja afrova zogthit pranë sqepit, piu pak dhe më shikonte i fiksuar. E vendosëm pa vonesë mes dy dorashkave prej leshi, mandej unë mora një shiringë mbushur me qumësht dhe ja afrova në gojë. Ai filloj ta pinte me ngulm. Ja mbusha prapë dhe ai me kënaqësi e piu, duke lëshuar cicërimat e para, si të na falenderonte me gjuhën e tij. Gëzimi ynë në ato momente nuk kishte të përshkruar. Dalëngadalë ai shpirt i vockël po fitonte dritë jete, teksa ne filluam të endemi në kërkim të emrit për pagëzimin e tij. E quajtëm Xhino, pikënisje frymëzimi ishte emri i këngëtarit të njohur italian Xhino Paoli, me këngët që na mbetën”Sapore di sale” dhe “Una lunga storia d'amore”. Të nesërmen Xhinua na befasoi kur hapi sytë dhe ne vumë re të habitur, që syckat e ndritshëm i kishte më ngjyra të ndryshme, njerin sy bezhë në verdhë, ndërsa syrin tjetër të kaltër, një “hetreokromi” që e bënte më simpatik. Dhe kur tundi e hapi pendët si ventalje, na shfaqii koloritin e pellushit të tij, ku e kaltërta me jeshilen, këmbeheshin mes nuancash të ndritshme, si një akuarel natyral në kompozim .
U enda nëpër internet për tu informuar, renda në “Petshop” i bleva kafazin dhe aksesuaret e duhura dhe e vendosa në shtëpinë e re . Kështu Xhinua si pa pritur e kujtuar u bë pjestar i familjes. Na ndryshoi jetën, na mbushte atmosferën me cicërimat e tij melodioze, në variacione varieteje, na falte gëzim dhe hare. Sa herë e thërrisja në emër, ai përplaste krahët dhe vinte në anën e kafazit pranë meje, duke më përkëdhelur dorën me kokën e tij. Pak nga pak filloi të imitonte fjalët e shkurtra me zanore, e zuri të riprodhonte fjalë në anglisht e italisht ( bravo e stop), teksa vëshirësohej në greqisht, ndonëse fjalët tona i kuptonte . Ishte tepër inteligjent dhe reagonte me mirënjohje. Dalëngadalë shpalosi repertorin e tij të pasur dhe na argëtonte çdo ditë e më shumë. E mësova që ushqimin ta merrte në dorën time, e ai nisi të më falte dashurinë e tij. Fillimisht më vinte në dorë, pastaj me hipte në sup e mbi kokë dhe fillonte këngën e tij si tenor, duke përplasur krahët. Kur i afrohej ndonjë insekt kafazit , ai
ruante integritetin dhe i sulej për ta ndjekur. Aftësitë e tij ishin të shumta, mësoi sesi hapej brava e kafazit nga ku, me të dalë vinte pranë nesh mbas një fluturimi rrethor, mandej bënte xhiro në të gjithë ballkonin duke cicëruar e kënduar meloditë e tij, por nuk e shkelte kufirin e caktuar nga ne. Në fillim të verës fillova ti bëjë banjë, atij i pëlqente shumë dhe me goditjen e krahëve në legenin me ujë, më lagëte gjithë andej. Mos, i thosha unë, por pas pak e përsëriste lojën e të lagurit dhe me sqepin e tij më çukiste dorën ëmbëlsisht. Një ditë prej ditëve tërhoqi një pendë nga pellushi i tij dhe ma vendosi në dorë, duke më ndjekur me shikimin e tij pyetës , veprim të cilit unë i bëra jo pak përkthime ...
Erdhi koha kur zbuluam dhe aftësinë e tij si estetist. Isha duke shkruar diçka në ballkon, Xhinua hapi derën e kafazit më rrëmbeu stilolapsin dhe mbas një fluturimi ma solli përsëri përpara, mbi tavolinë. Nuk po e gjykoja dot nëse ishte një instikt mbrojtës apo dëshira për të luajtur. Unë e qortova, ai e kuptoi, ruajti krenarinë duke u mënjanuar dhe sikur të ishte njeri, pastaj uli kokën dhe ndenji i heshtur. Pas pak më pa, më përkëdheli me kokë në shenjë pendimi dhe filloi të më hiqte disa qime nga dora, mandej vazhdoi me këngën e tij. ”Uau, Xhinua vec këngëtor, na u bë dhe specialist estetike, depilator-ist “, thashë unë dhe të gjithë qeshëm të befasuar! Kur merrja harmonikën dhe improvizoja ndonjë melodi, ai tundëte kokën djathtas e majtas, në sinkron me lëvizjen e këmbëve, gjatë vallëzimit të tij interesant, duke shkaktuar ilaritet. Shpesh mbas fluturimit në ballkon, qëndronte mbi degët e pemëve dhe luleve, ku shijonte ndonjë syth apo petale, preferonte bukanvilien e borzilokun. Paskëtaj përsëri këndonte dhe këngën e shoqëronte duke përndjekur ndonjë flutur apo bletë. Kështu e lezetoi ambjentin dhe pejsazhin e ballkonit. Një ditë në mëngjez kafen tonë me kanellë e shoqëruam me violinën virtuoze të papërsëritshme të David Oistrakh, në koncertin për violin të Çajkovskit. Xhinua u tendos mbi telat e kafazit dhe pas një kanconete me sqepin e tij, zuri të imitonte melodinë e violinës, duke tundur njëra pas tjetrës telat e kafazit në një rezonancë tingujsh. U habita, u ngrita e mora në dorë e përkëdhela, pastaj e lashë të lirë në ritualin fluturues. Mund të duket truk por është e vërtetë. Kur dëshpërohej strukej në një qoshe të kafazit dhe timbri brilant i zërit të tij prej tenori transformohej në një melodi të moderuar, “moderato cantabile”,në tone të shurdhër. Ishte i çuditshëm, njihte dhe burien e makinës time kur kthehesha nga klinika dhe tundëte gjithë kafazin nga gëzimi. Ai përgjigjej vazhdimisht dashurisë sonë pasionante me mënyrën e tij. Në një prej ditëve pësova një traumë në dorë në ecejaket e mia të paqeta. Kolegët më mjekuan e fashuan dorën. Ai sapo e pa, brofi nga kafazi dhe duke qëndruar në parakrahun tim, herë shikonte dorën, herë kthente kokën e më shikonte me keqardhje në sy. Mandaj tentoi të më hiqte fashon. Jo, i thashë, unë por ai nuk u shkul nga vendi, aty qëndronte. Vetëm në perëndim të diellit lëshoi një tingull të ulët, dhe shkoi në kafaz pasi i erdhi ora e gjumit. Shfaqte një kënaqësi të vecantë kur na vinin njerëz për vizitë, veçanërisht argëtohej dhe argëtonte nipin tim me spektaklin e tij. Tepër e veçantë ishte dita kur e morrëm me vete në makinën tonë, për të shkuar në pushime. Nuk mund ti përshkruaj gjithë bëmat e tij gjatë rrugës, duke shpalosur arsenalin e pasur artistik, gazmor dhe po aq inteligjent.
Për çudinë tonë, në një nga ditët e fundit vumë re se rreth ballkonit tonë vinte një papagall tjetër, i cili mbasi bënte disa xhiro, largohej me një klithmë. Të ishte nëna e tij që e kërkonte apo një shoqe e tij që e simpatizonte?! Xhinua e ndiqte me sy e me interes nga kafazi dhe i përgjigjej me zërin e tij. Kushedi, mund të ishte preludi i një të papriture! Brënda meje here pas here ngrinte kokë mendimi se Xhinua një ditë do të shtegëtonte, por mundohesha ta braktisja atë parandjenjë të trishtë. Kishte lënë impaktin tek mua dhe shpjegimi shkencor i një mikut tim zoolog: “Sado miqësor të jeni dhe sado që tju dojë, ai një ditë do të largohet, se me tepër se gjithçka ata duan lirinë dhe nuk mund të dalin jashtë nga instiktet e tyre”... Kjo ishte teorema e jetës së tyre, që nuk duhej neglizhuar.
Zogjtë konsiderohen si element i rëndësishëm i ekuilibrit të çdo ekosistemi, por dhe pjesë e kulturës njerëzore, që na kujton se pa lirinë e tyre të vërtetë nuk mund të jetojnë, pasi i udhëheq instikti i mbijetesës.....
...Një ditë në mëngjez shkuam me time shoqe në panairin e librit dhe mbas saj në panairin e luleve. Kur u kthyem në shtëpi, gëzimi dhe hareja u shuan, befasia na ngurosi e çdo gjë na u errësua. Dera e kafazit kishte mbetur e hapur dhe Xhinua mungonte! U dëshpërova mjaft, me forcën që na mbeti e kërkonim me emrin e tij , kërkuam nëpër lagje kudo, por më kot. Na mbeti dhimbja dhe fjala Xhino, Xhino, por ai nuk ishte. U ula në divanin e ballkonit, lashë librat dhe lulet e blera, i përlotur dhe në dorë përkëdhelja pendën e tij shumëngjyrëse, që vet ma dhuroi. Ishte më shumë se një përkëdhelje, por e pamjaftueshme për të më qetësuar. Nuk e kisha menduar kurrë, se lamtumira e tij do të na linte aq dhimbje, aq nostalgji... Xhinua na ndryshoi jetën, duke i dhënë asaj një tjetër bukuri , të pakahasueshme , por iku duke mbetur si vargëzim poetik i thyer. Gjithsesi pentagramet e melodive të tij virtuoze mbijetojnë në shpirtin tonë. Kohëpaskohe, mrekullia e jetuar më sjell ndërmend tregimin e mirënjohur me ngjyra obsesive , të novelistit J.Barnes mbi “Papagallin prej pellushi“, kushtuar papagallit “jouet” (lodër) që frymëzonte në studion e tij, të madhin, Gustav Flaubert...Por dhe një papagall, megjithëse “butafori” e frymëzoi për të shkruar veprën tronditëse “Madame Bovary”. Po sikur "L'Homme Plume" (Njeriu me Pendë), të kishte një Xhino si yni plot hare dhe jetë?!
Eh, të mirat zakonisht janë për pak kohë...Kështu ai shpend krenar, na pruri për pak kohë, një tjetër gëzim dhe ne i dhamë dashuri, por ai ëndërronte lirinë e vërtetë. Kur erdhi çasti, iku drejt saj, duke na lënë mesazhin se “Liria mbetej gjëja më e shtrenjtë“ edhe për të, të shpalosur në gjithë madhështinë e saj. Kështu ai i pandarë, nga gëzimi por dhe nostalgjia jonë, shkruajti me krahët e tij, epilogun e fluturimit të pashmangshëm drejt lirisë.
Comments