top of page

Edhe Vjeshta paska hilen e saj!


Edhe Vjeshta paska hilen e saj!

Edhe Vjeshta paska hilen e saj!


Dr Fatmir Terziu


Pika shiu çukisin mbi xham. Gri, tërë pamja pas dere. Nën strehë të çatisë një jargavan ‘zhvishet’ në sy të magnolias. Dy krifsha nxitojnë të kapin ‘orarin’. Ndërsa një pupël më kot garon me një gjethe rrapi. E gjitha mes një pankarte natyrore, ku edhe Rembrandi do të hutohej. Nuk është qetësi. Taka kryeneçe çorodisin asfaltin. Pastaj zhavrima e plotë e makinave. Një fizarmonikë nën çadër fton “Kalinkën”. Ej, fat, fat jete! Përzierje, lëvizje, zhurmime…

Pak qetësi! Pak qetësi! Dikush kërkon vajzën trevjeçare në parkun e lagësht. A thua edhe kjo ditë duhet shfrytëzuar? A thua parku merr mungesa si ‘zysha’ ime e klasës së parë? Ndoshta jo, ndoshta po. Po ku do të kalojnë kohën gjithë këta njerëz. Vjeshta u mbetet borxhlije. Është stinë që zbut edhe bustet. Bustet dhe statujat nudo, madje… Po, po statujat kanë mish të fohtë në këtë stinë! Lagen, thahen, zbuten…

Po me njeriun vallë ç’ndodh? Pse të paktën nuk ka një sens si statujat? Të paktën në vjeshtë. Të paktën në këtë stinë që të falë ngjyrat. Në këtë stinë që të afron të florinjtën, më të shtrenjtën e syve të njeriut.

Njeriu nuk është stinor. Njeriu nuk është vjeshtuk. Vjeshtuk?! Dale. Diku e kam dëgjuar këtë fjalë. E kam ndier këtë ‘nofkë’. Gjetkë ia ngjizin këtë njerëzve. Njeriut! I thonë dikujt: “Ti je vjeshtuk!”. Ja, pra, edhe njeriu paska hisen e stinës. E kaq fundja i takon.

I takon të ketë një risk. Një racion. Njeriu fundja për këtë rron. Të ketë pjesën e tij. Po ama pjesën që i takon! Kur merr më shumë se ajo pjesë, ai prapë mbetet njeri, por nuk u afrohet dot busteve, statujave. Nuk merr ‘mishin’ e ftohtë të tyre. E mirë, de mirë. Punë e madhe po s’mori nga statujat. Mjafton të jetojë. Statujat, pasi ai të kalojë nga kjo Botë, as që i hyjnë më në punë. Pastaj, statujat kanë mish të ftohtë!

Kështu e ka vjeshtuku. Kështu e ka…Mendon për sot, jeton për sot, jeton për veten. Mosmirënjohës! Jo, ore jo. Ai është aq ‘hileqar’, sa tre herë në ditë e ndërron klubin. Herë në njërin e tjetrin. Aty vjeshta nuk hyn dot. As ora nuk ka ç’i duhet. Ajo i ka mbetur në 1997-ën… Eh, ajo orë, orë 1997-te.

Po sa vjeshta kanë kaluar që atëherë?

Aty në xham vazhdojnë qëndismat. Kristale diamanti më vijnë dhuratë nga Zoti. Përplasen gjithë inat në fillim, pastaj ashtu truplëshuara ciflat diamantore hidhen në valle. Muzika e shiut është ndër më të realizuarat. Më artistikja. A nuk të vë në gjumë ajo? E ndërsa ajo lloj melodie vë në gjumë njeriun, shi-diamantushkave të vockla u jep liri, hare, harmoni e kënaqësi.

Edhe Vjeshta paska hilen e saj!


10 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page