Dhimbja... E tillë, për ikjen e Njeriut




Mimoza Pasmaqi Neziri

Prof Dr Fatmir Terziu


Për herë të parë e kam takuar tek Parku Automobilistik i Mallrave në Elbasan. Sapo e kisha lënë klasën e tetë dhe nuk e di pse duhej të prisja skodën që drejtohej nga një mik i familjes sonë për të udhëtuar. Mimoza Pasmaqi, e bija e shoferit të mirrënjohur të Elbasanit, Kamber Pasmaqi, sipas të gjitha të dhënave që mbaj mend atë kohë punonte normiste. Dhe si e tillë, duhej të firmoste një fletë-udhëtimi të asaj kohe, e cila e lejonte drejtuesin e makinës tip „Skodë“ të ndërronte destinacionin e saj. E kështu kur disa të tjerë hezitonin, ajo me një vendim të prerë, e thjeshtë dhe madje me një mirësi të jashtëzakonshme erdhi dhe na e dha të firmosur.

-Epo, nuk e thonë kot, tha, miku im shofer, bëmë baba të të ngjaj. Ia ka këputur kokën Kamber Pasmaqit. Edhe ai kështu …

Një fërshëllimë e fortë e një skode tjetër nga pas pikërisht tek Parku i zhurmshëm Automobilistik i Mallrave në Elbasan e ndërpreu fjalën, por atu fjalë dhe ajo sjellje më mbetën në memorjen time.

I mbarta gjatë në vite, ndërsa sot i holla në letër si kujtime të pavdekshme për kujtimin e pavdekshëm të Njeriut, që lajmi e keq i ikjes e solli mes miqsh deri në Londër.

Nga sot e tutje, Mimoza Pasmaqi Neziri, nëna që rriti dhe edukoi një djalë dhe një vajzë, me sjellje shembullore, me ndihmën e bashkëshortit të saj të mrekullueshëm, Maliq Neziri, do të burojë lule lotësh në mesin e familjarëve të saj, atyre që e njohën dhe që e respektuan shumë, të gjithëve që do të jenë për ti hedhur një grusht dhe nga Elbasani i dashur, dhe të gjithë atyre që do të përloten diku larg dheut amë.

Natyrisht, për mua, dhe për mjaft shokë e shoqe të „Dhaskal Todhrit“, me një respekt tjetër të vazhdueshëm, për shoqen e klasës së shkollës së mesme, Kozetën, do të jetë një përshpirtje miqësore dhe një lamtumirje e dhimbshme. E tillë, për ikjen e Njeriut, që i dha mirësi Njeriut në tërësinë e jetës së tij, në vazhdën e frymëmarrjes deri në frymëdhënie.

I qoftë i lehtë dheu. U kujtoftë vite e breza që do të pasojnë vetë jetën. Ngushëllime familjes, Kozetës dhe të gjithëve të familjeve Pasmaqi dhe Neziri!



130 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif