top of page

E papritura e dramës së Shpendi Topollajt



Fatmir Minguli

Nga Fatmir Minguli


E papritura e dramës së Shpendi Topollajt

(Meditime mbi dramën “Ata ishin njerëz” të Shpendi Topollaj, 2M printing, Durrës 2020)

Ja ç’ gjynahe përmbi tokë

Bëjnë njerëzia;

Vashëzën pa faj në botë

Ndajnë nga shtëpia.

Taras Shevçenko

Në ditët e turbullta thonë se ka qetësi, në ujë dhe në tokë. Por me shkrimtarin Shpendi Topollaj ndodh ndryshe. Pa mbaruar akoma mirë turbulencat mendore të postcovid-19, ai u paraqit në shtëpinë botuese “2Mprinting” për të botuar dy libra të rinj të tij, një dramë me titullin “E përdala” dhe tjetrën dramë “Ata ishin njerëz”.

Aspak lidhje iluzive nuk ka mes këtyre dy dramave por edhe pse me subjekte të ndryshme ato kanë një të përbashkët: u realizuan në kohën që harxhon shkrepëtima e rrufesë. Nga romani “Kurva” doli drama ” E përdala”, nga romani “Pushkatimi” doli drama “Ata ishin njerëz”.

Desha të ndalem në dramën e dytë, por nuk do të thotë se nuk do të ndalem dhe te drama tjetër dhe jo për të bërë diferencim mes tyre por për të shprehur disa konsiderata që kanë të bëjnë me shpirtin krijues të Shpendi Topollajt.

Kjo dramë ka një biografi të saj, një mistikë ku mbështillen e ç’mbështillen ide e mendime, paralele e befasira që e kthejnë dramën “Ata ishin njerëz” në një vepër artistike me vlera të veçanta. Pak a shumë thelbi i dramës është persekutimi i heroit majorit Thoma Rafaeli deri në pushkatimin e tij mizor sepse nuk iu nënshtrua diktatit nga forcat e errta që i shërbenin udhëheqësit Enver Hoxha. Drama ka shumëfishet e saj me gruan ruse Maja, me shokë të një bindjeje si poeti Trifon Xhagjika etj.

Mistika fillon me thirrjen që i bën i madhi i skenës, i fundmi i regjizorëve të plejadës, i paharruari Mihallaq Luarasi Shpendit, pasi kish lexuar romanin “Pushkatimi”, thirrje që së bashku ta bënin dramë këtë roman. Ai i kishte thënë shprehimisht:

“ Intuita profesionale më thotë që do dalë diçka e mrekullueshme dhe që nuk do të na mundojë shumë, pasi dialogjet janë pothuaj të gatshme.”

Kjo është mistika e parë e brenda saj, pengu i madh shpirtëror i Shpendit.

Mistika e dytë është e lidhur me një ngjarje tejet prekëse me aktorin durrsak, të ndjerin Vangjel Heba i cili tek parandjente vdekjen e afërt të tij iu lut Shpendit që në varrim ta mbante ai fjalën homazh. Shpendi e mbajti fjalimin e ai fjalim u përcoll te fryma e kësaj drame. Dy mistika që lidhen me theatrin.

E si mund të mos bënte dramë Shpendi Topollaj?! Janë të dyja dramat e tij që na sjellin imazhet e këtyre dy figurave të mëdha të artit skenik shqiptar. Një amanet që përskuqet në largësitë qiellore e që afrohet pranë rreshtave të shkruara në librat e dy dramave.

-“O Shpendi Topollaj- thërret studiuesi durrsak Kadri Tarelli kur lexoi të dy dramat– po ku ishe më pare, o miku im që nuk je marrë edhe me këtë gjini?”

Eshtë dhe kritiku i madh rus Bjelinski që po kështu i shkroi Pushkinit kur ky mbas shumë veprave të tij filloi të shkruaj drama: “

“Liriku i mrekullueshëm, ishte gati të bëhej një dramaturg i shkëlqyer.”

E Shpendi Topollaj mban çmimin “Pushkin” akorduar nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe artistëve të Rusisë.

Jemi brenda dramës “Ata ishin njerëz”. Ajo tashmë ecën me këmbët e veta, plot shëndet e ushqyar nga rreth 60 libra të botuara prej tij që nga viti 1996 e deri më sot. Ajo derdhet këndshëm si një katarakt plot rrëzëllim që i sjellin metaforat dhe figurat e tjera artistike të tekstit të saj.

Fati tragjik i heroit të dramës, por dhe i personazheve të tjerë është tharmi i subjektit sepse drama shkon për nga tragjedia, ecën në hullinë e saj. Drama e ushtarakëve shqiptarë, intelektualve të tjerë që e pësuan nga demonizmi i diktatorit duke i quajtur spiunë sepse ishin martuar me gra të thjeshta të huaja, ishte fillimi i tragjedive të tjera që pasuan jetën e kulturës dhe intelektit shqiptar.

Me vrasjet dhe burgosjet, me internimet dhe denigrimet për intelektualët e vërtetë, Shpendi në këtë dramë thekson se duke vrarë kulturën, traditën dhe historinë, diktatori kërkonte të thonte:”Historia jam unë”.

Ishte koha kur kultura shqiptare po lidhej me kulturat e vendeve të tjera dhe po gjente vendin e saj të merituar e bashkë me kulturat lindën dhe dashuritë, lindën familjet e shumta të intelektualëve shqiptarë me gra të huaja si ajo e Thomait me Majan. Gjithçka lindi nga kultura dhe liria e individit jashtë dogmave të Partive. Por autori Shpendi Topollaj tejkalon skenat e zakonshme me ndarjet nga gratë e huaja për të cilat është shkruar shumë, dhe hidhet fuqishëm në meditimet e Majas, në njohjet e saj dhe të vetë Thomait, njohje për kulturën botërore. Vargjet e poetit rus Taras Shevçenko, pikturat e piktorit italian Rafaelo, e shumë figura të tjera, mes tyre edhe peisazhet e Parisit të vogël, Korçës bukuroshe, shoqërojnë dialogjet e dramës dhe i kundërvihen fjalëve të egra të hetuesve, butaforisë së ministrit të brendshëm të asaj kohe e lakejve të partisë.

O tempora, o mores! Kjo dramë reflekton edhe në ditët tona, dramë e mbushur plot me paralele që lëvizin lirshëm që nga mistikat e deri në ngjasimet e sakta ku dhimbjet barazohen.

Vetë jeta e Shpendit është një nga këto refleksione. Ishte i ati i tij, ushtaraku Hulusi Topollaj që u persekutua fizikisht dhe mendërisht si bashkëpuntor i një grupi puçist fantazëm, ishte vetë Shpendi që e çuan në humbëtirat e Kalasë së Turrës dhe e harruan për njëzet vjet me radhë duke e lënë në një detyrë të ulët ushtarake!

Ja pse kjo dramë tragjike ka majat e saj të shqetësimit shpirtëror të autorit dhe dashje pa dashje e çon penën e tij drejt disa paraleleve të pabesueshme por që janë në rreshtat e kësaj drame.

Emri i piktorit italian, Rafaelo me mbiemrin e Thomait, emri i poetit të fuqishëm rus Taras Shevçenko si kundravënie me pseudonimin e Enver Hoxhës, si Taras. Janë këto paralele që duke inkluduar dhe vetë jetën e Shpendit si ushtarak, pra si Thoma Rafaeli, që e bëjnë dramën të kapë tonalitete të larta, duke u kthyer në jehona të fuqishme që do vazhdojnë gjatë. Dialogjet e Thomait dhe poetit Xhagjika me hetusët partiakë, janë revolta që burojnë nga shpirti i autorit dhe ti kupton se dramën nuk e ka shkruar dora e shkrimtarit por një rrymë ajrore që vjen nga kohë të shkuara e të nëmura.

Mes personazheve, pa dyshim spikat Maja ruse, vajza moskovite me shpirtin e dëlirë dhe gati hyjnor, me intuitën e saj të pagabueshme. Ajo bëhet pjesë e psikologjisë së dramës. Ajo diku thotë: “ Kam vepruar sipas imagjinatës sime.” Ajo është një pjesë e pikturës së Rafaelit për Madonën me Krishtin –foshnjë – siç i thonte Thomai. Ti i ngjan Madonës- vazhdonte Thomai…

Dhe ja tek vjen fundi i dramës, jemi në ditët tona!

Larisa, vajza e Thomait dhe Majas që vjen në faqet e fundit të kësaj drame është pika më kulmore e dramës, ku Shpendi me përfytyrim idealist shpërthen në një farë mënyre ekzistrencializmin e Majas, ekzistencializëm që vihet re që në fillimet e dramës dhe që vërteton inteligjencën e qartë të asaj gruaje moskovite. Shprehjet lapidare të saj janë tek i drejtohet Thomait:

“ Paç shëndet ti Toma, se për ne u pa puna. Ja edhe Madona e Rafaelos që ti më krahasove. Po ikën me ëngjëllin e saj drejt qiellit…”

Por ja e bija,Larisa, tashmë e rritur, në Tiranë u thotë njerëzve të të atit:

“Dhe tani, kam një kërkesë. Përpara se të shkojmë për të ngrënë drekë, më çoni te shtëpia ku kemi jetuar. Dua të shoh sesa përkon me përfytyrimin tim dhe pastaj të ruaj gjatë imazhin e saj dhe atë të prindërve të mi të mirë.”

Durrës 23 qershor 2020

56 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page