Nga Fatmir Minguli
Kushtuar Timo Mёrkurit
I shkrova letrën mikut tim në bregdetin e jugut me disa pyetje lidhur me zbulimet e tij të fundit mbi legjendat dhe baladat e asaj treve të veçantë. Prisja të më përgjigjej. Por kalonin ditët dhe nuk po merrja letër prej tij. Thjeshtë doja letër se nuk ishte përgjigje që mund të jepej me telefon, jo se ishte ndonjë sekret apo çështje okulte. Edhe të shkoja né Jug në këto kohë epdemie ishte një aksion i rrezikshëm.
Po përgjigjen e prisja. Një ditë nga një telefonatë me numur të panjohur më njoftoi se më priste te bufe “Xhoni” pranë stacionit të trenit “. Jam me një kapele blu me yll të bardhë nё ballë!”
Shkova dhe e gjeta tek po pinte kafe.
Më ka dërguar profesori dhe më tha që ti kishe shkuar nё Jug dhe e kishe takuar atë dhe i kishe ezauruar të gjithja ato pyetjet që i kishe shkruar nё letër. Unë e pashë i çuditur. Çfarë fliste ai njeri!?
- Po, e kuptoj se ti e njeh profesorin por nuk kuptoj si paskam shkuar unë nё jug!
- Po, ti e ke takuar se unë kam qenë kamarieri tek “Riviera” kur po pinit atë kafenë.
Unë natyrisht nuk e zgjata më sepse më dukej një përpjekje e kotë e ndoshta ishte njëlloj loje apo edhe provokim. I thashë “faleminderit”, i pagova kafenë dhe u ndamë.
Kur e telefonova mikun tim dhe i thashë për personin që kishte dërguar duke e pyetur...por ai më ndërpreu dhe më tha se “ Ti ke ardhur nё Jug dhe unë t’i kam dhënë përgjigjet.”
E mbylla telefonin dhe po mendoja. Si ka mundësi!? Por kuptova që profesori nuk gënjente, po mirë ai që nuk gënjente po unë që isha i bindur se nuk kisha qenë nё Jug dhe as isha takuar me profesorin, mikun tim! Nuk po kuptoja as mesazherin që erdhi i dërguar nga profesori, as vetë profesorin. Të dy ishin bregdetas, por dhe unë bregdetas isha dhe jam, i detit të jugut si origjinë dhe detit Adriatik këtej nga banoja.
Profesori më çuditi akoma më shumë me një telefonatë tjetër kur më tha që të shihja mirë atë këngën e “ Kostandin të vogëlith” se aty duhej ta gjeja faktin që unë isha nё Jug. Por çudia më e madhe ndodhi me mua kur nё xhepin e xhaketës gjeta letrën e profesorit ku ishin të gjitha përgjigjet e pyetjeve të mia, e ku më shumë ishin ato rreth baladës “Kostandini i vogëlith”.
Aty shkruhej: “Mik, të falenderoj që interesohesh për punën time dhe pyetjet e tua janë një lloj balsami...”
Pastaj ai më thonte se kur unë isha kthyer nga fshati kalabrez para se t’i shkruaja letrën profesorit, habia ime arriti kulmin; unë jo vetëm që kisha shkuar nё Jug nё brigjet e Jonit, por unë paskesha shkuar edhe nё Kalabri te arbëreshët.
“ Pse harrove mik, që ti më solle një bodile me raki të rrrushit kalabrez…!”
Këtu është fundi, mendova i kësaj komedie të profesorit dhe telefonat s’kishin të pushuar e profesori kurrësesi nuk luante nga e tija, as qeshte e as më betohej për ato që më thonte.
Mua më lindi një dyshim se ky mik, ky studjues i rrallë i balladave të hershme shqiptare siç dukej do të ishte i hutuar nga studimet e tij dhe vëmendja ime u përqëndrua nё atë baladën e bukur “Kostandin i vogëlith” ku besa dhe fjala e dhënë ishin ligji themelor i hershëm i shqiptarëve e askund nuk ishte ndeshur kjo perlë njerëzore. Po mundohesha të gjeja çelësin që të hapja derën e të shihja dhomën e shkuarjes time në Jug. Jo më kot miku tjetër imi më thonte se mua më pëlqenin gjërat okulte, ato me sens pozitiv.
O perëndi! U detyrova të dërgoj letrën e dytë te profesori me qëllimin ngulmues për të vërtetuar shkuarjen time nё Jug.
Dhe telefoni tingëlloi përsëri: “ Pse tallesh me mua, akoma me fantazinë tënde, ti erdhe dhe pse të ka hipur nё kokë të ngulmosh kaq shumë, ti as para nëntë vjetëve nuk ke qënë i tillë...”
Ou, po kjo ç’qe!? Para nëntë vjetëve! Po, po, unë kisha qenë nё jug para nëntë vjetëve dhe….po ç’kuptim kishin këto fjalë “ nëntë vjet”?
Kaluan përsëri ditët e javët dhe unë pothuajse e lashë “shkuarjen time nё jug”.
Po shkuarjen nё Jug para nëntë vjetëve! Unë edhe atëhere nuk kam qenë, por duke e parë nё konceptin letrar mendova se kam qenë virtualisht, pra duke parë ndonjë emision me biseda për baladat e jugut. Po përse- po i thoja vetes, - ç’të ka mbirë nё kokë kjo puna e baladave sa që ke vënë nё siklet edhe profesorin. Mirë të tha ai atë ditë që mos ta quaja profesor… por për mua profesor ishte ai sepse ashtu si e zbërthente ai baladën, kërkush nuk ia gjente rrënjët asaj dhe ai e “shkulte” me gjithë rrënjë.
E punë e madhe se nuk donte ta lavdëronin, por me mua ç’kishte duke më thënë se jo vetëm që kisha qenë aty këto kohë të pandemisë por, edhe para nëntë vjetësh.
Kujtesa, kjo dhuratë nga zoti, më erdhi në ndihmë. Befas u kujtova se gjatë një bisede me disa poetë të Jugut para nëntë vjetësh e pikërisht te kafe “Riviera” aty buzë detit, unë i pata premtuar njerit prej tyre se kisha gjetur baladën e “Kostandinit të vogëlith” nё italishte të vjetër e nëse do ta përktheja do t’ia sillja.
Po, pra kishin kaluar këta nëntë vjet e profesori e kishte marrë këtë baladë e se si e kishte marrë unë nuk e di, por lavdi zotit që e mbajta fjalën që kisha dhënë para nëntë vjetësh.
Kur po ia thoja profesorit këtë kujtesë timen ai më tha:
-Që nga ai takim me poetët e jugut kanë kaluar pikërisht plot nëntë vjet pa një ditë...dhe pyetjet e tua sollën Kostandinin përsëri.
Unë isha tashmë i kënaqur që mjegulla u rrallua dhe dielli ndriçoi, kuptova se me të vërtetë kisha shkuar nё Jug!
Mali i Robit, Golem
10 Nëntor 2020
Comments