
Balta e memorjes
Nga Fatmir Terziu
E lodha memorjen me qenushin e bërë nga balta e tokës sime
unë kam mbetur ende në klasë të parë
mes tij në damarë të strukura si në një objekt allçie
qëndrojnë idetë e mia në lindjen e tij
e në sipërfaqe ndjej se të tjerë gjëra kanë ndodhur
aq sa mund t'i dallojë thjesht një fëmijë
ndërsa ushtri të tëra mizash e kanë ndotur
me ardhjen e tyre të ndyrë
pa mundur ta deformojnë këtë qenush që struket
nga kohërat që prodhojnë vetëm zinxhirë.
Në gardhin e shembur para syve
ora e punës me dorë dhe me baltë
shëtit vetëm në kohë
ndërsa ora pranon të shkëmbejë mesazhe
me lehjen e tij të ftohtë
në vargun tim të pjekur të poezisë
ku çdo varg është thjesht një ushtar në pakohë
i cili mbron thjesht portën e shtëpisë
duke ndaluar herë në shi, e herë në borë
të mos ikin kujtimet e fëmijërisë.
Vargu pëshpërit aty
në majëkrahun dordolec të një ndërrese
ndërsa gjyshja ende i këndon ninulla
kërkon ta bëjë për vete
ndonjëherë i tregon trimëri me burra
derisa përfjetet
në mushtin e dheut ku e gatova qenushin
vrigëllijnë vetëm sepetet
një nimfë kërkon të trazoj prushin
e një dorë tjetër bën gati xhezvet
këto ndodhin ndërsa të gjithë flenë
ende ka jetë vërtetë
gjyshi po gjerb kafenë.
Kur vargu struket në libër
që të dëgjoj zërat e harbuar të botës
nga trupthi i vogël i qenushit të imët
zgjohen lehjet e kohës
kriposen qerpikët në vrima të hyra në të mishët
balta i ankohet Tokës:
pastaj aty bëhen një
brazdat e hapura moçëm
fryhen pa zë
e pastrojnë baltosjen e vargut të sotëm
siç ndodh zakonisht me të parë
një album të zverdhur fotografish të motshëm
por që flet me shumë fjalë.
Qenushi menjëherë bëhet i gjallë
o Zot
më duket se kam mbetur pa fjalë
leh e nuk e marë dot me të mirë
dhjetëra mollnja e godasin mbi damarë
në një ngrehinë që mbushet me errësirë
në këtë ngushticë
udhëtoj gati përditë
rrugëve të Botës,
kam frikë,
ende edhe qenushi im nga balta e memorjes ka frikë
për vargun që iu thurr kohës
kohës me zinxhirë.
Kujtesa e genit
Nga Fatmir Terziu
Lëndinën e Lotëve kam hedhur krahëve
edhe ballin e kam mbushur me grimcat kristal të Valamarës
i bekuar ajër i Jeronishtit është mes flokëve
në trupin tim shkrihet luku i Hënës
zbutur në rrënjë të Ullirit të Qejfit
larë në lotin e Nënës,
e hapin e ndal para Big Benit
e di edhe ai më mat kohën
sikur ndodh me miliona të Tjerët
po askush nuk e kupton botën
si ngrihet dhe vrapon herët
me trokun e kuajve të moçëm
midis mureve të padukshme të Muzeut
vetëm Fryma e di të gjej dritën e errësirës
në leximin që i bëhet Atdhéut
nga skutat e padukshme të Arkivës
në çastet kur lë pas historinë e zverdhur
njëzetë e dy vite
sa njëzetë e dy shekuj
zbresin në platelën Homerike
Odiseu
kërkon një mal të perëndishëm brenda kësaj drite
me dorën e një Tjetri që ia ktheu
një çast të bukur të kësaj dite
se ne vetëm kërkojmë të gjejmë një dritëz
në heshtjen e madhe që u kanoset të gjithëve
me një memecëri të frikshme të vdekjes së Gjuhës tinëz
sepse Lëndinën e Lotëve e kam ende krahëve
edhe këtë Prill në mes të stinës
e dua që udha të bëhet një opus i fjalëve
i përrulem atyre
sikurse urtisë së lashtë të baballarëve
me të cilën u jap dritë syve
në këtë udhë ku çdo goditje e Big Benit
pos atyre,
është dhe një shenjë e duhur e kujtesës së genit
që i është shkulur padashje dritës së syve.