top of page

DY FJALË PËR PROBLEMET E KRIJIMTARISË SË SOTME LETRARE


Vangjush Saro


PËRMBLEDHJA POETIKE “PARA-J-SA?!” E PETRAQ RISTOS DHE DY FJALË PËR PROBLEMET E KRIJIMTARISË SË SOTME LETRARE


Këto ditë, po lexoj përmbledhjen poetike “Para-j-sa?!” të Petraq Ristos. Librin e kisha porositur (online) në Amazon, një nga mundësitë e të sotmes për të lexuar dhe për t’u lexuar. Perveç poezive, lloj në të cilin autori shkëlqen për klasin e vargut, për metaforat e mahnitshme dhe për pasurinë gjuhësore, në libër janë ribotuar edhe disa intervista të tij, si dhe përshtypje e shënime letrare për një krijimtari tash ndër më të spikaturat në Letrat Shqip. Emra të njohur të Kritikës Letrare, por edhe kolegë, miq e dashamirës të autorit kanë formuluar mendimet e tyre, në vlerësime optimale për krijimtarinë e tij, duke vënë në dukje dimensionin modern të saj.

Mes atyre që janë në libër me mbresat, shënimet apo studimet e tyre, disa e kanë kontributin letrar kryesisht në dekada të shkuara, por gjithsesi ndër estetët dhe kritikët letrarë më të mirë të vendit (Alfred Uçi, Razi Brahimi, etj.) sikundër shkrimtarë e kritikë ndër më të njohurit të aktualitetit letrar (Fatmir Terziu, Xhevair Spahiu, Anton Papleka, etj.) por edhe kolege e të tjerë gjithaq të vlerë e miq te autorit (Thani Naqo, Qazim Muska, Luan Rama, Vaid Hyzodi, Natasha Xhelili, Natasha Lushaj, etj.) për të shkuar, si qershia mbi tortë, te të huajt (poeti spanjoll Miguel Angel Bernao dhe poeti meksikan Pedro Reygadas).


Vetë ky interes profesional për poezinë e autorit, flet për emër të rëndësishëm. Shkrimtaria e Petraq Ristos, në shqip dhe në gjuhë të huaja, është një shembull i këmbënglujes për të kërkuar në hapësira të pashkelura, i pasionit progresiv për artin dhe i qendrueshmërisë estetike në kohëra e, duke tentuar, më në fund, krijimin e profilit artistik. Jemi në truallin e një letërsie të mirë, me emra të nderuar në të gjitha etapat e zhvillimit të saj; në këtë sens, kam pasur nderin ta përmend autorin (krahas disa emrave të tjerë me peshë dhe biografi artistike) në shënimin tim letrar me titull “Arti përtej klisheve” (ndjekur bindshëm nga lexuesit në revistën “Fjala e lirë” dhe në faqen time në Fb).

Një tjetër arsye pse e solla këtë libër në bibliotekën time modeste këtu në Vankuver - se pjesa më e madhe e librave kanë mbetur në shtëpinë e Tiranës - një tjetër arsye, pra, ishte kopertina e librit, punë e piktorit të njohur Artur Muharemi, një nga miqtë e çmuar, me të cilin gjithnjë kam ndarë problematika artistike e sociale, që nga kohët e Kinostudios (shtëpia e beqarëve, ku jetuam për disa vjet, bashkë me artistë të tjerë). Shfletimi këtij libri është një kënaqësi, gjithashtu, kur mendon sa të pakët janë sot autorët seriozë e të përgjegjshëm për fjalët që hedhin në letër apo në rrjet...

Më në fund, përveçse kënaqësi, është edhe njëlloj detyrimi ndaj kolegëve të ndalesh herë pas here tek ata më të preferuarit, të bësh një porosi, një blerje, sepse lektisjet virtuale - sadoqë kanë edhe ato vlerën e tyre - janë si për të “shkuar radhën”, kurse libri letër e biblioteka, gjithsesi, mbeten të shenjtë dhe kuotë. Me këtë rast, doja të shtoja se në shënime të tilla jemi jashtë brohorive dhe çdolloj teprimi a mendjelehtësie letrare, siç ndodh rëndom me shkrues që s’kanë të ndalur në listat që hartojnë, lista ku çuditërisht mungojnë emra shumë të njohur, por jo miqtë e tyre anonimë, nga më të padëgjuarit. Sidoqoftë, këto janë qasje dhe sekush përcjell atë që i duket më mirë. Mandej koha vendos; (natyrisht, ajo nuk i bën dot të njohur të panjohurit dhe nuk i ble dot librat që rrinë stivë apo thjesht dhurohen).

Duke mbyllur këtë shënim për shkrimtarinë e Petraq Ristos, (shënim që filloi me shfletimin e librit të tij “Para-j-sa?!”) mund të përsëris me bindje se folëm për një emër të veçantë të Letrave Shqip dhe, gjithaq, për një krijimtari të tillë dhe që meriton edhe më shumë vëmendje. Poetika është një botë e madhe, por - pa përjashtuar askënd nga pasionet - në të njëjtën kohë, ajo, poetika, është e vogël, e pakët, që do të thotë se poetët e mirë janë të rrallë.


86 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page