top of page

Dritëhije të medias shqiptare


Dritëhije të medias shqiptare

Dritëhije të medias shqiptare


Pjesë nga studimi “Gazetari apo punëshkrimtari”


Dr Fatmir Terziu


Para disa kohësh isha i ftuar në një nga emisionet televizive të kanalit britanik “Five” (Pesë) që trajtonte problemin e gazetarisë globale sot. Emisioni “Wrigt Stuff” (Gjëra të drejta), një prodhim i “Princes Productions” dhe që drejtohet nga Matthew Wright, kishte panelistë gazetarët Dave Gorman dhe Janet Ellis. Në fjalën e tyre Gorman e Ellis sollën fakte nga mjaft vende ku ata kishin shëtitur për të realizuar bindjen e tyre se cili është pozicioni i gazetarit dhe gazetarisë sot në vendet e Evropës Lindore. Duke folur për këtë problem pika e përbashkët ishte se media sot është bërë një armë në duart e pronarëve që lidhen me politikën. Ata thanë se ka pak ose aspak ndryshim me fuqinë e ‘fjalës së lirë’, sepse “këta pronarë manipulojnë median”.

Dy vjet më parë në të njëjtën kohë, në periudhë daljedimri, ndoshta jo si ky dimër që kaluan shqiptarët këtë vit me krizë globale, Monte Plott, gazetari dhe reporteri i “Associated Press”, CNN, “St. Louis Post Dispatch”, “USA Today” dhe “Atlanta Journal Constitution” shprehte tek “KnightLine: International” në faqet 24-27 opinionet e tij për median shqiptare të fiksuara nën titullin “Turn on the lights” (Ndizi dritat!). Ai shkruante pikërisht kështu: “Çfarë ka ndodhur në Shqipëri dhe çfarë bën media atje sot që të jetë një përzierje me dritë dhe errësirë, është se boshllëku informativ i krijuar nga komunizmi, tani është i tejmbushur me biznese mediash private. Disa pronarë me shumë lekë për të shpenzuar, por me pak ose aspak eksperiencë, ide apo kualifikim në gazetari, shumë herë kanë synime politike ose edhe ekonomike dhe anasjelltas. Disa pronarë përdorin biznesin e vet të medias të vazhdojnë drejt qëllimit të tyre, ose më qartë si penë dhe letër apo edhe mikrofon dhe ekran për të treguar ‘opinionin’ e tyre…”

Kjo që tregon Plott duket akoma më reale kur shihet qartë edhe fakti që ai ka diktuar: “gazetat shqiptare kushtojnë afërsisht 20-40 cent dollarë Amerikanë, dhe me 22 tituj gazetash që konkurrojnë për këtë fitim, fitimi nga shitja duket se nuk është ai që mbush xhepin e pronarëve, pra gazeta e ditës së nesërme nuk printohet me shitjen e saj. Kështu që pronarët janë ‘vetë zot e vet shkop’ në këtë mesele”. Por nuk janë vetëm këto 22 tituj gazetash që sundojnë tregun mediatik shqiptar. Në Shqipëri ka 24 gazeta mujore, 9 dymujore, pesë dyjavore, pesë javore dhe tetëmbëdhjetë revista mujore, tetë dymujore, katërmbëdhjetë revista që dalin çdo tremuaj, 46 stacione radiosh të liçensuara dhe 64 stacione televizive të liçensuara. “Dhe e gjitha kjo ndodh në një vend më të vogël se shteti amerikan Maryland”,- thotë Monte Plott.

Duke parë edhe një kuotim në faqet e “KnightLine International” të drejtorit të Institutit të Medias në Shqipëri, Remzi Lani, se “në Shqipëri nuk ka gazetarë të papunësuar, por kjo s’do të thotë se të gjithë këto që punojnë si gazetarë ushtrojnë gazetari të mirë”, vjen edhe ana tjetër e medaljes së këtij problemi që përpëlitet mes dritëhijeve poltike.

Por, kjo është ana sipërfaqësore e problemit. Në brendësi të saj janë lidhjet e dukshme dhe të padukshme të fenomenit në fjalë. Janë lidhjet e padukshme që vijnë si pasojë e situatave në të cilat është vetë marëdhënja e bosëve të medias me pushtetin. Të dukshmet janë ato që dihen e shihen në shoqërimet e politikanëve të nivelit të lartë në vizitat e tyre jashtë vendit. Themi është e dukshme kjo, sepse tashmë dihet që shumë pronarë mediash janë gati edhe shoqërues të politikanëve shqiptarë që marrin pjesë në konferenca, seminare apo edhe thjesht vizita jashtë. Kjo është e natyrshme. Ata kanë para. Kanë viza, pasaporta, liri, shoqëri, synime, plane e gjëra “në të mirë të vendit”. Dihet kush i shoqëroi ministrat shqiptarë në Forumin e Investitorëve Anglo-shqiptarë në Londër, dihet kush e shoqëronte ish-Presidentin Moisiu në çdo lëvizje të tij, dihet edhe kush ‘sponsorizoi’ takime e vizita pushtetarësh anëkënd Globit për ‘përvojë dhe eksperiencë’. Por, ajo që s’dihet është ajo që rreket pas thelbit “askush nuk lexon sot gazetat”. Dhe kjo nuk thuhet vetëm nga njërëzit, apo lexuesit, por edhe nga vetë opinionistët, gazetarët, pronarët dhe nga vetë Monte Plott. Pra gazetat nuk shiten, nuk lexohen! Atëherë ku qëndron problemi?! Në këtë shkrim unë do të sjellë disa nga ato që unë mendoj se nuk shkojnë ashtu siç duhet. Dhe kjo nga përvoja ime si gazetar i medias së shkruar dhe asaj vizive në Shqipëri dhe nga përvoja ime si gazetar në Britaninë e Madhe.

Shpeshherë është thënë nga akademikët britanikë se ‘gazetat janë një stërmundim i një dite dhe një amballazh për të mbushur peshk dhe patate të fërguara ditës tjetër”. Kjo nuk është një thënie që vjen nga rruga, as nga lidhjet me gazetat apo gazetarinë shqiptare. Kjo thënie vjen nga instanca të dijes dhe me nivel, për një gazetari me demokraci në një vend demokratik dhe me liri fjale siç është Britania e Madhe. Por në thelb, kjo thënie ka shumë kuptime që lidhen me fatin e medias sot në Shqipëri. Ky fat lidhet edhe me aspektin që vetë informacioni në Shqipëri është i ndarë; informacion nga Tirana, pra Qeveria e organizmat qendrore dhe informacion nga rrethet apo nga pushteti lokal. Si i tillë informacioni sot veç konkurrencës, ka edhe një arsye që lidhet me fatin e gazetarëve lokalë, me ‘normën e tyre’, apo edhe me pagesën e tyre sipas shkrimeve në të shumtën e rasteve. Ky lloj fenomeni sjell edhe ‘humorin’, pasaktësinë, dhe shkrimet e treguara nga dasmaxhinj, kalimtarë apo edhe kafepirës. Më kujtohet një rast, i cili është sa për të qeshur, aq edhe për të vënë duart në kokë. Rasti ka të bëjë me disa vite më parë. Një koleg punonte për një gazetë qendrore nga Elbasani. Ishte në hall një ditë nuk po gjente lajm. Duke parë ‘problemin’ e tij, një nga kolegët e tjerë stisi dhe sajoi një lajm kot. Shkroi një letër dhe e la në tryezën e gazetarëve lokalë. I pari që e gëlltiti sapunin për djath, përpos këtij lajmi të kot, ishte ky ‘gazetar’ në hall. Dhe ditës tjetër gazeta qendrore doli me kryetitull bombastik: “Kolerë në Gramsh!”. Kaq u desh dhe vijoi protesta nga spitali i Gramshit, Baskia e qytetit dhe mjaft organizma të Prefekturës së Elbasanit. Lajmi ishte i remë! “Gazetari” e pësoi, por e pësuan lexuesit, e pësoi sinqeriteti i gazetës, e pësuan institucionet.

Në disa raste të tjera informacioni dhe lajmet kanë lënë zbuluar gazetarët e rretheve, që mbesin më të pambrojturit në Shqipëri. Ata janë pre e ‘kapove’, policëve, shefave dhe gjithëfarësoj zyrtarëve. Atyre u ngihen shefat e Tiranës dhe u krekosen edhe lokalët… Pastaj hajde thuaji kësaj gazetari dhe gazetarë!?

Ndërsa Plott thotë: “lajmet mund të ndikohen, ose deformohen nga pronari apo lidhjet politike dhe presionet e bizneseve”, këto deformime gazetareske vijnë nga instanca të tjera që lidhen me paaftësinë, mungesën e ligjit përkatës, mungesën e gazetarëve të mirëfilltë dhe mosmbrojtjen e tyre. Në raste të tjera janë edhe njëqind arsye të tjera që flasin për gazetari dhe gazetarë jashtë kuadrateve të profesionit.

Janë arsye që lidhen me thënien e gazetarit Neza për interesin e Plott. Neza thotë: “Arsyeja kryesore që njerëzit duan që të kenë një gazetë në Shqipëri është që të kenë lidhje me Qeverinë, sidomos të kenë lidhje me prokurimet e Qeverisë”.

Atëherë duket qartë se fati i gazetarisë dhe gazetarëve shqiptarë në të sumtën e rasteve është një gozhdë e ngulur në ‘murin’ ndarës e bashkues të interesave që ushqejnë ‘biznesin’ midis pronarëve dhe qeveritarëve. Që të kërkohet më shumë nga kjo gazetari dhe nga këta gazetarë, natyrshëm duhet kohë, duhet aq kohë sat ë kuptohen lidhjet e dukshme e të padukshme që u cituan më lart. Por, edhe në qoftë se këto lidhje do të zbulohen, frika është se dalin lidhje të tjera, se ashtu siç thuhej në fillim të viteve 90-të në Tiranë, “shkund një ferr dhe del një shofer”, tani mund të thuhet hapur se “hap një, biznes apo një pazar dhe gjen mijëra gazetarë”.


7 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page