Myzafer Ramzoti: UDHËTIM MIQËSOR
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 6 minutes ago
- 8 min read

UDHËTIM MIQËSOR NËPËR POEZITË E VËLLIMIT “RINGJALLEM NË VARGJE “ të
poetit Vladimir MUÇA
Dritëro Agolli shkruan: - Poetët janë si anije të bardha; qëndrojnë për një kohë të gjatë në det para syve tanë duke na mahnitur me bukurinë e tyre, pastaj largohen dhe humbin në horizontin e pa anë.
Mendoj se poeti Vladimir Muça me krijimtarinë e tij është njëra nga anijet velëbardha që lundron para syve tanë në detin e gjërë në brigjet e Durrësit, në det të qetë, në bunacë, në det të egër plot dallgë, në baticë e në zbaticë. Ky udhëtim ka nisur, siç thotë poeti :
Kur linda
Njelmësi e kripës
Mu bë pjesë e trupit,
Puthje dallgësh mora në fytyrë,
Qiell e det në kripsin tim
Më mbeti në sy
Si i pari përshkrim.
( Se linda pranë detit)
Pas detit të valëzuar ku u lind e u rrit vjen dheu i të parëve, lashtësia, të cilën poeti, nëpërmjet një aliteracioni na e bën të qartë e të kuptueshëm:
Pllaja e Lenies zë të thinjet,
Tufat e deleve u nisën karvan;
Ç’më mbeti në sy trupi i biondinës
Me gjoks hapur, lart në stan.
( Shtegtim)
Në këtë antologji të krijimtarisë së tij poetike që nis me “ Shtigje të dashurisë” Vladimir Muça vjen si një lirik i mprehtë, si një lirik sa qytetarë po aq dhe intim. Ai shkruan për dashurinë, për rininë, për erotikën e moshës, për dashurinë ndaj mikut, ndaj familjes,nënës, prindit dhe, kur shkruan për to, nuk i shpëton një ndjenje melankolije për përpjekjet jetësore të njeriut të thjeshtë në këtë jetë. Ai është poet vëzhgues. Poezia e tij i shëmbëllen detit herë të qetë e, herë të trazuar e të shqetësuar, pa kapërcyer përtej poezisë tradicionale shqipëtare duke ruajtur origjinalitetin e tij, individualitetin e pjekurinë e tij. Këto tipare e bëjnë poezinë e tij origjinale e me një botë të veçantë.
Poezia e tij është e pleksur me një ndjenjë të theksuar qytetare që jeton dhe shpreh figurshëm përgjegjësinë personale për fatet e vendit të tij me frymën demokratike duke i u drejtuar lexuesit me një përceptim të guximshëm për problemet që proekupojnë shoqërinë.
Poezia e tij ruan ngushtësisht lidhjet me të kaluarën, me traditën si në poezitë : “ Zgjimi i dëshmorëve” apo” Nënë e nënës” etj. Ku shkruan:
Labushet tumanelehta
Staneve pastrojnë mrizërinë,
Rreth e qark e tufa – tufa,
Mbushur vendi trëndelinë.
………………………………….
Mall kam për ato vende,
Të mrizoja me bagëtinë;
Ime shoqes kanakare
Kokërreth t’i lidh shaminë
.................................................
Me të të shtrihem mrizave,
Nën rrap a në lëndinë,
Nën këngën e bilbilave,
Zjarr ta ndezim dashurinë.
( Nënë e nënës)
Për Gëten poezia përbën një pjesë të jetës ndërsa për Ladin, më duket se poezia është kuptimi i vetë jetës. Për të ajo nuk është vetëm një nevojë shpirtërore, por edhe më shumë se aq:
Me shkronjat e alfabetit
Ndërtova shkallaren
E bunarit të jetës
Në zemrën e popullit tim.
( Me alfabetin )
Të gjitha poezitë në “Shtigje të dashurisë” janë si një fluturim i bukur edhe pse disi i lodhshëm. Ajo dashuri rrok shumë njerëz e grupe shoqërore pa përjashtuar femrën, hijeshinë dhe bukurinë e saj, jo vetëm në tiparet që afrojnë buzëqeshje e lumturi, por edhe në vetitë e karakteristikat e brishta të ndjenjave e të linjave. Në poezitë e dashurisë, poeti shpërthen si vetë dalldija e ndjenjave deri në pavetëdije, si një anije që humbet timonin nën presionin e furtunës, si një anije që vërtitet pa drejtim në humnerat e lemerisëshme të thellësive të errta të honeve të pa imagjinuara:
U njohëm me fjalë të dridhëshme
Në takimet e talenteve të reja
.....................................................
Ajo kish ardhur nga brigjet jonike;
Stëkalat e dallgëve i hidhnin valle në sy;
Vetëtimat e Çukës nxirrnin zjarr prej syve
Dhe çuditërisht na lidhnin të dyve
( Njohje )
Apo :
Mos u zemëro me mua e dashur
Dhe pse grindemi ngaherë,
Ne na ngatërron stinë e zemrës,
Stinë e dashurisë është pranverë.
(Mos u zemëro e dashur).
Poeti është i tillë, poet se përpiqet të trembë e të largojë trishtimin, përpiqet të largojë pakënaqësinë duke e trajtuar atë me vërtetësi, duke vënë në pah të bukurën e duke goditur të shëmtuarën për ta shtyrë atë drejtë reales, drejtë të vërtetës e të madhërishmes si në poezinë “ Histori fitoreje”, “Sarkofagët romake” apo“ Vargojtë” etj.
Njerëzimi, bota që na rrethon me dukuritë e saj, me të mirat dhe të shëmtuarat e saj, bëhet pjesë e jetës së tij, e jetës së poetit jo si simbol, por si një njeri aktiv në të duke përdorur talentin e tij, aftësitë e tij krijuese në shërbim të shoqërisë. Ky është misioni i poetit e i poezisë dhe Vladimiri, këtë mision, pavarësisht nga tensioni, presioni, vështirësitë dhe pesha që mban përpiqet ta realizojë në të gjitha poezitë e këtij vëllimi poetik që përbëhet prej “ Shtigjeve të dashurisë”, “ Aromë vendlindje”, Trille poetike, Poezi Tanka si dhe dy poema që përfshijnë 135 poezi e 2 poema. Pra, një prurje e bollshme me vlera poetike me tematika të larmishme e të qëlluara, të ndërtuara me një figuracion të goditur letrar e artistik.
Poeti nuk mund të heshtë për ato që vërenë, për ato që vëzhgon e shikon. Aty ai kërkon shpirtëroren, heroiken, futet mes njerëzve në botën e tyre si personazh e si krijues. Poezia për të është sfidë ndaj fatit, ndaj jetës, është përdëllim dhe guxim.
Prodhimtaria e tij poetike është e larmishme dhe e bollshme. Ai është kërkues, qëmtues i tematikës e i figurës artistike. Aftësitë e tij vëzhguese e përgjithësuese me peshë specifike të mjaftueshme, të paisura me impuls të fuqishëm drejtë të bukurës e të madhërishmes të veshur me thjeshtësi janë dukuri të pa diskutueshme. Ai e kërkon figurën me këmbëngulje e entuziazëm të palodhur derisa arrinë atë që ai kërkon.
Ja vendi
Ku për popullin
S’u fol kurrë,
Veç manekina e bufona ka.
Ikona të kaherëshme
U vërtitën ballit.
Si grindje shenjtorësh
Mes Romës dhe Bizantit.
(Kuvendi ).
Apo:
Mbeta i vetëm,
Këtu s’ka njeri
-Thosh me vete banor’i fundit
Tek ikte
Me sytë pa dritë.
....................................
Nga pas
Fshati i të vdekurve
Duart e lutjeve
Kish nxjerrë nga varret;
-Mos ik!...Mos ik!...Mos ik!...
( I fundmi).
Vladimiri është me këmbët në tokë, por kur ai e prek natyrën ajo bëhet e zëshme, eterore, e prekshme, shumëngjyrëshe me përdorimin e një gjuhe të pasur e të bukur melodioze që, në varësi të gjendjes së tij shpirtërore, sidomos kur përdor ndonjë fjalë të huazuar, e humbet dhe e zbeh ngjyrimin e pritshëm emocional të poezisë. Ai din ta bëjë poezinë e tij flurore e më fluturake duke e veshur atë që gjen me një realitet përtej ëndërrës me fantazinë e tij për t’i dhënë asaj magjinë, intuitën me forma të kuptueshme e të pastra.
Ai qoshku ujëvar ku mrizojnë dëshirat
Lidhur ma mban zemrën time;
Kur hap tjetër shtëpi,
Çfarë trasmetimi në vite!...
Të rënda kanatat e burgut të zi,
Shtëpia ku linda,
Shoqëria ime
Më rikthehet
Si një perri.
(Në zemrën time).
Po ta shohësh me vëmendje do të vëresh se thelbi i poezive të tij është jeta reale. Për të poezia është çlirim i shpirtit, është ankth që pret të shpërthej, është nyje që çlirohet në krijim.
Ndeza sirenat e diellit
Të trembja arabeckat e të ftohtit,
që ti gjer në kockë
të ishe e imja.
I dhash flakën borës
Me pishtarin e zemrës,
E në këtë natë pa yje,
Me shi,
nga shumë dashuri
lindi dielli.
( Natën nëpër shi ).
Vladimiri është spontan në krijimtari. E ndërton atë me flatra vargjesh duke u nisur edhe nga rastësia.
Kur jam larg, shtergët nisën fluturimin,
Në zemër malli gjëmon në mua,
Në butën e verës mbledh durimin
Në mendje më vijnë hyjnitë e bukura.
………………………….
Jeta digjet si druri në zjarr,
Mes manastiresh, dashurish të pa mesha
Trup i gjymtuar, zemër vrarë,
Tundohem nga ndjesi të molepsura.
( Kur jam në largësi).
Ai lundron në lojën e ideve dhe atëherë, vargjet njëri pas tjetrit vërshojnë të veshin idenë me figura për të krijuar poezinë e ndjenjës, të dashurisë, për ta sjellë atë të freskët, optimiste dhe hera- herës edhe naive.
Një shikim mjafton
Kur mes tij rrugëtojnë dashuritë,
Një shikim mjafton,
Që zemra të rrëzojë dritën…
( Një shikim mjafton ).
Poezia e Ladit është shpirtërore, me përmbajtje. Në të marrin pjesë të gjitha shqisat trupore e ndjesore dhe ai bëhet njësh me to. Poezia e tij s’njeh kufij.Këtë ndjenjë njerëzore e ndjejmë në cikle të tëra poezishë si: - “Jeton shpirti çam”, “Marshi i UÇK-së”, “Emigrant”, “Në Alepo”, “Trishtimi i një qyteti”, “Anija Panama”, “Ikja”, “Lodhje mërgimi”, etj
Mes puthjesh
Nga buzët e mia zjarrmohet dashuria,
Ujem i viteve të shkuara:
Pikon në trupin e hajthëm të viteve,
Mes endjenjave të magjepsura;
Si himn mallëngjyes i altarit të jetës,
Ngre kupën e mbushur plot me puthje,
Mes hyjnizimit të bashkëjetesës.
( Puthjet e një jete).
Përdorimi i një gjuhe të tillë flet për atë që vullneti i tij si poet është më i fortë e më këmbëngulës se vetë poezia. Gjuha e tij në poezitë lirike është e zgjedhur dhe e ngarkuar me më shumë ngjyrime figurative se sa ligjërimi i përditshëm dhe, prandaj tingëllon më kumbueshëm e më ritmik. Kjo frymë është e pranishme në poezi si : “Tjetër ikje”, “Në zemrën time”, apo” E prenë një pemë “etj.
Në poezitë më të fundit si : - “Ullinjtë e Çamërisë”, “Gjardani i artë”, “Apokalips ushqimorë”, “Vargojtë”, “Të papunët”,” Lypsari” etj, ai i largohet tregimit dhe përqafon ndjenjën e protestës pleksur me ironinë, alegorinë, metaforën e ashpër therëse. Ritmi i poezisë është trokitës, lakonik e, poezia bëhet më e ashpër edhe pse më shpirtërore.
Për mua, Ladi duke ndërtuar poezi të tilla si “ Mjeshtri i mozaikut”, “ Vjen tek ne si rreze mall”, e “Përse ikin kështu poetët” ka ngritur një lapidarë të merituar për artistët që me veprën dhe krijimtarinë e tyre i dhanë këtij vendi gjithçka të mirë e të mrekullueshme që kishin në veten e tyre.
Nëpër vargjet e Ladit ritmi është një element i pranishëm që mbart oshilacione force e tam – tamesh sipas temës, idesë , formës poetike të krijimit. Kjo frymëmarrje është në qendër të krijimtarisë dhe më fuqishëm si një fanfare e vërtetë orkestrale tingëllon në poezinë hymn “ Gowst nëpër shekuj”.
Nër shekuj, kjo tokë “Gowst” thërret,
Mes gurëve qiklopikë,
E viteve të mia,
Pashë majën e hanxharit,
Pashë tokën përmbytur me gjak,
Diellin vagëlluar si zjarr i korrikut,
Shkëmbijtë nga gjylet e patkojtë e copëtuar,
Jetën e fisit në buzë humnere
Si pluhur vullkani mbuluar.
( Gowst nëpër shekuj ).
Kjo frymë ritmike bëhet më e pranishme thuajse në të gjitha poezitë e fundit të antologjisë dhe bile, edhe në të dyja poemat: “ Dielli s’perëndon në Rivierë” dhe “Poemë Vllahe” për të cilat mendoj se duhet të ndalem në një shkrim të veçantë e, megjithatë, nuk mundem ta mbyll pa thënë nja dy fjalë.
Poemat janë shprehje e qartë e rrugëtimit krijues të poetit ku, elementi teknik, elementi tokësorë ka përparësi ndaj atij frymëzues dhe artistik. Intuita e vetëdijshme , shfrytëzohet me mjeshtëri, me figuracion magjepsës e sygjestionues. Çdo kapitull, ndarje a nën ndarje është pjesë e së tërës, e idesë themelore e thurrur me kujdes dhe me inteligjencë artistike plotësisht me vetëdije intelektuale ku mbizotëron herë një faktor e herë një tjetër.
Në poemat e Vladimirit merr përparësi elementi vëzhgues e frymëzues, i improvizuar apo vizual dhe kështu, lidhja shpirtërore e pjesëve vjen duke u lartuar artistikisht në shërbim të idesë. Ritmi në to mbetet mbizotërues duke nxjerrë në pah forcën ideore të poezisë siç ndodh edhe në simfonitë apo në fantazitë orkestrale. Kjo bën që idetë e pjesëve apo të këngëve të rrjedhin vrullshëm në shërbim të idesë kryesore të poemave. Këto rrëke gurgulluese vargjesh me ujra të kristaltë malesh ushqejnë lumin që vjen i freskët në të dyja poemat.
Ai është vëzhgues e vizionarë i fuqishëm, me vështrim të qartë e të përqendruar që sodit botën me një zjarr të fshehtë poetik. Me frymëzimin e tij, me shkëndijat e zjarrta të krijimit e të mendimit, u jep ngjyrime të mrekullueshme ylberiane larmive të pafundme të ndjenjave e të figurave, i kthen vlerat natyrës së mahnitëshme të Atdheut.
Në të dyja poemat shpirti poetik , shpërthen e del jashtë vetëdijes për t’u shijuar e admiruar nga të gjithë ata që e lexojnë.
Si përfundim, më lejoni të perifrazoj një thënie të të madhit Stefan Cvajg për Klaustin : - Shpirti i tij jeton në dy botë: - në ngrohtësinë e fantazisë më të zjarrtë, më tropikale dhe në realitetin konkret më të përmbajtur e më të ftohtë të analizës për këto arësye, dhe arti i tij është i ndarë ku secila nga pjesët drejtohet në mënyrë fantastike në skajin më të largët të saj: - Ky është fati i Vladimir Muçës dhe i disa të tjerëve krijues që jetuan e u formuan në një sistem të ndryshëm nga ai në të cilin po jetojmë sot.









Comments