top of page

Fadil Maloku: A është “Deal”-i i Trumpit për Ballkanin...

A është “Deal”-i i Trumpit për Ballkanin: paqe me çdo kusht, edhe në dëm të Kosovës?


Nga Prof. Dr. Fadil Maloku,

sociolog i globalizimit

I. Me kompetencën e një sociologu të globalizmit, fillimisht duhet të theksoj  se, nëse i "detektojmë” shkaqet kryesore të zbehjes për të mos thënë shembjes së iluzionit për procesin dhe, e për disa tendencës, madje edhe të mitit (!) mbi globalizmin, atëherë ato duhet kërkuar sidomos te momentet e çrregullimit të rendit global politik dhe ekonomik. Momente këto që “demonstrimin” e tyre në publik, tani po e ushtrojnë me hezitim e neglizhencë të pa parë shumica e shteteve që janë ende hisedare globale. Arsyeja kryesore është se këto shtete-perandori bartëse nuk dëshirojnë ta pranojnë “kursin” e fillimit të ndryshimit të tyre të brendshëm social, i cili po pushon së qeni në përputhje me zhvillimin e mekanizmave institucionalë. Apo, thënë ndryshe, historia ka dëshmuar se qytetërimet e fuqishme zakonisht fillojnë të gërryhen nga viruset e vetëkënaqësisë hegjemonike ndaj kulturave dhe qytetërimeve të tjera përreth tyre. Dhe pikërisht kjo i ka ndodhur edhe Amerikës. Ndërkohë, nëse analizojmë zbehjen e tendencës së globalizmit (amerikanizimit) si model dominues në botë, kuptojmë se kjo tendencë kulmimin e vet de facto dhe de jure e arriti në vitin 1989. Vit ky që nga shumica e sociologëve merret edhe si datëlindja e saj, e që në realitet shquhet edhe si “datëlindja” e rënies, kolapsit apo bankrotit të komunizmit, si ideologji, si sistem qeverisjeje, por edhe si botëkuptim global.

II.Por, nëse i adresohemi rrethanave aktuale, pyetja milionëshe lidhet me dilemën: cili është qëllimi i sotëm i globalizmit (Amerikës)? Ndër këto qëllime, pa asnjë dyshim, është edhe ruajtja e arterieve globale energjetike. Pra, një prani e saj online, jo në cilësi dytësore, por si një gjigant i ri ekonomik (MAGA), i cili, në situata tensionesh globale dhe kontinentale, të mbetet sërish ajo “adresa” e parë e kontaktit për ruajtjen e mëtejme të supremacionit të petrodollarit. Por çka nënkupton ky rrugëtim i ri linear për botën tjetër? Është më se e qartë se, bazuar mbi këto kontura të reja, skena globale do të marrë një pamje krejtësisht tjetër, në kuptimin se, për nga forma, ajo sërish do të duket e mbushur me diversitete dhe laramani sociale, ekonomike, politike, ushtarake dhe kulturore. Por, për nga përmbajtja, do të marrë një pamje krejtësisht tjetër. Natyrisht, një “road map” e tillë do të kërkojë edhe një “udhërrëfyes” të ri (por jo global, siç ishte deri më tani Amerika lidere), në mënyrë që të zbuten dhe reduktohen konfrontimet dhe kacafytjet e reja, duke siguruar kështu një formë të re të bashkëpunimit dhe komunikimit lidhur me proceset dhe zhvillimet e reja globale në horizont.Natyrisht, një qasje e tillë, sipas shumë indikatorëve politikë, nënkupton edhe një cilësi të re në sferën e diplomacisë. Kjo nënkupton një “orë të re biologjike” për administratën amerikane të Donald Trumpit, por edhe për gjithë botën, cep më cep. Mirëpo, në kuadër të kësaj “ore të re biologjike”, shtrohet edhe një cikël i tërë pyetjesh dhe dilemash të tjera që kërkojnë përgjigje adekuate dhe meritore. Së paku si kjo: me kë duhet Amerika të fillojë të ngrejë themelet e perandorisë së re gjeopolitike dhe gjeostrategjike (MAGA), kur e njëjta ende insiston ta “mirëmbajë” dhe ta ruajë me xhelozi fanatike supremacionin e ndërtuar me dekada të tëra mbi pesë shtyllat e identifikuara nga gjeostrategu i njohur Zbigniew Brzezinski.

III. Shtylla sociale (e ndërtuar me pietet përmes “ëndrrës amerikane”); shtylla politike (e kultivuar me fanatizëm dhe xhelozi për demokracinë liberale); shtylla ekonomike (e imponuar sistematikisht); shtylla kulturore (e shndërruar në një melting pot); dhe, në veçanti, shtylla ushtarake (e fermentuar si “palca kurrizore” e globalizmit). Kordonët e diplomatëve amerikanë në periudhën e globalizimit ekspresiv, sipas kritikëve republikanë, nuk ishin akterë kreativë të së mundshmes në proceset globale. Ata, shumë më tepër, ishin altoparlantë ose “zëdhënës” të vendimeve që merreshin në zyrat e errëta të DASH-it, ku detyrë primare e këtij profili diplomatësh ishte ekskluzivisht transmetimi i mesazheve të stilit “take it or leave it” (merre ose lëre). Sintagma “lëre” pothuajse gjithnjë nënkuptohej si reperkusion, por edhe si pasojë për ata që nuk e kishin funksionalizuar pjesën e parë: “merre”. Ka plot raste nëpër botë, e ne në Kosovë jemi dëshmia më e mirë për ta ilustruar këtë profil diplomacie. Sa për informacion, duhet cekur se “pesha specifike” e diplomacisë amerikane, sidomos pas Luftës së Parë Botërore, kishte filluar të marrë hov dhe madje të imponohej si lidere globale vetëm kur kishte nisur të interesohej seriozisht për çështjet e sigurisë globale, e sidomos për temat që kishin për imperativ ruajtjen e balancave dhe shmangien e tensionimeve midis “dinozaurëve” kontinentalë.

IV. Pas Luftës së Dytë Botërore, diplomatët dhe mediat amerikane pushuan së trajtuari problematikën e interesave të rivalëve të tyre politikë dhe ideologjikë. Pikërisht ky lloj “shkurorëzimi” nga një qasje e tillë bëri që Amerika, bashkë me aleatët e saj evropianë, ta fusë Ukrainën në luftë, të cilën sot Trump po e identifikon si fajtore pse nuk po pranon koncesione. Duket se e njëjta logjikë “territor për paqe”, sikurse në rastin e Ukrainës, do ta presë edhe Kosovën, ku sërish evropianët do të neglizhohen në vendimmarrjen eventuale që do të “gatuhet” (ashtu siç kanë bërë gjithmonë historikisht) nga administrata aktuale amerikane. Zaten, duket se themelet për një zgjidhje të tillë (“ndarje për njohje”), të dhimbshme pa dyshim për ne, i ka hedhur qysh moti lobisti aktiv i Serbisë, Richard Grenell. Problemi i vetëm mbetet se cila qeveri kosovare do ta shprehë gatishmërinë më të madhe për këtë koncesion të radhës. Mirëpo, fakti që ka rezerva (sidomos nga kampi opozitar), mungesë gatishmërie, madje edhe një lloj heshtjeje “mortore” (nga ish-qeveritarët), flet shumë për barrën dhe përgjegjësinë e madhe që i kanë subjektet tona politike. Mendoj se vetëm me një diplomaci aktive, pragmatike dhe praktike, por në thelb unifikuese në vendimmarrje, mund të shpëtohet Kosova nga ky udhëkryq sfidues dhe padyshim historik. Nuk guxojmë assesi që sfidën “ndarje për njohje” ta lëmë në “dorë” të një subjekti, e aq më pak të një personi të vetëm. Ndryshe, çmimi i “pazarit” për koncesione të reja ndaj Serbisë do të maksimizohet.

V. Këtë e themi edhe për shkakun se dinamikat e paparë teknologjike po krijojnë një precedent të ri për përhapjen e shpejtë të dezinformatave dhe të “luftës” hibride. Në kushtet e ekspansionit neoliberal, kjo formë e re e komunikimit kapitalizmin po e ngre në një stad të paparë, jo vetëm të diferencave klasore në të ardhura dhe të monopoleve korporative për pushtet, por edhe të një stagnacioni të përhapur në të gjitha shtresat e shoqërisë amerikane. Premtimi neoliberal se fitimet në pasuri dhe pronë do të rriten është thellësisht një farsë mashtruese. Ngase çmimi i pabarazisë dhe çmimi i fitimit, si një amalgamë toksike që i shërbeu Donald Trumpit si trampolinë për të ardhur në pushtet, në fakt, ashtu siç konstaton edhe antiglobalisti Joseph Stiglitz, është më shumë një retorikë demagogjike sesa një nevojë pragmatike që i duhej Amerikës në këto kohë.Mirëpo, nëse nisim të pyesim se kush qëndron prapa gjithë kësaj retorike dhe këtij koncepti  për disa madje edhe farse trumpiane përgjigjen do ta gjejmë gjithkah dhe askund. Themi kështu sepse ka shumë mendime se i gjithë projektimi dhe dizajni i këtyre ideve është “produkt” i disa forcave (për “dioptrinë” e demokratëve: të errëta), të cilat kanë ndjekur ekskluzivisht masa antidemokratike, duke përfshirë diskriminimin e votimit, manipulimin e zonave zgjedhore dhe aleancat me aktorë antidemokratikë, ku përfshihen si fundamentalistët fetarë, ashtu edhe supremacistët e bardhë, bashkë me populistët nacionalistë agresivë amerikanë.

VI. Në gjithë këtë “narracion”, që në shikim të parë duket paksa edhe konspirativ (?!), është interesante se të gjitha këto projeksione populiste ala trumpiane, në një mënyrë duken, por edhe janë, në kundërshtim të plotë me frymën dhe interesat e elitave ekonomike amerikane. Mirëpo, Donald Trump, i njohur si një korporativist oportunist me kondita globale, me sistemimin e J.D. Vance si zëvendëspresident – i cili thuhet se është pjesë kyçe e “Project 2025”, pra një projekt afatgjatë për transformimin e SHBA-së në një shtet me më pak demokraci dhe më shumë kontroll nga elitat e djathta – ka gjasa reale që ta ndryshojë edhe rolin e Presidencës amerikane. Një rol ky që për synim afatgjatë ka minimizimin e rolit të shtetit deri në skajshmëri absurde, jo vetëm brenda Amerikës, por edhe shtrirjen e këtij procesi në vendet e tjera të globit. Kuptohet, për momentin reperkusionet e mundshme nuk mund të identifikohen lehtë, edhe për shkakun e kohës së shkurtër. Por, në afat të gjatë, besohet gjerësisht se ndryshimet radikale që do t’i sjellë kjo administratë kanë shumë gjasa të realizohen. Dhe këto ndryshime, pa asnjë dyshim, nuk do të jenë vetëm të natyrës ekonomike, sociale, politike, kulturore dhe ushtarake, por edhe të asaj vlerore, që nënkupton një sistem të ri sjelljesh, një mentalitet dhe, pa dyshim, edhe një etnopsikologji të re kolektive. Ku sërish Amerika do të tentojë ta imponojë dhe ta eksploatojë “ëndrrën e re amerikane”, një “ëndërr” që, sipas mendimit tim, nuk do të ketë jetëgjatësinë e asaj fillestare, ku eksportoheshin maksimalisht vlerat individuale dhe të drejtat që kishin të bënin me standardet e qarkullimit të lirë të njerëzve, lirinë e shprehjes, komunikimit, si dhe të drejtat etnike, fetare dhe racore.

VII. Arsyeja për një dështim eventual të projeksionit të identifikuar si “Project 2025”, pa asnjë mëdyshje, do të jetë klima, fryma dhe perceptimi i njohur si westofobi. Një perceptim ky që fillimisht nisi me luftërat që Amerika zhvilloi në Lindje, sidomos në Irak, Afganistan dhe Siri, dhe së fundi me daljen haptas në anën e Izraelit, në rastin e gjenocidit (të paprecedent që nga Lufta e Dytë Botërore) mbi popullin palestinez në Rripin e Gazës. Së këndejmi shtrohet pyetja: kah po shkon Amerika e sotme me këtë establishment populist dhe oligarkësh autokratë? A do të mundet ajo edhe më tej ta bartë flamurin prijatar të lirisë së tregut, e cila tashmë po mbyllet përmes “luftës tregtare” që i është shpallur gjithë botës me taksa; të lirisë së qarkullimit, komunikimit, mendimit dhe gjykimit? Apo do të shndërrohet në shembull dhe model të ndarjeve etnike, fetare, racore dhe kulturore, të segregacionit social, paragjykimeve dhe stereotipive midis qytetërimeve? Madje edhe “Board of the Peace”, si institucion i ri ndërkombëtar, duhet parë si një mekanizëm që do ta ndihmojë shembjen e rendit të vjetër të globalizmit, ku prania dhe veprimi i këtij institucioni do ta dobësojnë legjitimitetin normativ të institucioneve tradicionale të tendencës së globalizmit (p.sh. OKB-së, organizatave tregtare dhe financiare). Në këte kontekst, shtrohet pyetja thelbësore; A është “Deal”-i i Trumpit për Ballkanin: paqe me çdo kusht, edhe në dëm të Kosovës?

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page