top of page

Drita Ademi: Ironia si akt lirie dhe sarkazma si ndërgjegje artistike në novelën "Kur vdiqa"

  • 2 hours ago
  • 3 min read


Rastësisht u njoha me shkrimet e Doranin Agalliut në Facebook. Ndonjëherë letërsia vjen pa trokitë. Nji fragment, nji mendim, nji fjali mjafton me të zgjue kureshtjen për autorin. Kështu më ndodhi edhe me Agalliun. Në shkrimet e tij ndjeva nji za që nuk përpiqej me u ba i bukur, por i vërtetë; nji za që nuk kërkonte me e ledhatue lexuesin, por me e tronditë. Mbasi lexova novelën "Kur vdiqa", e kuptova se ajo që më kishte tërheqë nuk ishte rastësi. Kisha përballë nji autor që e ka gjetë gjuhën e vet artistike. Në letërsinë shqipe nuk janë të shumtë autorët që kanë guximin me e kthye vdekjen në rrëfimtar. Agalliu e merr këtë rrezik estetik dhe ia del me krijue nji univers ku kufini mes jetës dhe vdekjes nuk ekziston ma. Paradoksi i madh i novelës qëndron pikërisht këtu: vetëm kur personazhi "vdes", ai fillon me e pa jetën pa iluzione. Vdekja nuk asht fundi i rrëfimit; përkundrazi, asht pika prej së cilës fillon e vërteta. Ironia në këtë novelë nuk asht zbukurim stilistik. Ajo asht mënyra se si autori e kupton botën. Çdo episod, çdo dialog, çdo mendim mbart nji ironi të qetë, që nuk kërkon me ba efekt, por me zbulu hipokrizinë e njeriut. Agalliu nuk tallet me personazhet; ai tallet me mashtrimet që njerëzit ia bajnë vetes. Kjo e ban ironinë e tij shumë ma të thellë se humori i zakonshëm. Lexuesi qesh, por ajo buzëqeshje shndërrohet shpejt në nji ndjenjë shqetësimi, sepse e kupton se po qesh me vetveten. Sarkazma, nga ana tjetër, nuk del si revoltë e zhurmshme.

Ajo rrjedh me qetësi, si nji lumë që gërryen gurin pa u ndie. Autori nuk predikon, nuk gjykon, nuk ngrit gishtin. Mjafton nji fjali, nji situatë absurde ose nji dialog i zakonshëm dhe krejt sistemi moral i shoqnisë fillon me u lëkundë. Kjo asht sarkazmë e klasit të naltë: nuk ofendon, por çmonton me finesë mekanizmat e hipokrizisë, të burokracisë, të etjes për pushtet dhe të absurditetit njerëzor. Por vlera ma e madhe e kësaj novele, sipas meje, nuk qëndron vetëm te ironia apo sarkazma. Ajo që e veçon asht forma artistike. Agalliu nuk rrëfen thjesht ngjarje; ai ndërton gjendje. Koha lëviz lirshëm. Kujtimet, reflektimet, dialogët dhe monologu i brendshëm ndërthuren pa e humbë kurrë ritmin e rrëfimit. Lexuesi nuk ecën pas fabulës; ai ecën brenda ndërgjegjes së personazhit. Pikërisht kjo e ban novelën moderne në strukturë dhe thellësisht psikologjike në përmbajtje. Më pëlqeu sidomos fakti që autori nuk e romantizon as jetën, as vdekjen. Ai nuk kërkon përgjigje të mëdha filozofike. Përkundrazi, e gjen tragjiken në hollësitë ma të vogla të përditshmënisë. Aty ku shumica e njerëzve shohin zakonshmëri, ai zbulon absurditetin. Aty ku të tjerët shohin fundin, ai gjen fillimin e reflektimit. Kjo novelë nuk lexohet vetëm me sy. Ajo kërkon me u përjetue. Të fton me qeshë e, në të njajtën kohë, të detyron me u përballë me frikët, iluzionet dhe dobësitë e tua. Pak vepra arrijnë me e krijue këtë ndjesi të dyfishtë. "Kur vdiqa" nuk asht thjesht nji novelë për vdekjen. Asht nji novelë për njeriun. Për njeriun që jeton tue vrapue mbas gjanave kalimtare, pa e kuptue se jeta po i rrëshqet ndër duer. E pikërisht për këtë arsye, kur mbyllet libri, nuk mbetet në mendje vdekja e rrëfimtarit, por pyetja e heshtun që autori ia len çdo lexuesi: A dimë vërtet me jetue, apo vetëm mendojmë se po jetojmë? Mendoj se me këtë novelë Doranin Agalliu dëshmon se zotënon nji individualitet të spikatun artistik. Ironia e tij nuk asht armë kundër njerëzve, por kundër mashtrimit; sarkazma nuk asht cinizëm, por ndërgjegje; ndërsa forma narrative dëshmon se letërsia e mirë nuk ka nevojë me bërtitë për me u ndie. Mjafton nji za i sinqertë, nji mendim i lirë dhe nji stil që nuk i ngjan askujt tjetër. Në kohën kur letërsia shpesh rrëshqet drejt rrëfimeve të shpejta e të parashikueshme, "Kur vdiqa" dëshmon se edhe novela, me përmasat e saj ma të përmbajtuna, mund të mbartë nji peshë të madhe artistike e filozofike. Asht nji vepër që nuk të imponon përfundime, por të fton me mendue. E kjo, në fund të fundit, asht cilësia ma e lartë e letërsisë së vërtetë.

Drita Ademi

Bazel

02.08.26

Shkrimet e fundit

bottom of page