top of page

DREJTORI GAZMOR


DREJTORI GAZMOR

Tregim

Drejtori i ri, ishte një person me hundë paksa të zgjatur në majë, por me buzë të gjera dhe me dhëmbët gjithmonë të zbuluar nga një gaz i pasosur me të tërë njerëzit. Te romani “Njeriu që qesh” i Hygoit, personazhi kryesor, i kishte buzët të prera nga kompraçikosët, që të qeshte gjithë jetën. Kurse drejtori im, kishte lindur me buzë të shpërveshura qysh në barkun e nënës, për të qeshur me të tërë njerëzit, sa të ishte gjallë. Atë e quanin Aleks, por zakonisht e thërrisnin shkurt: Leksi, madje, disa e quanin fare shkurt: Leku.

“Qenka drejtor babaxhan” thoshin të gjithë, pasi dilnin nga drejtoria, të spërkatur me rrezet e diellit të buzëqeshjes së tij. Madje nuk e kishin as për droje, kur i jepnin ndonjë pliko të mbyllur me para, të siguronin vendin e punës, për vete, për gruan, apo vajzën. Madje, ndodhi, njëri, të cilin unë si shef i personeli, e ktheva si të paplotë nga arsimimi për vendin e punës, nxori para syve të mi një portofol të zi dhe kur futi dy gishtat aty, e pyeta i habitur:

-Ç’bën ashtu?...

-Të jap një kafe!... – tha me zë të pakët.

-Si guxon, more, të më bësh plaçkë tregu, me paratë e tua?... – shfryva i fyer në dinjitet dhe i brita: - Dil tani dhe mos u duk më në zyrën time!

Ai doli dhe shkoi te zyra gazmore e drejtorit. Pasi doli andej, nuk më foli asnjëherë përzemërsish si më parë.

Filluan të pëshpëritnin se vendet e punës ziheshin me ndihmesën e shenjtë të “Shën Lekut”. Unë nuk doja ta besoja, se “shenjtori” ynë e ulte veten deri në shkallën minimale të shkurtimit të emrit. Sepse buzagazi i tij më kishte stepur edhe mua fillimisht.

Pak nga pak funksioni im, si shef i sektorit të personelit, po paralizohej nga buzagazi fenomenal i drejtorit, që i bënte emërimet vetëm me firmën e tij, pa i kaluar fare në dokumentacionin e sektorit tim. Ai i dërgonte shkresat e vendimeve direkt te punonjësja e administratës, sa për vulë dhe protokollim. Kësisoj unë, rigorozi në zbatimin e rregullave fikse, kisha tani vetëm çelësat e kashtës. Sekretarja që mbante vulën, jo vetëm vinte vonë në punë, por filloi shpesh të mos vinte fare për disa ditë. Kjo thyerje kaq trimërisht e disiplinës së punës, më nervozoi së tepërmi.

E thirra dhe e paralajmërova, se do të kërkoja zëvendësimin e saj, nëse do të përsëriste mungesa në punë, pa lejen time. Ajo formuloi në fytyrë një buzëqeshje, si fotokopje e gazit të drejtorit dhe iku pa ma varur fare. Për këtë parregullsi serioze në zyrën e administratës, vura në dijeni titullarin tim buzagaz. Ai qeshi dhe më tha shkoqur:

- I kam thënë unë t’i kalojë shkresat e emërimeve, që kam firmën e vulës. Mos u merr fare me të!...

Ndjeva pështjellim brenda vetes, nga ajo shtrirje e buzëqeshjes së tij të stampuar, që vazhdoi për disa sekonda.

- Më falni, drejtor, a mund ta di, po unë, çfarë firme kam, si shef personeli?...

- Ti... ke rrogën dhe mos e çaj kokën!... Rroga është primare, të tjerat janë sekondare, - tha duke qeshur sërish dhe u ngrit doli nga zyra.

Fillova ta ndjej veten si një lojtar rezervë, i dënuar nga gazi i këtij trajneri autokrat, të mos merrja pjesë, për një kohë të pacaktuar, në ndeshjet e përditshme me problemet e shumta që kishte institucioni ynë shtetëror.

Persona fare të panjohur e të paidentifikuar nga dokumentet, merrnin vendimet e emërimeve dhe fillonin punë në vende të boshatisur nga lëvizje të pamotivuara, ku të larguarit vinin ankoheshin tek unë. Nuk dija ç’t’u thosha, sepse isha në pozicionin e një huri të ngulur në një zyrë, ku lexohej mbi derë:“Shefi i sektorit të personelit”

Drejtori i dha sekretares lejë vjetore të dytë, gjatë vitit në vazhdim dhe e mbajti vulën në sirtarin e tij. Tani ne duhet t’i formulonim dokumentet e ndryshme vetë, t’i printonim vetë dhe pasi të na vinte vulën drejtori, të shkonim t’i protokollonim gjithashtu vetë në zyrën boshe të sekretarisë. Pra një praktikë së prapthi, që s’e merrte vesh as dreqi. Një rrumpallë, e cila buronte e gjitha nga kërcëllitjet e gazit të drejtorit.

Sekretarja, së cilës ia kishim harruar fytyrën, erdhi në prag të Vitit të Ri, mori nga drejtori shpërblimin e rrogës shtesë dhe shkoi, duke lëshuar drejt meje, fotokopjen e një buzagazi ironik, deri në sarkazëm përbuzëse.

Drejtori vinte dhe shkarkonte tek unë dengje shkresash, pasi i kishte hapur vetë plikot e ardhura. Ai më urdhëronte të formuloja përgjigjet e t’i lija në dosjen e firmës dhe të vulës së tij. Ndonjëherë i kthente për riformulim, me shënimin e ndonjë fjale zbutëse në cep të shkresave.

Mik e buzagaz, me të gjithë ata që kishin diçka në dorë dhe dorëlëshuar kulmor, për ç’ka zotëronte në duar e veta, drejtori mori, si i pastrehë një apartament të ri në qendër të qytetit. Disa ditë mungoi në zyrë, për shkak të punimeve shtesë dhe sistemimit që u bënte dhomave. Ne na duhej, për nevoja tepër të ngutshme, të bëheshim korrierë të firmës së tij, deri te shtëpia e re. Ku shpesh prisnim radhën, mes atyre që vinin nga periferitë për ta uruar me ndonjë qengj të theruar, thes me arra, apo bidon plastmasi me mjaltë.

Por nuk mbaroi vetëm me kaq. Pasi bleu një makinë të re, me fondet e çaprashitura të drejtorisë, drejtori humbi për ditë të tëra, duke shkuar, siç thoshte se kishte punë në ministri, por të vërtetën e maskuar, e dinte vetëm ai.

Mua më erdhi informacion për disa shkelje të rënda financiare të tij. Pasi e vura në dijeni dhe më dha përgjigjen: “E more rrogën?... Mos e çaj kokën!”, gati sa nuk humba ekuilibrin e gjakftohtësisë. Tejet i tërbuar nga nënvleftësimi që po më bënte fare hapur, u detyrova ta denoncoj te dega e Kontrollit të Shtetit. Ata çuditërisht më përcollën me premtimin se do ta shihnin, por denoncimi duhej bërë me fakte të dëshmuara e të dokumentuara e saktësisht.

I ndodhur mes një orkestre të çakorduar, ku dirigjenti që tundte shkopin, ishte vetëm maestro Leksi, u bëra shurdhmemec për disa kohë, duke iu falur rrogës në fund të dyjavorit. Drejtori kthehej duke zbritur nga benci tejet entuziast dhe arratisej sërish disa ditë të tjera. Kamioni i sektorit të ekonomisë ndihmëse, ngarkohej shpesh te magazina jonë me tulla, çimento e gëlqere dhe pasdite, kur mbylleshin zyrat, nisej drejt një rruge të panjohur për mua. Punëtorët e mirëmbajtjes nuk gjendeshin më në vendet e mëparshme të punës. Ata vinin sa për të marrë dietat dhe shkonin bashkë me kamionin. Magazinieri, pas shpërblimit dhe dietave të majme, ishte goditur në qendra e të folurit, në trurin e vogël dhe nuk jepte përgjigje as me shenja. Gjithë administratën tonë e kishte pllakosur një heshtje dhe memecëri e pashembullt.

Dikush nga të jashtmit, më pëshpëriti, se drejtori që qeshte, kishte gjetur truall në Sauk dhe po ndërtonte një vilë dykatëshe në periferi të Tiranës, duke përdoruar materialet e mirëmbajtjes së objekteve tona, gati të shkatërruara nëpër zona. Pra kishte filluar të bënte përgatitje për një shtegtim të afërt.

Nuk vonoi shumë, ai u transferua në ministri, me ndihmën e miqve, ku shpinte një pjesë të dhuratave që i vinin pareshtur nga periferitë. Me vonë u shpërngul familjarisht, pasi shiti shtëpinë dhe mbushi xhepat me para, i përgatitur mirë për tregun e xhepa-shkundurve të kryeqytetit.

Kur ia tregova këtë çudi gruas sime, ajo tha:

- I lumtë atij, jo si ti, që nuk të qesh buza. Ai diti të qeshë dhe fitoi.

- Po, por qesh më mirë ai që qesh i fundit, - ia ktheva, duke dalë marrakëmbësh nga dera e shtëpisë...

15 views0 comments

留言


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page