top of page

Dr Shpresa Fundo Gjergji: “Dashuri derisa të vërtetohet e kundërta”  nga Prof. Dr. Fatmir Terziu

2 hours ago
6 min read

 

Dr Shpresa Fundo Gjergji: “Dashuri derisa të vërtetohet e kundërta”  nga prof. Dr. Fatmir Terziu

 

 

 

“Dashuri derisa të vërtetohet e kundërta” vjen në duart e lexuesit si një tregim kryesisht me vlerë etike, psikologjike dhe reflektuese mbi dashurinë, besimin dhe mbi të gjitha për një te drejtë njerëzore për të pasur një të shkuar të vetën. Pikërisht bëhet fjalë për një identitet, një histori të vetën me përvoja, humbje, gabime, kujtime e dashuri që i përkasin botes se individit. Gjithçka ndërtohet mbi një ide interesante psikologjike qe mbështetet në pyetjen: a mund ta duash vërtet dikë pa pasur nevojë të njohësh dhe të kontrollosh çdo pjesë të së kaluarës së tij?

 

Autori zgjedh një situatë martesore, në dukje të zakonshme, dhe e shndërron me tej në një konflikt të brendshëm, ku s'është çudi, xhelozia, dyshimi, dhe besimi përplasen mes tyre.

 

1. Ndërtimi dhe struktura

 

Duke e lexuar, vë re se tregimi ka një strukturë klasike narrative, me hyrje, zhvillim të konfliktit, pikë kulmore dhe zgjidhje, e cila ngre vëmendjen e lexuesit gjatë zhvillimit të ngjarjes. Hyrja është mjaftë e goditur. Një detaj i vogël, por domethënës, siç është zhvendosja e makinës me disa centimetra, sjell në vëmendje karakterin e Irdi Kodrës si një njeri të prirur ndaj kontrollit dhe saktësisë.

 

Marr shkas dhe dua të qëndroj te ky detaj për ta parë atë si një paralelizëm simbolik me konfliktin që do të zhvillohet më pas: Irdi nuk duron as zhvendosjen e sendeve, as të vërtetat që nuk i kishte njohur (të vërtetat që nuk ishin pjesë e njohurive të tij, por ishin pjesë e identitetit dhe përvojës së saj).

 

Por duke e parë jo vetem si lexues, por edhe me një sy kritik, them se rrëfimi e sjell informacioni mbi të kaluarën e personazheve në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe nganjëherë tepër shpjeguese. Kjo është një zgjedhje narrative jo dobësi teknike e rrëfimit, ku autori e ka zgjedhur vetë t'ja shpjegojë lexuesit të vërtetën. Pra nënteksti nuk bëhet mekanizmi kryesor i këtij tregimi. Misteri, nëse do ta shihja me këtë sy, ndërtohet përmes informacionit që vjen me etapa, jo përmes paqartësisë së qëllimshme. Kështu lexuesi nuk ka si detyrë të rindërtojë historinë, por të interpretojë domethënien e saj. Ajo që e shoh si interesante dhe si veçori e teknikës së rrëfimit është se pesha e rrëfimit vendoset më shumë te mesazhi filozofik sesa te ekonomia e nënkuptimit. Kjo zgjedhje i jep autorit mundësinë të jetë më i drejtpërdrejtë në komunikimin e mendimit dhe të mos e fshehë teknikën e rrëfimit pas një loje të vazhdueshme nënkuptimesh.

 

2. Personazhet kryesorë

 

1. Irdi është personazhi më i shtjelluar. Profesioni i tij në sigurime nuk është zgjedhur rastësisht. Ai kërkon prova, shkaqe, përgjegjësi dhe garanci. Autori e ndërton karakterin përmes një analogjie të qëndrueshme midis profesionit dhe mënyrës si ai e koncepton martesën.

 

2. Elira është personazhi që mbart thelbin emocional të tregimit. Ajo përfaqëson të drejtën e individit për të pasur një të kaluar, për të ruajtur kujtimet e saj dhe për të mos qenë e detyruar të shpjegojë çdo përvojë intime.

 

Megjithatë, personazhi i Elirës mbetet disi në funksion të ndryshimit të Irdit. Bota e saj e brendshme, dhimbja e humbjes së fëmijës dhe marrëdhënia e dikurshme me Adrianin nuk zhvillohen thellësisht. Në fakt marrëdhënia e Elirës me Adrianin përbën një nga nyjet kryesore të konfliktit, por në tregim ajo mbetet më shumë një informacion biografik sesa një përvojë emocionale e konkretizuar. Mendoj se vet autori mund të ketë zgjedhur që Adriani të mbetet një figurë që i përket së shkuarës, sepse qendra e tregimit nuk është historia e dashurisë së tij me Elirën, por transformimi i marrëdhënies së Elirës me Irdin. Si i tillë Adriani shërben si “katalizator” i konfliktit dhe si ndërmjetës i së vërtetës.

 

3. Gjuha dhe dialogu

 

Gjuha është e qartë, e rrjedhshme dhe e kuptueshme. Autori zotëron mirë dialogun dhe përdor kundërvëniet për të nxjerrë në pah dallimet karakteriale. Do të doja ta shihja me syrin e vëzhguesit kritik rrëfenjën dhe të mos ndalem vetëm tek subjekti e mesazhi. Dhe ajo që has është vlera aforistike në disa replika brenda tregimit, që do të thotë se ato tejkalojnë funksionin e dialogut dhe marrin karakterin e një mendimi të pavarur, me peshë filozofike apo njerëzore.

Nëse një shprehje aforistike zakonisht përcjell një ide të thellë me pak fjalë, në tregimin e Terziut, gjejmë për shembull:

 

“Kurioziteti yt ka gjithmonë një dosje pas vetes.”

 

Kjo nuk është thjesht një replikë mes bashkëshortësh. Ajo përmbledh një tipar psikologjik të Irdit: prirjen për të hetuar, kontrolluar dhe kërkuar prova.

 

 “Kjo është një pyetje që mund ta bëjë vetëm një njeri që beson se dashuria matet.”

 

Këtu shprehet një ide më e përgjithshme. Dashuria nuk mund të matet dhe as të krahasohet si një sasi. Një ide që prek një nga paradokset e tregimit: Irdi kërkon siguri përmes provave, sikur dashuria të ishte diçka që mund të verifikohej, të matej apo të krahasohej. Por dashuria nuk është sasi, nuk funksionon me bilance dhe as me prova matematikore. Ajo përjetohet, ndërtohet dhe provohet në marrëdhënien e krijuar.

 

“Ka dhimbje, të cilat njeriu i mban të mbyllura jo sepse nuk i beson tjetrit...”

 

Ka dhimbje që njeriu i mban të mbyllura jo sepse nuk i beson tjetrit, por sepse nuk di si t'ia thotë pa e lënduar, duke shprehur kështu vështirësinë e komunikimit të dhimbjes intime. Njeriu mund ta dojë dhe t'i besojë dikujt, por përsëri të mos jetë në gjendje t'i rrëfejë përvojat më të rënda të jetës së vet.

 

“Kjo është një pyetje që mund ta bëjë vetëm një njeri që beson se dashuria matet.”

 

Irdi e bën këtë pyetje sepse priret ta shohë dashurinë përmes sigurisë, provave dhe garancive. Për të, ajo që nuk dihet bëhet shkak dyshimi. Në këtë kuptim, pyetja zbulon më shumë për mënyrën si ai e koncepton dashurinë, sesa për Elirën.

 

Sa më sipër përmenda, janë formulime që bartin mendimin e autorit dhe e zhvendosin tregimin nga një histori xhelozie drejt një reflektimi mbi marrëdhëniet njerëzore. Këtu më bën përshtypje fakti se personazhet flasin shpesh me një gjuhë tepër të përpunuar, sikur secili prej tyre të jetë bartës i një teze filozofike. Mendoj se vet dialogu, në disa momente, humbet natyrshmërinë e bisedës së përditshme të njerëzve të zakonshëm.

 

4. Konflikti dhe besueshmëria psikologjike

 

E parë në këndvështrimin e besueshmërisë psikologjike, në tregim gjendet një nga pikat më interesante. Irdi nuk përballet realisht me tradhtinë, por me pamundësinë për të zotëruar të gjithë historinë e gruas së tij. Kjo është një zgjedhje e zgjuar e tematikës së zhvilluar në tregim nga autori.

 

Autori e zhvendos konfliktin nga terreni i zakonshëm i tradhtisë bashkëshortore te një çështje më e ndërlikuar. Këtu lind pyetja: a mund ta duash tjetrin pa pretenduar se zotëron të gjithë të vërtetën e jetës së tij? Në fakt, Irdi nuk ka përballë një tradhti në marrëdhënien e tanishme. Ai përballet me zbulimin se Elira ka pasur një histori intime, një dashuri, një humbje dhe një dhimbje që i përkasin jetës së saj përpara se ta njihte atë. Ajo që tronditet nuk është domosdoshmërisht besnikëria e gruas, por ideja e tij për njohjen e plotë dhe kontrollin mbi njeriun që dashuron. Këtu qëndron zgjuarsia tematike e autorit. Ai përdor dyshimin për të trajtuar kufijtë e njohjes së tjetrit dhe për të vënë në pikëpyetje vetë konceptin e zotërimit në dashuri.

 

5. Simbolika dhe përfundimi

 

Fotografia, makina dhe dritarja janë tri elemente simbolike që mbajnë peshën e rrëfimit:

• Makina simbolizon nevojën për kontroll.

• Fotografia ruan të kaluarën dhe atë që nuk mund të rikthehet.

• Dritarja përfaqëson hapësirën midis asaj që dimë dhe asaj që mbetet e panjohur. Ndalem pak te titulli i librit të Elirës, “Dritaret që nuk u mbyllën kurrë”, lidhet bukur me këtë ide.

 

Do të shtoja se autori e ka ndërtuar tashmë mesazhin përmes veprimeve dhe dialogëve të personazheve. Pastaj e shpjegon përsëri, madje në disa variante, duke e kthyer përfundimin në një përmbledhje filozofike të asaj që lexuesi e ka kuptuar.

 

Fjalia përmbyllëse: “Dashuria duhet të zgjasë derisa të vërtetohet e kundërta, por njeriu nuk duhet ta kalojë gjithë jetën duke kërkuar prova kundër saj”, është mjaft e goditur si ide dhe lidhet drejtpërdrejt me titullin.  Ajo e sjell të qartë mesazhin, por ndoshta e shpjegon më shumë seç duhet një ide që rrëfimi e ka përgatitur tashmë. Por mendoj se autori dëshiron vet të zgjedhë ta bëjë mesazhin sa më të kapshëm, pa u mbështetur domosdoshmërisht në shumë shtresa të tërthorta.

 

Si përfundim

 

Në vlerësimin tim, tregimi ka një ide të fortë dhe një realizim artistik që i përgjigjet synimit të autorit. Si brum ka mendimin e tij, të cilin do ta vlerësoja shumë, ka strukturë dhe një përpjekje të dukshme për të depërtuar në psikologjinë e marrëdhënieve njerëzore. Autori trajton me interes kufirin mes dashurisë, besimit dhe nevojës për të njohur të shkuarën e tjetrit. Në thelb, është një tregim që meriton vëmendje për idenë që trajton dhe na fton të mendojmë se dashuria nuk kërkon zotërimin e plotë të historisë së tjetrit, por pranimin e tij si një njeri me përvojat dhe plagët që e kanë formuar në jetë. E falënderoj autorin që nëpërmjet tregimit nxit reflektimin dhe na fton ta shohim dashurinë përtej dyshimit dhe nevojës për ta zotëruar tjetrin.

 

Nga Dr. Shpresa Fundo Gjergji (studiuese në kërkime gjuhësore)

 


1 Comment


Fatmir Terziu
2 hours ago

Ju falënderoj sinqerisht për këtë lexim kaq të kujdesshëm, të thelluar dhe profesional të tregimit tim “Dashuri derisa të vërtetohet e kundërta”. E vlerësoj veçanërisht faktin se nuk jeni ndalur vetëm te rrjedha e ngjarjes apo te mesazhi etik i rrëfimit, por keni depërtuar në mekanizmat e tij të brendshëm, në marrëdhënien ndërmjet strukturës narrative, simbolikës, dialogut dhe psikologjisë së personazheve. Më ka tërhequr veçanërisht vëzhgimi juaj mbi Irdi Kodrën dhe profesionin e tij, ku nevoja për prova, siguri dhe garanci shndërrohet në një mënyrë të të menduarit edhe për dashurinë. Po aq domethënës është interpretimi juaj i Elirës si bartëse e së drejtës për një histori personale, për një të shkuar që nuk mund të kthehet në pronë të…

Like

Shkrimet e fundit

bottom of page