top of page

Dr. Esat Bordi, jo thjesht për ta kujtuar si mjek, por si një shkencëtar të mjekësisë shqiptare


Dr Esat Bordi

Prof Dr Fatmir Terziu



Viruset dhe format e ndryshme bakteriale kanë qenë gjithnjë problem për shëndetin e njeriut. Në kohët kur viruset dhe format bakteriale ishin problem, po aq përkushtim kishte nga specialistë të cilët me aftësitë kryesisht personale dhe profesionale bënin të pamundurën të gjenin efektet e sulmit të efektshëm ndaj viruseve dhe formave bakteriale. Ishte marsi i vitit 1974. Salmonelozis sapo kishte ngritur kryet e tij vrastare. Alarmi kishte pushtuar gjithë rrjetin shëndetësor të asaj kohe. E në një nga mbledhjet emergjente një zë ishte dëgjuar nga salla ku thuajse të gjithë kishin një preokupim. Kolegë e partiakë të kohës drejtuan sytë nga ai. Ai tashmë kishte gjetur shkaktarët e kësaj sëmundjeje bakteriale dhe fliste për „salmonela tifi murium, salmonela enteritis, salmonela kolerë suris etj.“ Heshtja dhe përqëndrimi i kolegëve bëri që ai të thirrej në aparatin qeveritar e më pas në disa instanca partiake të monizmit. Kështu emri i Dr Esat Bordit aq sa u bë i njohur, aq dhe u nënvizua me laps të kuq poshtë tij. Studimet në disa vende jashtë Shqipërisë e bënin më pak të dëshiruar për kohën, por aftësia dhe zotësia e tij e mbajti në frontin kryesor. Ai kishte studiuar në vitet 1940-1943 në degën e filozofisë në Universitetin e Firencës, Itali, ndaj e dinte mirë se ku ishte problemi, dhe kështu uli kokën e u përqëndrua vetëm tek virusi. Koha kishte bërë të vetën në jetën e tij kur periudha e luftës së II-të Botërore e detyroi të ndërpriste studimet dhe të kthehej në Shqipëri. Për një periudhë punoi si inspektor arsimi në rrethin e Tiranës. Në vitin 1946 filloi studimet në degën e mjekësisë të Universitetit të Sofjes në Bullgari, kur ekzistonte Internacionalizmi, dhe mësohet se këto studime Bordi, i mbaroi shkëlqyer në vitin 1952.

Ishte periudhë e gjatë që nga ajo ditë e marsit 1974 në angazhimin e tij. Dhe kështu pas shumë vitesh ai do të kishte në krah të tij një zonjë tjetër profesioniste dhe të pasionuar, me të cilën ai vazhdoi më tej e më thellë luftën ndaj kësaj sëmundjeje. Ai emër që iu gjend në përkrahje ishte Elvetina Qafleshi (Frashëri). Bashkë ata jo vetëm u përqëndruan gjatë në këtë luftë dhe madje shkruan bashkë një material të gjatë, të argumentuar e mjaft bindës me temën: „Sëmundja Salmonelozis, pasojat dhe masat profilaktike“. E ky material u vlerësua shumë. Aty shpjegohej se infeksioni i salmonelës (salmoneloza) është një sëmundje e zakonshme bakteriale që prek traktin e zorrëve. Bakteret e salmonelës zakonisht jetojnë në zorrët e kafshëve dhe njerëzve dhe derdhen përmes jashtëqitjeve. Njerëzit infektohen më shpesh përmes ujit të ndotur ose ushqimit. Në mënyrë tipike, njerëzit me infeksion të salmonelës nuk kanë simptoma. Të tjerët zhvillojnë diarre, ethe dhe dhimbje barku brenda tetë deri në 72 orë. Shumica e njerëzve të shëndetshëm shërohen brenda disa ditësh pa trajtim specifik. Në disa raste, diarreja e lidhur me infeksionin e salmonelës mund të jetë aq dehidratuese sa të kërkojë kujdes të shpejtë mjekësor. Komplikime të rrezikshme për jetën gjithashtu mund të zhvillohen nëse infeksioni përhapet përtej zorrëve tuaja. Rreziku juaj i përvetësimit të infeksionit të salmonelës është më i lartë nëse udhëtoni në vendet me kanalizime të dobëta.

Duke studiuar shfaqjet e para të salmonelozave në Shqipëri të cilat ishin parë në spitalin e Korçës, të Tiranës të Shkodrës etj., ai me shfaqjen e parë të virusit në Elbasan, në marsin e vitit 1974 tek një fëmijë e moshës 13 vjeçare, ku sëmundja u shfaq me dhimbje barku, të vjella dhe temperaturë vuri menjëherë të gjithë profesionalizmin dhe njohuritë e tij në shërrimin e plotë. Ai e trajtoi pacientin me kemicitinë, rehidratim, elektrolit, noradrenalinë dhe vitamino terapi (materiali shkencor, 1982). Edhe kur koprokultura e parë dhe e dytë doli negativ ai vazhdoi këmbënguljen që të gjente e arrinte tek e treta që doli pozitivdhe tifi murius ishte e influencuar nga kloramfenikoli. Me këtë rast ai bëri që rastet e tjera që u shfaqën në Elbasan të reduktoheshin menjëherë.

Doktori që kishte filluar kërkimet dhe hulumtimet e tij që në Bicaj të Kukësit, e më pas në Durrës eTepelenë, ku punoi pas përfundimit të studimeve si mjek, natyrisht kishte më shumë se sa ato që tha në letër. Rezervimi ishte normal. E këtë e kishte mësuar më së shumti kur ai nisi punën si mjek pediatër në qytetin e lindjes në Elbasan dhe më pas gjithë jetën e tij ia kushtoi punës me fëmijët.

Në vite të tëra, profesionalizmi dhe përkushtimi i tij bëri maksimumin për fëmijët e sëmurë të Elbasanit dhe rretheve Librazhd, Gramsh, Peqin, Rrogozhinë. Ai me profesionalizmin, humanizmin, me punën e përkushtuar dhe me kujdesin e tij të palodhur ka shpëtuar jetën e qindra fëmijëve. Ai punoi për të ngritur shërbimin pediatrik në Elbasan, që nga ai profilaktik e më gjerë. Këto i trashëgonte nga edukata qytetare elbasanase e familjes së tij, që në 19 Nëntorin e viti 1919, me ardhjen në jetë të tij bëri festën më të madhe familjare dhe fisnore përkushtuar atij nga gëzimi i madh. Ndaj familja jo vetëm e edukoi, e kaliti me vyrtyte humane, por dhe u përkujdes për studimet e tij shkollore, që nga fillimi, shkolla e mesme të cilën e kreu në qytetin e lindjes Elbasan e më tej, sikurse e cituam më lart.

Në vite të tëra ai ishte në krah të emrave të nderuar të mjekësisë së Elbasanit, të cilët ishin shtylla e Spitalit, si Niko Papajani (dermatolog); Kolë Papajani (kirurg); Sadik Dinçi (neurolog); Emil Mborja (kardiolog); Pandi Pipivani (otorinolaringolog); Mehmet Mihali (neurolog); Sanjie Dimitresku (pediatre); Reshat Kapshtica (kirurg); Koço Poro (reumatolog); Mehmet Çeliku (infermier); Kiço Shqau (farmacist); Sami Bejko (pediatër). Kjo shikohet qartë dhe në një fotografi që ka shpërndarë në rrjetet sociale i mirrënjohuri Kastriot Dinçi.



310 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page